[:en]Tregimet e Loer Kume, të jetosh dashurinë përmes letërsisë[:]
[:en]
Tregimet e Loer Kume, të jetosh dashurinë përmes letërsisë
Çmimi Kadare 2019
Është promovuar në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës libri “Amygdala Mandala”, me autor Loer Kume, fitues i çmimit letrar “Kadare”, 2019
Ishte një garë e karakterizuar nga debate të shumta dhe një konkurrencë e fortë, ajo e çmimit “Kadare” 2019, me dorëshkrime në të cilat ishin të përfaqësuara thuajse të gjitha këndvështrimet origjinale të autorëve shqiptarë. Ky konkurs është një nga më të rëndësishmit në vend dhe ka për qëllim të mbështesë shkrimin e letërsisë shqipe, si dhe të inkurajojë autorët e letrave shqipe në krijimtarinë e tyre dhe këtë vit shënon 5-vjetorin e tij. Përgjatë Ditëve Letrare të Razmës, u shpall edhe fituesi i edicionit të pestë të këtij çmimi, shkrimtari Loer Kume, i cili në veprën e tij sjell një këndvështrim të ri në letërsinë shqipe. Libri i tij me tregime, “Amygdala Mandala”, është promovuar në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës ditën e enjte, në praninë e figurave të njohura të letrave shqipe, pedagogëve e publicistëve. Gjatë kësaj ceremonie, shkrimtarit të ri, Loer Kume, i është akorduar zyrtarisht çmimi “Kadare” nga Instituti Europian “Pashko”.
Kryetari i jurisë së çmimit “Kadare”, shkrimtari Bashkim Hoxha, u shpreh se Kume është përfaqësues i një gjenerate të re shkrimtarësh, i cili eksperimenton me letërsinë, në kërkim të formave të reja letrare, larg komercialitetit dhe të zakonshmes në letërsi.
“Fituesi i çmimit ‘Kadare’, Loer Kume, eksperimenton dhe përpiqet të sjellë një letërsi jo dhe aq tradicionale, një letërsi ndryshe nga modelet që jemi mësuar deri më tani. Tendenca e tij për të eksperimentuar ka bërë të mundur që të vijë shumë trill artistik në përmbledhjen me tregime të Loer Kumes, ndoshta edhe për faktin se ai, përveç letërsisë, ka edhe një profesion tjetër dhe duket qartë se në krijimin e tij, autori i beson më shumë instinktit të tij krijues. Herë-herë rrëfimi sundohet nga veprimi, herë ndërtohet tërësisht mbi dialogun, por gjithmonë, në të gjitha tregimet, ka një prirje për të gjëmuar realitetin jo të zakonshëm brenda koracës së realitetit të përditshmërisë. Duhet thënë se shpeshherë idetë vijnë në formën sentencave të patretura në veprime dhe në ndonjë rast si moralizuese. Edhe përse ndonjëherë teprohet me kapriçion letrare, përsëri është për t’u përshëndetur këmbëngulja e autorit për të përgënjeshtruar të zakonshmen, rutinoren dhe për të gjetur interesanten përtej copëzave të realitetit që qëmton. Pothuajse në të gjitha tregimet e këtij vëllimi vërehet ky përkushtim dhe pikërisht për të gjitha këto vlera ai meritoi ta fitonte këtë konkurrencë tepër të fortë të edicionit të pestë të çmimit ‘Kadare’”, u shpreh Hoxha.
Ndërkohë që i pranishëm në këtë promovim ishte edhe z. Petrit Ymeri, Kryetari i Shoqatës së Botuesve, i cili e përgëzoi autorin për fitoren e tij dhe e vlerësoi këtë çmim si një kontribut mjaft të rëndësishëm për letërsinë shqipe.
“Dalëngadalë u bënë pesë vjet që kur çmimi ‘Kadare’ filloi rrugën e tij dhe mund të themi që ka zënë një vend të sigurt në kulturën shqiptare. Çdo çmim dhe çdo aktivitet që i shërben librit është i mirë, por çmimi ‘Kadare’ është një institucion tashmë. Në këtë çmim kanë konkurruar pena nga më seriozet, të brezave të ndryshëm, me përvojë dhe me më pak përvojë dhe ajo që është më e rëndësishmja, juritë e këtij çmimi janë përbërë nga njerëz me kontribute, të njohur nga publiku”, ka thënë Ymeri.
Presidenti i Institutit Europian “Pashko”, z. Preç Zogaj, njëkohësisht shkrimtar dhe publicist, në fjalën e tij gjatë dhënies së çmimit “Kadare” e vlerësoi veprën e Kumes si mjaft cilësore dhe si një prurje origjinale, të nevojshme për letërsinë shqipe sot.
“Në Institutin Europian ‘Pashko’ ne diskutojmë prej vitesh se si çmimi duhet të shërbejë për të nxitur kërkime stilistikore, jo vetëm tematike, pra të shërbejë si një shkollë në këtë aspekt. Loeri është një shkrimtar që e ilustron në mënyrë të shkëlqyer këtë ambicie, këtë ekzigjencë, që ka vetë çmimi ‘Kadare’, për kërkime stilistikore.”
Ndërkohë që Presidenti i IEP, Preç Zogaj, ka theksuar dhe rëndësinë që ka elementi “dashuri” në veprën e Kumes.
“Loer Kume është një shkrimtar, i cili në mënyrën si shkruan, reflekton një shkrimtar dhe intelektual që komunikon me botën e hapur, në koordinata shumë të gjëra në hapësirë dhe në kohë. Mendoj se nuk mund të krijohet letërsia pa një komunikim të diapazonit, natyrisht duke ruajtur lidhjet me vendin. Është letërsi kozmopolite, por nëse nuk është edhe shqiptare, ka diçka që do t’i mungonte asaj. E dyta është tematika, e cila frymëzohet nga misteri i dashurisë, që është gjëja më e thjeshtë që mund të na duket, por edhe më misteriozja. Është një kërkim në këtë mister, një përpjekje për të kuptuar çfarë është kjo, por në fakt nuk e kuptojmë kurrë. Duke kërkuar kuptimin e jetojmë atë, dhe e jetojmë përmes letërsisë dhe më duket se kjo e bën letërsinë një temë të përjetshme, të shkruarit gjithmonë në forma të larmishme dhe në forma që nuk e përsërisin kurrë njëra-tjetrën”, shprehet Presidenti i IEP, Preç Zogaj.
Vetë autori u shpreh se çmimi “Kadare” është një hapësirë dhe mundësi me vlerë, veçanërisht për shkrimtarët e rinj: “Në gjithë këtë amullinë e jetëve tona dhe përditshmërisë sonë, duhej një ishull i këtij kalibri dhe i këtyre përmasave intelektuale, për të krijuar mundësitë e duhura që autorët e rinj ose të vjetër të mund të përballen apo të qasen ndaj lexuesit e ndaj njëri-tjetrit. Ndihem shumë mirënjohës ndaj jurisë, duke parë dhe emrat kandidatë për shkrimin, në opinionin tim ka bërë një punë spektakolare dhe ndihem shumë mirënjohës, sepse kisha në krah autorë që unë i kam lexuar dhe admiruar. Fitorja pa diskutim më jep një gëzim shumë të madh.”
Fituesi i çmimit “Kadare” është shpallur gjatë Ditëve Letrare të Razmës, të cilat janë një organizim i përvitshëm i Institutit Europian “Pashko”, në bashkëpunim me Universitetin Europian të Tiranës, ku ky i fundit ka hapur këtë vit akademik edhe degët e reja të letërsisë e linguistikës.
“Ky çmim dhe këto lloj aktivitetesh nuk janë të reja për ne, kanë të bëjnë me faktin se ne po përsërisnim prej vitesh programet e studimit në letërsi, linguistikë dhe shkenca humane në tërësi. Është një lloj gjeneze për programet në vetvete, por jo për flukset e mendimit, jo për kontributet që kemi ndarë ndër vite”, ka thënë Dekania e Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale, Prof. Asoc. Dr. Belina Budini.
[:]