
Ph.D Ilir Korbi
PhD. Ilir Korbi është avokat dhe pedagog me eksperiencë të spikatur dhe me formim perëndimor. Ai ka përfunduar studimet universitare Bachelor dhe Master Shkencor në Drejtësi pranë Universitetit të Modenës, një nga universitetet më të vjetra në Itali dhe Evropë (them. 1175), me rezultate maksimale. Në vitin akademik 2009/2010, ka përfunduar në gjuhën angleze Masterin Ekzekutiv “Master for International Lawyer” pranë Universitetit të Bolonjës, Itali.
Prof. Korbi i përket brezit të doktorantëve të viteve 2018–2021, pranë Departamentit të së Drejtës Publike, Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti “Tor Vergata”, Romë, Itali, ku ka përfunduar ciklin e doktoraturës me disertacion mbi “Kushtet e burgjeve në perspektivën e jurisprudencës së Gjykatave Evropiane në lidhje me ekzekutimin e Urdhër-Arrestit Evropian”.
Në vitin 2021, z. Korbi fitoi Shkollën e Magjistraturës për profilin Gjyqtar.
Prof. Korbi ka kryer një sërë trajnimesh dhe specializimesh ndërkombëtare: mbi të drejtat e njeriut si Komisioner pranë Ombudsman-it të Rajonit Emilia-Romagna dhe si pjesëmarrës në International Summer School “The Protection of Fundamental Rights in Europe” në Bertinoro, Itali; mbi arbitrazhin dhe ndërmjetësimin pranë Dhomës së Avokatëve të Bolonjës, duke zgjeruar më tej njohuritë me marrjen më pas të licencës si “Ndërmjetës” dhënë nga Ministria e Drejtësisë; mbi pronësinë dhe regjistrimin e saj në programe formuese në Suedi dhe në Ballkan; mbi të drejtat themelore të BE-së pranë Fondacionit “Renzo Imbeni”, Modena; si dhe mbi lidershipin, demokracinë dhe sistemin e drejtësisë në Shkollën e Studimeve Politike të organizuar nga Këshilli i Evropës (2011/2012), ku është vlerësuar me certifikatë nderi nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës.
Me një eksperiencë mbi 15-vjeçare si jurist, avokat, ndërmjetës dhe lektor, z. Korbi ka ushtruar detyra të rëndësishme brenda dhe jashtë vendit. Pas eksperiencës pranë Avokatit të Popullit në Emilia-Romagna dhe në Gjykatën e Modenës, në vitin 2010 u bë pjesë e thirrjes së programit “Brain Gain Programme”, UNDP Albania. Në vitin 2011 u emërua pranë Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, ku mbajti rol kyç në unifikimin e procedurave dhe përfaqësimin gjyqësor të institucionit. Po në këtë vit u licencua si Avokat, ndërsa prej vitit 2013 zotëron gjithashtu licencat e Ndërmjetësit dhe të Audituesit Publik.
Nga bashkëpunimet kryesore profesionale veçohet angazhimi pranë zyrës ligjore “Boga & Associates”, ku për më shumë se tre vite ka ushtruar përfaqësim ligjor në gjykata dhe prokurori, si dhe konsulencë në fusha të ndryshme të së drejtës. Nga marsi 2017 e në vijim mban detyrën e Drejtorit të Zyrës Ligjore të Universitetit Europian të Tiranës (UET), duke ushtruar njëkohësisht profesionin e avokatit dhe atë të lektorit.