UET/ Uendi Muça, studentja e parë e Informatikës në gjuhën angleze

Uendi nuk e pati të vështirë të zgjidhte universitetin dhe programin e studimit. Nuk ishte as një zgjedhje e momentit të fundit, e shkujdesur apo e nxituar, nën presionin e të vazhduarit të një shkolle. Ishte një mundësi e ardhur në kohën e duhur. Prandaj nuk hezitoi dy herë për t’u bërë studentja e parë e regjistruar në programin Inxhinieri Informatike në gjuhën angleze, degë që hapet rishtazi këtë vit akademik në Universitetin Europian të Tiranës.

“Mendoj se jam me fat, që kjo risi e UET-së vjen në këtë moment. Një mundësi shumë e mirë, që shumë pak universitete e ofrojnë. Duke qenë se mësimi do të zhvillohet në anglisht, ne do t’i përvetësojnë më mirë njohuritë në programim. Gjithashtu, do e kemi më të lehtë, që nëpërmjet Erasmus, t’i transferojnë studimet në një universitet jashtë Shqipërisë”, shprehet ajo.

Si një person i mirëinformuar mbi tregun e arsimit të lartë, Uendi nuk mund të mbetej pas në zgjedhjen e programit të studimit. Ajo e di shumë mirë se teknologjia është bërë pjesë e pandarë e jetës njerëzore, një mënyrë jetese në shekullin XXI, domosdoshmërinë e së cilës e tregoi më së miri pandemia.

“Degët e teknologjisë së informacionit janë të preferuarat e mia. Janë trendet e momentit dhe të ofrojnë një rritje të shpejtë në karrierë”, thekson Uendi.

E ardhur nga kjo kolegj privat në Tiranë, ku mësimi në lëndët shkencore zhvillohej në anglisht, kalimi në një universitet që ofron të njëjtin opsion, nuk ishte për të një sfidë, përkundrazi, ajo pa aty mundësinë e jetës.

“Kam pasur informacion për kushtetet bashkëkohore që universiteti ofron, për stafin e pedagogëve, laboratorët, programin Erasmus dhe shume veçori të tjera. Kështu që, jam e bindur, se UET do të më japë mundësinë të zhvilloj njohuritë e mia në këtë fushë dhe të arrij të bëhem një inxhiniere që di të programoj mjaft mirë”, shprehet Uendi, që sigurisht nuk mohon hasjen e vështirësive, por aspak penguese.

“Mund të ketë vështirësi në fillim, pasi sado mirë ta zotërosh gjuhën përsëri fillimet janë të vështira, por nuk është diçka e paarritshme. Me punë dhe përkushtimim, gjithçka mund të arrihet”, thotë ajo.
Mes shumë gjërash që mund ta bëjnë Uendin të ndjehet me fat, ajo është e tillë sepse e di se çfarë do. Ka fokus të qartë dhe shpreh ambicien e vendosmërinë për të ecur në rrugëtimin e diktuar.

“Fokusi im i vetëm është karriera. Gjatë viteve të universitetit jam gati të punoj fort për të arritur të bëj ëndërrat e mia realitet, për t’u bërë një inxhiniere, e cila arrin ta zoterojë shumë mirë çdo pjesë të punës së saj”, përmbyll Uendi.

Pas shumë marrëveshjesh, bashkëpunimesh e shkëmbimesh universitare, UET hyn në fazën e dytë të ndërkombëtarizimit, duke sjellë 3 programe në gjuhën angleze, Informatikë Ekonomike, Financë dhe Inxhinieri, me synimin që brenda një periudhe 5 vjeçare, deri në vitin 2025, programet në anglisht të trefishohen.

Ky hap konsiderohet një mundësi për krijimin e dinamizmave të reja brenda universitetit. Studentët do të kenë më shumë shance për punësim në vendin tonë dhe rekrutimin në tregun rajonal, evropian e atë botëror. Nga ana tjetër, pritet rritja e numrit të studentëve të huaj që vijnë për të studiuar në Shqipëri, për shkak të shumë lehtësirave që mund t’i gjejnë në vendin tonë, duke marrë të njëjtin formim si në çdo universitet ndërkombëtar.

Këto programe krijojnë gjithashtu lehtësira për projektet, shkëmbiemt Erasmus, partneritetet me universitetet e huaja, si dhe ardhjen e pedagogëve të huaj.