Workshop në UET nga konsulentja e Harvardit, Dr. Albana Shehaj: Studimi në SHBA nuk është më ëndërr

Nga ekselenca akademike, te ndërtimi i një rezymeje adekuate, gjetja e një mentori shqiptar apo të huaj, krijimi i kontakteve me kolegët në universitetet aspirante, e deri te pasioni dhe puna për të pasur sukses në një vend si Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ishin të gjitha këto në qendër të një workshop-i të zhvilluar nga Fakulteti i Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale në Universitetin Europian të Tiranës me të ftuar konsulenten e Universitetit të Harvardit, Dr. Albana Shehaj.
Përveçse e specializuar në politikën ndërkombëtare dhe zhvillimet demokratike, kërkuesja shkencore Albana Shehaj është Menaxhere Programi në Qendrën Minda de Gunzburg për Studime Evropiane (CES) në Harvard. Ajo ka më shumë se një dekadë përvojë në organizimin, ekzekutimin dhe menaxhimin e projekteve kërkimore të shkencave sociale me ndikim konkret në politika.
Dekania e Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale, Prof. Dr. Belina Budini tregoi për studentët se kolegen shqiptare e takoi gjatë një vizite studimore në Harvard, ku mbajti një leksion në Departamentin e Letërsisë së Krahasuar. E inspiruar nga puna dhe rrugëtimi i saj, Budini e ftoi për të ndarë në auditorin e UET eksperiencën e saj akademike, punën si menaxhere programi, por edhe për të dhënë këshilla për çdo të ri që ka synim të studiojë në një universitet amerikan. Vizita e saj ishte edhe në kuadër të bashkëpunimit për projektin READ (Research Expertise from Albanian Diaspora), në partneritet me Albanian American Development Foundation (AADF).
“Prof. Shehaj është në një pozicion kyç, shumë të rëndësishëm për të gjithë rajonin tonë të Ballkanit Perëndimor dhe veçanërisht për hapësirën që po iu krijon shqiptarëve, protagonistëve të jetës publike në Shqipëri”, theksoi Budini, duke sqaruar se në vazhdim UET do të ketë disa bashkëpunime me eksperten Shehaj, në kuadër të projekteve dhe kërkimeve shkencorë të përbashkëta.
Larguar drejt Greqisë pas mbarimit të gjimnazit në Vlorë, Dr. Albana Shehaj qëndroi vetëm dy vjet në vendin fqinj për të udhëtuar drejt SHBA-së. Me mungesë njohurish në gjuhën angleze, por me një pasion të madh për jetën akademike, ajo aplikoi dhe u pranua në Universitetin e Miçiganit, ku u diplomua për Shkenca Politike, e më tej mori gradat shkencore duke u bërë më tej pjesë e stafit akademik. Prej 7 vitesh është në Universitetin e Harvardit, për të cilin tha se ofron mundësi shkollimi përmes bursës për të gjithë familjet, të ardhurat vjetore të të cilëve nuk kalojnë 100 mijë dollarë.
“Amerika është më shumë e aksesueshme se sa e mendojmë”, nënvizoi Shehaj, teksa nxiti të rinjtë që të mos i dorëzohen fatit duke menduar se maksimumi ku mund të shkojnë është Europa. “Ju ftoj ta luftoni atë mendësi, nëse e keni, dhe ta shtyni potencialin tuaj sa më shumë të jetë e mundur.”
Konsulentja e Harvardit tha se ka pasur shumë kërkesa dhe pyetje nga të rinjtë dhe prindërit shqiptar se si të studiojnë në SHBA, prandaj për të asistuar në përgatitjen dhe gjithë proceset, ajo ka hapur në Tiranë Akademinë e Studimeve Shqiptare (International Studies Academy).
Për të shkuar në një universitet amerikan, Dr. Shehaj tha se i pari kriter është ekselenca akademike dhe sigurimi i rezultateve të larta. Duke bërë ndryshimin mes akademisë shqiptare dhe asaj amerikane, ajo tha se kjo e fundit nxit të menduarin kritik dhe të qenit inovator, duke inkurajuar studentët të shkojnë përtej teorisë dhe të japin zgjidhje për probleme aktuale në rrafshin lokal e global. “Studentët ne i vlerësojmë në varësi të aftësisë së tyre për të gjetur diçka të pathënë, diçka të nënkuptuar në teorinë që kanë mësuar.”
Si kriter të dytë ajo përmendi ndërtimin e një strategjie dhe këtu u ndal te paraqitja e rezymesë, jo vetëm duke renditur elementët thelbësorë të shkollimit, por edhe të dhëna të tjera që tregojnë më tepër për preferencat e lëndëve, certifikimet, pjesëmarrjen dhe bashkëpunimin në aktivitete të ndryshme duke lënë një ndikim të caktuar. “Ka studentë ekselentë që penalizohen sepse nuk dinë të paraqesin në aplikim impaktin dhe mendimin kritik”, nënvizoi Shehaj.
Prof. Budini sqaroi se një pjesë e mirë e studentëve janë të angazhuar, por nuk e shprehin në rezyme pasi sistemi shqiptar nuk i kërkon elementë të tillë, duke qenë më formalist. “Kemi shumë studentë të tillë që punojnë, angazhohen, kontribuojnë, e që mjaft mirë mund të ndërtojnë një portofol punësh, një shfaqje, një ekspozitë, dhe më tej ta dinë ta njohin dhe ta interpretojnë si impakt”, u shpreh Prof. Dr. Budini.
Për këtë arsye, u propozua zhvillimi i një prezantimi apo workshop-i, për të përgatitur studentët të vlerësojnë kontributin, përfshirjen dhe impaktin që kanë pasur gjatë rrugëtimit jetësor, i cili jo domosdoshmërisht duhet të jetë në terma sasiorë, por kryesisht në ato cilësorë.
Dr. Albana Shehaj tha se një tjetër element që vlerësohet në Harvard është dëshira e zjarrtë, për të sjellë ndryshim. Ajo përmendi historinë e një studenti nga një fshat i Kosovës, i cili u pranua përmes një eseje mjaft frymëzuese, ku tregonte autencitetin, të vërtetën e jetës së tij të varfër në fshat, i ‘përpirë’ nga dëshira për të ndryshuar të ardhmen.
Këshilla tjetër që konsulentja iu dha studentëve ishte mosdorëzimi në pesimizëm duke e parë gjithçka të pamundur, pasi në botën e sotme çdo gjë është e mundur, përmes aksesit, internshipe-ve, bursave etj. Dhe për të mundësuar këtë, është mjaft e nevojshme gjetja e një mentori, shqiptar apo të huaj, si dhe vendosja e kontaktit me kolegët nga universitetet e huaja. E rëndësishme sipas saj, është që të rinjtë të jenë këmbëngulës kur duan diçka, të tentojnë disa herë derisa të marrin përgjigje, qoftë nëpër aplikimet që bëjnë, kërkesat që shprehin, apo email-et që u dërgojnë pedagogëve të huaj, duke qenë specifikë dhe të qartë në atë që kërkojnë dhe synojnë.
Për të gjithë studentët të cilët ndoshta nuk janë ekselentë, Shehaj theksoi se duhet të shohin jo vetëm emrin e universitetit, por edhe eksperiencën e specifikat që ka secili institucion. “Luftoni jo për emrin e universitetit, por për aftësitë e duhura, dhe pastaj emri vjen te ju. Kur ke aftësitë e duhura, pavarësisht se ku i ke mbledhur, ato të vlejnë për të gjitha universitetet në të cilat synoni të punoni e të rriteni më tej profesionalisht.”