Fuqizimi i të rinjve për sipërmarrjen inovatore: Ja risitë e Shkollës Dimërore 2019


Dinamika e “dialogut” të njohurive dhe teknologjisë në mbarë botën në dekadat e fundit ka sjellë ndryshime rrënjësore në peizazhin global të inovaconit. Këto ndryshime ndonëse të shumta në numër, mund të jenë edhe më tepër nëse vendet investojnë më shumë në një mjedis kreativ.
Mes të rinjve ka potenciale për filozofë të ardhshëm, artistë, shkrimtarë, sipërmarrës, zejtarë etj. Janë pikërisht njerëzit që krijojnë që kanë në dorë të ndërtojnë një botë të pasur në kulturë por edhe të ndihmojnë në zhvillim. Për këtë arsye të rinjtë duhet të nxiten që nxjerrin në pah potencialin e tyre krijues në mënyrë që kontributi i tyre të shtrihet si në aspektin social ashtu edhe atë ekonomik.
Për tre ditë rrjesht, në një kompleks jashtë Tirane është zhvilluar Shkolla Dimërore e Inovacionit e cila këtë herë vjen në format risi. Ky organizim vjen falë Institutit Europian Pashko i cili i financuar nga ARSIS, implementon projektin  Youth Social Empowerment, në partneritet me Fakultetetin e Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës në UET. Qëllimi i kësaj Shkolle Dimërore ka qenë fokusimi tek inovacioni, fuqizimi i të rinjve dhe krijimi i mundësive për punësim. Maturantët e përzgjedhur vinin nga të gjitha rrethet e Shqipërisë, nga komunitete të marxhinalizuara rome/egjiptiane, nga familjet në nevojë etj.
Lektorë të shumtë por edhe figura të njohura nga fusha e inovacionit, teknologjisë dhe inxhinierive në Shqipëri kanë qenë pjesë e këtij seminari tre ditor duke ndarë me gjimnazistët njohuritë si dhe eksperiencat e tyre.
Falë ilustrimit me shembuj konkretë të avancimeve të teknologjisë apo tendencave të së ardhmes por njëkohësisht duke ndarë edhe vetë historitë e kontributit të tyre inovativ në shoqëri ata kanë shërbyer si një shembull për të treguar se ndonëse një vend i vogël dhe në zhvillim Shqipëria është potencial edhe për tregun global të inovacionit.
Gjatë këtij eventi, përfaqësues të Fakultetit të Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës në UET, në mbështetje të qëllimit primar të Shkollës Dimërore, kanë lancuar Çmimin e Inovacionit.
Të rinjtë të cilët kanë një ide inovatore në fushat që ata preferojnë, mund ta prezantojnë atë për t’u bërë pjesë e një konkursi i cili në përfundim të tij do të shpërblejë idetë më të mira me bursa studimi në UET.
“Universiteti Europian i Tiranës e ka pjesë të politikës së tij që të nxisë studentët të mendojnë në mënyrë kritike. Në UET studenti inkurajohet që të mos jetë thjesht student por edhe sipërmarrës. Pikërisht në kuadër të kësaj fryme por edhe në përputhje me qëllimin e kësaj Shkolle Dimërore, Universiteti lancon sot Çmimin e Inovacionit, për të nxitur të rinjtë të mendojnë në mënyrë kritike dhe kreative”, u shpreh Prof. Dr. Arben Dushi, Dekan i FIIA në Universitetin Europian të Tiranës. Ai u shpreh se ardhmja është në duart e brezit të ri dhe se janë pikërisht ata të cilët vendosin për fatet e tyre ndaj duhet investim në “prodhimin” e ideve.
Të pranishëm në këtë organizim kanë qenë edhe ALUMNI të UET të cilët kanë ndarë eksperiencat e tyre me maturantët, një pjesë e të cilëve aktualisht ndodhen në udhëkryq për zgjedhjen e profesionit të ardhshëm.
Pedagoget Dr. Otjela Lubonja dhe Msc. Enkeleda Prifti, kanë prezantuar gjashtë ide të arkitekturës që do të ndryshojnë mënyrën e jetesës në qytet. Disa prej zgjidhjeve të propozuara sapo kanë filluar të implementohen në botë ndërkohë që të tjerat pritet të vijnë si zgjidhje shumë shpejt.
Nga ana tjetër në një botë ku teknologjia është bërë “zgjatim” i njeriut nuk mund të mungonte bashkëbisedimi me brezin i cili është një ndër dëshmitarët më të fortë të kësaj fuqie. Silvana Qose ka diskutuar mbi rrjetet sociale dhe përdorimin e tyre nga të rinjtë duke arritur në disa përfundime mjaft interesante për këto trende. Gjithashtu është prezantuar mënyra se si mund të ngrihet një start up por edhe ndikimin e tyre në shoqëri dhe ekonomi, është folur mbi historinë e dizajnit të interierit ndër vite si dhe risitë në përdorimin e materialeve ndërtuese por pa harruar përdorimin e burimeve alternative të energjisë. Ndërkohë një projekt i cili vjen për herë të parë në Shqipëri nëpërmjet bashkëpunimit me Universitetin Europian të Tiranës është Akademia MikroTik. MikroTik është një kompani letoneze e themeluar në vitin 1996, për të zhvilluar routers dhe sistemet wireless ISP, pajisje harduer kompjuterash dhe softuer për lidhje interneti. Për këtë partneritet ka folur z. Dritan Vreshta, përfqësues i MikroTik.
“UET është universiteti i parë në Shqipëri që ka marrëveshje zyrtare me Mikrotikun. Duke marrë parasysh se ky universitet është plotësisht i përkushtuar për të përgatitur studentët e saj për tregun, kurrikulat e përgatitura për lëndën fillestare dhe për programet përcjellëse do t’i japin studentëve një zotësi të plotë në lëndën e rrjetëzimit, të gatshëm për t’u zbatuar në mjedisin e punës”, u shpreh ai duke vijuar më tej prezantimin e mundësive që ofron Akademia MikroTik si për formim profesional ashtu edhe për prioritet në punësim.
Të pranishëm kanë qenë edhe përfaqesues të industrive të ndryshme të tillë të tilla si industria e turizmit, e industrisë ushqimore, e energjitikës etj. Ndër të tjera të rinjtë kanë mësuar edhe mbi proceset e aplikimit për një vend pune apo për një mundësi studimit brenda ose jashtë vendit. Ata kanë ndjekur një prezatim mbi si të komunikojnë në mjediset e punës, si të ndërtojnë një CV dhe një Letër Motivimi, si të shkruajnë një projekt propozim, ku të gjejmë internshipe apo mundësi bursash etj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *