10 vjet bashkëpunim me UET Press, Balla: Ja përse nuk do të kem një libër autobiografik

 

Gazetari i njohur Sokol Balla të martën mori pjesë në Forumet e UET, në kuadrin e një bashkëpunimi 10 vjeçar me shtëpinë botuese të Universitetit Europian të Tiranës, UET Press. Në këtë takim, një hapësirë të konsiderueshme, Balla ia kushtoi librave dhe mundësisë nëse një ditë do të publikojë një libër autobiografik.
Në këtë bisedë me studentë e pedagogë, gjithashtu ai preku eksperiencën e tij të gjatë 27-vjeçare si gazetar, që prej vitit 1992 në Televizionin Shqiptar, deri në ditët e sotme, ku ai drejton prej pesë javësh emisionin e tij “Real Story” në televizionin Neës 24.
“Unë nuk jam një person që ka shumë dëshirë të flas për vetveten. S’kam pasur kurrë dëshirë të flas për veten, madje as në nivel personal dhe as në nivel profesional, pasi këto lloj skenash edhe më sikletosin pak, të jem i sinqertë, pasi jam mësuar të kem vetëm një kamer përballë, ndërkohë këtu janë 60, 70 apo 100 të tilla. Është e vështirë për mua, sepse kamera në vetvete është thjesht një makinë, por këtu bëhet fjalë për 70 mendje njerëzore ose më shumë se kaq dhe ku secili prej tyre mendon, por edhe gjykon në mënyrën e tij, mbi bazën e atyre që dinë dhe bazën e atyre që nuk dinë, mbi bazën e atyre që kanë dëgjuar ose thjesht me impresionin e parë, pra thjesht fare, vetëm për mënyrën se si unë u futa në sallë”, tha Balla.
Ai shprehet se këto lloj gjyqesh popullore nuk hyjnë në preferencat e tij personale dhe kjo, sipas tij, që njeriu që të shkruajë një libër autobiografik duhet të jetë një njeri që ka një lloj funksioni publik.
Balla mendon se gazetarët televizivë, kryesisht ata që merren me emisione politike, mund të kenë njëfarë roli, por edhe nëse ata vetë nuk e kërkojnë një gjë të tillë, janë pikërisht të tjerët ata që ua veshin.
Sipas tij, kjo ndodh, pasi një pjesë e madhe e njerëzve që mund t’a mendojnë një gjë të tillë, vjen nga vetë fakti se si kanë rrjedhur gjërat në Shqipëri dhe sa fort është futur politika në jetën tonë, të cilën edhe po të duam t’a heqim, s’e heqim dot.
Gjatë bashkëbisedimit me të ftuarit, gazetari Balla bëri një ndalesë të shkurtër edhe në fillimet e tij në gazetari. Ai tregoi se për herë të parë karrierën e filloi në vitin 1992, si gazetar i lajmeve nga bota në RTSH.
“Ishte 28 gushti i 1992 dita kur hyra për herë të parë në redaksi. Ka qenë pak ditë pasi fitova konkursin e gazetarisë dhe kjo eksperiencë vinte pasi kisha bërë një vit shkollë tek shkencat sociale në degën e Filozofisë, por fakulteti u mbyll zyrtarisht për çështje reformimi. Në fakt, ishte shumë e çuditshme, se nga njëra anë hyja në një ndërtesë, në Televizionin Shqiptar, ku isha rritur, për shkak se babai im ka punuar atje që në vitin 1972, por mënyra sesi u futa ishte sikur po futesha në një shkollë. Kjo pasi deri aty shkova me babain, pastaj nga ai moment e mbrapa, ai më tha ‘ik’, se aq ishte misioni i dukshëm i tij, për të më krijuar mua një mundësi. Është gjithmonë dikush që të jep një akses, pastaj varet sesi e shfrytëzon aksesin që të jepet”, tha Balla.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *