Presidenti i UET Xhepa: Rrjeti UET Alumni Sipërmarrës, të studiosh për të krijuar punë
Presidenti i UET Xhepa: Rrjeti UET Alumni Sipërmarrës, të studiosh për të krijuar punë
Presidenti i Universitetit Europian të Tiranës, Prof. Asoc. Dr. Selami Xhepa, përgjatë aktivitetit të zhvilluar me rrjetin Alumni Business, ka vlerësuar guximin dhe inovacionin e 100 ish-studentëve të UET pjesë të këtij rrjeti, dhe theksoi rëndësinë që sipërmarrja për avancimin e një shoqërie, e veçanërisht asaj tonës.
Sipërmarrja në të gjithë historinë e njerëzimit, ashtu siç edhe në mençurinë popullore është konsideruar gjithmonë si ‘provincë e njerëzve të mëdhenj’, gjithashtu edhe e njerëzve të guximshëm. Jam impresionuar shumë kur kam lexuar një nga librat më të bukur të Ron Chernow, që i kushtohet Vanderbilt. Ky i fundit e filloi karrierën e tij në biznes duke përdorur forcën e muskujve, atëherë kur askush nuk guxonte të ankoronte anijet në brigjet e Nju Jorkut. I vetmi që arrinte të bënte këtë biznes, por e kuptoi më në fund edhe ai që vetëm me forcën e muskujve nuk shkon shumë larg. Investimin më të rëndësishëm Vanderbilt e ka në një nga universitetet e tij, universiteti Vanderbilt është një ndër më të famshmit në Shtetet e Bashkuara që i dedikohet pikërisht biznesit. Bota nuk është e ndarë në mënyrë të prerë midis atyre që janë doer-s dhe atyre që janë thinker-s. Në fakt jemi të dy palët të cilët ndërveprojmë në botën e sotme.
Së dyti për çfarë jam jashtëzakonisht i impresionuar është fakti që në përgjithësi kur vijnë maturantët për këshillim karriere, gjithnjë pyesin ku mund të gjej një punë më kollaj. Askush, ose ndoshta të paktën me mua, nuk ka qëlluar të më pyesë se ‘çfarë pune mund të bëj unë për të tjerët?’ dhe kjo është diferenca e madhe që mendoj që ju keni bërë. Nuk keni ardhur për t’i gjetur punë vetes, por keni ardhur që nëpërmjet edukimit tuaj të krijoni punë për të tjerët, dhe e keni bërë sipërmarrjen më shumë sesa një gjë private, e keni bërë një proces social. Edhe unë gjithmonë e kam shprehur dhe vazhdoj t’i mëshoj kësaj pikëpamje, që biznesi mund të jetë privat nga pronësia por nga përgjegjësia është ndoshta përgjegjësia më e madhe sociale që kemi, jo vetëm në raport me shoqërinë tonë, me brezat e sotëm, por edhe me brezat që do të vijnë. Së treti, ne jetojmë në një botë që shpesh të gjithë e themi, i takon ekonomisë së re, ekonomisë së dijes ndaj ka nevojë për një filozofi të re. Ju si sipërmarrës, por edhe të rinjtë që punojnë në industritë e reja dhe të dijes, e përjetoni më shumë se gjithë ne të tjerët, sesa shpejt ndryshon bota.
Viti 2000 tashmë ngjan histori, dhe problem është se edhe e sotmja po ngjan histori. Ajo që unë mendoj se duhet të bëjmë është që të punojmë për të ardhmen, që në të ardhmen të mos vajtojmë për të shkuarën, për historinë e sotme që s’bënte gjithmonë gjënë që duhet. Unë them që ju keni bërë gjënë që duhet duke punuar për t’i paraprirë kësaj historie. Është një proces krijimi shkatërrues shumë i fortë. Unë them që dhe në Shqipëri biznesi përgjithësisht është i ri, po të mendojmë që Shqipëria pas dy brezash e kishte vrarë shtetin sipërmarrës, vitet 90 treguan që ka njerëz që kanë guxim dhe kanë sipërmarrje, por dinamikat e reja mendoj që ndoshta kërkojnë një tjetër lloj qasjeje, një tjetër lloj filozofie. Unë besoj që roli dhe misioni juaj si sipërmarrës të rinj është pikërisht ky, t’i shërbeni ekonomisë së re. Të heqim dorë nga ekonomia tradicionale sepse nuk do shkojmë shumë larg. As ju nuk do të shkoni larg, edhe as shoqëria s’ka për të shkuar larg. E ardhmja e ekonomisë, e ardhmja e shoqërisë është ekonomia e re, ekonomia e dijes. Dhe për të kuptuar këto dinamika mendoj që kemi nevojë të dy palët, edhe juve për neve, edhe ne për ju. Ju jeni partnerë tanë shumë të rëndësishëm, që i jepni një perspektivë të re studentëve, atyre që do të ndjekin shembullin tuaj. Kontributi juaj vjen edhe në krijimin e një perspektivë për jetën që ata i pret, në ndihmën tuaj që së bashku që t’i integrojmë studentët në tregun e punës, që të jenë ndoshta bashkëpunëtorët tuaj nesër apo edhe konkurrentët tuaj. Dhe mendoj që kjo ne na bashkon fort. Universiteti dhe industria, nëqoftëse punojnë së bashku, ndoshta edhe pa ndihmën e qeverisë, mendoj që mund të bëhen realisht agjentët e rëndësishëm të ndryshimit, ndryshimit të shoqërisë shqiptare, në veçanti të shoqërisë tonë, e cila ka probleme serioze dhe ndoshta vetëm entuziazmi juaj edhe puna jonë e përbashkët mundet realisht të bëj një diferencë të madhe për të ndryshuar cilësisht standaredet e jetesës së shoqërisë tonë, natyrisht duke ndërtuar më së pari prosperitetin dhe mirëqenien për juve dhe për familjet tuaja.