Presidenti i UET: Fushatat e vaksinimit, edhe për universitetet
Presidenti i Universitetit Europian të Tiranës, Prof. Asoc. Dr. Selami Xhepa gjatë intervistës u shpreh se fushata e vaksinimit anti-covid përveç grupeve më vurnerabël të shoqërisë, duhet të zgjerohet edhe në sektorin e arsimit, i cili është absolutisht me rëndësi kritike, duke e zgjeruar fushatën e vaksinimit edhe nëpër universitete, duke parë se janë e njëjta kategori.
Po ashtu ai foli edhe për rënien ekonomike të vendit, duke nisur që prej tërmetit të vitit 2019, e deri tek pandemia dhe sa kohë do të na duhej ne si shtet që të shkonim të paktën atje ku ishim.
Në këtë intervistë, Xhepa shprehet se fakti që studentët po studiojnë online dhe nuk janë të pranishëm fizikisht në Tiranë bën të mundur që ekonomia lokale e kryeqytetit të ketë një rënie, pasi janë rreth 100 mijë studentë të cilët studiojnë në universitetet e që kanë aktivitetin e tyre në Tiranë, qoftë këto institucione të arsimit të lartë publike apo jo -publike.
Profesor, u bë fiks një vit që nga mbyllja e parë e marsit 2020, si shkak i krizës botërore, ku Shqipëria edhe nuk mund të rrinte mbrapa që ka ndikuar shumë. Dhe një vit aspak i lehtë në të gjitha fushat, në të gjitha sektorët, por ajo që ndikohet më shumë është pikërisht ekonomia e vendit. Shqipëria nuk ka pasur një ekonomi të fortë dhe që mund ta përballojë. Si e shihni këtë vit të paktën nga ana ekonomike dhe sa ka ndikuar në disa sektorë që janë shumë jetike për vendin?
Është e vërtetë që ekonomia e Shqipërisë prej më shumë prej një dekade ka vuajtur dobësi të rëndësishme strukturore. Ritmet e rritjes së ekonomisë duke filluar që nga kriza e vitit 2008 që në Shqipëri filloi të manifestohet më fort, duke filluar nga viti 2010, ritmet e rritjes së ekonomisë kanë qenë në një rënie të fortë dhe pavarësisht disa rikuperimeve të ngadalta, gjatë viteve derisa u goditëm nga tërmeti i vitit 2019, përsëri po ta shohim ritmet e rritjes ishin gati 1.3 përqind, ç’ka do të thotë se janë sa gjysma e nivelit të rritjes ekonomike mesatare të dekadës paraardhëse. Kjo është dëshmi e faktit se dobësitë strukturore kanë qenë prezente në ekonomi. Ndërsa goditjet që ndodhën të njëpasnjëshme negative që nga tërmeti i nëntorit të 2019-s dhe më pas mbyllja totale e ekonomisë në mars të 2020-s, ishin goditje tepër të forta dhe që e gjunjëzuan në njëfarë mënyre dhe ekonomi të fuqishme, mjaft fleksibël dhe që janë të afta për të përthithur goditje të forta. Kam parasysh që e gjithë ekonomia botërore pothuaj u mbyll dhe ndoshta me përjashtime shumë të vogla të ekonomive aziatike, me përjashtim të Kinës, Singaporit, Koresë e gjithë pjesa tjetër e botës përjetoi një recesion mjaft të fortë. Në veçanti kontinenti jonë i Europës dhe Eurozona pati një goditje shumë të rëndë me pritshmërinë që rritja ekonomike të jetë -8%. Është e kuptueshme që në këtë kontekst të rëndësishëm global këto pasoja dhe fenomene të ndërlidhura dhe me dobësi të brendshme strukturore do të jepnin një efekt jashtëzakonisht të fortë. Kjo bëri që pritshmëritë për rritjen ekonomike për vitin 2020 të jenë në -7.5, pavarësisht që kemi patur dhe parashikime për rënie më të fortë, siç ishin dhe parashikimet e Baknës Europiane për Rindërtim (BERZH), por sidoqoftë një rënie e tillë, në -7 ose -7.5% që është e pritshmja mund të konsiderohet një rënie mjaft e fortë. Efekti thelbësor i saj ka të bëjë me nivelin e ulët të të ardhurave të buxhetit të hartuara dhe që për pasojë janë kompensuar me rritjen e borxhit publik. Rritja e borxhit publik ka arritur në nivelet më të larta duke pritur që të jetë mbi 80% e prodhimit kombëtar, ç’ka do të thotë se të gjithë parametrat makroekonomikë janë në një farë kuptimi të ç’ekuilibruar.
Mendojmë, me gjithë dëshirën tonë sikur pandemia merr fund shumë shpejt. Sa kohë do i duhej ekonomisë Shqipërisë të rimëkëmbej të paktën të shkontë aty ku ishte?
Së pari ky është një mendim i dëshirueshëm sepse në fakt rreziqet apo pasiguritë që po shoqërojnë sjelljen e pandemisë vazhdojnë që të mbeten shumë të larta. Sa kohë që vaksinimi nuk do të ketë përfunduar në të gjithë popullsinë është e vështirë që ne t’i rikthehemi normalitetit dhe mesa duket gjasat e këtij mormaliteti mund të priten nga viti 2022, të paktën sipas atyre që na thonë edhe nga sektori i Shëndetësisë. Sidoqoftë edhe me këto hapje të pjesshme dhe me këtë rikthim normaliteti të cunguar, rritja ekonomike e këtij viti pritet që të jetë pozitive dhe të paktën edhe sipas skenarëve më realistikë, ndoshta rritja ekonomike e këtij viti së bashku me vitin 2022, mund ta rikthejnë ekonominë edhe njëherë në nivelin e saj të parakrizës. Ç’ka do të thotë se duhet një periudhë gati dy vjeçare që të mund t’i rikthehemi le të themi qoftë niveleve të prodhimit të të ardhurave për frymë të shënuara para goditjes së tërmetit të vitit 2019.
Qeveria shqiptare së fundmi ka deklaruar se së shpejti do të sjellë një sasi të konsiderueshme të vaksinave, 50 mijë dhe duke arritur të paktën në një premtim dhe duke i shtuar këto. Dhe ka deklaruar që brenda kësaj fushate vaksinimi do të përfshihen edhe kategoria e mësuesve për sektorin parauniversitar. Por duke qenë se jemi gati në të njëjtën kategori njerëzish, qoftë gjimnazistë apo maturantë. Ju si President i Universitetit Europian të Tiranës, a e shihni të arsyeshme që kjo të shtrihet edhe për universitetet, duke qenë se numri është i kufizuar?
Mendoj se strategjia e vaksinimit që është ndjekur targeton më së pari grupet më vulnerabël dhe ato që janë me të vërtetë në skalonin e parë të betejës, duke përfshirë gjithë punonjësit e sektorit shëndetësor, por duke përfshirë bashkë me këtë grup edhe të moshuarit, sigurisht që Policia e Shtetit është ndoshta po kaq e ekspozuar ndaj pandemisë. Dhe pas shëndetësisë unë mendoj që sektori i arsimit absolutisht është me rëndësi kritike. Në qoftë se do ta shohim edhe në një perspektivë historike, dëmi që shkaktojnë kriza të kësaj natyre, mbyllja e sistemit arsimor është jashtëzakonisht e rëndë dhe në afat të gjatë. Bëhet fjalë për dëmtimin e kapitalit njerëzor të brezave të ardhshëm dhe pasojat e kësaj krize të sotme do të shihen në brezin e ardhshëm ose pas dy brezash. Kjo është arsyeja që targetimi me prioritet i sektorit të arsimit mendoj që është një gjë jashtëzakonisht e rëndësishme nga pikëpamja e prioritetit. Padyshim që personalisht, e para arsimi duhet parë në tërësinë e vetë. Nuk mund të themi që kemi vetëm arsimin parashkollor, apo arsimin bazik parauniversitar, etj. Mendoj që sistemi arsimor duhet parë në tërësinë e tij, dhe për më tepër komuniteti i individëve për të cilët ne flasim është shumë i kufizuar, është një masë njerëzore e kufizuar dhe nga kjo pikëpamje nuk është se do të përbënte ndonjë devijim apo shfokusim të rëndësishëm nga grupet e tjera shoqërore. Për më tepër që një pjesë e këtij komuniteti mund të jenë edhe në mosha madhore dhe për pasojë mund të kualifikohen edhe nga pikëpamja e hierarkisë moshore. Mendoj që do të ishte në një përputhje të drejtë me prioritetet e qeverisë, për pritotarizimin e grupeve shoqërore përfshirja pa dyshim edhe e këtij komuniteti. Kjo do të mundësojë që gradualisht që edhe universitetet të hapin dyert, jo për klasat massive të leksioneve, por të paktën për të kaluar nga komplet online drejt metodave më të kombinuara të mësimdhënies, pra me grupe të vogla studentët mund të vijnë për seminare apo për laboratore, sidomos për ata që e kanë të nevojshme prezencën në auditore për shkak të natyrës së programit mësimor të tyre.
Dihet qartë që të paktën në vit ka një qarkullim të rreth 100 mijë studentëve që janë në pjesën më dërmuese në universitetet e Tiranës, a mendoi që ka një shkëputje të zinxhirit ekonomik, duke qenë se Tirana është një qytet që ka edhe pushtetin më të madh ekonomik nga qytetet e tjera? Pikërisht kjo shkëputje nga universiteti, a ka një shkëputje të zinxhirit ekonomik, duke qartë që studentët nuk vijnë, nuk ka blerje etj?
Patjetër që komuniteti studentor zë një masë të madhe ekonomike dhe përbën një treg të humbur. Nuk ka asnjë dyshim që tregut të qyteti të Tiranës i mungon një forcë e madhe konsumeriste dhe që është një goditje e fortë për ekonominë lokale të kryeqytetit. Sidoqoftë nëse do ta shikoja në një plan më strategjik dhe afatgjatë, ky përqëndrim i madh i trurit në Tiranë krijon një zhvillim disproporcional rajonal, pra në një afat më të gjatë, por në kuptimin që ju e trajtoni pa dyshim që kjo është një “shok” negative shtesë për ekonominë tonë lokale.