Për të dytin vit radhazi, UET renditet i pari në të gjithë botën në Erasmus+ CBHE

Universiteti Europian i Tiranës vijon të dëshmojë lidershipin e tij në fushën e projekteve dhe ndërkombëtarizimit. Për të dytin vit radhazi, UET ka arritur numrin më të lartë të projekteve të përzgjedhura Erasmus+ Capacity Building for Higher Education (CBHE në nivel botëror). Ai është pjesë e 10 projekteve në të gjitha rajonet, duke përfshirë partneritete ndër-rajonale.
Drejtuesja e Zyrës së Projekteve dhe Ndërkombëtarizimit, Prof. Asoc. Dr. Ketrina Çabiri Mijo thotë se skema Erasmus+ CBHE është një nga instrumentet më prestigjioze dhe më konkurrues të Bashkimit Evropian, i dedikuar për zhvillimin e universiteteve dhe arsimit të lartë.
“Rëndësia e CBHE shkon përtej anës financiare. Ai është një tregues i kapacitetit institucional dhe reputacionit ndërkombëtar që UET e ka zhvilluar bindshëm ndër vite”, thekson Çabiri-Mijo, duke shtuar se arritja e këtij rezultati për të dytin vit radhazi është tregues i punës dhe përkushtimit të jashtëzakonshëm të stafit të Zyrës së Projekteve dhe Ndërkombëtarizimit.
Projektet e Erasmus+ CBHE do të kontribuojnë më tej në zhvillimin e kompetencave të mësimdhënies në fusha të ndryshme akademike, modernizimin e laboratorëve, digjitalizimin dhe nxitjen e inovacionit në sektorin e energjisë së rinovueshme dhe atë detar, aftësimin dhe përgatitjen e të rinjve me aftësitë të reja për tregun e punës.
Gjatë viteve të fundit Universiteti Europian i Tiranës ka njohur një rritje me shifra eksponenciale sa i përket thithjes së fondeve dhe menaxhimit të suksesshëm të tyre. UET është gjithashtu aksesues në disa prej programeve të financimit nga BE që gëzojnë një reputacion të lartë sa i përket shtrirjes dhe impaktit të tyre, të tilla si: Horizon Europe, Jean Monnet Centre of Excellence, Digital Europe, etj.
Tag:Erasmus+ CBHE, ndërkomëtarizim, projekte, uet

