Rinisin Formuet UET/ Ambasadori i Austrisë: Mungesa e unanimitetit në BE, pengesë për integrimin e Shqipërisë
Universiteti Europian i Tiranës rinis traditën e përvitshme të zhvillimit të forumeve me të ftuar personazhe të njohur nga fusha të ndryshme. I ftuari i parë për këtë vit akademik ishte Ambasadori i Austrisë në Shqipëri, H.E. Dr. Christian Steiner, i cili zhvilloi një bashkëbisedim me studentët dhe pedagogët e Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare
Ngërçi i krijuar në hapjen e negociatave për integrimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE, për shkak edhe të vetos bullgare, ngre pikëpyetje të shumta mbi vijimin e këtij procesi. Viti 2021 duket se po mbyllet pa asnjë lajm të mirë për këto dy vende, ndërkohë që ato së bashku edhe me Serbinë vijojnë konsolidimin e mëtejshëm të Ballkanit të Hapur.
Ambasadori i Austrisë në Shqipëri, i ftuari i parë i Forume UET, bëri një prezantim të shkurtër të themelimit të Bashkimit Europian dhe më tej të rrugës dhe kohës që iu desh Austrisë për t’u bërë pjesë e unionit, teksa u ndal edhe tek mënyra sesi funksionon BE në pjesën e organizimit dhe legjislacionit. Përfaqësuesi i Austrisë në Shqipëri iu përgjigj edhe pyetjeve të studentëve dhe pedagogëve, në lidhje me zhvillimet e fundit në vendin e tij, pas dorëheqjes së kancelarit Sebastian Kurz, si dhe u ndal në pozitat ndërkombëtare të sigurisë së Austrisë, e cila ruan neutralitetin dhe qëndron nje vend patner i NATO-s.
Pjesë e diskutimit ishte edhe forcimi e zgjerimi i mëtejshëm i bashkëpunimit në fushën e edukimit, mes UET dhe universiteteve austriake, pasi tashmë zhvillon Masterin PoSIG në “Shkenca Politike, Integrim dhe Qeverisje” me Universitetin e Salzburgut, Austri.
Rektori i UET, Tonin Gjuraj, i cili moderoi edhe aktivitetin, tha se pandemia kufizoi disi jetën akademike dhe zhvillimin e Forumeve, por që tashmë me normalizmin e situatës, rinisin organizmiet për të sjellë personalitete të ndryshme në UET.
Integrimi i Austrisë në BE
Projekti evropian erdhi pas shkatërrimve që solli Lufta e Dytë Botërore. Madje ishin dy vendet antagoniste të luftës, Franca dhe Gjermania, që vendosën prodhimin e qymyrit dhe të çelikut nën një administrim të përbashkët. Ato themeluan projektin evropian, së bashku me Italinë dhe vendet e Beneluksit, Holanda dhe Luksemburgu, dhe më vonë, u bashkuan më shumë vende në raunde të ndryshme: Mbretëria e Bashkuar, Irlanda dhe Danimarka në 1973, Greqia në 1981, Spanja dhe Portugalia në vitin 1986, më pas zgjerimi më i madh në 2004, me 10 vende nga ish-Blloku Lindor, Rumania dhe Bullgaria në vitin 2007 dhe bashkimi i fundit deri më tani ishte Kroacia, në 2013. Austria u bashkua në raundin e katërt të zgjerimit, në vitin 1995, së bashku me Finlandën.
Ambasadori austriak në Shqipëri shpjegoi, se nga pikëpamja teknike negociatat nuk ishin edhe aq të vështira, pasi Austria kishte dekada që ecte në rrugën e demokracisë dhe ekonominë e tregut.
“Kemi aplikuar në korrik të vitit 1989. Ne iu bashkuam EFTA-s në vitin 1960, në fakt, si një anëtar themelues, dhe kemi pasur një marrëveshje të tregtisë së lirë me Komunitetet Evropiane në vitin 1973. Pra, në korrik 1991, morëm një opinion pozitiv nga Komisioni Evropian. Filluam negociatat e anëtarësimit në shkurt 1993. Patëm nëntë raunde të nivelit ministror dhe ishim tashmë në gjendje të përfundonim negociatat në prill 1994. Morëm miratimin nga Parlamenti Evropian në maj, ndërsa patëm gjithashtu një referendum në Austri, nëse do të bashkoheshim apo jo. Dy të tretat e popullsisë votuan pro, në qershor. Dhe ky në fakt është gjithashtu pak a shumë niveli i mbështetjes që duhet dhe që është rritur pak me kalimin e viteve. Pra, për momentin ne jemi rreth 70% e njerëzve në Austri miratojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Është duke u luhatur pak kjo shifër, pasi ka qenë 74%, por siç duket kanë ndikuar krizat, siç ishte kriza financiare e 2008. Pra, në vitin 1994 ne nënshkruam traktatin e anëtarësimit në Korfuz, pasi Greqia kishte presidencën e Bashkimit Evropian në gjysmën e parë të vitit ‘94. Nga pikëpamja teknike nuk ishte edhe aq e vështirë”, sqaroi ambasadori.
Më tej, ai foli edhe rrethanat politike të kohës, që duket se e favorizuan Austrinë. Edhe pse një vend gjermanofolës që i shtohej BE-së, Austria ishte një vend neutral, dhe kjo e bënte që të kishte marrëdhenie të mira si me Perëndimin, ashtu edhe me Lindjen, pra me Bashkimin Sovjetik të asaj kohe dhe më tej Rusinë. Sipas Ambasadorit austriak, anëtarësimi ka ndikuar në zhvillimin ekonomik të vendit, PBB-në dhe rritjen e punësimit.
“Ekonomia austriake është një ekonomi shumë e orientuar drejt eksportit, rreth 70% e eksporteve austriake shkojnë në BE dhe vendet anëtare të BE-së. Ekspertët janë trefishuar që nga viti 1995. Investimet indirekte në Austri janë rritur me rreth pesë here. U hapën vende të reja pune, që nuk do të ishin krijuar nëse Austria nuk do të ishte anëtarësuar në BE. Gjithashtu në Prodhimin e Brendshëm Bruto pati rritje me 63 miliardë”, theksoi Steiner.
Ambasadori austriak u ndal edhe në kuadrin ligjor dhe mënyrën sesi shtetet anëtarë të BE-së organizohen si shtete brenda tyre dhe brenda unionit, duke qenë pjesë e Këshillit, Komisionit apo Parlamentit Evropian.
“80% e ligjeve miratohen nga e ashtuquajtura shumicë e kualifikuar, që do të thotë se duhen 55% e shteteve anëtare, që përfaqësojnë 65% të të gjithë popullsisë së BE-së. Por jo të gjitha votohen me shumicë të cilësuar. Në rastin e zgjerimit votohet me unanimitet. Pra, çdo shtet anëtar duhet të miratojë çdo hap. Dhe kjo është gjithashtu arsyeja pse ne ende nuk kemi qenë në gjendje të hapim negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë deri më tani”, sqaroi më tej Steiner.
Negociatat me Shqipërinë
Sa i përket integrimit të rajonit të Ballkanit në BE, Mali i Zi dhe Serbia janë në negociata për anëtarësim, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë vende kandidate, kurse Bosnjë-Hercegovina dhe Kosova janë akoma vende potencialisht kandidate. Duke qenë se përveç Kroacisë, asnjë vend i rajonit nuk është bërë pjesë e BE-së, u krijuar nisma “Ballkani i Hapur”, për të rritur bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar mes vendeve, por që sigurisht edhe kjo ka hasur pengesa dhe papajtueshmëri, duke e bërë një nismë jo gjithëpërfshirëse. Liderët e Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, u takuan me kryeministrin Edi Rama më 21 dhjetor në Tiranë, ku nënshkruan marrëveshje për heqjen e lejes së punës, atë për lehtësimin e import-eksporteve të kafshëve të gjalla si dhe për veterinarinë, ndërsa përsëritën thirrjet për bashkimin e vendeve të tjera.
Ambasadori i Austrisë në Shqipëri, duke iu përgjigjur pyetjeve të studentëve dhe pedagogëve në Forumin e UET, tha se ardhmja e Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor është në BE, jo vetëm për shkak të gjeografisë, duke qenë pjesë e Evropës, por edhe për shkak të frymës që mbizotëron në këto vende dhe që është pro perëndimore dhe pro evropiane. Dr. Christian Steiner sqaroi më te,j se rrugëtimi varet nga ecuaria e përafrimi me BE-në, por e ardhmja duket premtuese.
“Ju keni shumë të afërm apo të njohur që jetojnë në vendet e Bashkimit Evropian. Dhe në fakt, unë mendoj se ka një numër të konsiderueshëm që jetojnë në vendet e BE-së, të cilët janë një aset i madh edhe për negociatat e anëtarësimit, ose për një rrugë pa dhimbje drejt Bashkimit Europian. Ju jeni Europë, jo vetëm gjeografia, por sepse edhe pikëpamjet e menataliteti janë të orientuar nga perëndimi. Ju gjithashtu keni një nga normat më të larta të miratimit për procesin e anëtarësimit. Pavarësisht lajmeve negative për rreth dy vitet e fundit, unë mendoj se e ardhmja është premtuese. Unë mendoj se pamja është bërë e qartë, kur shikon edhe fjalimin e fundit të presidentit francez, por edhe vizitën e kryeministrit holandez. Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës dhe këtë e thotë edhe slogani “Evropa është këtu”. Integrimi varet, natyrisht, nga një sërë çështjesh, por mendoj se më e rëndësishmja është të bëni përparim në përafrimin tuaj me Bashkimin Evropian, si në legjislacion ashtu edhe në praktikë. Ka disa diskutime në BE, që nuk janë gjithmonë aq të lehta. Por unë mendoj se nëse vendet kandidate bëjnë gjithçka mirë, do të kenë një pozicion të shkëlqyeshëm për t’u futur në Bashkimin Evropian. Ju jeni një vend evropian tashmë dhe traktati i Bashkimit Evropian thotë se çdo vend evropian mund të aplikojë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian”, nënvizoi Steiner.
Bashkëpunimi i UET me universitetet austriake
Ndërkombëtarizimi është një proces i konsoliduar i UET, pasi prej vitesh është pjesë e Erasmus+. Në këtë kuadër, që prej vitit 2017 zhvillohet Masteri PoSIG, një master i përbashkët mes UET dhe universitetit të Salzburgut në Austri.
Rektori i UET, Tonin Gjuraj tha se situata aktuale e shkëmbimeve të stafeve dhe studentëve është e kënaqshme, por që me mbështetjen dhe vullnetin e mirë, do të ketë bashkëpunime me universitete të tjera austriake.
“Universiteti Evropian i Tiranës ka një nivel bashkëpunimi të mirë me universitetet austriake. Ne kemi Masterin e përbashkët për shkencat politike në Universitetin e Salzburgut, që erdhi si rezultat i Erasmus+. Unë pata mundësinë të vizitoja dy muaj më parë në universitetin në Grazë, me të cilin bashkëpunojmë , duke u rikthyer pas 26 vitesh”, u shpreh Gjuraj.
Më tej, Ambasadori shprehu mbështetjen e tij dhe të Ambasadës, për të ndihmuar të gjithë studentët që fitojnë të drejtën e studimit në një universitet të Austrisë.
“Mendoj se me të vërtetë ka programe dhe mundësi për të studiuar në Austri. Ju i gjeni të gjitha në faqen tonë të internetit dhe nëse keni nevojë për më shumë informacion, stafi i ambasadës ju ndihmon, bashkë me një pedagog austriak. Ndaj mos ngurroni të na kontaktoni. Mendoj se pasi të keni marrë miratimin nga universitetet, është e rëndësishme që të na kontaktoni për të marrë lejeqendrimnin, e cila shpesh kërkon edhe kohë”, theksoi Christian Steiner.