[:en]Studentët e UET, pjesë e një rrjeti të madh[:]
[:en]
Studentët e UET, pjesë e një rrjeti të madh
Elda Dedja
Rrjetizimi ka qenë gjithnjë përparësi e Universitetit Europian të Tiranës, i cili e ka vlerësuar këtë proces si një nga mënyrat më efektive që studentët të krijojnë në të ardhmen një karrierë të suksesshme.
Studimi në universitet përbën një nga përvojat jetësore më emocionuese dhe shënjuese në jetë. Disa studentë shkojnë në universitet me qëllimin e vetëm për të fituar një edukim cilësor dhe për të pasur në fund të ditës në duar një diplomë, e cila do t’u mundësojë një karrierë në të ardhmen. Disa studentë të tjerë theksojnë se eksperienca e të studiuarit në universitet është një shans më tepër për ta shijuar jetën, për të kaluar një kohë të mirë me shokët dhe për t’u argëtuar përpara se gjërat të bëhen “serioze” dhe ata të punojnë në një punë me kohë të plotë dhe të kenë përgjegjësi të reja e shqetësime mbi financat. E vërteta është se në universitet ka vend për të dyja këto: studimin dhe shoqërimin me të tjerët, dhe nëse mundësitë për të krijuar miqësi shfrytëzohen në mënyrën e duhur, e gjitha kjo mund të shërbejë si një avantazh edhe në aspektin profesional.
Universiteti i mundësive
Socializimi, ose ndërtimi i një rrjeti, është një mënyrë e shkëlqyer për të ndërmarrë hapat e parë që do të mundësojnë prezantimin me botën jashtë mureve të universitetit. Rrjetizimi nuk ka të bëjë thjesht me shkëmbimin e informacioneve me të tjerët dhe sigurisht nuk ka të bëjë me kërkimin e favoreve ndaj të tjerëve, por në thelb ai ka të bëjë me krijimin dhe ruajtjen e marrëdhënieve afatgjata dhe reciprokisht të dobishme me të tjerët. Shoqëria e sotme është një shoqëri rrjetesh, ndaj edhe është e rëndësishme që studentët ta pozicionojnë veten në një universitet, i cili u krijon atyre kushtet e nevojshme për të zhvilluar ide dhe për të investuar në marrëdhënie profesionale dhe personale. E gjitha kjo hapësirë mendimi dhe ndërveprimi është një faktor përcaktues për të ardhmen, pasi ndikon në formimin personal, në përditësimin me tendencat më të fundit në tregun e punës, në kontaktin me mentorë, në njohjen me ortakë dhe klientë potencialë etj.
Gjëja e parë që studentët mund të bëjnë kur hyjnë në universitet, është pjesëmarrja në klubet studentore, pasi kjo është një ndihmesë e madhe në fillimin e krijimit të rrjetit personal të kontakteve. Në UET studentët mund të bëhen pjesë e më shumë se 11 klubeve studentore, të cilat zhvillojnë periodikisht aktivitete të ndryshme, me të ftuar profesionistë dhe personazhe të spikatur, sipas fushave përkatëse. Në këtë mënyrë ata mund të njohin njerëz që ndajnë interesa të ngjashme me ta, të mësojnë duke u argëtuar dhe njëkohësisht të përfitojnë nga eksperienca e profesionistëve. Workshop-et, konferencat e ndryshme apo leksionet e hapura që universiteti zhvillon rregullisht janë një tjetër mundësi e mirë që rrjetizimi të shtrihet më cilësisht në aspektin profesional. Zakonisht pjesë e këtyre organizimeve bëhen akademikë të shquar, edhe nga universitete partnere të huaja, por edhe punëdhënës potencialë nga një numër i madh kompanish të suksesshme në vend. Gjithashtu një mundësi që nuk duhet lënë pa u shfrytëzuar nga studentët është të qenët pjesë e internshipe-eve apo punëve me kohë të pjesshme, pasi në këtë mënyrë jo vetëm familjarizohen me atë çfarë i pret pas diplomimit, por krijojnë edhe kontaktet e nevojshme për të gjetur një vend të përshtatshëm pune në përfundim të studimeve. Nëse gjatë kësaj përvoje, studenti komunikon edhe me klientë, kjo është në favor të tij, në rast se në të ardhmen dëshiron të krijojë një sipërmarrje të vetën.
Universiteti Europian i Tiranës ka krijuar prej vitesh tashmë një mjedis shumë të favorshëm, që studentët e tij të ndërtojnë një rrjet të gjerë kontaktesh, pavarësisht fushës së studimit. Në mënyrë të përvitshme ky universitet zhvillon Panairin e tij të Punës, ku bëhen pjesë përfaqësues të shumtë nga industri të ndryshme në vend, të cilët i prezantojnë studentët me kërkesat e tyre dhe mundësitë për internship apo punësim. Ndërkohë që ky nuk është i vetmi kontakt që studentët e UET kanë me bizneset, pasi në kuadër të programit 500+ ky institucion ka bashkëpunim të vazhdueshëm me më tepër se 500 biznese të mëdha dhe të vogla, në mbarë vendin. Sigurisht që pedagogët janë një tjetër faktor që ndikon në ndërtimin e një rrjeti kontaktesh, pasi ata janë jo vetëm një pikë reference për të kuptuar se çfarë ndodh në përgjithësi me industrinë, por edhe për të marrë këshillat dhe orientimin e nevojshëm, qoftë për pozicionimin në tregun e punës, qoftë për ndërmarrjen e iniciativave më të mëdha, siç do të ishte krijimi i një biznesi. Faktori përcaktues në ndërtimin e një rrjeti është dalja jashtë zonës së rehatisë. Studentët mund t’u përkushtohen shumë mësimeve dhe mund të arrijnë rezultate të larta, por duke shfrytëzuar të gjitha mundësitë që universiteti ofron për të krijuar një rrjet të madh, sigurisht që sigurimi i një pune të mirë pas diplomimit do të jetë më e thjeshtë dhe avantazhet do të jenë të dukshme edhe në një aspekt më afatgjatë.
[:]