UET HR Club/ Tregu i punës dhe sfidat për inxhinierët e gjeneratës së re
UET HR Club/ Tregu i punës dhe sfidat për inxhinierët e gjeneratës së re
Bashkëpunimi mes bizneseve dhe UET-së për burimet njerëzore ishte në qendër të forumit që u zhvillua të martën nga Fakulteti i Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës
Në një botë që lëviz, e vetmja gjë që mund të bësh, është të ndjekësh ritmin e saj. Risitë teknologjike apo fenomenet e reja sociale, diktojnë nevojën e profesionistëve të përgatitur për të përballuar apo për t’iu përshtatur ndryshimeve. Për të diskutuar mbi këto dinamika që pëson tregu i punës në fushën e inxhinierisë, Fakulteti i Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës zhvilloi forumin e burimeve njerëzore, me përfaqësues të bizneseve të kësaj fushe.
Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë, Informatikës e Arkitekturës, Arben Dushi theksoi nevojën e thellimit të bashkëpunimit mes universitetit dhe partnerëve të industrisë, pasi sipas tij këta komponentë nuk mund të funksionojnë të shkëputur.
“Sa më tepër bashkëpunime, sa më shumë të interferojnë veprimtaritë e përbashkëta, aq më shumë sukses do të kemi në produktin tonë, neve dhe juve, pra juve në kërkim të specialistëve dhe ne për të përgatitur specialistë të ardhshëm të fushave inxhinierike,të gatshëm për të hyrë në tregun e punës”, u shpreh Dushi.
Zv/Rektorja për Procesin Mësimor dhe Kërkimin Shkencor, Drita Kruja u shpreh se bashkëpunmi me bizneset ka qenë prej vitesh në vëmendje të UET-së, dhe për këtë arsye ka lançuar projektin 500+, që konsiston pikërisht në krijmin e ndërlidhjes me kompanitë publike dhe jo publike më të mëdha në Shqipëri.
UET ka aktualisht 5 fakultete, duke mbuluar pothuajse të gjitha fushat profesionale. Po ashtu, ofrohen të treja programet e studimit dhe kjo sipas zv/rektores iu vjen ne ndihmë punonjësve të bizneseve për të rritur kualifikimin e tyre, duke ndjekur një program master apo doktoraturë, ose duke u bërë pjesë e trajnimeve të ndryshme që zhvillohen.
“Një mundësi e mirë bashkëpunimi për ne janë edhe shërbimet e konsulencës që UET mund të ofrojë për secilën nga kompanitë. Ne mund të ndihmojmë shumë mirë për planet e biznesit, për kërkimet e tregut, shërbime juridike, konsulencë financiare e kështu me radhë”, u shpreh Kruja.
Më tej, zv/rektorja sugjeroi që ky bashkëpunim të përfshijë edhe studentët, kryesisht ata që janë të regjistruar apo ndjekin një master shkencor, pasi punimet e tyre përmbyllëse mund t’i realizojnë duke zhvilluar kërkime për tregun.
“Ku ka më mirë se këto tema të jenë në funksion të industrisë, bizneseve apo organizatave publike. Më duket e rëndësishme nëqoftë se ne arrijmë të kemi edhe një bashkëpunim të tillë, që temat e tyre të kenë një vlerë praktke, normalisht që edhe ata i ndihmoni, por edhe veten”, u shpreh ajo.
Pjesë e kurikulave mësimore të arsimit të lartë është edhe zhvillimi i praktikave, sidomos në degë të tilla që këtë pjesë e kanë të domosdoshme për aftësimin e studentëve në tregun e punës. Në forum u theksua nevoja e intershipeve, si një mundësi e mirë për të dyja palët, për studentët që të prekin më nga afër mjediset e punës, por edhe për bizneset, që gjatë këtyre intershipeve mund të zbulojnë punonjës potencialë.
Profesoreshë Kruja zbuloi edhe platformën që iu vjen në ndihmë bizneseve në kuadër të burimeve njerëzore. Sipas saj, nëpërmjet Gradua, kompanitë mund të njohen me CV e studentëve
“UET ka edhe një program që sapo e përmbyllëm, që është projekti Gradua. Është një platformë interesante, ku ju mund të gjeni CV e të gjithë studentëve që kanë prfundu studimet pranë UET. Kjo kërkon që edhe biznesi vetë të regjistrohet në këtë platformë. Në momentin që ju regjistroheni keni akses te studentët tanë por edhe të gjitha universiteteve publike dhe jopublike të tjera. Aty ka një CV të detajuar, e certifikuar nga universiteti. Kësht që, studenti nuk mund të thotë se kam mbaruar masterin në UET, nëse nuk e ka bërë diçka të tillë”, u shpreh Kruja.
Në përfundim, ajo theksoi se takimet e UET-së me bizneset do të vazhdojnë nëpërmjet zhvillimeve te tureve nëpër kompanitë, në mënyrë që që marrëveshjet tona të mos mbesin në letër, por të konkretizohen.
Ndërkohë, në ditët në vazhdim, edhe fakultetet e tjera të UET-së do të zhvillojnë forumet e burimeve njerëzore, në kuadër evidentimit të problematikave të tregut të punës, që mund të zgjidhen nëpërmjrt forcimit të bashkëpunimit.