10 vjet studime Master në UET, ja bilanci dhe kërkesat e biznesit
Universiteti Europian i Tiranës zhvilloi forumin e përvitshëm në kuadër të projektit 250+ me 250 kompanitë më të mëdha në vend. Biznesi tashmë thekson se problemi kryesor i tyre mbetet aftësia e personelit
Viti akademik 2018-2019 shënon vitin e dhjetë të studimeve Master në UET. Që prej vitit 2008, kur nisën programet e para Master, kanë kaluar 10 vjet dhe universiteti ka diplomuar afro 5000 studentë në lloje të ndryshme të programeve Master. Cila është ecuria në tregun e punës e këtyre diplomave? Çfarë nevojash ka realisht tregu? A i përgjigjen këto programe në mënyrë adekuate dinamikave të shpejta që pëson tregu i punës sidomos nën efektin e revolucionit teknologjik? Pikërisht kjo është tema e forumit të përvitshëm që Universiteti Europian i Tiranës bën në kuadrin e projektit 250+, me 250 kompanitë më të më mëdha të vendit. Kjo ditë përkon dhe me ditën e parë të fillimit të programeve Master për vitin 2018-2019. Aktorë të ndryshëm të tregut të punës folën për pretendimet dhe kërkesat që ata kanë ndaj programeve Master. Pedagogët dhe autoritetet akademike shfaqën pikëpamjet e tyre se si tregu i punës mund të impaktojë realisht ndërtimin dhe strukturimin e programeve. Veç të tjerave, këtë vit UET vjen me një ofertë të zgjeruar të programeve Master në të pesë fakultetet e tij, Juridik, Ekonomik, Shkenca Humane, Shkenca Inxhinierike dhe Shkenca Mjekësore Teknike.
Orkida Ilollari, drejtoresha e Programeve Master në UET shprehet se ka punuar me përkushtim për të arritur përballjen e UET me bizneset dhe tregun e punës.
“Gjatë gjithë vitit akademik ne me aktorët kryesorë të bizneseve, drejtuesit kryesorë të tyre, kemi punuar me një përkushtim dhe falë kësaj pune ne sot kemi arritur që UET të prezantohet përballë bizneseve me 33 programe Master, 19 në Master Shkencor dhe 11 në Master Profesional dhe me 7 programe të reja në Master Ekzekutiv. Sot themi që ia kemi dalë”.
Presidenti i Universitetit Europian të Tiranës, Adrian Civici tregon për vështirësitë e kësaj sfide.
“10 vite më parë, kur nisëm programet Master, ishim akoma me shumë dyshime dhe me shumë dëshirë për të bërë programe Master cilësore, tashmë kemi një reflektim më të thellë se çfarë duhet bërë më mirë dhe më drejt. Jo vetëm për larminë e programeve Master që ne kemi, por për emrin që përmban programi Master dhe rëndësinë që ka diploma Master. Një element i rëndësishëm është teknologjia, inovacioni etj. Nga ky proces që ne kemi si lidhje me tregun e punës në përgjithësi, por edhe me 250 bizneset më të mëdha dhe punësuesit më të mëdhenj në Shqipëri, kërkesat e tyre ne i kthejmë në grupe kompetencash, silabuse dhe në programe Master që mund t’i paraprijnë gjërave që kërkon tregu. Sot kemi zgjedhur teknologjinë dhe inovacioni pasi bizneset sot kanë nevojë për ekspertë të formuar realisht me konceptet më moderne të teknologjive të reja, inovacionit dhe gjithçka që ka të bëjë me këtë forcë të madhe prodhuese. Po të shikosh statistikat apo indikatorët ndërkombëtarë, me gjithë përparimet që ka bërë Shqipëria, indikatori i fundit i konkurrueshmërisë së bizneseve tregon se Shqipëria është në vendin e 75-të me disa avancime, por po të shikosh nëntreguesit që kanë të bëjnë me sofistikimin e biznesit në lidhje me universitetet, me patentat shkencore dhe mbi të gjitha me ekspertët cilësorë në këto fusha, biznesi vazhdimisht vuan, vazhdimisht e ndjen, që ose duhet të bëjë shpenzime suplementare për t’i përgatitur si duhet ose duhet të vuajë mungesën e eficiencës dhe produktivitetit nga mungesa e kësaj kategorie ekspertësh”.
Entela Zigori, drejtuesja e Burimeve Njerëzore në bankën Intesa Sanpaolo, shprehet se teknologjia po ndryshon mënyrën e të mësuarit se si punohet.
“Mendoj se teknologjia në ditët e sotme po e ndryshon mënyrën e të mësuarit se si punohet. Në fillim të vitit 2018 është publikuar një sondazh, një studim për ‘Trendet Globale të Kapitalit Human’, një studim i bërë në 140 vende dhe që ka përfshirë 10 mijë drejtues ekzekutivë dhe drejtues të burimeve njerëzore. 70% e CEO-ve e drejtuesve ekzekutivë kanë dhënë përgjigje në këtë sondazh ku thonë që punonjësit e tyre nuk kanë aftësitë e duhura për t’iu përshtatur, për të bërë të mundur që organizata t’i përshtatet teknologjive digjitale dhe ndryshimeve të tyre. Shkëmbimi i informacionit është shumë i rëndësishëm edhe me universitetin, sepse siç e thashë, janë këta studentë sot të ciklit Master apo Bachelor që do të jenë punonjësit tanë të ardhshëm. Ne duhet t’i ofrojmë studentëve trajnime për të qenë më të sigurt në profesionin e ardhshëm. Është shumë i rëndësishëm fleksibiliteti dhe përshtatshmëria. Ajo çfarë ne jemi duke u ofruar sot kolegëve tanë është mundësia për të punuar edhe në distancë dhe e njëjta gjë mendoj se mund të bëhet dhe me studentët”.
Zak Topuzi, kryetari i Shoqatës së Turizmit tha se industria turistike është kthyer në një mënyrë jetese falë teknologjisë
“Sot nuk mund të flitet më për recepsion që rri dhe pret kush kalon, për të zënë një dhomë hoteli. Çdo gjë kryhet në mënyrë elektronike. Së fundi, në një konferencë të bërë në Holandë u fol për hapat teknologjikë që kanë ndërmarrë kolosët kryesorë. Google dhe Amazon kanë projektuar një aparaturë, e cila ndihmon klientët dembelë që përgjithësisht janë të zënë. Nëpërmjet një aparature fare të thjeshtë, për shembull në një hotel mund të shikojnë se çfarë shërbimesh ka, çfarë aktivitetesh ka, ku mund të ha, pra të gjitha këto bëhen sot nëpërmjet teknologjisë. Teknologia e smartfonëve evoluon në mënyrë të jashtëzakonshme, ka aplikacione që mund të rezervosh hotelin, dhomën, bën pagesat etj. etj. Kjo gjë nuk është çështje vetëm jashtë, por dhe në Shqipëri. Janë mbi 30-40 hotele, të cilët e aplikojnë sot këtë gjë, pra online shikon gjithçka, dhomat, banjot, korridoret, ballkonet, pra çdo detaj. Një nga problemet kryesore të hoteleve sot është fuqia punëtore. Gati 34% e shpenzimeve të një hoteli janë fuqi punëtore. Hotelet e mesme apo të vogla kërkojnë një staf të specializuar për menaxhimin e shitjeve sot. Sepse çdo gjë tashmë shitet online”.
Vullnet Haka, anëtari i Bordit të Bashkimit të Prodhuesve të Shqipërisë tha se ‘personeli që do punësojmë, duhet të ketë edukimin bazë’.
“Kur flitet për prodhimin, jo për ta krahasuar me aktivitete të tjera ekonomike, por edhe presidentët e vendeve më të fuqishme të botës, kur flitet për prodhim, për investim, marrin një pozicionim krejt tjetër. Po kështu edhe në vendin tonë ndërmarrjet prodhuese, ku në këndvështrimin tonë janë një aset punëtor, përballen për çdo ditë e më shumë me problematika dhe sfida nga më të ndryshmet. Ajo që është bërë emërues i përbashkët në të gjithë shqetësime, që thonë drejtuesit e ndërmarrjeve prodhuese, janë çështjet e personelit. Ato nevojat apo mundësitë për të gjetur financim apo për të materializuar investimet, tashmë në dekadën e fundit kanë qenë më të lehta, më të realizueshme dhe po rritet shumë sfida për personel të trajnuar. Është e vërtetë që ndërmarrjet prodhuese, jo se nuk investojnë te trajnimi i punonjësve, por e kanë të pamundur të kalojnë trajnimin, specialitetin e ngushtë që është për procese pune apo operacione të veçanta. Nevoja themelore është që personeli që ne punësojmë të ketë edukimin bazë, mundësisht të kemi një mundësi tjetër apo një mundësi për nevojat e çështjes së trajnimit. Uroj që në të ardhmen falë edhe këtij bashkëbisedimi që po bëjmë në Universitetin Europian të Tiranës, të kemi mundësinë t’i trajnojmë pasi i shohim si kolegë apo personel i yni i ardhshëm. Konkurrueshmëria me vendet e rajonit po bëhet çdo ditë e më e fortë. Për të zvogëluar këto faktorë që ndikojnë negativisht në konkurrueshmërinë, është e nevojshme që bizneset të implementojnë risitë e reja që dalin në teknologji”.
Stefan Pinguli, administratori i Birrës Stela: Prodhuesit nuk njohin raportet e humbjeve të tyre në prodhim.
“Kemi gjithë këto vite që bashkëpunojmë me Universitetin Europian të Tiranës. Kemi patur një marrëdhënie jo vetëm në kuptimin praktik, por dhe në kuptimin intelektual pasi kemi shkëmbyer edhe marrëdhënie akademike. Sot prodhuesit tanë vuajnë nga fakti se nuk njohin raportet e humbjeve të tyre në prodhim. Ky raport ekonomik është shumë i rëndësishëm, ne e filluam një punë dhe bëmë diçka shumë interesante me studentët e Masterit tuaj. Një nga pikat e rëndësishme është konkurrueshmëria në treg ashtu siç u përmend dhe më parë. Kjo duhet parë në gjithëpërfshirje të marrëdhënies që ka prodhuesi me shtetin. Në një studim krejtësisht të sipërfaqshëm që kemi bërë ne konstatoi që vendimmarrjet në Shqipëri, bëhen 90% nga shteti dhe shumë pak përqindje nga prodhuesi. U hodhëm tek firot, për arsyen e thjeshtë pasi raportet e firove janë raporte konfliktual mes strukturës tatimore dhe ne. Duhet ta ftojmë njëri-tjetrin në studime të tilla, dhe do isha shumë i kënaqur që në një kohë sa më të shkurtër të na emëroni një ose dy persona dhe t’i orientojmë qartë për këto gjëra që na interesojnë ne”.
Altin Petre, drejtori i IT së Digitalb dhe Top-Channel: Kërkojmë studentë me baza të forta teorike
“Do thoja që në fushën e IT, ajo që duam ne nga universiteti, kërkojmë studentë me baza shumë të forta teorike. Problemi që shohim ne është koha kur studentët mund t’i marrin këto baza teorike, por duhet të ruhen në balancë edhe me praktikën, gjithashtu. Kjo balancë është një kërkesë e domosdoshme bazë. Ajo që shikoj unë dhe kolegët e mi është mungesa e rolit apo e njerëzve të përgatitur në treg. Çdo gjë po digjitalizohet, biznesi është digjitalizuar prej kohësh në një masë shumë të madhe, por dhe jeta e përditshme është në një nivel shumë të lartë digjitalizimi. Kjo prodhon volume të jashtëzakonshme dëmesh që në vetvete nuk kanë asnjë sens deri sa dikush të jetë në gjendje të tregojnë se çfarë këto të dhëna na thonë. Ndoshta është mirë që në kuadrin e masterit, këta studentë të marrin një formim të rëndësishëm jo vetëm për t’u paraqitur te një biznes dhe për formimin e tyre. Edhe në intervistat e ndryshme kur kërkojmë personel, ajo që bie në sy është aftësia për t’u prezantuar”.