Risia e UET/ Sjell forumin e përbashkët me Universitetin e Oksfordit për Ballkanin Perëndimor
“Ballkani i Hapur dhe/ose Integrimi Europian: një përgjigje apo një diversion”, ishte në qendër të forumit të organizuar nga UET dhe Universiteti i Oksfordit, ku ndanë mendimet dhe rezervat e tyre figura të njohura të politikës shqiptare
Diskutimi i iniciativës së Ballkanit të hapur dhe perspektiva e integrimit europian mblodhi politikanët shqiptarë të Ballkanit Perëndimor në Universitetin e Oksfordit, nën organizimin e Dekanes së UET, Belina Budini. Protagonistë në këtë forum ndërkombëtar të realizuar në bashkëpunim me Universitetin Europian të Tiranës ishin personaliteve të shquara politike dhe akademike, si Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Zv.kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç dhe Kryenegociatori i Shqipërisë në Bashkimin Europian, Zef Mazi, krahas drejtorit të Qendrës për Studime të Evropës Juglindore në Kolegjin e St Antony, Othon Anastasakis dhe profesores së ftuar në Universitetin e Oksfordit, Belina Budini, si bashkë-drejtues të këtij eventi.
Fokusi i këtij eventi ishte tema “Ballkani i Hapur dhe/ose Integrimi Europian: një përgjigje apo një diversion” dhe u mbajtën qëndrime në lidhje me realitetet e integrimit europian në tërësi dhe ato të integrimit rajonal në veçanti. Argumentet e Kryeministrit Kurti, zv.kryeministrit Abazoviç dhe Krye-negociatorit Mazi, kishin pikëtakime sa i përket aspiratës së përbashkët europiane, por qëndrime të ndryshme për sa i përket qasjes ndaj iniciativës së Ballkanit Perëndimor. Kryeministri Kurti deklaroi se hapja duhet të nisë nga pranueshmëria brenda vendeve të rajonit dhe njohja e qartë dhe pa ekuivoke e Kosovës nga ana e Serbisë, nëse vërtet ka një vullnet për hapje nga vendet nismëtare. Ndërkohë, Zv.Kryeministri Abazoviç u shpreh në favor të hapjes dhe kooperimit rajonal si një mënyrë për të ecur përpara drejt lehtësive praktike dhe ekonomike në rajon. Nga ana tjetër, Kryenegociatori Mazi shfaqi rezervat e tij për sa i përket iniciativës si një parakusht për të ecur drejt integrimit të mëtejshëm në BE, ndërsa u shpreh optimist për perspektivën e afërt të integrimit për sa i përket Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit.
Në fjalën e saj si bashkë-drejtuese e këtij forumi, profesor Budini u ndal tek perceptimet negative dhe një imazh i vijueshëm që i paraqet vendet e Ballkanit Perëndimor si konfliktuale dhe problematike, ndërsa iniciativa e Ballkanit të hapur duket sikur synon një normalizim të rajonit duke kërkuar bashkëpunimin rajonal përtej ndarjeve dhe realiteteve dramatike të së shkuarës së këtyre vendeve. Më tej në sesionin e pyetjeve përgjigjeve me audiencën u trajtuan edhe çështje të lidhura me rolin e Rusisë apo përdorimin e iniciativës nga ana e Serbisë për të marrë rol dominues në rajon.
Albin Kurti: Çdo iniciativë që synon të zëvendësojë BE-në, e tepërt dhe e qëllimshme
Kryeministri i Albin Kurti e nisi fjalën e tij duke bërë një panoramim të situatës në Kosovë, që sipas tij, gjatë 8 muajve që drejton ka pasur shumë zhvillime pozitive në luftën kundër korrupsionit, zhvillimin ekonomik, politikat sociale, si dhe luftën kundër Covid-19. Sa i përket zhvillimit dhe integrimit të rajonit, Kurti theksoi se përparimi duhet të bëhet duke iu afruar vlerave evropiane, sundimit të ligjit dhe luftën ndaj korrupsionit. Sipas tij, liderat autokratë po kritikojnë BE-në, sepse duan të anëtarësohen pa përmbushur kriteret, teksa theksoi se çdo iniciativë duhet të jetë në përputhje me agjendën e BE-së.
“Jam i sigurt se ka shumë arsye për t’u ankuar për BE-në dhe për t’i kritikuar ato për mungesën e unitetit të tyre në vendimmarrje, por ne nuk mund të lejojmë t’i kthejmë shpinën BE-së dhe projektit të BE-së. Në fund të fundit, ne zbatojmë reformat tona jo vetëm për t’u bashkuar me BE-në, por sepse duam të angazhohemi për demokracinë dhe sundimin e ligjit për qytetarët tanë. Në bashkëpunimin rajonal duhet të jemi aktive, por edhe të kujdesshëm. Ne mbështesim plotësisht bashkëpunimin rajonal dhe ne e kuptojmë se të gjithë fitojmë kur heqim barrierat ndaj tregtisë dhe heqim kufizimet për udhëtime, punë dhe biznes. Por çdo iniciativë duhet të jetë brenda agjendës së BE-së dhe të funksionojë brenda rregullave të BE-së dhe të na sjellë më pranë anëtarësimit në BE dhe jo të na largojë. Ne e mbajmë procesin e Berlinit si kornizën e vetme gjithëpërfshirëse në të cilën ka shumë iniciativa, duke përfshirë nismën për tregun e përbashkët rajonal. Ne e kemi mbështetur vazhdimisht procesin e Berlinit dhe vazhdojmë ta mbështesim atë si një platformë ku të gjashtë vendet janë të përfaqësuara në mënyrë të barabartë, si proces plotësues i integrimit në BE dhe jo si alternativë apo zëvendësim. Në këtë drejtim ne kemi propozuar SEFTA, Marrëveshje e Tregtisë së Lirë të Evropës Juglindore. Propozimi ynë synon të forcojë tregjet e përbashkëta rajonale duke hequr pengesat dhe mosmarrëveshjet në terminologji, që pengojnë progresin dhe duke futur institucione të pavarura, të cilat mund të zgjidhin në mënyrë të paanshme dhe profesionale mosmarrëveshjet ndërmjet palëve. Kështu që unë mendoj se është mjaft e qartë pse ne nuk mbështesim iniciativa të tjera jashtë procesit të Berlinit dhe jashtë agjendës së BE-së. BE-ja është projekti më i rëndësishëm politik i paqes dhe prosperitetit dhe procesi historik më i dalluar që nga Lufta e Dytë Botërore. Çdo iniciativë tjetër që synon të përsërisë modelin e përbashkët rajonal ose të zëvendësojë BE-në, nuk është vetëm e tepërt, por edhe e qëllimshme dhe një devijim nga dy reformat demokratike dhe nga integrimi në BE”, tha Kurti.
Lidhur me pyetjen e distancimit nga BE nëse integrimi vonon, Kryeministri i Kosovës u shpreh se ky process mund të zgjasë një dekadë apo më shumë, por përsëriti se BE mbetet fati i vendeve të Ballkanit. Më tej, theksoi se Ballkani i hapur duhet të fillojë nga Serbia, duke pranuar Kosovën dhe duke respektuar reciprocitetin.
“Më pëlqen shoqëria e hapur, të them të drejtën, e dini, më pëlqen kur fjala e hapur për mua është më shumë për nga aspekti social i jetës. Dhe nëse duam Ballkan të hapur si gjeografi, atëherë testi i vërtetë është nëse Serbia është e hapur për Kosovën. Unë mendoj se me siguri, Serbia duhet të njohë kartat e identitetit, pasaportat, certifikatat, diplomat, kualifikimet akademike dhe profesionale, vulat doganore etj. Nuk do të kemi kufij të hapur, nëse Serbia nuk është e hapur për ne”, nënvizoi Kurti.
Dritan Abazoviç: Ballkani i Hapur, mbështetës për integrimin në BE
Zv.kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç u shpreh në favor të hapjes dhe bashkëpunimit rajonal, si një mënyrë për të ecur përpara drejt lehtësive takike dhe ekonomike, por theksoi se vendet e Ballkanit duhet të punojnë me veten për të siguruar mbarëvajtjen e demokracisë, si dhe të largojnë gjuhën e konfliktit e të respektojnë fqinjësinë e mirë.
“Unë flas në emër të Malit të Zi, por mendoj se problemet janë të njëjta në shumicën prej vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ne kemi një problem me mungesën e demokracisë që lidhet me mungesën e traditës demokratike në këtë rajon, por edhe me faktorët tanë politikë. Rasti i Malit të Zi ishte shumë specifik. Deri vitin e kaluar, ne nuk kemi pasur kurrë ndryshime për gati 30 vjet. Kështu që njerëzit duhet të trajnohen për demokracinë”, u shpreh Abazoviç.
Lidhur me çështjen e Ballaknit të Hapur, zv/kryeministri i Malit të Zi tha se nëse shihet si zëvendësim i BE-së, atëherë do të ishte e rrezikshme për rajonin, por nëse promovohet siç duhet atëherë mund të jetë një mbështetje për integrimin në union.
“Unë mendoj se iniviativa për Ballkanin e Hapur nuk është në përplasje me integrimin europian. Jam plotësisht dakord me kryeministrin e Kosovës , se nëse diçka po duket si zëvendësim për integrimin europian është katastrofë për secilin nga këto vende. Qëllimi ynë kryesor është të bëhemi pjesë e BE. Nuk kërkojmë asnjë zëvendësues për të. Nëse mendojmë për zëvendësimin e BE-së, do të ishte shumë e rrezikshme për vendin tonë. Nëse shikojmë politikën e përgjithshme, do të vërejmë se nuk jemi shumë të fortë me shtetin, me një ekonomi me probleme dhe me një shoqëri të polarizuar. Nga ana tjetër nuk mendoj se iniciativa për Ballkanin e Hapur shkatërron në atë mënyrë, madje e shoh si diçka të mirë për integrimin europian. Pse? Ne kemi nevojë për më shumë lëvizshmëri të njerëzve. Për të ndërtuar besimin kemi nevojë për më shumë lëvizhmëri në fushën e biznesit. E ndërtojmë besimin nëse shoqëria jonë do të hapet”, theksoi zv/kryeministri i Malit të Zi.
Më tej ai u shpreh se kjo iniciativë nuk ndryshon kufijtë, por i bën të padukshëm dhe më fleksibël. Sipas tij, kjo është një rrugë e gjatë për shkak të historisë dhe të kaluarës së Ballkanit, apo interpretimeve të ndryshme politike, por njerëzit duhet të binden për nisjen e një epoke të re dhe me frymë evropiane.
“Nëse duam të ndërtojmë një Ballkan të ri, vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të ndryshojnë sjelljen në të ardhmen, të ketë më shumë bashkëpunim, të jenë më të fokusuar në gjërat e mira dhe nga këndvështrimi im, sundimi i ligjit dhe ekonomia janë dy shtyllat më të rëndësishme të ndryshimit të mendimit. Duhet të ndryshojmë për tema të tilla si nacionalizmi, temat e polarizimit, të cilat janë të lidhura me fenë. E dime çfarë ka ndodhur në të kaluarën. Pra, nëse duam ta heqim atë fokus, duhet të jemi vërtet të gatshëm të inkurajojmë edhe njerëzit tanë, politika duhet të inkurajojë që më në fund të ndalemi në këtë, duke menduar se dikush që është jashtë vendit tonë është armiku ynë, por thjesht t’i shohim si miqtë e vëllezërit tanë jashtë kufijve. Kështu duhet të jetë çfarëdo lloj bashkëpunimi rajonal, përfshirë SEFTA-an apo Ballkanin e Hapur. Nëse promovohet ashtu si duhet mund të jetë mbështetëse për integrimin. Dhe mendoj se ky është destinacioni final, edhe për Kosovën për Shqipërinë, për Maqedoninë e Veriut dhe vende të tjera të Ballkanit Perëndimor”, theksoi Abazoviç.
Zef Mazi: Procesi i integrimit është ngadalësuar, por duhet të jemi optimistë
Kryenegociatori i Shqipërisë në Bashkimin Europian, Zef Mazi tha se Shqipëria ka një strategji politike të pandryshuar prej afro 3 dekadash, sa i përket integrimit europian. Për këtë arsye ai theksoi se qeveria ka punuar për të përmbushur detyrimet e caktuara nga Këshilli Evropian dhe u shpreh optimist për perspektivën e afërt të integrimit të Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit.
“Mendoj se nga 1992 edhe më tej, Shqipëria ka pasur strategji politike të pandryshuar, integrimin në NATO dhe BE, dhe kështu do të vijojë. Nuk ka asnjë devijim nga kjo rrugë. Në fakt, ka kohë që dëgjojmë nga qendrat evropiane, kudo, se Ballkani Perëndimor i përket blogosferës sonë. Dhe ata vazhdojnë ta përsërisin këtë në formën e semantikës, por unë shoh një ndryshim të madh midis kufijve perëndimorë në Evropë dhe kufijve perëndimorë në Bashkimin Evropian. Arsyeja për këtë është se ne kemi qenë në këto territore për mbi 2000 vjet histori dhe kështu do të jetë. Ndoshta Këshilli i BE-së duhet ta shikojë çështjen në një mënyrë tjetër dhe në një mënyrë më solide. Shqipëria ka plotësuar detyrat e shtëpisë të dhëna nga Këshilli Evropain në mars të 2020.Kanë qenë 15 kërkesa për plotësimin e tyre para Konferencës së Parë Ndërqeveritare. Qeveria ende nuk ka përfunduar. Në fakt, vendi ka zbatuar një program reformash ambicioz dhe të gjerë në vitet e fundit”, u shpreh Zef Mazi.
Kryenegociatori dha më tej këndvështrimin e tij sa i përket integrimit, që sipas tij edhe pse etiketohet si zgjerim, në fakt është një proces përfshirjeje.
“Kufijtë e Bashkimit Evropian nuk do të ndryshojnë në Lindje, Perëndim, Veri apo Jug me vendet e Ballkanit Perëndimor. Pra, mendoj se sa më i madh të jetë procesi, çfarëdo që të them edhe termi është më shumë se përmbushja e kritereve të kushtëzimit. Dinamizmi politik i këtij procesi duket se është ngadalësuar. Dhe kjo duhet rifituar, me çdo kusht”, u shpreh Z.Mazi, duke theksuar se ndoshta do të merren lajme të mira në fund të vitit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, me mbledhjen e Këshillit të Kryeministrave në mes të muajit dhjetor. Kryenegocitori theksoi sërish se këto vende duhet të tregohen optimistë, por edhe të kujdesshëm. Mazi deklaroi se nuk është një përfaqësues politik për të diskutuar për Ballkanin e Hapur, pasi kjo çështje po diskutohet mes liderëve të vendeve.
“Shpresoj se do të gjejmë forcën, vizionin, strategjinë për të punuar së bashku drejt të gjitha shtigjeve që përmirësojnë integrimin, duke përshpejtuar atë. Dua të them, se ne e dimë se ky është një proces i filluar me Berlinin. Dhe çfarëdo iniciative që vjen në këtë pjesë, e shtyn procesin përpara. Unë nuk shoh probleme këtu. Por sërish, mbetet të shihet nëse liderët kanë të gjithë kapacitetin intelektual, formimin politik, mbështetjen e njerëzve që i kanë votuar për ta diskutuar këtë. Pra, ne duhet të sigurohemi që ka gjithnjë e më shumë qartësi për të ardhmen ku do të arrijmë dhe nëse ka unitet qëllimi, ose arsye për të mos pasur një përmirësim gradual”,theksoi Zef Mazi.