Well Done 2019-2020! Sfidat e pandemisë dhe mësimi online në UET
Viola Shkulaku
Edhe pse në kohë pandemie dhe në kushte aspak të zakonta Universiteti Europian i Tiranës ia doli mbanë të mbyllte me sukses vitin akademik 2019-2020, falë punës së palodhur të stafit akademik, të sistemit teknologjik që ka krijuar tashmë ndër vite, por edhe vetë studentëve.
Më shumë se 300 milion nxënës e studentë në të gjithë botën e ndërprenë mësimin në auditor nga përhapja e Covid-19, gjë që për hir të së vërtetës duhet thënë që shkollat dhe universitetet nuk ishin përballur deri më sot.
Por ndryshe nga e shkuara, tashmë janë krijuar të gjitha mundësitë për të vazhduar mësimin përtej auditoreve, në një formë tjetër komunikimi. Në këtë mjedis të pasigurt, është e rëndësishme që mësimi të vazhdojë, edhe nëse nuk mund të ndodhë “face to face”, por online.
Kjo praktikë u zhvillua në Universitetin Europian të Tiranës, edhe pse nuk ishte diçka e panjohur më parë pasi ka vite që universiteti e aplikon si metodë dhe i orienton studentët që të marrin dije shtesë përtej auditorit.
“Ne kemi përdorur UET Learnig Management System (UET LMS) që në tetor 2016-tën. Filluam në tetor startup-in, ndërsa në nëntor ishim gati me të gjitha lëndët dhe pedagogët. Në 2017-tën ne me urdhër të universitetit kemi bërë të mundur që çdo pedagog ta përdorin LMS dhe automatikisht çdo pedagog apo student i UET që regjistrohet me një account nga Microsoft që e krijojmë ne, hyjnë praktikisht në të gjitha sistemet tona”, tha Drejtor i IT në UET, Agim Kasaj gjatë një takimi pas rikthimit në auditore.
E sigurisht që asgjë nuk ishte aq e lehtë sa duket. Të studiosh online, apo të japësh mësim online. Direkt imagjinata të shkon tek rehatia, të ndenjurit në shtëpi dhe të bërit njëkohësisht disa punë. Të kursen kohë, por edhe para. Mirëpo gjithçka ndodhi shumë shpejt dhe në mënyrë të befasishme. U deshën shumë trajnime intensive, por në një kohë mjaft të shkurtër, falë profesionalizmit të treaguar nga stafi, u bë e mundur që UET të arrinte në kohë rekord të zhvillonte mësimin në mënyrë që studentët të mos mbeteshin pas.
“Në javën e dytë të muajit Mars 2020 u vendos në përdorim total të UET edhe platforma Microsoft TEAMS. Kjo platformë shërben për të realizuar mësimin interaktiv, në distancë, në kushtet e qëndrimit në shtëpi, për shkak të pandemisë së virusit COVID-19. Nëpërmjet kësaj platforme janë realizuar gjithashtu të gjitha mbledhjet administrative dhe akademike, gjatë kësaj periudhe, duke përfshirë mbledhjet e departamenteve, mbledhjet e Rektoratit, takimet e klubeve studentore, si edhe seancat metodologjike për studentët udhëheqje diplome”, tregon eksperiencën e tij Drejtori i IT në UET.
E si duket, eksperienca e re do të ishte kryefjala, pas hapjes së vendit dhe rikthimit në vendet e punës. Pedagogu Erdet Këllici tregoi eksperiencën e tij të të dhënit mësim online, teksa rrëfeu se si gjatë asaj periudhe u rrit edhe përgjegjshmëria e pedagogëve për të dhënë mësim. Sipas tij mësimdhënia me regjistrim u shërben shumë studentëve, pasi ata mund ta dëgjojnë disa herë atë që duan dhe të përpiqen ta kuptojnë më mirë.
Ndërsa vështirësitë e pandemisë ai i sheh me një sy pozitiv. Epo nuk thonë kot: “çdo gjë e keqe e ka një të mirë”. Ai shpreson se eksperienca e online dhe pandemisë të krijojë më shumë vende pune në këtë fushë, në mënyrë që edhe studentët pasi të dalin nga bangat e shkollës ta kenë më të lehtë.
“Në akademi një nga gjërat që më ka pëlqyer më shumë është pjesa e kuiceve dhe gjërave online dhe pjesa e regjistrimit, ku profesorit në njëfarë mënyre i rritet përgjegjësia për të dhënë mësim për arsye se është i regjistruar dhe studentët mund ta dëgjojnë disa herë atë që duan dhe kur kanë paqartësi mund t’i kthehen sërish. Pra është një oportunitet. Shpresoj që këto probleme që u krijuan prej pandemisë të përkthehen në vende pune.”, u shpreh pedagogu i UET.
Ndërsa sfidat e shumta të kësaj përiudhe të vështirë treguan edhe njëherë se sa e rëndësishme është teknologjia. Mund të mos jetë ekzistenciale, por pa të mund të bëjmë dot. Pedagogu Erjon Curraj rrëfen rëndësinë e përdorimit të teknologjisë si dhe rolin që ajo luan në jetën tonë.
“Jo vetëm në edukimi, por edhe në të gjitha drejtimet e tjera dhe në biznese të tjera të drejtimeve të ndryshme u desh kjo lloj “sforcoje”, një lloj detyrimi në njëfarë mënyre që të kuptohej realisht dhe që të vendosemi para faktit që duhet ta përdorim teknologjinë në mënyrë që ne ta kalojmë këtë situatë që jemi dhe që jeta të kalojë pa shumë probleme apo kosto të mëdha nga këndvështrimi social dhe personal”, u shpreh Curraj, i cili është i mendimit që duhet ta vazhdojmë këtë realitet të ri.
“Teknologjia do të jetë pjesë e një procesi tonë në punë apo edukim duke qenë pjesë e strategjisë. Në rastin konkret të punuarit dhe të studiuarit ka treguar që është një element shumë efikas dhe cilësia e punës është e mundur të arrihet nëse kemi një program të caktuar, nëse përdoren pajisjet e duhura komunikimi dhe për të ndjekur punën në vijim.”, theksoi ai.
Mirëpo gjithmonë do të ketë përplasje mes atyre që mendojnë se mësimdhënia në auditor është më frytdhënëse se ajo online ose e kundërta. Por më mirë lë t’i dëgjojmë vetë studentët se çfarë mendojnë!
Mësim në auditor apo online? Ja kë zgjedhin studentët
Emanuela Prençi është Presidente e Qeverisë Studentore. Ajo tregon se si jo vetëm mësimi, por edhe Klubet Studentore, Qeveria Studentore, Konferencat, Seminaret informuese, takimet tradite e UET, kanë vijuar normalisht edhe gjatë izolimit nëpërmjet platformës Microsoft Teams.
E mesa duket ajo është nga ata studentë të cilët e “përqafojnë” mësimdhënien online.
“Në gjykimin tim ishte zgjidhja më e mirë që mund arrinte jo vetëm një universitet por çdo institucion sepse e gjithe bota po përballej me një revolucion teknologjik, fazë që tashmë ka arritur të tjera prespektiva.”, thotë me bindje Emanuela.
Ajo mendon se mësimi online do t’i krijonte jo vetëm asaj, por çdo studenti shumë lehtësira sidomos kur janë në marrëdhënie pune, apo edhe kur duan t’u kthehen leksioneve me audio, apo vetë përshtatja me teknologjinë për të është shumë e rëndësishme.
“Do preferoja të ofrohej mundësia e zgjedhjes për çdo student, si në auditor si në mësimin online, pse jo ndoshta një ndërthurje e të dyjave sëbashku në varesi të lëndës apo kohës. Do ishte vërtet një ndryshim për sistemin arsimor dhe padyshim pozitiv. Mësimi në auditor sigurisht krijon një kontakt ndryshe midis pedagogut dhe studentit, më të afert dhe ndërveprues. Auditori është një mjedis me të cilin ne jemi tashmë të familjarizuar dhe njohim mënyrën si funksionon procesi mësimor në detaje.”, thotë ajo, ndërsa nuk lë pa përmedur edhe punën e palodhur të pedagogëve apo kontakteve të herë pas hershme sa herë që kanë hasur vështirësi.
Ndërsa zëvendëspresidenti i Qeverisë Studentore, Antonio Demiri duket se mendon ndryshe nga Emanuela sa i përket mësimit online apo atij në auditor.
Ai thotë se për situatën në të cilën u ndodhëm, mësimi online ishte alternativa më e mirë për të vazhduar rregullisht lëndët. Pavarësisht sfidave, Antonio tregon se mësimi online është zhvilluar shumë mirë.
“E kam pritur shumë mirë sepse mendonim se do na digjej i gjithë viti, por pasi na thanë që mësimi do te zhvillohej online ishte nje lehtësim shum i madh.”, u shpreh ai, ndërsa tregoi se nuk kishte aspak vështirësi në përshtatje pasi është shumë i dhënë pas tekonolgjisë.
Por sipas Antonios, ajo që ka ndihmuar ka qenë platforma “Microsoft Teams”, pasi ishte e lehtë dhe ai beson se të gjithë janë përshatur shumë shpejt.
Por sigurisht sipas Antonios kjo është vetëm një zgjidhje në raste “emergjente”, apo diçka që duhet të ndërthuret, pasi nuk mund ta lerë pas ekperiencën që të sjell auditori.
“Unë jam i mendimit që është më mirë mësimi në auditor sepse ka më shumë interaktivitet student-pedagog, gjë që sjell rritje të interesit të studentëve për të marrë pjesë në mësim. Edhe pse mësimi online ishte një mënyre e mire e mësimdhënies, unë mendoj që kjo mënyrë është e mirë vetëm në raste fatkeqësie.”, thotë ai.
Ndërsa sa i përket mënyrës së menaxhimit nga ana e pedagogëve, zëvendëspresidenti i Qeverisë Studentore shprehet mjaft i kënaqur.
“Mësimi online ka veçoritë e veta dhe besoj se pedagogët e kanë menaxhuar në mënyrën më të mirë të mundshme sipas mundësive që kanë pasur. Dhe ne lidhje me ne, studentet, kanë qenë gjithmonë bashkëpunues edhe na jan gjendur gjithmonë pranë kur kemi pasur pyetje apo paqartësi”, tregon Antonio i cili thotë se mezi pret që vitin e ardhshëm akademik të rikthehen direkt në mësim në auditor në ambientet e UET pasi sipas tij është mënyra më e mirë për të vazhduar studimet.
E mesa duket Antonio është një ndër ata që mendojnë se ende nuk ka ardhur momenti që studentët të vazhdojnë studimet online.
Ndërsa Sabire Elezi, studente e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në UET thotë se mësimi është zhviluar nëpërmjet një platforme shumë të mirë oline “Microsoft Temas” dhe ka për të ka qenë tepër komode.
“Oraret kanë qenë të njëjta me ato që kemi pasur në shkollë. Herën e parë ka qenë pak e vështirë derisa u mësova, por në vazhdim ka qenë shumë më e lehtë dhe e thjeshtë”, thotë ajo, ndërsa duket që i ka munguar auditori dhe shokët.
Është e vërtetë që ajo nuk do të dëshirontë që mësimi të zhvillohej vetëm online, por thotë se mësimdhënia online ka qenë shumë e mirë nga ana e profesorëve, madje e më mirë se në auditor.
Por sidoqoftë, përballja me pedagogun, marrja direkte e reagimeve të çdo studenti dhe kontakti i drejtpërdrejtë bën diferencën, sipas saj.
Irisa Aliaj është gjithashtu studente e Marrdhënieve Ndërkombëtare. Ajo thotë se e priti mirë faktin e zhvillimit online pasi ishte e vetmja mundësi në periudhën e izolimit dhe mbylljes së të gjithë institucioneve arsiomore në vend, por jo vetëm.
Irisa tregon se u përshtat shumë lehtë me të mësuarit online dhe se mësimdhënia ka qenë e njëjtë me atë në auditor, por edhe ajo do të preferonte auditorin dhe këtu përmend më tepër lëndët praktike.
“Më e mira është mësimi në auditor. Ndërveprimi pedagog – student është më i madh, përkushtimi po ashtu, sidomos nga ana e studentëve. Nuk mund ta imagjinoj një universitet pa jetën studentore.”, shprehet ajo.
Ashtu sikurse shokët e saj edhe Erigena Begolli e cila studion për Kanto ndan të njëjtat mendime dhe përshtypje për zhvillimin e mësimit online.
Ajo thotë se është zhvilluar shumë i rregullt dhe si duket kjo ka qenë një fitore nga të dyja palët, si për pedagogët ashtu edhe për ta.
Por ai që iu ka munguar është kontakti fizik!
“Auditori të mbledh sëbashku me studentët e tjerëdhe të lë të kuptosh të gjitha idetë e studentëve”, thotë studentja e UET.
Besjana Mena po ashtu është studente e UET. Ndërsa tregon ankthin e asaj që nuk dinin pas mbylljes së universitetit për shkak të Covid-19, ajo tregon se sa mirë e ka pritur zhvillimin e mësimit online.
“Kur u informova që mësimi do të bëhet online e prita shumë mirë, pasi nuk do e ndërprisnim rrjedhën e mësimit. Do të vazhdonte normalisht pavarësisht se nuk do të ishim prezent në institucion. Kjo ishte forma më e mirë dhe e zgjedhur për të mos e pezulluar fare mësimin.”, thotë Besjana.
Sipas saj mësimdhënia ka qenë shumë e mirë si në auditor, por ashtu edhe online.
“Mësimdhënia ka qenë shumë e mirë, si në auditor ashtu edhe online. Pedagoget kanë qenë dhe janë gjithmonë të përkushtuar.”, ndërsa e veçanta midis online dhe auditor sipas Besjanës është bashkëpunimi ndërmjet pedagogut dhe studentit.