Kurioziteti i një historiani për të shpjeguar të sotmen

Historiani dhe studiuesi i njohur, pedagog në Universitetin Europian të Tiranës, Prof. Asoc. Dr. Dritan Egro, rrëfen mbi ditën e tij të parë si lektor në universitet, si dhe sfidat e vazhdueshme që paraqet ky profesion

“Me historinë më ka lidhur kurioziteti për të njohur çfarë ka ndodhur më parë, për të kuptuar ku i kanë fillesat ngjarjet dhe për të shpjeguar të sotmen.” Kështu shprehet historiani dhe studiuesi i njohur Dritan Egro, në lidhje me arsyet që kanë ndikuar në zgjedhjen e tij për të studiuar histori. Me një jetëshkrim të pasur dhe arritje të shumta në jetën profesionale, Egro, është prej vitesh pjesë e auditorëve universitare.

Dita e parë e mësimdhënies për të, ka qenë në shkurt të viti 2002, në Universitetin Bilkent në Ankara, Turqi, ndërkohë që ai ishte në përfundim të studimeve doktorale. Lënda që jepte ishte Historia e Qytetërimit Perëndimor. Ky kurs ishte lëndë e detyrueshme për të gjithë studentët e iuniversitetit, ndaj në auditor kishte një numër shumë të madh studentësh, nga vende të ndryshme të botës.

“Auditori përbëhej nga mbi 100 studentë dhe ora ishte mjaft interesante për faktin se krahas studentëve turq kishte edhe shumë studentë të tjerë që vinin nga Ballkani, Europa, Lindja e Mesme dhe Azia. Kjo ishte një përvojë e parë shumë e mirë, për faktin që ballafaqoheshe me mësimdhënien në gjuhën angleze, por edhe me një auditor të një natyre të pamendueshme për realitetin shqiptar të asaj kohe. Fakti që studentët vinin nga kultura të ndryshme krijonte situata debati shumë interesante”, tregon Egro në lidhje me këtë përvojë.

Pas përfundimit të studimeve doktorale, në vitin 2003 ai kthehet në Shqipëri, si kërkues shkencor në Institutin e Historisë pranë Akademisë së Shkencave në Tiranë. Ndërkohë ishte Prof. Gramoz Pashko që e ftoi të bëhej pjesë e stafit akademik të universitetit të parë privat në Shqipëri, Universitetit të New Yorkut.

“Pashko ishte një njeri me shumë vizion. Ai kishte aplikuar në mënyrë strikte kurrikulën e universitetit amerikan. Në të parashikohej Historia e Qytetërimit Perëndimor dhe e qytetërimeve të tjera. Meqë kjo shkollë ishte në Shqipëri, ai më kërkoi të jepja Historinë e Qytetërimit Islam. Kjo për mua, shpjegon Prof. Egro, ishte një sfidë shumë e madhe, pasi për herë të parë në Shqipëri jepej Historia e Qytetërimit Islam, për më tepër që Islami deri diku ka qenë dhe është i paragjykuar. Interesimi ishte shumë më i madh se çfarë e kisha menduar. Përgjatë 14 vjetëve që e kam zhvilluar këtë lëndë kam vërejtur se studentët kishin një kureshtje shumë të madhe për të mësuar rreth besimit dhe qytetërimit islam. Interesant ishte fakti që në Turqi mësimdhënien e fillova me Historinë e Qytetërimit Perëndimor, kurse në Shqipëri me Historinë e Qytetërimit Islam.

Në vitin 2008 Qendra e Studimeve Albanologjike, ku ai punonte si kërkues shkencor me kohë të plotë, ndërmori hapa për hapjen e programeve Master dhe Doktoraturë, profesor Egro ka qenë pjesë e ekipit që përgatiti kurrikulat e reja. Në këtë kudër ka qenë pedagog titullar në disa lëndë dhe ka udhëhequr punime të nivelit Master dhe Doktoraturë.

Në vitin 2017, ishte Henri Cili që e ftoi të bëhej pjesë e stafit akademik të Universitetit Europian të Tiranës në sfidën për hapjen e programeve të reja në Shkencat Humane. “Këto dy vjet kanë qenë shumë intensive. UET-i është universiteti i parë privat që hap degë të tilla si historia, filozofia, letërsia, linguistika dhe studimet religjioze – thotë Prof. Egro. Bëmë një vlerësim se ku ndodhen studimet në shkencat humane dhe cilat janë mangësitë e sfidat e tyre për të ardhmen. Veç kësaj, programet e reja synojnë që studentët të përballen me sfidat e individit dhe të shoqërisë shqiptare në shek. XXI. Përmes programeve bashkëkohore synohet që studentët tanë të akomodohen lehtësisht në tregun e punës. UET-i është i vendosur të zhvillojë aftësitë analitike dhe kritike të studentëve, çka janë shumë të kërkuara në karrierat e të rinjve të së ardhmes”- thotë ai.

Lidhur me mesimdhënien e historisë Prof. Egro ka një qasje të tijën. Ai thekson se për studentin nuk është e mjaftueshme vetëm mësimi mekanik i disa datave dhe i disa ngjarjeve, të cilat mund t’i gjejë lehtësisht nëpërmjet një kërkimi të thjeshtë në internet. Studenti gjatë kursit të historisë duhet të mësojë të analizojë dhe të kuptojë logjikën e ecurisë së ngjarjeve.

“Për sa kohë që  historia nuk shpjegon të sotmen, por mbetet te fiksimi i disa datave apo ngjarjeve të shkëputura ajo është ushtrim i memories së studentëve, të cilëve sapo të dalin nga auditori nuk do t’u mbetet asgjë në mendje”, thotë Egro. “Ngjarjet dhe datat mund t’i gjeni me një kërkim të thjeshtë të internet, por shpjegimi i proceseve dhe i logjikës së zhvillimit të ngjarjeve është aftësi e pedagogëve të mirë të historisë.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *