Department’s Book Review/ Esat Pasha tradhtar? Ilir Ikonomi në UET: E pabazuar

Ikonomi riktheu në vëmendje çështjet më të rëndësishme që kanë implikuar dhe diskretituar këtë figurë politike të historisë shqiptare në fillim të shekullit XX, çfarë është thënë dhe çfarë është dokumentuar për të

Luiza Pinderi

Kurioziteti për një figurë kontroverse, që gjithmonë ndan emocionalisht audiencën, e shtyu gazetarin dhe studiuesin Ilir Ikonomi ta zbulonte Esat Pashë Toptanin në një kënd të ri, të paanshëm dhe të dokumentuar. Në një bashkëbisedim me studentët dhe pedagogët e Fakultetit të Shkencave Juridike, Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare mbi librin “Esat Pashë Toptani njeriu, lufta, pushteti”, Ikonomi riktheu në vëmendje çështjet më të rëndësishme që kanë implikuar dhe diskretituar këtë figurë politike të historisë shqiptare në fillim të shekullit XX, çfarë është thënë dhe çfarë është dokumentuar për të.

Pas 3 dekadash gazetar dhe pas 3 librave të rëndësishëm për historinë e Shqipërisë, Ilir Ikonomi vijon të zhbirilojë personazhe që kanë pasur ndikimin në rrugëtimin e shtetit dhe shoqërisë shqiptare. “Shqipëria ka histori të pazbuluara dhe kjo është një nga arsyet pse përpiqem të gjej figura të tilla”, tha autori në ciklin e radhës të Department’s Book Review në UET.

Pas librit “Faik Konica, jeta në Uashington”, “Pavarësia, udhëtimi i paharruar i Ismail Qemalit”, “Pushtimi”, dhe “Esat Pashë Toptani njeriu, lufta, pushteti”, ku tre të fundit vijnë nën logon e UET Press, Ikonomi zbuloi se po punon për t’i shtuar kësaj kolane të vyer biografish, figurën e Fan Nolit, jo siç mund ta kenë analizuar apo portretizuar të tjerët, por siç e përshkruajnë dhe e nxjerrin dokumentet.

Ju është dashur guxim për t’iu qasur një figure si Esat Pashë Toptani?

Unë kam jetuar në Amerikë gjatë asaj kohe dhe nuk e kam pasur frikën apo presionin e drejtpërdrejtë të njerëzve. Është një figurë që më ka intriguar jashtëzakonisht shumë. Shqipëria është një vend i pa eksploruar dhe ka histori pafund, shumë interesante. Në Amerikë, historia e Kenedit është shumë interesante, por për të janë shkruar më shumë se 2 mijë libra. Kështu që çfarë mund të thuash të re për të? Apo për Luftën Civile Amerikane, për të cilën janë shkruar mbi 3 mijë libra?

Ndërsa për Shqipërinë ka histori të pazbuluara dhe kjo është një nga arsyet pse përpiqem të gjej figura të tilla. Nuk do ta quaj guxim, pasi nuk e kisha presionin e drejtpërdrejtë, që do më shajnë apo do më quajnë tradhtar, dhe në fakt, nuk ndodhi një gjë e tillë, ndoshta ngaqë nuk pati shumë kritika. Kjo për shkak se kam shkruar në mënyrë të paanshme. Dija për Esat Pashën, por nuk dija shumë hollësi.

A është gjetur ndonjë dokument i besueshëm, apo ndonjë marrëveshje apo akt, në lidhje me Beogradin? Në çfarë mënyrë e shiti Esat Pashë Toptani Shqipërinë?

Ai kishte lidhje me Beogradin. Në fund të vitit 1915 dhe në fillim të 1916-s, ku Shqipëria ishte e copëtuar, Greqia kishte marrë Jugun, Vlorën e kishin italianët, Veriu ishte pa kontroll pasi malësorët vetëqeveriseshin, në Shkodër kishte disa kolonelë anglezë që përpiqeshin të vendosnin  rregull, ndërsa Shqipëria e Mesme mbizotërohej nga bandat e Haxhi Qamilit.  Ishte një situatë e dëshpëruar dhe kush do ta udhëhiqte Shqipërinë në atë kohë do të ishte ndonjë njeri i jashtëzakonshëm, pasi ishte në shpërbërje e sipër. Esati ishe një lloj kryeministri që rrinte në Durrës, që kishte disa prona dhe mbrohej nga italianët.

Çfarë po ndodhte përreth? Serbia pushtohet nga austriakët dhe ushtria serbe vjen nga Prizreni në Shqipëri. Por nuk vijnë thjesht ushtarët, vjen kryeministri, mbreti serb. Të gjitha kalojnë urën e Kukësit dhe shkojnë drejt Shkodrës. Vijnë gjithë shkencëtarët me librat, shkresat që përmbanin dokumentet e shtetit serb. Të gjithë thanë nuk ka më Serbi, madje edhe president i SHBA-së, Woodrow Wilson, në një moment ngriti flamurin serb në Shtëpinë e Bardhë. Në Shkodër ishte një dimër i ashpër dhe ushtria serbe humbi gati 20% të personave. Esat Pashë Toptanit i doli detyra se çfarë duhet të bënte me këta serbë, t’i mbronte apo t’i vriste. Ai nuk i vrau, u përpoq aq sa mundej për t’i ndihmuar.

Serbia edhe sot ia njeh këtë meritë dhe thotë se, :“Esati ishte njeriu që na mbrojti nga zhdukja e plotë”. Për këtë arsye i lidhën një pension, që e konvertuar me paratë e sotme i bie rreth 100 mijë dollarë në muaj. Esati deri kur vdiq, në 1920, merrte pension nga serbët. Shumë njerëz e quajnë tradhti këtë.

Nuk është se iu shiti ndonjë gjë. Ai e ndihmoi ushtrinë dhe ata ia dinë për nder. Sa u përket marrëveshjeve që ka bërë për të lejuar forcat serbe të hynin në Shqipëri, ai e bëri sepse forcat haxhiqamilëse po krijonin kaos në të  gjithë Shqipërinë e Mesme dhe po arrinin deri në Durrës dhe do t’i merrnin qeverinë. Esati nga dëshpërimi thërret forcat serbe dhe aty bënë një marrëveshje në qershor të 1915-s dhe kjo,  quhet marrëveshja më e turpshme që është bërë në historinë e Shqipërisë.

Çfarë ishte kjo marrëveshje? Është një profesor nga Kosova, i cili thotë se ka shkuar në arkivin serb dhe ka gjetur këtë marrëveshje, madje edhe e ka publikuar, por aty nuk ka as firmë, as nënshkrim. Mua kjo nuk më bind dhe kam shkuar vetë të pyes nëse ekziston një marrëveshje e vërtetë. Kam pyetur arkivin serb, kam pyetur njerëz në Ministrinë e Jashtme të Serbisë dhe të gjithë më thonë se nuk ekziston një marrëveshje e tillë. Një profesor serb, që quhet Batakoviç ka shkruar një libër për Esat Pashë Toptanin, i përthyer edhe në shqip. Ai i referohet këtij profesorit të Kosovës, për gjetjen e të ashtuquajturës marrëveshje. Si ka mundësi që ky Batakoviç që është kaq i afërt me rrethet shkencore të Serbisë, nuk e gjen dot origjinalin e marrëveshjes? Ka shumë të panjohura dhe nuk mund ta akuzosh një njeri pa ndonjë bazë konkrete.

Përtej analizave politike, pozicionimi që ai ka mbajtur ka qenë pragmatist. Në çdo rrethanë ai nuk ka dalë mbi interesat e tij personale. Sakrifica personale e Hasan Prishtinës ishte ekstreme, që paguante për të dërguar njerëz jashtë për shkollim, gjë që nuk e bënte Esati, edhe pse kishte para. Çfarë iu flet brezave Esati, çfarë inspiron si lider?

Do t’ju përgjigjem drejtpërdrejt. Një lider i zhveshur nga interesi personal, që nuk do të dojë të ketë një shtëpi apo një tokë, nuk besoj se ekziston. Megjithatë mund të përgjigjem edhe ndryshe. Kur erdhi Princ Vidi në Shqipëri, Esati ishte nga ata njerëz që besonte se ai nuk do të kishte sukses. “Nuk e njeh këtë popull. Unë e njoh, kam tokat e mia, kam fshatarët e mi dhe e di shumë mirë sesi janë”, shprehej ai. Esati kishte influencë të madhe në zonën e Tiranës. Dhe kështu ndodhi, Princ Vidi nuk e njihte Shqipërinë dhe iku me bisht ndër shalë dhe askush nuk erdhi. Marr rastin e Shkodrës, pse shkoi Esat Pasha? Ai kishte një pasion të brendshëm për të luftuar, ishte luftarak si njeri dhe donte të bëhej i pari i Shqipërisë. Shkoi në Shkodër dhe asnjë nuk e ndihmoi për të mbrojtur këtë qytet. Për mua ky ishte një veprim i mirë dhe duhet t’i njihet si meritë.

Ne kemi Sheshin Avni Rustemi, por mesa di nuk ka ndonjë rrugë me emrin e Esat Pashë Toptanit. Çfarë do të thoni në këto kushte, a do të duhet të ketë një rrugë apo shesh që të vendoset edhe emri i tij, pra edhe ai që vrau edhe ai që u vra?

Tani për tani nuk mund të ketë, sepse do të duhet më tepër emancipim. Kjo mund të vijë kur Serbia të njohë Kosovën, kur marrëdhëniet Shqipëri- Serbi të jenë normalizuar krejtësisht.

Ne kemi sot disa rrugë në Tiranë që mbajnë mbiemrin Toptani dhe që në fakt janë të afërm të Esat Pashë Toptanit. Me sa kam lexuar, ata e urrenin Esatin. Çfarë mund të thuhet më tepër për këtë marrëdhënie?

Toptanët janë fis i madh. Këta nuk e adhuronin Esatin, sepse ishte dinak, një njeri që i fitonte gjërat në rrugë të tërthorta, me intriga e mënyra të tjera. Këta ishin më të drejtpërdrejtë. E dyta, këta ishin më të edukuar, kishin studiuar në Turqi, ndërsa Esati nuk kishte bërë shkollë fare. Kishin një lloj mos admirimi për të. Ama në momentet që Esati ishte në krye të vendit, ata ai nënshtroheshin, si çdo njeri tjetër.

Nga leximi i librit tuaj, më kanë ndryshuar krejt konceptet për Esat Pashën. Ju keni pasur fatin të njiheni me arkivat franceze. A ishte vrasja e Esat Pashë Toptanit një komplot ndërkombëtar dhe sa rol ka pasur shteti francez apo italian?

Ka shumë hipoteza, por unë kam marrë ato që thonë dokumentet. Ka ca që thonë se Avni Rustemi mori para nga qeveria e Lushnjës, mes tyre edhe Zogu. Qeveria e Lushnjës ishte jashtëzakonisht e interesuar të mos e linte Esatin të kthehej në Shqipëri në vitin 1920. Ata ishin njerëzit më të interesuar për të mos e lejuar. A kanë pasur gisht italianët? Ka shumë mundësi të kenë pasur, pasi Avni Rustemi shkoi atje me një shumë të madhe parash. Rreth 20 mijë dollarë ishin shumë për një studiues që shkonte në Paris. Ishte absurde që të mos e kishte ndihmuar dikush. Ai mund të ishte patriot ashtu siç e kuptonte, por dikush tjetër e ka nxitur. Unë nuk jam marrë me këtë, madje as në arkivin francez nuk ka shumë gjëra për këtë pjesë. Mënyra se si u bë gjyqi tregonte se ishte normal, nuk kishte ndonjë komplot. Por ka shumë teori konspirative, që si ka mundësi që Avni Rustemi nuk u dënua? Por mund të ketë qenë se anëtarët e jurisë kanë qenë shumë të lodhur dhe nuk i kanë kushtuar rëndësi të madhe kësaj çështjeje.

Në mjedisin tonë social, në komunikimin politik, sa e rëndësishme është që të ketë shkëndija të tilla, me libra të tillë biografikë, për të të relativizuar qasjen tonë ndaj figurave politike dhe për të ndryshuar edhe modelet? Ne vuajmë nga një lloj retorike dhe patetizmi që ka prodhuar shpeshherë rënie të liderëve.

Në Shqipëri është një problem i madh mënyra sesi do të shkruajmë historinë e udhëheqësve, apo liderëve. Gjëja e parë që duhet të bësh, është të mos nisesh nga paragjykime dhe të bazohesh në dokumente. Unë kam një zakon të keq, që nuk i besoj shumë se çfarë themi ne për njëri-tjetrin. Në arkivin e Shqipërisë gjen lloj- lloj gazetash që shajnë. Unë preferoj t’iu referohem më shumë të huajve, sesi e kanë parë ata, se çfarë shënimesh kanë mbajtur. Nuk është se i injoroj fare burimet shqiptare.

Janë një kolanë librash  biografikë prej jush, që me siguri do të pasohen edhe nga të tjerë. A ka një biografi të radhës që do të sillni?

Unë po punoj për një biografi të Fan Nolit dhe jam duke eksploruar arkivat. Deri tani ka dy biografi të Fan Nolit, por unë nuk dua t’i qasem në mënyrën që ishte një revolucionar apo një njeri i mirë. Unë do t’i qasem ndryshe, do të them se çfarë ndodhi me të.

Dua të them diçka shumë interesante për arkivat. Kam qëmtuar arkivin francez dhe kam blerë shumë dokumente. Papritur unë gjeta një thesar të madh në arkivin e shtetit shqiptar. Në kohën e komunizmit, një apo dy studiues kanë qenë në Francë dhe kanë marrë shumë dokumente për Esat Pashë Toptanin dhe Shqipërinë e asaj kohe, të cilat i degdisën në arkiv dhe asnjeri nuk i kishte parë. Mes të tjerash unë gjeta një letër të rëndësishme, që ishte procesverbali i takimit të Esat Pashë Toptanit me Presidentin Woodrow Wilson,  në Paris. Ishte një margaritar i rrallë. Letra ishte në frëngjisht. Kur Esati shkoi të takonte Wilson-in në Paris në vitin 1919, kishte vetëm përkthyesin e vet që përkthenin  turqisht dhe frëngjisht. Presidenti Wilson nuk dinte frëngjisht dhe Esati në momentin e fundit u kujtua që i duhej një përkthyes nga turqishtja në anglisht. Por sekretari i Wilson-it i thotë se presidenti e kupton frëngjishten. Esati i thotë se ne kemi vuajtur nga Turqia dhe tani është Italia po na pengon, prandaj duam protektoratin e SHBA-ve. Wilson në fund i thotë që e kuptova thelbin, por m’i shkruaj të gjitha me letër. Esati shkon në hotel dhe i shkruan kërkesat e tij. Nga e kuptova këtë ngjarje? Pikërisht ngaqë lexova një kopje të letrës së e tij në Arkivin e Shtetit. Me këtë dua të tregoj rëndësinë e arkivave.