Koha për ‘universitetin hibrid’, Deloitte trajnon ekipin drejtues të UET
Koha për ‘universitetin hibrid’, Deloitte trajnon ekipin drejtues të UET
Drejtori i Burimeve Njerëzore të Deloitte, Roden Pajaj tha se sfidat për universitetet janë njëkohësisht edhe oportunitete për ta. Sipas tij më herët ka filluar koncepti blended learning, ndërsa sot po flitet për krijimin e i-campus
Ashtu si është bërë edhe traditë në fillim të vitit akademik, Universiteti Europian i Tiranës ka zhvilluar trajnimin tri ditor “back to work”. Përvojë kjo, e ngjashme me ato të universiteteve perëndimore, që kanë në fokus pedagogët dhe mësimdhënien.
I ftuar në një prej sesioneve trajnuese ishte edhe Drejtori i Burimeve Njerëzore të Deloitte Albania, Roden Pajaj, i cili trajtoi temën “Tendencat transformuese të institucioneve të arsimit të lartë post- Covid 2019”.
Duke iu referuar një studimi të Deloitte në Amerikë, Pajaj tha se një problem i madh i arsimit të lartë është që me zhvillimin e shpejtë të revolucionar industrial në teknologji, universitetet nuk po arrijnë dot ritmin që të japin dhe përshtatin kurrikulat e tyre në mënyrë të duhur, për të krijuar aftësitë e duhura që nevojiten për tregun e punës.
“Edhe kompanitë kanë bërë paqe me këtë fakt dhe kanë kuptuar që nuk mundet të mendojmë gjithë kohës që e riaftësuam forcën e punës dhe tani të presim se ndoshta edhe për nja 5 vjet nuk kemi nevojë të investojmë, pra kanë filluar të përdorin strategji të reja, sepse nevoja për t’u riaftësuar është në mënyrë të vazhdueshme. Ajo që po investohet shumë sot, është ato aftësitë njerëzore, që ta bëjnë forcën e punës për të mësuar në mënyrë të vazhdueshme vetë, patjetër duke i dhënë infrastrukturën dhe mundësitë e nevojshme kompanitë, qoftë edhe institucionet akademike, nëse bëjnë atë transformimin e nevojshëm, të cilin e diktoi pandemia”, tha Pajaj, teksa shtoi se problematikat e tjera të hasura, janë rënia e regjistrimeve të reja dhe mos përfundimi i studimeve nga studentët.
Ndërsa në Shqipëri, nga një vrojtimi i kryer gjatë viteve 2018- 2020 vihet re një rënie të regjistrimeve të reja në institucionet e akademike. Vrojtimi i kryer nga Deloitte në fillim të vitit 2020 me pjesëmarrjen e mbi 1 mijë studentëve nga universitet apo kolegjet profesionale, rezultoi se më shumë se gjysma mendojnë se marrin përgatitjen e duhur nga institucionet arsimore. Sa i përket bizneseve të marra në studim, nevojë urgjente del riaftësimi i forcës së tyre të punës, për t’i bërë ballë presioneve të tregut dhe për zhvillimet e tregut që po ndodhin.
Në këtë kuadër, Drejtori i Burimeve Njerëzore të Deloitte, Roden Pajaj tha se sfidat për universitetet janë njëkohësisht edhe oportunitete për ta. Sipas tij më herët ka filluar koncepti blended learning, ndërsa sot po flitet për krijimin e i-campus.
“Nëse në vende të tjera, jo më larg, por kemi edhe Italinë, u fut në dhjetë vjeçarin e fundit ajo që quhet blended learning, pra edhe leksione në sallë por edhe leksione online, ku po ndërtonin edhe kurrikulat. Sot koncepti që po flasim është i-campus, që shkon përtej programeve blending online. Të gjesh një universitet sipas konceptit i-campus do të thotë që gjëja e parë që vë në fokus është eksperienca e studentit dhe matja e suksesit të tij për atë studim që po kryen në raport me tregun. Çdo gjë tjetër që rrotullohet rreth saj, është fokusuar rreth asaj sesi institucioni akademik mund të krijojë një eksperiencë sa më të mirë studentit, gjatë gjithë jetës akademike, në disa aspekte”, tha Pajaj.
Më tej, ai shpjegoi edhe fushat kryesore që Deloitte ka specifikuar, në mënyrë që një universitet të kthehet në një i-campus.
“Një nga gjërat kryesore është rishikimi i kalendarit akademik. Ndarja në semestra nuk është sot më diçka që vjen nga dhënia e eksperiencës por edhe dhënia e dijes, por duke pasur parasysh të gjitha këto problematika, rënien e regjistrimeve. Pra zhvendosja nga një kalendar akademik me semestra, në një kalendar akademik të përzier, me zgjedhje, me lëndë, mjafton që të përfundosh programin siç duhet. Implementimi i teknologjive të reja që kanë të bëjnë qoftë me dhënien e mësimit online, por edhe me kuadrin efecient të vetë qeverisjes të universiteteve, me mënyrën si dizenjon kurrikulat. Trajnimi i stafit akademik. Marrja e trajnimeve në një porcion të vogël, në kohën dhe momentin e duhur, për të kryer një punë të caktuar. Krijimi i bashkëpunimeve të reja, aleanca me universitete të tjera, për të krijuar mundësi dhe paketa të ndjekjes së mësimit edhe duke u zhvendosur nga një universitet ne një tjetër. Nuk po flasim më për Erasmus, por aleanca trajnuese brenda vendit mes universiteteve. Aspekti i dytë është dizejnimi i punës, i stafit administrative, por edhe i vetë ambienteve të kampuseve universitare. Kur flasim për këtë aspekt, do të thotë sesi ne nëpërmjet portofolit të shërbimeve ndaj studentëve ta lehtësojmë punën dhe të ravijëzojmë rolet e punës brenda institucioneve akademike, duke e ndërthurur me teknologjinë, pra sa më shumë automatizim. Si do të japim një ambient të përshtatshëm për këtë ambient akademik? Kjo është kthyer në një nga çështjet kryesore të universiteteve sot në botë. Aspekti i tretë është ripërcaktim i përvojës së studentëve, si një proces i vazhdueshëm. Çfarë duam ne që këta studentë të keni si përvojë gjatë gjithë jetës së universitetit? A mos duhet të krijojmë tipologji studentësh, qoftë ai i vitit të parë, të dytë, të tretë, ai që sapo diplomohet, ai që vendos të ndjekë studimet master? Çfarë duan, çfarë ndiejnë, çfarë vlerësojnë nga gjithë jeta akademike në një universitet të caktuar dhe mbi bazën e kësaj të ndërtojmë gjithë? Nga ana tjetër si mund të krijojmë komunitete virtuale, në mënyrë virtuale, qoftë për hobe të caktuara”, përfundoi Pajaj.