UET krijon Rrjetin e Kolegjeve Partnere, me gjimnazet jopublike

UET ka organizuar sesionin e dytë të forumit “Universitet-Gjimnaz”, i cili ka mbledhur në një tryezë diskutimi drejtuesit e gjimnazeve private, si dhe ekspertë të edukimit. Në këtë forum u krijua edhe Rrjeti i Kolegjeve Partnere, me gjimnazet jopublike.

Themelet e një edukimi të shëndoshë për të ardhmen hidhen gjatë studimit në shkollat e mesme, ndaj edhe mendimi dhe veprimi në jetën sociale duhet të fokusohen në këto institucione. UET për të dhjetin vit radhazi ndërmerr iniciativën për të nxitur diskutime dhe hapur debate, gjithmonë në funksion të përmirësimit të cilësisë së edukimit, sepse në fund të ditës nxënësit që dalin nga gjimnazet janë edhe “lënda e parë” edhe për universitetet. Në këtë kuadër, Universiteti Europian i Tiranës krijon Rrjetin e Kolegjeve Partnere, me gjimnazet jopublike në vend, që ka për qëllim të forcojë urat e bashkëpunimit, me objektiv përmirësimin e cilësisë dhe standardeve të arsimit në vend, duke zhvilluar aktivitete, leksione dhe seminare të përbashkëta.

Ashtu si në sesionin e parë, i cili kishte pjesëmarrës drejtuesit e gjimnazeve publike, edhe ky sesion i dytë ka pasur në fokusin e tij temën “Akreditimi i gjimnazeve: Kur? Si? Pse?”.
Institucionet e arsimit të lartë kanë kaluar nëpër një proces akreditimi që i ka vlerësuar në bazë të standardeve europiane, ndaj dilema nëse edhe gjimnazet duhet të kalojnë në një proces akreditimi po ashtu, është e pranishme më tepër se kurrë.

Akreditimi, instrumenti i duhur i cilësisë
Këtë vit ky forum është konceptuar të trajtojë çështjen e akreditimit të gjimnazeve në tri faza. Në sesionin e parë kanë qenë të pranishëm drejtuesit e gjimnazeve publike të vendit, në sesionin e dytë drejtuesit e gjimnazeve jopublike dhe javën e ardhshme, pjesë e tryezës së diskutimit do të jenë drejtuesit e gjimnazeve profesionale në vend.
Që nga krijimi i sektorit të arsimit privat në vend, gjimnazet jopublike kanë dhënë një kontribut të vyer dhe të vlerësuar përgjatë viteve, për formimin e studentëve cilësorë. Për vite me radhë, forumi “Universitet-Gjimnaz” ka trajtuar çështje shumë të rëndësishme mbi arsimin. As këtë vit diskutimi nuk ka munguar.

Akreditimi i gjimnazeve mund të shërbejë në favor të përmirësimit të cilësisë së përgjithshme të edukimit në vend. Problematika të tilla si kurrikula, përgatitja e stafit pedagogjik, fiktiviteti i notave, vetëvlerësimi i gjimnaze etj., ishin disa nga çështjet që u shtruan për debat, duke dalë në konkluzionin që procesi i akreditimit të gjimnazeve duhet parë me prioritet në vitet në vijim. Ashtu si edhe drejtuesit e gjimnazeve publike, të cilët ishin pjesë e sesionit të parë të këtij forumi, të zhvilluar javën e kaluar, edhe drejtuesit e gjimnazeve jopublike në vend janë shprehur në parim pro akreditimit të gjimnazeve.

Seminari është karakterizuar nga debati konstruktiv, mbi arsyet përse akreditimi është një proces i nevojshëm, kur duhet të fillojë zbatimi i një procesi të tillë, si dhe mënyrat dhe metodologjinë e nevojshme.

Kanë qenë ekspertët Prof. Dr. Ylljet Aliçka dhe Prof. Asoc. Dr. Tomi Treska – ky i fundit ka qenë një nga iniciatorët kryesorë të këtij forumi prej tashmë 10 vitesh – të cilët kanë prezantuar këto çështje shumë të rëndësishme të kësaj tematike që shtrohet për diskutim. Ndërkohë, paneli i diskutimit ishte i përbërë nga Prof. Asoc. Dr. Edi Puka, Përgjegjës i Departamentit të Psikologjisë, Edukimit dhe Sporteve, Prof. Dr. Nevila Nika, Rektore e UET, Prof. Asoc. Dr. Arbi Agalliu, Administrator i UET, Prof. Asoc. Dr. Belina Budini, Dekane e Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale, si dhe Drejtoresha e Shkollës së Drejtorëve në Fondin Shqiptaro-Amerikan, znj. Dorina Matraku.

Drejtoresha e Shkollës së Drejtorëve, znj. Dorina Matraku, e ka vlerësuar si shumë të vlefshme këtë iniciativë të ndërmarrë nga UET.
“Unë ju falënderoj për këtë iniciativë dhe këtë forum të ngritur, sepse sigurisht që çdo debat dhe çdo shkëmbim mendimesh është i vlefshëm kur bëhet fjalë për arsimin.”
Shkolla e Drejtorëve është një institucion relativisht i ri, i krijuar me qëllim trajnimin e drejtuesve të të gjitha institucioneve arsimore parauniversitare, publike dhe jopublike. Ligji i arsimit parauniversitar i amenduar më 2018-n, presupozon që çdo drejtues i institucioneve arsimore parauniversitare duhet të jetë i licencuar nga Shkolla e Drejtorëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *