UET marrëveshje bashkëpunimi me DPPI: Bursa dhe intership për studentët dhe pedagogët
Portofolit të gjerë të bashkëpunimeve të Universitetit Europian të Tiranës i shtohet një tjetër institucion i rëndësishëm, Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Intelektuale (DPPI). Në kuadër të këtij partneriteti nisin shkëmbimet mes dy institucioneve, si dhe ofrohen një sërë mundësish për studentët e stafin akademik.
Intership brenda dhe jashtë Shqipërisë, bursa në një profil të ri studimi në universitetet më prestigjioze europiane dhe botërore. Janë këto disa nga përfitimet për studentët dhe pedagogët e Universitetit Europian të Tiranës, të ofruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Intelektuale në Shqipëri. Administratori i UET, Tildi Çadri dhe Maria Soli, drejtore e Përgjithshme e DPPI, firmosën një marrëveshje bashkëpunimi duke startuar kështu një partneritet me shumë vlerë për të dyja palët.
Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Intelektuale është hipoteka e regjistrimit të të gjitha objekteve të pronësisë industriale. Është institucioni i vetëm nëpërmjet të cilit shteti shqiptar jep të drejtat mbi patentat mbi shpikjet dhe modelet e përdorimit, topografinë e produkteve gjysmëpërçues, markat tregtare dhe të shërbimit, dizenjot industriale dhe treguesit gjeografikë, duke iu njohur mbajtësve të së drejtave pronësinë mbi këto objekte, nëpërmjet regjistrimit të tyre. DPPI është reformuar vazhdimisht gjatë një shekulli jetë, duke pasur emërtime të ndryshme. Aktualisht, funksionin si një agjenci autonome nën mbikëqyrjen e ministrit përgjegjës të Ekonomisë dhe ka bashkëpunime me institucionet simotra në Europë.
Në fjalën e tij administratori i UET, tha se kjo marrëveshje mund t’iu vlejë specifikisht disa fakulteteve të UET, siç është ai i Mjekësisë, Inxhinierisë apo pjesës së arteve. Çadri tha se UET ka krijuar një traditë të vyer me partnerët ndër vite, duke i përfshirë në shumë aktivitete që zhvillohen gjatë një viti akademik, siç janë takimet e Bordit të Punës, HR Club, Panairi i Karrierës, por edhe leksionet e hapura me drejtues biznesesh, startup-esh etj.
“Janë disa aktivitete gjatë gjithë vitit me partnerët tanë, me studentë dhe pedagogë, ku ju keni mundësi të jepni qasjet tuaja të reja, por edhe të jepni kontribut në programet tona në përmirësimin e silabuseve, inovacionit, kërkesave të reja. Ky proces proaktiv na ndihmon për të krijuar një sistem që ndërvepron me njëri-tjetrin por që edhe ambasadorët tanë t’i kemi sa më të përgatitur në tregun e punës”, theksoi Çadri.
Znj. Maria Solis shpjegoi se institucioni që ajo drejton bën regjistrimin e gjithë objekteve të pronësisë industriale, si: markat tregtare (emri i çdo biznesi, startup-i); patentat për shpikje (në fushën e mjekësisë, farmaceutikës, inxhinierisë etj); Dizajno industriale (që përfshin dizajnin e një makine, karrigeje, apo çdo objekti); treguesi gjeografik, që përfshin pjesën e traditës, artizanale, ushqimore.
Për të gjithë individët që kanë një biznes, një shpikje e duan ta mbrojnë me ligj nga imitimet, vjedhjet etj, znj. Solis këshilloi adresimin e tyre pranë institucionit para se ai të reklamohet apo të bëhet publik.
“Zakonisht ndodh që bëhet promovimi dhe në fund fare kujtohen që ta regjistrojnë te zyra, por që ajo nuk i merr përsipër. Duhet që çdo gjë të jetë sekret total. Të vijnë te zyra dhe ajo të shikojë nëse është shpikje ose jo dhe më pas i drejton hap pas për të marrë një patentë, certifikatë e pronësisë”, sqaroi drejtuesja e DPPI.
Sa i përket bashkëpunimit me Universitetin Europian të Tiranës, ajo tregoi se DPPI ofron një sërë mundësish për studentët dhe pedagogët. Kjo për shkak se ky institucion ka marrëveshje me institucionet ndërkombëtare partnere, siç janë: Organizata Botërore e Pronësisë Intelektuale, me seli në Gjenevë; Organizata Europiane e Patentave në Munih dhe Organizata Europiane e Pronësisë Intelektuale, që është gjykata për markat tregtare, dizajno intelektuale.
“Janë intershipe 6 mujore ose 1 vjeçare. Para dy vitesh kemi çuar 20 studentë nga e gjithë Shqipëria. Kriter kryesor është gjuha angleze. Është një mundësi shumë e mirë për studentët që duan një eksperiencë nga universitetet më prestigjioze në Europë dhe botë.”
Po ashtu, znj. Soli fol për ofrimin e bursave për pronësinë intelektuale dhe menaxhimin e pronësisë intelektuale.
“Që nga e drejta e autorit, nga programi kompjuterik, markat tregtare apo një shpikje që mund të ketë, përbejnë portofolin e pronësisë intelektuale të një biznesi që trajtohen gjatë mastrit të ofruar. Na janë dhënë bursa në Kinë, në Gjenevë, në Korenë e Jugut, në Itali, nëpër universitetet më të mira që ofrojnë pronësinë intelektuale.”
Dy drejtuesit ranë dakord për zhvillimin e aktivitete specifike, në dobi të DPPI dhe studentëve të UET.