UET HR Club/ Largimi i profesionistëve, faji i biznesit apo problemi i tregut?
UET HR Club/ Largimi i profesionistëve, faji i biznesit apo problemi i tregut?
Largimi i profesionistëve dhe sfidat që i krijohen biznesit për të mbajtur dhe zhvilluar kapacitetet njerëzore, ishin në fokus të forumit për burimet njerëzore të zhvilluar nga Fakulteti i Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit në UET, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve dhe drejtuesëve të bizneseve të ndryshme.
Prej vitesh Shqipëria është e njohur me largimin masiv të popullsisë, por vitet e fundit po njihet me një fenomen të ri: largimin masiv të profesionistëve. Për dekanin e Fakultetit të Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit, Prof. Asoc. Dr. Elvin Meka ky është një fenomen i theksuar kryesisht në dy vitet e fundit dhe që përbën problem jo vetëm për biznesin, por edhe shoqërinë.
“Nëse pak vite më parë diskutonim largimin masiv të shqiptarëve, për në vende të tjera, për një punë më të mirë, në vitet e fundit po vëmë re një largim masiv të profesionistëve. Sigurisht që nuk ka gjë të parikuprueshme, por do të jetë shumë e vështirë”, u shpreh Meka, në forumin e UET HR Club për vitin 2021.
Presidenti i UET, Prof. Asoc. Dr. Selami Xhepa vuri në pah logjikën e gabuar, sipas tij, të kontabilitetit, i cili nuk i sheh burimet njerëzore si asete, por i klasifikon në anën e pasiveve. Sipas Xhepës, politikat demotivuese ndaj burimeve njerëzore mund të shkaktojnë dhe rrënimin e korporatave.
Duke u ndalur te largimi i profesionistëve, Xhepa ngriti në diskutim disa çështje që mund të çojnë drejt kuptimit të problemit dhe gjetjes së zgjidhjes nga bizneset apo institucione të tjera shtetërore apo private.
“A jemi në drejtimin e duhur”, ishte pyetja e Xhepës drejtuar të pranishmëve, duke kërkuar bashkëpunimin e bizneseve për të vlerësuar profesionistët e dalë nga universiteteti.
“A po bëjmë realisht përgatitjen e atyre profileve, profesioneve, a po japim ato aftësi që kërkon sot tregu i punës, të paktën në industritë ku ju punoni, por edhe në këndvështrimin e studiuesëve? Ju, duke parë kurrikulën, duke njohur programet akademike të formimit profesional, të na jepni një konfirmim apo të na kalibroni qasjen tonë në raport me tregun e punës. Për ne është vlerësim dhe shumë e dobishme”, theksoi Xhepa.
Më tej, Presidenti i UET-së u ndal në diskutimin për tregun e punës dhe cilat mund të jenë politikat më të mira për zhvillimin e burimeve njerëzore. Sipas tij, shpeshherë studentët e dalë nga univrsitetet shqiptare nuk arrijnë të integrohen kollaj në tregun vendas, por e gjenë veten mjaft mirë në vendet e tjera.
“Është një dilemë që ne e quajmë produktiviteti social. Problemi nuk qëndron në pjesën e formimit dhe aftësimit për punë, por në dinamikat e tregut të punës dhe aftësinë që tregu ka për t’i përthithur dhe zhvilluar këto burime njerëzore”, nënvizoi Xhepa.
Çështja e fundit e diskutimit ishte zhvillimi i politikave të burmieve njerëzore në këndvështrimin e shpërblimit. “Unë mund ta bëj kollaj detyrën e Presidentit të UET-së, por të drejtorit të burimeve njerëzore nuk do ta bëja dot”, u shpreh Xhepa, duke e cilësuar këtë rol si mjaft kritik. Sipas tij, drejtori i burimeve njerëzore, duhet të qëndrojë më tepër në anën e punëmarrësve, duke u siguruar që të ecin në rrugën e duhur politikat e zhvillimit në lidhje me kuadrot profesionale.
“Në këndvështrimin e prirjeve që kanë ndodhur në tregun e punës në këto 30 vite, unë e shikoj se një nga arsyet kryesore që qëndron pas migrimit, të profesionistëve në veçanti, është paaftësia e tregut të punës për të shpërblyer më mirë dhe për të krijuar kushtet e nevojshme, që këta profesionistë të zhvillojnë veten e tyre dhe të ndërtojnë një të ardhme afatgjatë, të ndërtojnë një familje të shëndetshme dhe një ekonomi të shëndetshme. N.q.se ekonomia nuk i ofron këto, atëherë në botën e mobilitetit largimi i profesionistëve nuk është më një çudi. Largimi është çështje kohe. Sot kemi arritur në pikën ku kërkojmë të gjithë punë dhe biznesi po e kupton dëmin që mund t’i jetë shkaktuar ndoshta edhe për shkak të një mungese fleksibiliteti nga ana e tij, për të ndërtuar politika më dinamike për tregun e punës”, përmbylli profesor Xhepa.
Drejtori i Burimeve Njerëzore të Deloitte për Kosovën dhe Shqipërinë, Roden Pajaj tha se fenomeni i shfaqur është pjesë e ciklit të zhvillimeve që kanë ndodhur. Duke kujtuar Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit në 2004, Pajaj u shpreh se qëllimi i saj ishte arritja e standardeve në një nivel të krahasueshëm për t’iu bërë ballë forcave të konkurrueshme nga tregu.
“Jemi pjesë e ciklit për t’u bërë anëtarë të tregut evropian. Kemi marrëveshje Erasmus, kemi tregje më të hapura. Nga ana tjetër janë disfatat që po pësojnë vendet evropiane si plakja e popullsisë, pasi preferojnëmë tepër të marrin punëtorë nga Ballkani sesa Lindja e Mesme. Të gjitha këto na bëjnë që të jemi më alert se çfarë ofrojmë për të rinjtë, që t’i mbajmë brenda vendit”, theksoi Pajaj.
Në fund, ai u ndal edhe në sudimin e kryer në 2020, ku sapo ishim goditur nga Covid-19, për të marrë impaktin që ajo shkaktoi. Sipas anketimit, shumica e të rinjve janë shprehur të gatshëm për t’u larguar për arsye pune.