Starton UET Cast/ Grida Duma, e ftuara e parë: Komunikimi është mjeshtëri në çdo profesion

Universiteti Europian i Tiranës ka startuar UET Cast, një seri episodesh në formatin podcast, me fokus kryesor edukimin mediatik dhe shoqërinë. Ajo se çfarë po ndodh sot me median, ndikimi i teknologjive të reja dhe ridimensionimi i rolit të pushtetit të katërt në shoqëri, do të zbërthehet përmes analizës së pedagogëve, personaliteteve dhe figurave publike, si dhe nëpërmjet angazhimit dhe kuriozitetit të studentëve.
E ftuara e parë e këtij podcast-i, në një bashkëbisedim me dekanen Prof. Dr. Belina Budini, ishte moderatorja Grida Duma, një figurë e njohur për publikun për shkak të angazhimit të gjatë si politikane e tashmë si drejtuese e një emisioni politik prime-time në një nga televizionet kombëtare. Ndër vite, Duma ka qenë prezente në auditorët dhe mjedisin e Universitetit Europian të Tiranës, përmes tre botimeve me UET Press, si dhe pjesëmarrjes në evente dhe ngjarje të rëndësishme të universitetit në fushën e librave dhe politikës.
Ky episod i parë i UET Cast preku shumë aspekte të komunikimit, medias dhe politikëbërjes në vendin tonë, rolin dhe sfidat që has një gazetar, si dhe mënyrën se si po transformohet ky profesion nën ndikimin e mediave të reja digjitale dhe rrjeteve sociale.
Budini tha se UET Cast është vijimësi e Forumeve UET, formatit të bashkëbisedimit dhe ndërlidhjes së studentëve me profesionistët dhe ekspertët jashtë auditorit, një praktikë shumëvjeçare e këtij universiteti, që tashmë vjen në një format të ri mediatik dhe të përshtatur me format e reja të komunikimit.
Dekania shtoi se ndryshimet që po pëson shoqëria, politika dhe media kërkojnë vigjilencë nga universiteti dhe bota akademike, që jo vetëm t’i kuptojnë këto ndryshime, por edhe t’i përkthejnë në njohuri dhe edukim për zhvillimin e aftësive të reja te studentët.
“Kjo është arsyeja pse kemi ndërtuar këtë laborator, në bashkëpunim edhe me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, në kuadër të projektit READ. UET Cast është një hapësirë kreative dhe praktike për studentët, që të zhvillojnë aftësitë e tyre dhe të eksperimentojnë me përdorimin e teknologjive të reja dhe përmbajtjeve mediatike”, theksoi Budini.
Si pjesë e medias, prej vitit 2022 moderatore dhe autore, Grida Duma tha se studentët e komunikimit dhe gazetarisë duhet të mësojnë një sërë aftësish, që nisin me përgatitjen e thellë teorike dhe vijojnë me elementët praktikë.
“Media është vizive. Në kurset e gazetarisë mendoj se duhen edhe kurse aktrimi. Duhet mësuar postura, si qëndrohet para kamerës, duhet mësuar diksioni, zëri, pauza. Thuhet pafund se 70% të një prezantimi e përbën komunikimi dhe pastaj përmbajtja”, theksoi moderatorja, duke shtuar se përgatitja e thellë, studimi dhe leximi i vazhdueshëm mbeten parësore dhe të pazëvendësueshme.
Në këtë kontekst, ajo vlerësoi rëndësinë e shkencave humane në formimin e studentëve, të çfarëdo profesioni, duke e quajtur mungesën e tyre një krizë absolute për akademinë dhe shoqërinë.
“Humanitetet duhet të shkojnë kudo. Filozofinë duhet ta studiojë arkitekti; gazetarinë dhe komunikimin duhet t’i studiojë ekonomisti, financieri, bankieri apo kushdo që ka një raport të rregullt me publikun. Komunikimi është mjeshtëri në çdo profesion. Kudo që të jesh, ti duhet të komunikosh profesionin tënd, atë që di të bësh”, u shpreh Duma.
Ajo pranoi se këtë aspekt e ka pasur themelor në trajektoren e karrierës së saj, që nisi në botën akademike si pedagoge dhe drejtuese katedre, për të vijuar me angazhimin në politikë dhe rolin e ri në media, prej të cilit nuk mendon të heqë dorë.
E pyetur për rikthimin në auditor si pedagoge, Duma pranoi se nuk i mungon dëshira, por e ka të pamundur për shkak të kohës. Megjithatë, ajo vlerësoi mundësinë e formateve të tilla dhe të krijimit të komunikimi me studentin dhe mendjen e re, që siç tha ajo, “i jep qartësinë se si mendon brezi tjetër.”
Ashtu siç ka qenë angazhimi i mëhershëm në auditor, Duma deklaroi se sërish do të zgjidhte të jepte mësim në fushën e saj të studimeve, pra sociologjinë, teksa sugjeroi që lëndë të tilla të jepen nga pedagogë me përvojë për shkak të eksperiencës dhe leximeve që mund t’u bëjë një figurë e tillë fenomeneve thelbësore të një shoqërie.
“Do të kisha zgjedhur të jepja “Hyrje në sociologji”. Në botë, lëndë të tilla i jep një pedagog me përvojë, më në moshë. Kjo sepse, që ta përfshish dikë në rrugën e madhe të profesionit, duhet ta mahnitësh dhe t’i tregosh se pse është aty, pse e ka nisur atë rrugë dhe çfarë nënkalimesh e perceptimesh e presin në këtë rrugëtim.”
Episodi i parë i UET Cast është tashmë i plotë, i publikuar në YouTube, në kanalin e tij zyrtar, si dhe në atë të Universitetit Europian të Tiranës. Me këtë projekt, UET synon të ndërtojë një platformë të re komunikimi dhe edukimi, ku studentët, pedagogët dhe personalitetet e fushave të ndryshme të ndajnë ide, përvoja dhe këndvështrime mbi zhvillimet që po formësojnë shoqërinë.
Tag:Belina Budini, Grida Duma, podcast, UET Cast

