Shkolla e Shëndetit Publik UET/ Ilir Alimehmeti: Kush është i dobët, të mos i futet mjekësisë!
Eidemiologu Ilir Alimehmeti vjen në këtë intervistë kolektive me maturantë nga e gjithë Shqipëria, në Shkollën Dimërore të Shëndetit Publik të UET mbajtur në Shëngjin, në datat 10- 12 dhjetor
UET Center, në bashkëpunim me World Vision Albania dhe në partneritet me Fakultetin e Shkencave Mjekësore Teknike, zhvilluan edicionin e tretë të Shkollës Dimërore të Shëndetit Publik.
Gjatë 3 ditëvë në Shëngjin, maturantët pjesëmarrës nga gjithë vendi morën njohuri të ndryshme mbi fushën e mjekësisë, mundësitë e karrierës, mësimet e dala nga pandemia dhe si afektuan ato në mjekësi. Po ashtu, u bënë pjesë e trajnimeve mbi personalitetin dhe lidershpinin, si dhe orientimin në karrierë.
Epidemiologu dhe zv/Dekani i Fakultetit të Mjekësisë Dr. Ilir Alimehmeti ndau eksperiencën personale të vijimit në profesionin e prindërve. Babai i dy fëmijëve dhe bashkëshorti i një neurologeje, shuajti kuriozitetin e maturantëtve në këtë intervistë kolektive për çështje të ndryshme personale dhe profesionale, teksa nuk munguan as këshillat mbi zgjedhjen e një profesioni si mjekësia.
A ndodh që me kalimin e kohës të fashiten të gjitha frikërat që mund të kesh në kryerjen e profesionit? A të mëson puna?
Sa më shumë qëndron në një gjë, aq më shumë mësohesh me të. Por çështja është, a mësohesh dot me të gjitha? Mjekësia, infermieria janë zanate. Mësohen duke parë, me praktikë. Një shembull klasik në mjekësi është sesi të japësh lajmin e keq. Askush nuk e mendon këtë, pasi mendojnë se mjekësia është vetëm të shërosh. Por duhet të japësh edhe lajme të këqija, është pjesë e punës. Lajm i keq nuk është vetëm vdekja, por edhe t’i thuash dikujt nga se vuan, apo për deformimin e fëmijës.
Po ju jap një shembull. Kur isha në Pediatri, kishim një vajzë të vogël 2 vjeçe, Dajanën, e cila kishte lindur me një ventrikul në zemër. Nuk e dinim si ishte gjallë prej dy vitesh, se normalisht nuk duhet të kishte lindur e tillë. Këtë duhet t’ia thonim prindërve të Dajanës dhe vetë asaj. Asnjë nga mjekët nuk ua thoshte dot. Gjetëm një rrugë të mesme. Bëmë një vizitë edhe me një kardiolog italian që ndodhej në Shqipëri dhe ua tha ai, në kuptimin “që ky është një rast i veçantë dhe nuk ka më shumë se 6 muaj jetë”. Normalisht prindërit shpërthejnë në lot, por duket sikur edhe vajza e vogël kupton. Edhe sot e kam para syve atë skenë. Në Shqipëri ndodhin mesatarisht 60 vdekje në ditë, nga të cilat, mbi gjysma janë nga infarkti i zmerës. Janë gjëra që ndodhin tak-fak. Shpesh herë vdekja ndodh në ambulancë e ti duhet të lajmërosh familjarët.
Në fillim të punës të dhemb shumë, por mësohesh. Prandaj dua t’ua them që në fillim: kush është i dobët, ose duhet të forcohet, ose duhet të mos i futet asaj pune fare. Në mjekësi sëmundje profesionale janë: depresioni dhe vetëvrasja. Mjekët dhe infermierët bien në depresione të thella. Është diçka e vështirë. Po i hytë kësaj, duhet të jeni të fortë, këmbëngulës.
A menaxhohet lehtë koha me një profesion të tillë si mjekësia? A ke kohë për pasione të tjera, si letërsia, arti, apo edhe për familjen?
Kjo varet shumë nga vendi ku punon, por edhe nga vetë ti si person. Shqipëria ka aktualisht 1.5 mjekë për 1 mijë banorë. Mesatarja evropiane është 4.3. Greqia është 6.6 mjekë për 1 mijë banorë. Kjo do të thotë që një mjek këtu ka më tepër punë se një mjek në Gjermani, e cila ka 3.96 mjekë për 1 mijë banorë. Çfarëdolloj profesioni që do të bëni nesër, këshilla ime është që të gjeni kohë për veten dhe familjen tuaj. Është shumë e lehtë të biesh te gracka që do të bëj punë edhe paradite, edhe pasdite. Bëni një punë të mirë që t’iu vlejë, por mos harron familjen.
Ju vetë si keni arritur që ta menaxhoni kohën tuaj, mes rritjes profesionale dhe akademike të vazhdueshme, si dhe jetës personale e familjare?
Ne kemi bërë një statistikë. 40% e mjekëve janë të martuar me mjekë të tjerë, sepse harxhojmë shumë kohë me njëri-tjetrin, kemi të njëjtat interesa. Edhe te 60% tjetër kanë dominim shkencat mjekësore. Menaxhimi i kohës gjatë shkollimit është i lehtë. Momenti i vështirë është kur del në punë, kjo edhe me rregullat shiptare, që të çojnë të punosh 3-4 vjet në qytete të tjera. Sa më të vështirë ta kesh situatën, aq më tepër bëhesh efikas dhe e optimizon kohën. Këtë e kemi vënë re te vajzat kur bëhen me fëmijë. Efikasiteti rritet me shkallën e trysnisë që ke.
Çfarë sakrifikash keni bërë ju për t’u bërë mjek?
Fillohet nga rreshti i parë, i faqes së parë, të librit të parë. Në ditën time të parë të shkollës, leksioni mbahej nga dekani. Na informoi dhe tha: “Shihni rreth e rrotull, 1 ndër 2 nga ju do ta lenë mjekësinë. Ata që do të mbesin, gjysma do të jenë mjekë të përgjithshëm. Dhe në fund fare të gjithë duhet të lexojnë, pavarësisht punës që do të bëni”. Një këshillë me vlerë e mbaj mend edhe sot: “Mundohuni të mos bëheni të gjithë njësoj, mos u bëni klone të njërit-tjetrit”. Ne kemi një gjë të keqe në Shqipëri, që lexohet në provim apo sezon. Kjo do të thotë që pjesën tjetër të vitit nuk lexohet. Kjo kërkon të jesh sistematik. Pra nëse quhet sakrificë që të lexosh përditë, unë mendoj se nuk është ndonjë sakrificë e madhe. Kur isha student, atëherë nuk kishte internet dhe shkoja në bibliotekë, Sfida ime ishte të gjeja artikuj që s’kishin lidhje fare me gjërat që lexonin të tjerët. Për mua s’ka qenë skrificë kjo sepse më shkon shumë. Për mua është sakrificë që të luaj futboll.
A je penduar ndonjëherë gjatë periudhës së studimeve për zgjedhjen e degës së studimeve?
Patjetër që po. Kam pasur kolegë që e kanë lënë mjekësinë. Pra mos e shihni veten të lidhur, që e kam nisur këtë dhe duhet ta çoj 20 vjet. Ky është mentaliteti që të çon drejt depresionit. Në momentin që e sheh se diçka nuk shkon, ndërroje. A ka ndodhur kjo te unë? Jo mjaftueshëm që ta lija, por periudha të vështira ka pasur.
Gjatë viteve të para të punës, për shkak të ngarkesës emocionale, a jeni konsultuar me psikologë, terapistë dhe a ua rekomandoni këtë kolegëve tuaj?
Në Shqipëri nuk ka këshillim psikologjik për mjekët, jashtë ka diçka. Ne e kemi zgjidhur me njëri-tjetrin, me shokët. U tentua para disa vitesh dhe u futën disa psikologe dhe përgjithësisht ishin vajza të reja, për shkak se Psikologjia është një degë e re te ne. Por mjekët më në moshë e kishin të vështirë të flisnin me to. Mendosj se do të duhej si shërbim, por sesa do të përdorej nuk e di.
A është tregues i një të sëmuri psikik moskujdesi ndaj vetes?
Moskujdesin ndaj vete ne e quajmë shenjë paralajmëruese të depresionit. Nuk është i sëmurë psikiatrik, ka ulje të humorit. Moskujdesi tregon se ky person po vuan për diçka. Një tjetër element tregues është vonesa në punë, apo mosdorëzimi i punëve në kohë, fillon i vonon apo shmang gjërat. Kur shohim ndonjë të afërm në të tillë gjendje, fillojmë dhe i afrohemi se çfarë ka, se çfarë e shqetëson. Ndonjëherë është mënyrë e qëllimshme që ky person përdor për të treguar ty se ka një problem. Mungesa e kujdesit nuk është problem madhor, por është shenjë e hershme.
Është folur se do të rriten kuotat në mjekësinë e përgjithshme. Ju si e komentoni këtë zhvillim?
Kjo ndoshta ndodh në vitin tjetër. Kush është loja në rritjen e këtij numri? Është futja në sistem e Fakultetit të Mjekësisë edhe në Durrës, Elbasan dhe Fier. Futet edhe Shkodra, por nuk shoh bisediem konkrete për të. Durrësin e shoh si potencial prej vitit që vjen. Me këtë lloj modeli qeveria tenton t’i bëjë ballë ikjes së mjekëve duke diplomuar më shumë. Problemi është se kjo nuk qëndron, sepse sado që të prodhojmë ne, Gjermania do të vazhdojë t’i marrë. Prandaj duhet t’iu japim juve arsye pse të rrini. Këshilla ime do të kishte qenë që të rriten kuotat në Tiranë, sepse nuk e kemi të qartë sesa mund ta ruajmë cilësinë duke shkuar në rrethe të tjera. Edhe rritja e kuotave nuk është e sigurt, është në planin e punës.
Si e shikoni ju të ardhmen e mjekësisë së përgjithshme dhe sa do të ndikojë në ecurinë e saj teknologjia?
Teknologjia është një pikë shumë e rëndësishme dhe patjetër që do të hyjë fort. Mjekësia është akoma e pazëvendësueshme nga teknologjia. Disa fusha të caktuara po zëvendësohen nga software. Në ekonomi, tani ka programe kontabiliteti që bëjnë llogaritë, thjesht e printon në fund. Mjekësia e ka shumë më larg këtë ditë sepse është e ndërlikuar dhe ka të bëjë me jetë njerëzore. Por do të ndihmohet shumë nga sistemet elektronike.