Rektorja e UET: Humbja e Thesarit Dokumentar Kombëtar duhet konsideruar si fatkeqësi
Rektorja e UET: Humbja e Thesarit Dokumentar Kombëtar duhet konsideruar si fatkeqësi
Fjala e mbajtur e Rektores së Universitetit Europian të Tiranës, Prof. Dr. Nevila Nika, përgjatë konferencës “Kërkimi shkencor në hapësirën mbarëshqiptare dhe roli i Diasporës shkencore”. Një aktivitet i organizuar në Fondi Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës dhe instituti Alb Shkenca me mbështetjen e ministrit të Shtetit për Diasporën.
Nisur nga fakti botërisht i pranuar se arkivat, pra pasuria dokumentare që ruhet në to, është në themel të çdo veprimtarie njerëzore në të shkuarën, në të tashmen e natyrisht do të jetë edhe në të ardhmen, është e kuptueshme rëndësia e jashtëzakonshme që ato kanë. Por fatkeqësisht jemi të detyruar të pranojmë se pasuria dokumentare e jona për shkak të brishtësisë së vet dokumentit, ka pësuar humbje jo të vogla si në të kaluarën ashtu edhe në ditët tona. E arsyet mund ti renditim duke vënë në vend të parë pa asnjë mëdyshje, dorën e njeriut e më pas me radhë luftërat e pushtimet e huaja, e në fund fenomenet natyrore. Mendoj se humbja e Thesarit Dokumentar Kombëtar duhet konsideruar si një ndër fatkeqësitë më të mëdha për një komb. Në se kushtet e luftës, pushtimeve të huaja e fenomeneve të natyrës mundësia për të mbrojtur e shpëtuar këtë Thesar është relativisht shumë e vogël, mendoj se dorën e njeriut e kemi pasur, e kemi e do ta kemi përherë të mundur ta ndalojmë. Atëherë si qëndron e vërteta e gjithë kësaj humbjeje që ka pësuar ky Thesar e bashkë me të edhe Kujtesa jonë historike? A është me vend pohimi se kjo është edhe një ndër arsyet e dëmtimit të kujtesës tonë historike si popull? Personalisht do të përgjigjem me një PO të madhe.
Në të gjitha periudhat e historisë tonë kombëtare kemi pësuar humbje të mëdha dokumentesh. Ka ngjarje në historinë tonë që janë shoqëruar përpos pasojave tejet të dëmshme në rrafshin politik e shoqëror, humbjeve njerëzore, e dëmeve material edhe me humbje të jashtëzakonshme të pasurisë dokumentare. Këtu do të kujtoj Kryengritjen e fshatarëve të Shqipërisë së Mesme të vitit 1914, ose e quajtur ndryshe e Haxhi Qamilit, gjatë të cilës u shkatërruan qëllimisht të gjitha arkivat e institucioneve shtetërore. Por edhe në vitet e regjimit totalitar konstatojmë se ka pasur jo pak humbje fizike të dokumenteve. Këtu mund të veçojmë vitet e para të pas Luftës së Dytë Botërore kur nisi përndjekje e klerit e shkatërrimi arkivave e bibliotekave të komuniteteve fetare për tu përmbyllur me goditjen përfundimtare në vitin 1967 kur Shqipëria u bë vendi i parë ateist në botë. Gjithsesi duhet theksuar se karakteristikë e kësaj periudhe ka qenë mospërdorimi dhe keqpërdorimi për shkaqe ideologjike i pasurisë dokumentare. E këtu nis edhe problemi për të cilin ja vlen dhe duhet urgjentisht të merremi, për të bërë më të mirën e mundshme që brezat e ardhshëm të mos na fajësojnë për zbrazësinë e Kujtesës Historike Kombëtare.
Ndër vite për historianët, gjuhëtarët e studiuesit e fushave të ndryshme të shkencave albanologjike arkivat apo dokumentet e ardhura nga ish kolonitë shqiptare të mërgimit kanë qenë e vazhdojnë të jenë një burim i jashtëzakonshëm informacioni për rindërtimin e kujtesës historike mbarëkombëtare të shekullit të 19 deri në gjysmën e parë të shekullit të 20.
Përpjekjet e para për grumbullimin e tyre në vendin tonë nisin qysh në vitet 20 të shekullit të kaluar, kur Qeverisë Shqiptare i erdhi kërkesa e nipit të Jeronim De Radës për të sjellë në Shqipëri arkivin e veprimtarit të jashtëzakonshëm të Rilindjes tonë kombëtare, i cili rrezikohej të shkatërrohej për shkak të kushteve jo të mira ku ai mbahej. Pamundësia e për ti dhënë një shpërblim financiar, erdhi si rezultat i kërkesës ligjore të kohës që dikush duhej të bënte vlerësimin e dokumenteve. Zvarritja në realizimin e kësaj kërkese nga ana e autoriteteve shqiptare rezultoi me largimin për në Danimarkë të një pjese të Arkivit të Jeronim De Radës. Pjesa e mbetur në vendlindjen e tij u ble nga qeveria shqiptare në fillim të viteve 50 të shekullit të kaluar e sot gjendet në Arkivin Qendror Shtetëror. Gjithsesi sot falë punës së palodhur të profesor Françesko Altimarit e Mateo Mandala e bashkëpunëtorëve të tyre është arritur grumbullimi i pothuaj gjithë arkivit të De Radës në formë të numerizuar.
Por për hir të së vërtetës duhet thënë se ideja për ngritjen e një Arkivi Kombëtar ishte hedhur që në fillim të viteve 30. Ndërsa në kuadër të kremtimeve të 25 Vjetorit të Pavarësisë, apo Mëvehtësisë, Komisioni Shtetëror i ngarkuar me organizimin e ceremonive zyrtare për këtë ngjarje të madhe, ku bënin pjesë ajka e intelektualëve e atdhetarëve më në zë të kohës, punoi fort për të siguruar sa më shumë dokumente, foto e çfarëdo objekti historik, duke i cilësuar ato si “Monumente historike”. Në dokumentet e fondit arkivor të cilësuar “Komisioni i 25 Vjetorit të Vetëqeverimit” ka të dhënë tejet interesante jo vetëm për veprimtarinë patriotike të zhvilluar në trojet shqiptare, por edhe për përpjekjet e jashtëzakonshme të diasporës shqiptare në shume vende të botës. Gjithashtu ky Komision nëpërmjet përfaqësive diplomatike të Mbretërisë Shqiptare nëpër botë, ka mundur të mbledhë dokumente e fotografi që dëshmojnë kontributin e shumë personaliteteve të huaja për çështjen shqiptare.
Paraqet interes të veçantë mendoj edhe nisma po e atyre viteve e Qeverisë Shqiptare për të realizuar një regjistrim të mërgimtarëve nëpër botë. Kështu në fillim të viteve me rastin e regjistrimit të përgjithshëm të popullatës Qeveria Shqiptare nisi edhe puna për regjistrimin e të gjithë bashkatdhetarëve që jetonin e punonin në vende të huaja. Për realizimin e kësaj ndërmarrje u ngarkua personeli i përfaqësive diplomatike në këto vende.
Në fillim të viteve 40 Instituti i Studimeve Shqiptare, rreth të cilit ishin grumbulluar intelektualët më në zë të kohës, nisi ndër të tjera edhe puna për evidentimin e grumbullimin e dokumenteve e fotove nga familjet e personazhet kontribuuese të zëshme të historisë sonë kombëtare dhe nga kolonitë shqiptare të mërgimit me qëllim ngritjen e një Arkive Dokumentare, një Fototeke, Muzeu etj. që do të viheshin në dispozicion të studiuesve shqiptarë e të huaj.
Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore një pjesë e dokumenteve apo arkivave të krijuara nga shoqëritë e klubet mërgimtarët, si edhe nga personalitete që jetuan e vepruan në Itali, Bullgari, Rumani, Egjipt, Turqi, Sh.B.A., Argjentinë, Francë, Greqi, Dalmaci, Austri, Rusi rrugëtuan për në Atdhe. Falë dhurimit, pagesës, por sidomos me anë të ekspeditave të studiuesve arkivistëve u bë e mundur grumbullimi i një sasie të konsiderueshme dokumentesh e fotosh nga kolonitë e mërgimit.
Sot fondet arkivore të shoqërive e klubeve patriotike dhe ato të personaliteteve të diasporës shqiptare në Itali, Rumani, Bullgari, Egjipt e Sh.B.A. edhe sot përbëjnë një thesar të vërtetë jo vetëm për studiuesit e historisë e gjuhësisë, kulturës e arsimit, letërsisë e artit, por edhe për këdo të interesuar që ka kureshtje për të lexuar këto dokumente. Nëpërmjet këtyre fondeve arkivore kemi mundësinë të njohim jo vetëm mbështetjen e kontributin e paçmuar që shqiptarët e Diasporës së parë dhanë për Pavarësinë e atdheut, për gjuhën shqipe, arsimin në gjuhën amtare e kulturën, por edhe për jetën e tyre të përditshme larg dheut të të parëve të tyre, sakrificat e përpjekjet për të ndihmuar pafundësisht çështjen kombëtare deri në Shpalljen e Pavarësisë. Pra në një farë mase falë kësaj trashëgimie dokumentare që na vjen nga larg kemi pasur mundësinë të rindërtojmë kujtesën tonë historike aty nga gjysma e dytë të shekullit të 19 deri në gjysmën e parë të shekullit të 20. Nëpërmjet këtyre arkivave është bërë e mundur të kuptojmë se sa e fortë ka qenë lidhja me vendlindjen. Ishin gjithnjë në këmbë sa herë atdheu e kërkonte. Përfaqësues të tyre janë në Kuvendin e Vlorës, djemtë e tyre janë me armë në krah në mbrojtje të atdheut, hapin shkolla e botojnë libra, lobojnë me të gjitha forcat për çështjen kombëtare në çdo mjedis politik, shoqëror e intelektual të vendeve ku jetonin e punonin.
Por fatkeqësisht dekadat e regjimit totalitar krijuan një hendek të thellë midis mërgimtarëve e qytetarëve të Republikës Popullore e më pas Socialiste të Shqipërisë. Vështirësia në komunikim midis shqiptarëve që jetonin e punonin prej dekadash jashtë kufijve shtetërore me ata që ishin brenda këtij kufiri vazhdoi gjatë, aq sa kur u ritakuam sërish pothuaj nuk njiheshim më. Çdo mjet korrespondence letër apo telefon ishte e kontrolluar rreptësishtë e kufiri ruhej egërsisht.
Rënia e regjimit komunist në fillim të viteve 90 shkaktoi si pasojë e saj që përmenda pak më sipër valën e parë të mërgimit masiv të bashkatdhetarëve tanë, në shumicë për arsye ekonomike, por duhet pranuar jo më pak edhe për arsye politike.
Kështu në fund të shekullit të kaluar Diaspora shqiptare pësojë një rritje mbresëlënëse si numër dhe shpërndarje. A ka ndonjë mundësi që diaspora e dekadave të fundit të japë ndihmesën e saj për të kuptuar ne, por edhe brezat që do të vijnë të kaluarën tonë gjatë dekadave të regjimit totalitar? Po historinë e jetëve të tyre në emigracion? Po ndihmën që ata kanë dhënë, japin e do të mund ti japin për të ardhmen e atdheut?
Janë të gjitha pyetje që mendoj se mund ti përgjigjemi me disa nisma. Fillimisht të merret parasysh çdo nismë që do të synojë organizimin e grumbullimit të dokumenteve (origjinale ose kopje), fotove, dëshmive gojore, shiritave magnetike etj., që i përkasin viteve para 1992, në formë origjinale apo të numerizuar, që potencialisht janë marrë me vehte nga individë apo familje në momentin e largimit nga Atdheu. Në të njëjtën kohë të punohet për grumbullimin e dëshmive dokumentare (në të gjitha llojet e format- letër, foto, shirit, film etj), që i përkasin vetë Diasporës së re shqiptare kudo që jeton e punon. Dhe së fundi me këtë rast do të ishte ndoshta e mundur edhe krijimi i një regjistri të përgjithshëm, sipas shteteve, për valën e fundit të emigracionit shqiptar.