Dekania Bushati: Fakulteti i Shkencave Juridike në dekadën e dytë

Dekania e Fakultetit të Shkencave Juridike, Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Prof. Asoc. Dr. Endira Bushati, tregon mbi ndryshimet dhe risitë që sjell ky fakultet pas shndërrimit të UET në një universitet të madh dhe gjithëpërfshirës

Fakulteti i Shkencave Juridike, Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare është pjesë e strukturës së Universitetit Europian të Tiranës që prej themelimit të këtij të fundit. Tashmë në dekadën e dytë, falë ripozicionimit strategjik të këtij institucioni në tregun e arsimit të lartë, edhe ky fakultet ka sjellë ndryshime dhe risi në ofertën e tij akademike.

“Me ndryshimet organizative gjatë vitit të fundit akademik, tashmë Fakulteti i Shkencave Juridike, Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare i është rikthyer një tradite të vjetër, jo vetëm për vendin tonë, por dhe një tradite që vazhdon edhe sot në shumë universitete perëndimore, ku për shkak të objektit të përbashkët të studimit, ligjit dhe shoqërisë, shkencat juridike dhe ato politike ndërdisiplinohen brenda një fakulteti. Kjo sjell një hapësirë më të madhe për studentin, një shumësi mundësish dhe një fleksibilitet më të madh për specializimin në profile të ndryshme ndërdisiplinare”, thotë Dekania e Fakultetit të Shkencave Juridike, Politike, dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Prof. Asoc. Dr. Endira Bushati.

Ky fakultet, si pjesë e UET, angazhohet aktivisht në pasurimin e jetës akademike dhe studentore me aktivitete nga më të ndryshmet përgjatë gjithë vitit akademik.

“Për vetë programin e studimit, Fakulteti ynë dhe departamentet e tij sjellin një kontribut të çmuar për UET ‘polivalent’. Gjatë këtij viti e sidomos këtij semestri, ne kemi organizuar konferenca e aktivitete të ndryshme, të cilat kanë trajtuar jo vetëm aspekte akademike shkencore për çështjet që kanë trajtuar, por dhe duke sjellë debate me vlerë e dobi dhe për çështjet aktuale që shqetësojnë shoqërinë shqiptare sot. Shqetësimi për mungesën e Gjykatës Kushtetuese në biseda me personalitete të jurisprudencës shqiptare si Rustem Gjata, Thimio Kondi etj., ligjërime mbi proceset zgjedhore e sistemet politike, marrëdhëniet ndërkombëtare me ekspertë të fushës etj., janë jo vetëm një vlerë për studentët dhe pedagogët e këtij fakulteti, por dhe një kontribut për shoqërinë dhe institucionet shqiptare”, tregon Dekania, e cila shton se risitë në dekadën e dytë qëndrojnë edhe në përqasjen e këtij Fakulteti ndaj tregut të punës.

UET gjithnjë ka synuar të ndërtojë ura të forta dhe të qenësishme komunikimi dhe bashkëpunimi mes akademisë, studentëve dhe tregut të punës, por në veçanti në këtë moment të tij të ri, ky bashkëveprim vjen edhe më në fokus. “UET Open Weeks” kanë qenë ato të cilat i kanë krijuar çdo Fakulteti dhe studentëve të tij, hapësirën për të eksploruar tregun dinamik të punës dhe mundësitë e shumta që ofrohen në të. Fakulteti i Shkencave Juridike, Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare organizoi “Ditën e Ligjit dhe Lidershipit” përgjatë javës së dedikuar krejtësisht ndaj programeve të studimit që ofron, me aktivitete të shumta, duke krijuar një atmosferë tejet dinamike me Forume, Panairin e Tregut të Punës, takime të Bordit të Tregut të Punës etj.

“Një organizim i veçantë i realizuar për herë të parë në UET ishte ‘Open Day’ e Fakultetit tonë, një ditë dedikuar krejtësisht ligjit dhe sundimit të tij në shoqëri. Vetë ‘Open Day’ ishte konceptuar si një ditë që mbante aktivitete të ndryshme, si për shembull Panairi i Punës, ku morën pjesë mbi 40 studio ligjore, noteriale, përmbarimi, organizata joqeveritare e ente të tjera publike e private, duke krijuar një mundësi reale për punësim për studentët. Gjithashtu po gjatë kësaj dite, u krijua UET&Partners Legal Studio, një zyrë avokatie e konsulence ligjore, si sipërmarrje e përbashkët e pedagogëve të Departamentit Juridik. Kjo zyrë krijon mundësinë e fasilitetet për pedagogët gjatë ushtrimit të profesionit të avokatit dhe konsulentit dhe njëkohësisht mundësinë e praktikës dhe punësimit për studentët gjatë kohës së studimeve”, tregon Bushati. Pikë e fortë e këtij Fakulteti pa dyshim është mundësia që të ofron një diplomë e tillë në tregun e punës.

“Për vetë natyrën e vet, ky fakultet ofron mundësi më shumë se çdo fakultet tjetër në këtë drejtim. Gjyqtar, prokuror, avokat, jurist në administratë publike, noter, përmbarues, diplomat, janë vetëm disa nga pozicionet e punës që ofron tregu për këtë diplomë. Pa përmendur këtu, hapësira si politika, gazetaria, shoqëria civile, të cilat do të ishin akoma më cilësore nëse do të kishin të punësuar më shumë juristë dhe studiues të shkencave politike.”

Një Fakultet i themeluar që në vitet e para të jetës së UET, tashmë në dekadën e dytë vjen i ristrukturuar dhe me një ofertë akademike, e cila shkon përshtat me kërkesat dhe trendet më të fundit të tregut të punës, dhe me vizion të qartë për të ardhmen.

“Përfshirja e akademikëve dhe ekspertëve më të mirë të fushës, për një lidhje sa më të ngushtë mes teorisë dhe praktikës, aq të vlefshme për studentë, thellimi i debatit kushtetues, juridik e institucional në dobi të zhvillimeve të shoqërisë shqiptare, thellimi i studimeve dhe i ekspertizave në të drejtën komunitare, aq i nevojshëm për institucionet shqiptare dhe i domosdoshëm pas hapjes së negociatave me BE-në, krijimi i një lidhjeje më të ngushtë me tregun e punës përmes marrëveshjeve me partnerët në sferën publike dhe private”, shprehet Dekania Bushati në lidhje me objektivat e të ardhmes dhe përforcimin e arritjeve të deritanishme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *