Xhoana Dhantis: Guida ime e përfitimeve nga dega e Komunikimit UET
Xhoana Dhantis, studente BA në Komunikim me profil Marrëdhënie Publike
Nëse je një maturant në dilemë apo edhe nëse e ke bërë zgjedhjen tënde, nëse po kërkon promovim apo je në kërkim të një profesioni te ri, një student në proces studimesh apo i diplomuar, atëherë kjo vlen të lexohet nga ti. Studimi në Komunikim Marrëdhënie Publike (MP), është një mundësi e shkëlqyer për zhvillimin personal dhe profesional.
Zhvillimi i aftësive si shkrimi, analizimi, menaxhimi i krizave, lobimi etj., orienton individin drejt maksimizimit të potencialit/kapacitetit dhe në hapjen e shumë dyerve, kudo dhe kurdo. E gjithë kjo realizohet përmes studimit të kurseve, të cilat teorinë e shoqërojnë me praktikë. Sido që të jetë ka nga ata që thonë se duhet talent dhe jo me doemos studim, por unë po komunikoj zgjedhjen time. Gjithsesi, ende ndodh që njerëzit të krijojnë dilemat e tyre kur dëgjojnë Komunikim– Marrëdhënie Publike (MP) si fushë studimi, që mundëson ushtrimin e profesioneve konkrete.
Ndaj lind nevoja të shpjegohet konkretisht se çfarë është secila, sesi mund të na shërbejë dhe shtojë vlerë tek ne dhe shoqëria. Në radhë të parë, Komunikimi duhet pranuar si art dhe si shkencë. Në librin “Vështrim i parë mbi Teorinë e Komunikimit’, definimi i tij, në përpjekje për të qenë sa më gjithëpërfshirës, përcaktohet si: “Procesi ndërlidhës i formulimit dhe i interpretimit të mesazheve që kërkojnë përgjigje”. Diçka që mund të duket mjaft e thjeshtë, apo e arritshme nga kushdo pasi si proces Komunikimi është gjithmonë mes nesh.
Ne vazhdimisht kodojmë dhe dërgojmë mesazhe, dekodojmë dhe kthejmë përgjigje, por nëse do të ishte kaq e lehtë, s’do të kishte keqkuptime, konflikte apo kriza, të cilat shpesh herë gjenezën e kanë nga mosnjohja e konteksteve kulturore dhe mënyrat e mirëmbajtjes së marrëdhënieve, apo mos kryerja e metakomunikimit (reflektimi rreth komunikimit) e shumë pengesave që ndërtojmë teksa komunikojmë. Ndërsa Marrëdhëniet Publike, në librin ‘Parimet e Marketingut’, përkufizohen si: “Një instrument i promocionit masiv, ndërtim i marrëdhënieve të mira të kompanisë me publikun e ndryshëm duke përftuar publicitet të favorshëm, duke ndërtuar imazh të mirë të korporatës etj. …”. Në thelb MP është sfidues dhe mundëson krijimin e një personal brand-i që të orienton drejt mundësive. Në një mënyrë sintetike ky është një pasqyrim i këtyre dy fushave.
Ka sigurisht disa pengesa që mund t’ja krijosh edhe vetes. Nëse je jo fleksibël, mendjembyllur, jo i gatshëm, pa dëshirë për të mësuar, jo i orientuar drejt detajeve apo jo kreativ, atëherë do t’i vësh kufij zhillimit të aftësive të mëtejshme në këtë fushë. Por, nëse tipare të personalitetit tënd janë të kundërtat e atyre të lartpërmendura, atëherë të gjitha ato do të jenë të favorshme për të zhvilluar aftësitë praktike. Kështu që, përgatitu për të hedhur një hap më tej drejt njohjes së domosdoshme të esencës së Komunikimit si fushë studimi, gjithçka fillon me atë që mes nesh si grup profesionistësh të ardhshëm, njihet si “bibla e Komunikimit”: bëhet fjalë për librin e përmendur edhe më sipër “Vështrim i parë mbi Teorinë e Komunikimit”.
Aty zbërthehen gjithë teoritë e nevojshme për një bazë të fortë në këtë drejtim. Duke nisur nga Komunikimi Ndërpersonal që përfshin mesazhet ndërpersonale, zhvillimin dhe mirëmbajtjen e marrëdhënieve dhe ndikimin. Më pas është Komunikimi Publik dhe ai në Grup, ku teoritë e aplikuara flasin për komunikimin në grup si dhe atë organizativ, e retorikën publike. Vijohet me Komunikimin Masiv: median dhe kulturën dhe efektet e medias. Kurse Konteksti Kulturor zë një vend tjetër mjaft të rëndësishëm. Ky vështrim përgjithësues, përveçse shërben në aftësimin e menaxhimit të komunikimit në varësi të konteksteve, të zhvillon mendimin kritik dhe të mundëson shikimin në një spektër ndryshe duke filluar në nivel mikro, nga të gjitha dukuritë e përditshme, e deri në nivel makro e profesional.
Ndërkohë që teoria mësohet, nevojitet të praktikohet, ndaj “Çfarë konkretisht bën një profesionist në Komunikim MP?”. Duke filluar me menaxhimin e krizave dhe dimensionimin e debateve, hulumtimin dhe “hyrjen në mendjen e klientit”, rrëfimin e historisë dhe praktikat e kompanisë apo brand-it. Gjithashtu një profesionist i fushës shkruan dhe krijon kontakte e ndërveprime me një palë të tretë: median. Planifikimi i eventeve, konferencat e shtypit, gjetja e ambasadoreve të kompanisë apo brand-it, janë pjesë e punës. ‘Kultivues marrëdhëniesh’ me një numër të lartë personash, të cilët gjithmonë janë një investim në jetën dhe karrierën e individit. Vlerat që një profesionist i kësaj fushe i shton vetes por edhe shoqërisë janë të vazhdueshme dhe të domosdoshme.
Aq sa janë të shumta gjërat që bën dhe aftësitë që ka një individ i Komunikim MP, aq janë edhe mundësitë për pozicione konkrete pune, që ekzistojnë në industri si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Duke qenë se Komunikim MP ‘bashkëjeton’ me fusha si biznesi dhe marketingu, media, teknologjia, politika, arti etj. , atëherë edhe pozicionet e punës janë të larmishme. Alison Doyle, eksperte në kërkimin e punës, liston në një artikull pozicione nga të përgjithshmet si:
Copywriter,
Lobist,
Koordinator Eventesh
Menaxher Eventesh,
Publicist,
Analist i Mediave Sociale,
Menaxher i Mediave Sociale,
Specialist i Mediave Sociale etj. .
Më tej, Doyle paraqet pozicionet të cilat lidhen konkretisht me MP Komunikimin:
Koordinator Komunikimi,
Drejtues Komunikimi,
Editor Komunikimi,
Specialist Komunikimi në Korporata
Drejtues Komunikimi Strategjik
Menaxher i Komunikimit të Marketingut etj. ,
Këto pozicione, – shprehet ajo, – lidhen me “Zhvillimin dhe mirëmbajtjen e imazhit publik të një klienti ose kompanie përmes paraqitjeve, njoftimeve për shtyp dhe mediave sociale”. Ndërsa në raport me fushën e Medias listohen:
Menaxher i Mediave Digjitale dhe Sociale,
Menaxher për Media dhe Komunikim
Koordinator për Media
Menaxher i Marrëdhënieve me Median etj.
Nuk mbetet me kaq, por pozicionet e punës janë gjithmonë të hapura dhe të gatshme për t’u ‘krijuar’ nga vete profesionisti, në varësi të nevojave që tregu ka dhe aftësive që individi promovon.
Përtej hapësirës së mësipërme, ku është shpjeguar fusha e Komunikim MP, pjesëmarrësit e mundshëm, ajo që ata konkretisht ta zotërojnë dhe pozicionet e larmishme profesionale, nevojitet një përfshirje paraprake për të kuptuar nëse është profesioni i cili përveçse do të na sigurojë të ardhura të larta, dhe do të na bëjë të shijojmë procesin e të punuarit. Dy janë mënyrat për të zbuluar këtë, të cilat shoqërohen me kosto të ulët monetare dhe kohore, por gjithashtu dhe me atraktivitet të lartë. Së pari, një pjesë të kohës së lirë e kalojmë duke shikuar filma të ndryshëm, pa e ditur pse po i shikojmë, apo vlerën e shtuar pas shikimit. Ndaj këtë kohë vetëm për pak ditë mund t’ia dedikoni shikimit të filmave të kësaj fushe. Ndër më të mirët prej tyre janë: ‘Wag the Dog’, ‘Thank you for smoking’, ‘Jerry Maguire’, ‘The Social Network’ , apo ‘Spotlight’. Së dyti, leximi i librave të fushës si ‘ Vështrim i Parë mbi Teorinë e Komunikimit’ nga Em Griffin et. al.; ‘How to win a friend and to influence people’ nga Dale Carniege; ‘Sticks and Stones How Digital Business Reputations Are Created Over Time and Lost in a Click’ nga Larry Weber. Kujtohu që për të shikuar këto filma dhe për të lexuar këto libra, risku është shumë i ulët, aq sa kostoja totale është përfitimi i një mënyrë të re të menduarit.
Për ta bërë akoma dhe më të thjeshtë për ty, mjafton të pyesësh veten “Sa dua unë të rritem profesionalisht dhe sa dëshiroj të krijoj avantazh mbi konkurrentët e mi ?” Nëse ndihesh i sigurt, do të thotë që ti e ke hedhur hapin tënd drejt zhvillimit të kësaj aftësie, por dhe nëse ndihesh i pasigurt, kjo përsëri është avantazh për ty, sepse sfidat janë mundësi të pa përjetuara më parë dhe do të thotë që je pikërisht aty ku duhet të jesh për të vepruar tani. Hej, mos harro, dëshirën që ke tani, nëse nuk e ushqen ti për ta zbatuar, dikush tjetër do ta bëjë për veten e tij/saj. Pastaj, të mbetet veçse ta ndjekësh dhe të zbatosh vendimet e tij/saj. Prandaj, bëj diçka ndryshe dhe produktive, këtu fillon e ardhmja jote.