Profesoreshë Drita Kruja, “gardiania” e kërkimit shkencor ne UET
Pas çdo institucioni, evenimenti, ngjarjeje, vepre apo arritje të suksesshme qëndron gjithmonë një personazh, që shpesh fsheh veten dhe lë punën e rezultatin të flasë dhe të nënkuptojë atë që është e padukshme. Janë pikërisht këta njerëz, që drejtojnë, mbikëqyrin, vlerësojnë, guxojnë drejt risqeve dhe pasojave, për të garantuar një përfundim pozitiv, shpesh edhe risi e momentit dhe kohës, që tërheq pastaj drejt vetes zhvillimin në aspekte të ndryshme, por sidomos në atë shoqëror.
Kërkimi shkencor në Universitetin Europian të Tiranës ka Prof. Dr. Drita Kruja, njëkohësisht zv/Rektore për Procesin Mësimor dhe Kërkimin Shkencor. Pothuajse që prej ngritjes së këtij institucioni të arsimit të lartë, profesore Drita është pjesë e tij, duke qenë bashkë-shoqëruese në proceset dhe etapat zhvillimore e duke kontribuar në konsolidimin e UET-së, si nga ana institucionale e organizative, ashtu edhe nga ajo akademike dhe shkencore.
Kërkimi shkencor është një nga misionet primare të Universitetit Europian të Tiranës dhe sfida e tij qëndron në implementimin e këtyre rezultateve në institucionet publike dhe private në Shqipëri. Së fundi, UET ka mbyllur me një bilanc mjaft frytdhënës Programin e Madh Kërkimor 5 vjeçar, 2015- 2020, “Shqipëria Inovative”, për t’i lënë rrugën programit të ri “Zhvillimi i Tregjeve: Universiteti- Kërkimi- Shteti” i cili do të jetë sërish 5 vjeçar, për periudhën 2020- 2025.
Lidhur me sfidat si zv.rektore, si mbikëqyrëse, apo e thënë me shumë dashamirësi “gardiane” e kërkimit shkencor në UET, prof. Drita Kruja tregon më gjatë në këtë intervistë për Gazetën Liberale. E kujdesshme, me një qëndrim dhe komunikim shumë të fisshëm, që të bën pjesë të bisedës, por edhe të “imponon” të mbash vesh e të përthithësh çdo fjalë, profesore Drita zbulon dimensionin e saj akademik shumë thjesht, duke tejkaluar përmes atij njerëzor.
Cilat janë sfidat me të cilat përballeni si zv/Rektore për Procesin Mësimor dhe Kërkimin Shkencor, në një kohë normale, por edhe në këtë periudhë të vështirë prej pandemisë?
Zv.Rektori për kërkimin shkencor së bashku me senatin Akademik monitoron dhe vlerëson ndërtimin e Strategjisë së Kërkimit Shkencor me një vizion afatmesëm dhe afatgjatë, mbikëqyr zbatimin e saj dhe përditëson prioritetet e kërkimit shkencor në përputhje me synimet e UET.
-Puna ime është e përqendruar që UET të zhvillojë një kërkim shkencor të qëndrueshëm, i cili ndikon në hartimin dhe zbatimin e agjendës së kërkimit shkencor në rrafsh kombëtar, demonstron përfitimet konkrete të zhvillimit dhe është në përputhje me sfidat e zhvillimit të vendit.
-Monitorimi i aktivitetit të Revistave Polis, Economicus, Justicia dhe Medicus, të cilat janë instrumenti kryesor nëpërmjet të cilit UET ‘komunikon’ me botën akademike. Po punojmë intensivisht që revistat të jenë të gatshme për t’u rankuar ndërkombëtarisht dhe të binjakëzohen me botues të revistave prestigjioze ndërkombëtare.
-Organizimi i Konferencës ndërkombëtare “Ditët e studimeve shqiptare”, e cila me dt. 4 Dhjetor ka edicionin e shtatë me një tematikë mjaft interesante, “Nga partizanët tek profesorët- Rrugëtimi shqiptar për demokraci e zhvillim 1990-2020”.
Po kështu UET i kushton një rëndësi të madhe tërheqjes së studentëve në kërkimin shkencor dhe prej 2 vitesh zhvillon DSSH Junior, me temat më të mira të studentëve Master. Shpresojmë që në vitet në vazhdim ky forum do të rritet duke u bërë një forum shkëmbimi idesh dhe përvojash rajonale, dhe pse jo ndërkombëtare
-Drejtimi i shkollës doktorale dhe realizimi i trajnimit të vazhdueshëm të stafit për rritur aftësitë e tij për të ndërmarrë punë kërkimore të pavarur që të jetë e botueshme në revista shkencore me faktor impakti. Trajnimet janë të ndara në katër grupe: (1) Trajnime për Doktorantë; (2) Trajnime për Junior Researchers; (3) Trajnime për SeniorResearchers; (4) Trajnime Metodologjike.
-Komunikimi i kërkimit shkencor me publikun.UET ka krijuar një traditë unike në hapjen e saj ndaj publikut të jashtëm. Anuarët e Filozofisë, Rrethi Liberal i Dardhës dhe Ditët e Letërsisë janë kthyer në konferenca kombëtare shkencore – nën drejtimin e departamenteve përkatëse në UET, të cilat po rikthejnë filozofinë në shkollë dhe në debatin publik, po rikrijojnë një hapësirë për letërsinë, si dhe mundësojnë përhapjen e mendimit liberal.
Ekziston një tendencë që universitetet të jenë paksa të izoluar. Në fakt tërmeti dhe pandemia nxorën në pah rolin e profesionistëve të fushës, dhe në veçanti të profesorëve për dhënien e ekspertizës, sugjerimeve dhe zgjidhjeve të duhura.
Pandemia ndikoi në vështirësitë për realizimin e fieldwork, por krijoi dritare të reja përmes krijimit të grupeve virtuale, duke rritur mundësitë e bashkëpunimeve me kolegët brenda dhe jashtë vendit.
Tashmë detyra jonë është që kërkimi të fokusohet drejt impaktit mbi shoqërinë dhe ekonominë, nëpërmjet transferimit të dijes përtej komunitetit akademik, tek institucionet publike e private dhe grupet e interesit.
Pse është i rëndësishëm kërkimi shkencor për një universitet dhe specifikisht për UET?
Tre janë misionet e institucioneve të arsimit të lartë: edukimi, kërkimi dhe transferimi i teknologjive dhe njohurive,
Në dekadën e tij të dytë UET po konsolidon identitetin e tij si qendër e prodhimit të dijes në Shqipëri dhe transformimin nga një institucion i arsimit të lartë i fokusuar në mësimdhënie, në një institucion elitar kërkimor, produkti kërkimor i të cilit kërkohet nga tregu.
Për të arritur këtë UET ka ndërtuar tashme një infrastrukturë të kërkimit shkencor, duke i dhënë frymëmarrjen e duhur punës studimore të stafit akademik si dhe bashkëpunimit me institucione analoge nëpërmjet fondeve të akorduara nga vete institucioni, institucionet publike, private dhe organizma të tjerë, brenda dhe jashtë vendit.
UET ka krijuar një mjedis stimulues të kërkimit shkencor për stafin akademik dhe studentët nëpërmjet Programeve të Mëdha Kërkimore 5 vjeçare, Projekteve të Mëdha Kërkimore (PMK) dhe grupeve kërkimore për rritjen e ndër-disiplinaritetit, maksimizimin e burimeve njerëzore, dhe shërbimin ndaj palëve të treta të interesuara në produktin shkencor të UET.
Sapo u përmbyll Programi i Madh Kërkimor 2015- 2020, “Shqipëria Inovative”. Çfarë synonte konkretisht ky program dhe si ishte i organizuar puna për kërkimin shkencor?
Gjatë këtyre pesë viteve, motivimi i kërkimit shkencor buroi nga prioriteti madhor i ekonomisë dhe shoqërisë shqiptare, kryefjala e së cilës është “Inovacioni”. Kjo në fakt gjatë 5 vjeçarit të kaluar ishte edhe një prioritet europian, pasi inovacioni në botën e sotme është faktori numër një i progresit dhe zhvillimit të kombeve, ose i prapambetjes dhe ngecjes së tyre në kurthin e moszhvillimit. Nga kjo pikëpamje, fokusimi i kërkimit shkencor të UET në adresimin e këtij kufizimi me të cilin ndeshet progresi ekonomik dhe social i vendit, i dha një vlerë dobishmërisë publike të produkteve tona shkencore.
Programi u bazua në 7 Projekte te Mëdha Kërkimore (PMK), që përbëjnë shtyllën e kërkimit shkencor në UET. 7 projektet ishin:
- Politika, Komunikimi dhe Shoqëria
- FromBig Data to BigBusiness
- Axhenda e Re e Rritjes
- Zhvillimi Nëpërmjet Edukimit
- Ligji Midis Efiçencës dhe Drejtësisë
- E Drejta dhe Institucionet Publike në Transformim
- Risku Loja e të Gjithë Aktorëve
PKM-të janë instrumenti kryesor i drejtimit dhe gjenerimit të punimeve dhe botimeve shkencore në UET. Ato inkurajojnë ndërdisiplinaritetin dhe mundësojnë koordinimin e kërkimit shkencor, si dhe përdorimin e tij për palët e treta të interesuara në aplikimin e produktit shkencor.
Si drejtues të PMK-ve dhe grupeve kërkimore, Senior Researchers janë një element kyç për avancimin dhe standardizimin e kërkimit shkencor si dhe për trajnimin dhe supervizimin e vazhdueshëm të Junior Researchers në grupet e tyre.
Nën PKM-të, janë grupet kërkimore të cilët kanë për qëllim materializimin e PKM-ve dhe realizimin e studimeve empirike, të cilat – njëkohësisht – përmbushin objektivat e PKM-së dhe janë në koherencë me akset kërkimore individuale të kërkuesve shkencor të përfshirë në PMK. Grupet kërkimore shërbyen gjithashtu edhe si ‘strehë’ për doktorantët, të cilët të atashuar pranë grupit kërkimor zhvilluan punimin e tyre doktoral.
Ky organizim kapilar inkurajon kërkimin, mundëson ndërdisiplinaritetin si dhe orienton kërkuesit drejt atyre çështjeve të cilat kanë rëndësi për UET dhe partnerët jashtë UET.
Cili ishte produkti konkret me të cilin u finalizua ky projekt?
Me përmbylljen e këtij projekti ne bëmë bilancin e produkteve finale dhe me të vërtetë jemi shume të kënaqur.
Aktualisht kemi 1750 Outpute shkencore (libra, monografi, kapituj librash, policypaper, prezantime në konferenca, etj), dhe 150 përfitues të granteve kërkimore të financuara nga UET dhe projekte kombëtare e ndërkombëtare.
Nga këto u përzgjodhën 250 punimet me të mira, abstraktet e të cilave u botuan në një përmbledhje nga UET Press.
Ju do të jeni mbikëqyrëse edhe e Programit të Madh Kërkimor2020-2025: Zhvillimi i Tregjeve: Universiteti- Kërkimi- Shteti. Cilat janë objektivat e vendosura për këtë 5 vjeçar të ri të kërkimit shkencor në UET?
Kërkimi shkencor në pesë vitet e ardhshme, do të orientohet në një nga çështjet e papërfunduara të tranzicionit, siç është zhvillimi i tregjeve, por edhe një temë madhore e shoqërisë në botën paskrizë, që lidhet me dështimet e tregut kryesisht për shkak të moskuptimit të tyre. Ky program i madh kërkimor do të ketë 5 projekte të mëdha kërkimore që do i përkasin 5 Fakulteteve, e si më poshtë:
I: Modeli i Ri Ekonomik në Shqipëri
Ii: Shteti dhe e Drejta në Transformim
Iii: Roli i Individit në Zhvillimin e Shoqërisë Shqiptare
Iv: Impakti i Inovacionit në Industri e Shërbime
V: Sfidat dhe e Ardhmja në Fushat Mjekësore
Secili nga drejtuesit e 50 grupeve kërkimore, pjesë e 5 PMK-ve do të ketë tematikën e tij, brenda së cilës do të strehohen dhe doktorantët e ardhshëm. Eksperiencat, kufizimet dhe sfidat me të cilat u përballëm në programin 2015-2020 janë një garanci për suksesin e këtij projekti.