Përgjegjësit e Departamenteve


Përgjegjëse e Departamentit të Menaxhimit e Marketingut: Prof. Dr. Ermira Qosja

Doktor në Menaxhim, Universiteti Politeknik Tiranës; studime doktorale në Politecnico di Bari, Itali; specializuar për menaxhimin e SME-ve në Universitetin e Ëashington-it, Seattle, SHBA, si dhe në universitete të tjera, Francë e Portugali. Angazhohet më pas në në menaxhimin e lartë të  disa bizneseve në Shqipëri, Drejtore e Përgjithshme në botimet “Shekulli, Spektër, Radio+2,  Sporti Shqiptar”; Drejtore e PR&HR dhe e projekteve të zhvillimit në kompanitë “Deka dhe “OLIM”; Drejtore e të parit Community College nën Institutin “Harry Fultz” erj. Autore e disa botimeve në lidhje me sipërmarrjen, edukimin sipërmarrës, lidershipin në arsimin e lartë, etj, në revista shkencore brenda dhe jashtë vendit. Inisiativë  për disa projekte të lidhjes së UET-së me biznesin, organizimin e konkurseve të ideve dhe planeve të biznesit, bashkëvepron me Dhomat e Tregtisë duke krijuar një kulturë sipërmarrëse brenda universitetit, si dhe bëhet pjesë e projekteve europiane mbi sipërparrjen.

Përgjegjëse e Departamentit të Informatikës dhe Teknologjisë: Dr. Teuta Xhindi

Doktor në Matematikë, Universiteti Politeknik i Tiranës; Master në Matematikë e zbatuar, Universiteti Politeknik i Tiranës; BA në Matematikë, Universiteti i Tiranës; BA në Administrim Biznes, Universiteti i Shkodrës.Eksperiencë të gjatë në mësimdhënie dhe e angazhuar në projekte në cilësinë e ekspertes për analizën e të dhënave.Që prej nëntor 2017, përgjegjëse e Departamentit Informatikë, Matematikë dhe Statistikë, pranë UET.

Përgjegjëse e Departamentit të Shkencave Humane dhe të Komunikimit: Prof. Asoc. Dr. Belina Budini

Prof. Asoc. Dr. Belina Budini është pedagoge në Universitetin Europian të Tiranës ku aktualisht drejton Departamentin e Shkencave Humane dhe të Komunikimit. Më parë, ka mbajtur funksionin e drejtueses së departamentit të Komunikimit dhe të Marrëdhënieve Publike, në periudhën nga viti 2013 deri në vitin 2018. Ka kryer studimet Master në Universitetin e Londrës, Goldsmiths College dhe ato doktorale në Universitetin e Tiranës, për komunikim dhe media. Mban gradën Prof. As. Dr dhe është autore e librave “Tri kohë të Shqipërisë në TIME, 1923-2013”, publikuar në vitin 2014 dhe “Edi Rama, politikani pop(ulist)-star”, publikuar në vitin 2009. Është autore e shumë artikujve dhe analizave të publikuara në media. Ka organizuar, drejtuar dhe marrë pjesë në shumë konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare, brenda dhe jashtë vendit. Ka sjellë në shqip disa tekste ndërkombëtare të fushës së komunikimit, duke bashkëpunuar me shtëpi botuese prestigjioze si Mc.Graw Hill Education, Macmillan Education, Sage, etj. Adresa e saj elektronike është: [email protected].

Përgjegjëse e Departamentit të Ekonomiksit dhe Financës: Prof. Asoc. Dr. Ermela Kripa

Doktor në Financë, Universiteti i Tiranës; MSH në Financë dhe Menaxhim Risku, Universiteti Roma Tre, Romë, Itali; BA në Ekonomi, Institucione dhe Financë, Universiteti Roma Tre, Romë, Itali; Specializim post master në Menaxhim Bankar, Instituti CAPTHA, Romë – Milano, Itali. Autore e disa botimeve për çështje që lidhen me ekonominë, financën, riskun, bankingun dhe qeverisjen e korporateve, në revista shkencore brenda dhe jashtë vendit. Që prej tetorit të 2008, pedagoge pranë Universitetit Europian të Tiranës.

Përgjegjëse e Departamentit të Imazherisë:
Prof. Asoc. Dr. Voltisa Lama

Doktore e Shkencave në Mjekësi nga Universiteti i Hamburgut, Gjermani. Specializim dhe diplomim me titull “Psikiatre për fëmijë dhe adoleshentë“ nga Fakulteti i Mjekësisë, Universiteti i Tiranës. Studimet e larta në Mjekësi, Fakulteti i Mjekësisë, Universiteti i Tiranës. Ka kryer specializime të ndryshme jashtë vendit nga Qëndra Universitare Charite-Berlin, Qëndra Universitare e Hamburgut, Universiteti i Amsterdam-it, King’s College London, Qëndra Spitalore Universitare e Vienës, Universiteti i Salzburgut. Me eksperiencë klinike dhe liçensim në fushën e shëndetit mendor të fëmijëve dhe adoleshentëve. Autore e disa botimeve brenda dhe jashtë vendit. Që nga viti 2013 pedagoge në Universitetin Europian të Tiranës. Fokusi si lektore është në Psikopatologjinë e fëmijërisë dhe adoleshencës dhe Psikologjinë e zhvillimit. Në vitet 2004-2009 ka punuar në Fakultetin e Mjekësisë, Universiteti i Tiranës si kordinatore e projektit amerikano-austriak «Open Medical Institute» për edukimin e mjekëve në vazhdimësi.

Përgjegjës i Departamentit të Shkencave Sociale të Aplikuara: Prof. Asoc. Dr. Roland Lami

Doktor në Shkenca Politike, MA në Sociologji, MA në Studime Europiane dhe BA në Sociologji të Universitetit të Tiranës. Ai është autor i librave: “Njohuri Bazë të Kërkimit në Shkencat Sociale”, ”Komunikimi dhe Marrëdhënia Shoqërore”,  “Identity of Political Parties in Albania (during the period 1990 – 2013)” “ Kriza e demokracisë lokale”. Gjithashtu, ai  ka botuar me dhjetra artikuj në revista shkencore brenda dhe jashtë vendit. Që prej tetorit të 2013 është i përgjegjës i departamentit të Shkencave Sociale të Aplikuara.

Përgjegjëse e Departamentit të Shkencave Juridike – Dr. Ledina Mandija 

Aktualisht znj. Mandija mban titullin e Doktorit të Shkencave në Drejtësi nga Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë, Departamenti i të Drejtës Civile. Titullin Master në Drejtësi e mori në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë në vitin 2005. Studimet e larta i ka përfunduar në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” me rezultate të shkëlqyera në vitin 1996. Ajo ka qenë kërkuese shkencore në të drejtën e procedurës civile dhe të së drejtës familjare pranë Universitetit të Bolonjës , Graz Austri dhe Kansas University. Aktualisht, ajo është duke ndjekur studimet e doktoraturës në të drejtën ndërkombëtare dhe specialitet në të drejtën civile, Universiteti “Karl Franzens “ Graz dhe së fundi ka qenë kërkuese shkencore në Institutin Max Planck-Luxemburg për të drejtën ndërkombëtare, europiane dhe të procedurës civile. Nga nëntor 2017, znj. Mandija është lektore me kohë të plotë pranë Fakultetit të Drejtësisë të UET si dhe ushtron funksionin e përgjegjësit të departamentit të së drejtës publike.

Përgjegjëse e Departamentit të Inxhinierisë dhe Arkitekturës  Dr. Otjela Lubonja

Dr. Ark. Otjela Lubonja është pedagoge në Universitetin Europian të Tiranës, ku aktualisht drejton Departamentin e Inxhinierisë dhe Arkitekturës. Ka kryer studimet Master i Integruar në Universitetin Politeknik të Tiranës, Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit, dega Arkitekturë. Mban gradën shkencore ‘’Doktor’’,  me temë ‘’ Urbanizimi dhe Ndikimi i tij në Ekonomi (Rast studimor: Qyteti i Tiranës). Autore e disa botimeve dhe ka marrë pjesë në shumë konferenca kombëtare e ndërkombëtare, brenda dhe jashtë vendit. Me eksperiencë në mësimdhënie që prej vitit 2011, gjithashtu zotëron dhe liçensën si arkitekte që prej tre vitesh.

 

Përgjegjëse e Departamentit të Infermierisë dhe Fizioterapisë – Dr. Marsida Duli

Dr. Marsida Duli është me profesion mjeke, e specializuar në  Nefrologji dhe Dializë. Ajo ka përfunduar studimet Doktorale në fushën e Morfologjisë Klinike. Gjithashtu ajo ka kryer studime në Master Ekzekutiv në “Menaxhim të Shërbimeve Shëndetësore” pranë Universitetin e Sienës. Ajo është angazhuar në mësimdhënie që në vitin akademik 2008-2009 dhe që prej vitit 2009 ka shërbyer si përgjegjëse departamenti pranë disa Institucioneve të Arsimit të Lartë. Në vitin 2015 përzgjidhet pjesë e programit LEAD Albania ( të Qeverisë Shqiptare dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim). Përgajtë këtij viti ajo shërben si këshilltare e Ministrit të Shëndetësisë. Marsida ka një numër të konsiderueshën botimesh, tekst mësimor, artikujsh shkencor, referimesh në konferenca ndërkomëtare të fushës së mjekësisë.

Përgjegjëse e Departamentit të Arteve të Aplikuara – Dr. Mirela Oktrova
Ka mbrojtur doktoratën në Estetikë të krahasuar në Akademinë e Arteve (2000). Ka kryer studimet universitare për Gjuhë-Letërsi (1983-1987) në UT dhe pasuniversitare në Arte Skenike në Akademinë e Arteve (1987-1990). Më pas studjoi Gjuhësi, Histori dhe Psikologji në Universitetin e Bonit (1993-1997) si edhe Teori dhe Manaxhim mediash në Universitetin e Këlnit (1998-2002). Ka qenë pedagoge në Akademinë e Arteve (1987-1991), redaktore në radion Deutsche Welle në Këln (1992-2004), e dërguar e agjensisë gjermane të lajmeve dpa (2004- 2006), ka themeluar Institutin e Studimeve të Medias Opinionit dhe Komunikimit (2004), ka drejtuar projekte mediatike të Paktit të Stabilitetit të EJL dhe Institutit gjerman të Marrëdhënieve Ndërkombëtare (ifa) (2004-2006), ka qenë drejtore e Televizionit Publik Shqiptar (2006-2016), drejtore artistike e DEA International Film Festival (2014-2018), pedagoge në Komunikim dhe Manaxhim mediash (UT 2008-2018) në Të folur në publik (UET 2017) dhe Histori teatri (UA 2018). Është autore e librave “Teatri si alternativë ndaj ekspansionit mediatik postmodern” (Prishtinë 2000), Alles Gute – Metodë televizive për mësimin e gjermanishtes (Tiranë 2002), Monitor I,II,III,IV- Mbi prioritetet e informimit në mediat shqiptare (Tiranë 2004, 2005, 2006) si edhe e shumë studimeve, analizave, cikleve radiofonikë e televizivë dhe skenarëve filmikë.

Përgjegjës i Departamentit të Psikologjisë, Edukimit dhe Sporteve – Prof. Asoc. Dr. Edi Puka

Prof. Asoc. Dr. Edi Puka është diplomuar në vitin 2003 pranë Fakultetit të Shkencave të Edukimit në Universitetin “A.Moro”, Bari, Itali. Në vitin 2007, pranë të njëjtit universitet, fiton gradën “Doktor”, në Shkencat e Edukimit. Në vitin 2006 përzgjidhet si Dekan i Fakultetit të Edukimit, pranë Universitetit “Aleksandër Moisiu”, Durrës, e më pas ka mbajtur pozicionin e Zv/rektorit dhe Rektorit, pranë të njëjtit institucion. Prej vitit 2012, zhvillon aktivitetin e tij akademik pranë Departamentit të Psikologjisë, Edukimit dhe Sporteve, në Universitetin Europian të Tiranës, ku aktualisht mbulon pozicionin e Përgjegjësit të Departamentit.