Dekan i Fakultetit të Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit – Prof. Asoc. Dr. Elvin Meka
Prof. Asoc. Dr. Elvin Meka ka më shumë se 16 vjet përvojë në banking qëndror dhe atë tregtar, tregjet e kapitaleve dhe letrave me vlerë në Shqipëri, si dhe rreth 8 vjet eksperiencë akademike si zv. Dekan & Përgjegjës i Departamentit të Financës dhe Zv. Rektor për Procesin Akademik, në Universitetin Europian të Tiranës (UET). Prof. Asoc. Dr. Elvin Meka ka punuar për institucione të ndryshme, si: Banka e Shqipërisë (Departamenti i Emisionit, Divizioni i Operacioneve Monetare), Departamenti i Bursës së Tiranës), Bursa e Tiranës SHA (Drejtor i Përgjithshëm), Shoqata Shqiptare e Bankave (Sekretar i Përgjithshëm) dhe Banka Emporiki – Shqipëri, Credit Agricole Group (Drejtor i Përgjithshëm Financiar – CFO) dhe Kolegji Universitar “Luarasi” (Administrator). Ai ka qenë anëtar i Këshillit Konsultativ të Biznesit (në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë & Energjetikës), anëtar i bordit të Agjencisë së Zhvillimit të Zonave Malore (MADA), Kryetar i Komitetit të Auditit të Brendshëm (në Ministrinë e Financave), dhe aktualisht është Kryeredaktor i Revistës “BANKIERI”, publikim i Shoqatës Shqiptare e Bankave (AAB), Kryetar i këshillit mbikëqyrës të AK Invest, si dhe anëtar i Komitetit të Auditimit të Brendshëm të INSIG
Dekane e Fakultetit të Shkencave Juridike, Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare – Prof. Asoc. Dr. Juelda Lamçe
Nga viti 2021, Prof. Asoc. Dr. Juelda Lamçe, mban pozicionin e Dekanes së Fakultetit të Shkencave Juridike, Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare.
Prof. Asoc. Dr. Juelda Lamçe, është diplomuar në Drejtësi në vitin 2005 në Universitetin e Maceratës në Itali, ku ka përfunduar edhe studimet Master “Bashkëpunim dhe Zhvillimin në Euro-Mesdhe” pranë Fakultetit të Shkencave Politike. Në vitin 2010 ka përfunduar studimet doktorale me rezultate të shkëlqyera në fushën e të drejtës familjare në Universitetin e Maceratës në Itali. Nga viti 2015 është “Profesor i Asociuar”.
Prof. Asoc. Dr. Juelda Lamçe ka një përvojë të gjatë akademike dhe ka kryer trajnime të shumta profesionale. Ajo ka marrë pjesë në konferenca të rëndësishme ndërkombëtare si dhe ka publikuar një sërë artikujsh në revista shkencore prestigjoze brenda dhe jashtë vendit. Në periudhën 2010-2018, Prof. Asoc. Dr. Juelda Lamçe ka mbajtur pozicione të rëndësishme akademike pranë Universitetit Europian të Tiranës si: Anëtare e Senatit Akademik, Përgjegjëse e Departamentit “E Drejtë Private”, Drejtuese Profili në Shkollën Doktorale etj.
Prof. Asoc. Dr. Juelda Lamçe ka një eksperiencë mbi 15 vjeçare si juriste, duke bashkëpunuar me zyra ligjore, institucione dhe organizata vendase dhe të huaja. Nga viti 2013 është liçensuar si avokate nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë në Shqipëri. Prof. Asoc. Dr. Juelda Lamçe ka bashkëpunuar gjithashtu si eksperte ligjore në projekte të rëndësishme në nivel kombëtar, rajonal dhe ndërkombëtar. Në periudhën 2018-2021, ka mbajtur pozicionin e Drejtorit të Njësisë së Zbatimit të Projektit ProSEED (GIZ) pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.
Fushat e saj të interesit janë të lidhura me: të drejtat e njeriut, mosdiskriminimin dhe barazinë gjinore, të drejtën familjare, mbrojtjen e të miturve, migracionin, politikat e punësimit, mbrojtjen e grupeve vulnerabël etj.
Dekan i Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale – Prof. Asoc. Dr. Belina Budini
Prof. Asoc. Dr. Belina Budini është pedagoge në Universitetin Europian të Tiranës ku aktualisht është Dekane e Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale si dhe drejton Departamentin e Shkencave Humane dhe të Komunikimit. Më parë, ka mbajtur funksionin e drejtueses së departamentit të Komunikimit dhe të Marrëdhënieve Publike, në periudhën nga viti 2013 deri në vitin 2018. Ka kryer studimet Master në Universitetin e Londrës, Goldsmiths College dhe ato doktorale në Universitetin e Tiranës, për komunikim dhe media. Mban gradën Prof. As. Dr dhe është autore e librave “Tri kohë të Shqipërisë në TIME, 1923-2013”, publikuar në vitin 2014 dhe “Edi Rama, politikani pop(ulist)-star”, publikuar në vitin 2009. Është autore e shumë artikujve dhe analizave të publikuara në media. Ka organizuar, drejtuar dhe marrë pjesë në shumë konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare, brenda dhe jashtë vendit. Ka sjellë në shqip disa tekste ndërkombëtare të fushës së komunikimit, duke bashkëpunuar me shtëpi botuese prestigjioze si Mc.Graw Hill Education, Macmillan Education, Sage, etj.
Dekan i Fakultetit të Inxhinierisë, Informatikës e Arkitekturës – Prof. Asoc. Dr. Teuta Xhindi
Prof.As.Dr.Teuta Xhindi ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës, dega Matematikë si dhe në Universitetin e Shkodrës dega Administrim Biznes.Në vitin 2014 ka përfunduar studimet doktorale në Universitetin Politeknik të Tiranës dhe në vitin 2021 ka marrë titullin “Profesor i Asociuar”.
Prof.As.Dr.Teuta Xhindi ka eksperiencë të gjatë në mësimdhënie në lëndët e matematikës, statistikës dhe ekonometrisë. Gjithashtu, është e angazhuar në një sërë projektesh dhe studimesh në rolin e ekspertes në mbledhjen dhe analizën e të dhënave.
Prof.As.Dr.Teuta Xhindi është pjesë e Rrjetit të Grave në STEM, të krijuar nga SCiDEV, që synon të kontribuojë në fuqizimin social dhe ekonomik të grave duke rritur përfaqësimin e tyre në Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë (STEM), si në akademi ashtu edhe në industri.
Aktualisht është profesore me kohë të plotë pranë Departamentit Informatikë dhe Teknologji, UET si dhe Dekane e Fakultetit të Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës pranë këtij universiteti.
Dekane e Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike – Prof. Asoc. Dr. Voltisa Lama
Prof. Asoc. Dr. Voltisa Lama është Doktore e Shkencave në Mjekësi nga Universiteti i Hamburgut, Gjermani. E specializuar dhe diplomuar me titull “Psikiatre për fëmijë dhe adoleshentë“ nga Fakulteti i Mjekësisë, Universiteti i Tiranës. Studimet e larta i ka kryer në Mjekësi, në Fakultetin e Mjekësisë, Universiteti i Tiranës. Ka kryer disa specializime jashtë vendit nga Qëndra Universitare Charite-Berlin, Qëndra Universitare e Hamburgut, Universiteti i Amsterdam-it, King’s College London, Qëndra Spitalore Universitare e Vienës dhe Universiteti i Salzburgut. Me eksperiencë klinike dhe e liçensuar në fushën e shëndetit mendor të fëmijëve dhe Adoleshentëve që nga viti 2008. Autore e disa botimeve brenda dhe jashtë vendit. Që nga viti 2013 punon si pedagoge në Universitetin Europian të Tiranës, si edhe në funksionin e Drejtueses së Departamentit në vitet 2018-2021. Fokusi i saj kërkimor është në Psikopatologjinë e fëmijërisë dhe adoleshencës. Në vitet 2004-2009 ka punuar në zyrën e marrëdhënieve me jashtë të Fakultetit të Mjekësisë, Universiteti i Tiranës si koordinatore e projektit amerikano- austriak «Open Medical Institute» për edukimin e mjekëve në vazhdimësi.