Departamenti i Edukimit në UET sjell në vëmendje persekutimin e profesorëve të Normales së Elbasanit nga regjimi komunist

 

Universiteti Europian i Tiranës ka organizuar konferencën shkencore “Kontributi shkencor dhe përvoja didaktike e ndërprerë, e braktisur dhe e shpërfillur e shkollës Normale të Elbasanit” në të cilën është diskutuar mbi arsimtarët patriotë, viktima të persekutimit nga diktatura komuniste.

Një hulumtim cilësor, përmes punimeve shkencore evidenton dhe sjell në vemendje përndjekjet dhe persekutimin nga ana e regjimit komunist shqiptar të profesorëve dhe studentëve të Normales së Elbasanit  të cilët punuan plot përkushtim në trevat shqiptare matanë kufijve të shtetit Amë gjatë viteve të Luftës II Botërore.

Përndjekjen dhe persekutimin e provuan dhjetra normalistë të cilët të shkolluar në Institutet Pedagogjike më në zë në Francë, Gjermani, Austri dhe  Zvicër, u kthyen në atdhe me dëshirën dhe aspiratën për të arsimuar popullin e tyre.

Të lënë në harresë për dekada të tëra, historia e tyre dramatike meriton t’u bëhet e njohur brezave të sotëm dhe të ardhshëm të kombit. Roli i madh i personaliteteve atdhedashëse shqiptare të asaj kohe nxiti integrimin kulturor të mbarë hapësirës shqiptare, duke përhapur kudo dijet dhe vlerat e larta të qytetërimit europian.

Nëpërmjet dëshmive të drejtpërdrejta  të pasardhësve të tyre, do të sillen jo vetëm fakte, të dhëna dhe episode në lidhje me punën plot përkushtim që mësuesit kanë bërë për të përhapur dritën e arsimit në Kosovë, trevat shqiptare në Maqedoni e gjetkë duke shkolluar vajzat dhe djemtë e bashkëatdhetarëve tanë në një kohë të vështirë sikurse ishte ajo e pushtimit fashist. Përtej kësaj, hidhet dritë mbi fatin e hidhur që ata patën pas ardhjes në pushtet të komunistëve, mënyrat e persekutimit dhe të shpërfilljes që shteti totalitar përdori ndaj tyre.

Shembulli i tyre do të shërbejë për të nxitur edhe sot prirjet integruese per shqiptarët e të gjitha trevave nëpërmjet zhvillimit të mëtejmë të arsimit dhe kulturës si dhe të qarkullimit të vlerave dhe traditave tona më të mira në hapësirën mbarëshqiptare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *