UET: Prezantohet Fakulteti i Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës, lançohet Çmimi i Inovacionit
UET: Prezantohet Fakulteti i Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës, lançohet Çmimi i Inovacionit
Universiteti Europian i Tiranës prezantoi dje Fakultetin e Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës. Fakulteti sapo ka lindur dhe është në ditët e tij të para, pavarësisht se trashëgon një departament të mirëformuar të Informatikës dhe Teknologjisë. Ky fakultet është i organizuar me dy departamente dhe një qendër inovacioni, që do të sigurojnë suksesin e tij dhe zhvillimin e mëtejshëm
Universiteti Europian i Tiranës prezantoi ditën e djeshme Fakultetin e Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës. Ky fakultet i ri ka lançuar edhe Çmimin e Inovacionit, një çmim i cili do t’iu jepet maturantëve më të mirë në Republikën e Shqipërisë, për punimet dhe idetë më të mira ndaj fakultetit të ri për vitin shkollor 2018-2019.
Fjalën e tij për fakultetin e ri e mbajti dhe Presidenti i Universitetit Europian të Tiranës, Adrian Civici, që ka treguar se ka qenë pjesë e debateve të shumta për ngritjen e Fakultetit të Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës në UET.
Ka qenë pjesë e debateve të shumta dhe dëshirës për ta ngritur Fakultetin e Informatikës, Inxhinierisë dhe Arkitekturës, edhe në përgjigje të një handikapi të madh që ka oferta universitare shqiptare, por edhe kërkesa universitare shqiptare. Të paktën duke iu referuar shifrave të fundit, mbi 75% e studentëve shqiptarë sot janë kryesisht në degët shoqërore, ku përmblidhen të gjitha, dhe shumë pak, 7-10 % në degët informatikë, inxhinieritë dhe ato që quhen degë teknike. Ndërkohë që në BE, por dhe në vende të tjera të zhvilluara, tabloja është e përmbysur. Mbi 60% e studentëve janë në degët inxhinierike, teknologjike dhe më pak janë në shkencat sociale apo shkencat humane. Kështu që, me qenë se universiteti sot nuk është as luks, as hall, por është një institucion që duhet t’i ofrojë shoqërisë formim profesional më të domosdoshëm në kuadrin e zhvillimit, industrializimit dhe ecjes përpara, natyrisht që duhet të shtohet jo vetëm kërkesa e studentëve për degë të tilla, por edhe oferta akademike për këto fakultete, e cila në Shqipëri ose është e mangët, ose është jo aq cilësore sa duhet, shprehet Civici.
Fakulteti sapo ka lindur dhe është në ditët e tij të para, pavarësisht se trashëgon një departament të mirëformuar të Informatikës dhe Teknologjisë.
Prof. asoc. dr. Arben Dushi, si Dekan i Fakultetit të Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës, tregon se ky fakultet është i organizuar me dy departamente dhe një qendër inovacioni. Është Departamenti i Inxhinierisë dhe Arkitekturës dhe Departamenti i Informatikës dhe Teknologjisë.
“Të dy departamentet janë në silogji me njëri-tjetrin, siç e dimë inxhinierët i konsiderojnë arkitektët inxhinierë pa matematikë, ndërsa informaticienët sipas Steve Jobs ishin inxhinierë që formuan Silicon Valley-n, ndërsa Bill Gates e konsideron softuerin si një kombinim të mrekullueshëm të inxhinierisë dhe të artit”, shprehet Dushi.
Me rastin e hapjes së fakultetit të ri, foli edhe përgjegjësja e Departamentit të Informatikës dhe Teknologjisë, dr. Teuta Xhindi.
Vij këtu me cilësinë e përgjegjësit të Departamentit të Informatikës dhe Teknologjisë. Në fakt e kam pranuar këtë sfidë, e kam parë si sfidë dhe e kam pranuar. E kemi kaluar hapin e parë me shumë sukses, që është procesi i aplikimit për programet e reja. Me këtë rast falënderoj gjithë anëtarët e departamentit për energjinë, sinergjinë, për punën dhe seriozitetin dhe profesionalizmin e treguar. Ku ishim? Ishim nën ‘ombrellën’ e Fakultetit Ekonomik. Ku jemi? Jemi me një fakultet të ri. Ishim me një program Bachelor me dy profile, një Master Shkencor, një Profesional. Jemi me një Diplomë Profesionale, me dy programe Bachelor, me dy programe Master Shkencor dhe një program Master Profesional. Pse u bë kalimi nga ajo që ishim tek ajo që jemi? Kalimi ndodh për disa arsye. E para për t’ju përgjigjur nevojave të tregut të punës. E dyta për t’ju përgjigjur kërkesave në rritje të studentëve për një profilizim më të mirë në fushën e IT-së, shprehet Xhindi.
Përveç prezantimit të fakultetit të ri, studenti Gëzim Cako tregon eksperiencat e tij të zgjedhjes së Universitetit Europian të Tiranës dhe si një ndër studentët me eksperiencën e të qenit në Erasmus, në Riga Technical University në Letoni.
Zgjodha degën e Informatikës Ekonomike për të studiuar në UET. Gjatë kohës që isha në gjimnaz, po bëja vlerësimin për të marrë një vendim për të ardhmen se çfarë doja dhe çfarë ishte më e përshtatshme për mua për të studiuar. Zgjodha UET dhe pse fillimisht ndihesha i frikësuar se mos ndoshta Informatika ishte e vështirë dhe e paarritshme nga ana ime. Kurrikulat në UET janë shumë favorizuese si dhe profesorët shumë të kualifikuar bëjnë të mundur ndërtimin e një profesioni që nga themeli. Arrita një avancim të dukshëm falë përkushtimit tim, derisa në vitin e dytë aplikova për Erasmus në Letoni në Riga Technical University. Njihet si një universitet me histori në fushën e teknologjisë, robotikës si dhe në mbrojtjen ndaj sulmeve kibernetike. Profesorët ishin shumë të njohur dhe me eksperienca të gjata akademike. Tani me riorganizimin e Fakultetit të Inxhinierisë Informatikës dhe Arkitekturës, si dhe me futjen e programeve të reja që janë akoma më favorizuese në formimin e një profesioni. Kurrikulat e reja na përgatisin ne më denjësisht në atë çfarë tregu specifikisht kërko dhe se çfarë i nevojitet, tregon Gëzimi.
Gjithashtu, dhe Otjela Lubonja si përgjegjëse e Departamentit të Inxhinierisë dhe Arkitekturës tregon se hapja e degës së Arkitekturës në UET, erdhi si arsye e të qenit së pari, një universitet prestigjioz dhe i konsoliduar, i cili ofron një tërësi programesh studimi.
Universiteti Europian i Tiranës është një universitet mjaft prestigjioz dhe i konsoliduar, ai në tërësi ofron shumë programe studimi. Aktiviteti i tij ka filluar që prej vitit 2006 ku ofronte tri fakultete, si: Fakulteti Juridik, Fakulteti Ekonomik dhe i Teknologjisë së Informacionit, Fakulteti i Shkencave Sociale dhe të Edukimit. Hapja e programit të integruar të ciklit të dytë në “Arkitekturë” kontribuon në nevojat e tregut dhe plotëson kërkesat e standardeve shtetërore të cilësisë për formimin e ekspertëve të nivelit të lartë në fushën e projektimit. Kryesorja e kësaj dege është shumëllojshmëria e profileve që ofron, të cilat janë mjaft të kërkuara sot në treg si: Arkitekturë Interieri, Urbanistikë, Restaurim Monumentesh, Administrim Territori, Menaxhim dhe Vlerësim Projektesh. Pas përfundimit të këtij programi studimi, studenti është i aftë të vazhdojë me tej ciklin e tretë të studimeve, atë të doktoraturës. Mendoj që një student duhet ta zgjedhë programin e Arkitekturës në Universitetin Europian të Tiranës për cilësinë në mësimdhënie, por edhe tarifat me të cilat UET konkurron në treg. Është ndër të vetmit universitete që ofron tri cikle studimi – si bachelor, master dhe doktoraturë. Studentët që mbarojnë këtë program studimi mund të punësohen në drejtoritë e planifikimit të qyteteve, organizatat e planifikimit urban, zyrat e projekteve, kompanitë e ndërtimit, zyrat e shërbimeve publike etj.,shprehet Lubonja.
Albanian ICT Awards, Shala: Studentët e UET kanë shkëlqyer brenda dhe jashtë vendit
Flet një nga themeluesit e ICT Awards, Kushtrim Shala
Është një kënaqësi e veçantë që ndodhem në një ambient inaugurues të Fakultetit të Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës, në UET, i cili ka ditur të tregojë ndër vite që di të zgjedhë kurrikulat e duhura, di të zgjedhë plan-programet e duhura. Këtë eksperiencë e sjell nga tregu ndërmjet fituesve të Albanian ICT Awards, i cili është një konkurs tashmë mbarëkombëtar dhe tradicional prej disa vitesh dha ka ditur të tregojë që studentët e këtij universiteti kanë arritur të shkëlqejnë jo vetëm brenda kufijve shqiptarë, por edhe jashtë tyre duke arritur jo vetëm të gjejnë punë për mbijetesën e tyre në treg, por edhe të themelojnë start up-et e tyre. Kohët kanë ndryshuar. Faktikisht nëse krahasojmë jo më shumë se 5 vite apo 10 vite më larg, për të gjetur një punë në treg do të mjaftonte vetëm eksperienca dhe një diplomë e mirë. Mirëpo në kohë tranzicionesh dhe në këtë kohë revolucioni industrial, i cili kam përshtypjen nuk do të ketë ‘gap’, por do të jetë një revolucion i vazhdueshëm, presupozohet që nuk është e rëndësishme eksperienca, por është e rëndësishme aftësia e të mësuarit në mënyrë të vazhdueshme, sepse profesionet në të ardhmen pritet të pësojnë një tranzicion të vazhdueshëm dhe kjo do të vazhdojë në mënyrë të pafundme do thoja, si pasojë e revolucionit të katërt industrial të cilin po e jetojmë.
Gjithashtu dua të falënderoj administratorin dhe management-in e universitetit që na besuan partnership-in për të disatin vit radhazi me Albanian ICT Awards gjithashtu me qendrën më të re inovative ICT Lab ku do të zbatojmë disa bashkëpunime që besoj do të jenë shumët ë frytshme në muajt në vijim. Ju falënderoj për besimin dhe shumë komplimente për këtë iniciativë.