I.korbi

Ph.D Ilir Korbi

Ph.D Ilir Korbi është avokat dhe pedagog me eksperiencë të spikatur dhe me formim perëndimor. Z. Korbi ka përfunduar studimet universitare Bachelor dhe Master shkencor në një nga Universitetet më të vjetra në Itali dhe në Evropë (1175), atë të Drejtësisë në Modena, Itali, me rezultate maksimale. Në vitin akademik 2009/2010, përfundon në gjuhën angleze Masterin ekzekutiv “Master for International Lawyer”, pranë Universitetit të Bologna, Itali. Z. Korbi i përket brezit të doktorantëve 2018/2021, të departamentit të së Drejtës Publike, të Fakultetit të Drejtësisë, Universitetit Tor Vergata, Romë, Itali, diplomuar për gradën shkencore, PhD me temë, “Kushtet e burgjeve në perspektivën e jurisprudencës së Gjykatave Evropiane në lidhje me ekzekutimin e Urdhër Arrestit Evropian”.

Gjithashtu Z. Korbi ka kryer një sërë trajnimesh dhe specializimesh jashtë vendit: për çështjet e të drejtave të njeriut si Komisioner pranë Ombudsman në Rajonin Emilia Romagna, Itali dhe si pjesëmarrës në International Summer School “The protection of Fundamental Rights in Europe” në Bertinoro, Itali; për çështje lidhur me arbitrazhin dhe ndërmjetesimin pranë Dhomës së Avokatëve në Bologna duke e zgjeruar me tej kompetencat në këtë fushë me marrjen e titullit “Ndërmjetës” nga Ministria e Drejtësisë; për çështjet e pronësisë dhe regjistrimit të titullit të tyre, pjesëmarrje në aktivitete formuese dhe trajnuese të zhvilluara në Suedi dhe në Rajonin e Ballkanit; për çështjet e legjislacionit dhe të drejtave të Kartës së Drejtave Themelore të Bashkimit Evropian, në Fondacionin “Renzo Inbeni”, Modena, Itali; për çështje lidhur me lidershipin, demokracinë, sistemin e drejtësisë, në Shkollën e Studimeve Politike të organizuar nga Këshilli i Evropës në vitin akademik 2011/2012, me vlerësimin me certifikatë nderi dhënë nga Sekretari i Këshillit të Evropës.Aktualisht Z. Korbi mban statusin e Kandidat për Gjyqtar dhe nga Shkurti 2024 është pedagog i Universitetit Europian i Tiranës. Z. Korbi ka një eksperiencë mbi 15 vjeçare si jurist, avokat ndërmjetës dhe lektor. Pas një përvoje pranë Institucionit të Avokatit të Popullit të Rajonit Emilia Romagna, dhe gjithashtu një eksperience në Gjykatën e Modenës, ai bëhet pjesë e thirrjes Brain Gain Programme, UNDP Albania. Në vitin 2011 pozicionohet pranë Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme duke mbajtur një pozicion krucial në trajtimin e problematikave dhe unifikimin e procedurave lidhur me regjistrimin fillestar të pasurive të paluajtshme, si dhe në përfaqësimin e këtij institucioni pranë organeve gjyqësore. Gjithashtu në këtë vit z. Korbi është licensuar si Avokat. Duke filluar nga viti 2013, ai zotëron gjithashtu licencën e Ndërmjetësit dhe të Audituesit publik. Gjatë karrierës së tij si avokat dhe ndërmjetës ka bashkëpunuar me zyrën ligjore “Boga & Associates”, në të cilën është angazhuar në përfaqësimin ligjor përpara gjykatave dhe organeve të prokurorisë, në ofrimin e konsulencës ligjore në fusha të ndryshme, për më shumë se tre vite. Nga Marsi 2017 deri në Janar 2024, Z. Korbi ka mbajtur postin e Drejtorit të Zyrës Ligjore të Universitetit Europian i Tiranës, lektorit pranë këtij Universiteti duke ushtruar njëkohësisht dhe profesionin e avokatit.