Valdrin Pjetri në UET: Së shpejti dixhitalizimi i arkivës në Zyrën Hipotekore

Departamenti i Shkencave Juridike në UET ka organizuar një leksion të hapur me të ftuar Z. Valdrin Pjetri, Kryeregjistrues i Republikës së Shqipërisë. Ai ka folur mbi shërbimet në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme duke treguar projektet e deritanishme, problematikat kryesore që shoqërojnë punën si dhe visionin e tij personal por edhe të institucionit në lidhje me të ardhmen.
Z. Pjetri ka prezantuar projektin pilot që është zbatuar për herë të parë në Hipotekën e Tiranës, të quajtur “Fast-Track”, i cili ofron 9 shërbime në mënyrë të lehtësuar për qytetarët dhe grupet e interesit. Nisur nga suksesi deritanishëm i këtij projekti ai u shpreh se “Fast-Track” do të shtojë numrin e shërbimeve si dhe do të shtrihet gradualisht në zyrat e rretheve.
“Shërbimet e kërkuara në 47% të rasteve, në Hipotekën e Tiranës ofrohen nga 6 në 24 orë. Pikërisht kjo është një pjesë e revolucionit që ne bëmë në zyrën e Hipotekës së Tiranës fillimisht. I njejti shërbim më parë ofrohej për dy javë ndërsa sot, falë platformës Fast-Track, shërbimi ofrohet me një kohë shumë herë më të reduktuar, pra brenda ditës”, është shprehur z. Pjetri i cili shtoi se duke rezultatet tejet pozitive të zbatimit të këtij projekti pilot në Hipotekën e Tiranës projekti do të vijojë edhe në rrethe.
Ndërkohë ka diskutuar edhe mbi problematikat që shoqërojnë përgjithësisht punën në zyrat e Hipotekës. Përsa i përket stafit administrativ të zyrave dhe shërbimit problematik të ofruar ndër vite, Z. Valdrin Pjetri tha se ka filluar një “fushatë” reformuese e cila synon të sjellë cilësinë e shërbimit, mbi bazën e meritokracisë në përzgjedhjen e stafit. Përsa i përket vizionit të tij personal por edhe të institucionit ai tha se një ndër projektet më të rëndësishme që pritet të zbatohen është edhe dixhitalizimi i arkivave, duke nënvijësuar edhe aspektet pozitive të këtij procesi kaq të rëndësishëm.
Dixhitalizimi i arkivave eleminon fenomenin e “zhdukjes” së dosjes, shkurton kohën e proceseve, eleminon korrupsionin  si dhe i ruan kopjet unike nga dëmtimi i kohës, pasi një pjesë e mirë e dokumentave datojnë herët në kohë.
Kryeregjistruesi i Republikës së Shqipërisë foli edhe procesin e bashkimit të tre zyrave, Aluiznit, Hipotekës dhe Agjensisë së Inventarizimit të Pronës Publike, duke e konsideruar këtë bashkim si një faktor mjaft pozitiv pasi gjithçka do të mund të realizohet brenda një sporteli të vetëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *