“Potence” sjell Mimoza Ahmetin me një ekspozitë pikturash në UET
Nga Edi Rama te Fatos Lubonja, dimensione të reja konceptuale, përcjellë përmes telajos së Mimoza Ahmetit
Pushteti dhe mundësia, dy fusha sa të veçuara, aq edhe të ndërvarura ndaj njëra-tjetrës. Aq sa qëndrojnë ndaras, aq edhe mund të kuptohen mjaft mirë brenda tyre, sepse pushteti kalon përmes mundësisë për të arritur pikën finale, por edhe mundësia është një dinamikë që transformohet përmes pushtetit dhe shpesh arrin në të njëjtën pikë të fundme.
Pikërisht, fuqia e pushtetit dhe mundësisë, sjell autoren dhe shkrimtaren Mimoza Ahmeti në një dimension të ri, atë të piktores, jo aq shumë i trumbetuar në media, por me të njëjtën fuqi konceptuale dhe ekspresion, që kanë lënë pas edhe fjalët, poezitë dhe vargjet e saj. Nëpërmjet një ekspozite të titulluar “Potence”, Ahmeti solli në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës, disa nga punimet më të përzgjedhura, të ndërlidhura konceptualisht, për të përcjellë më qartë zbërthimin psikologjik të personazheve dhe brendësinë mentale të autores.
Nën kurimin e studiueses së njohur Suzana Varvarica, u sollën piktura me tematika të ndryshme, ku shpërthimi i personazheve dhe figurave publike, kalonte më tej në gjendje të fuqishme psikologjike të transmetuara përmes ngjyrave të përzgjedhura, për të përfunduar pastaj tek fuqia e natyrës, përshkuar secila prej tyre nga i njëjti fill, fuqia e transformimit dhe mundësisë së kalimit në gjendje dhe ndjesi të reja.
Kjo ekspozitë është një nismë e Departamentit të Arteve të Aplikuara në UET, i cili synon të krijojë një ‘buxhet’ autorësh, pikturash e veprash arti, si një tjetër mundësi për studentët që të njohin dhe familjarizohen me artin shqiptare ndër vite. Përgjegjësi i këtij Departamenti, Ermir Nika, tha se ky bashkëpunim mes UET dhe personaliteteve të fushës, do të shërbejë si një pikëtakim i artit dhe artistëve të gjeneratave të ndryshme.
“Departamenti i Arteve të Aplikuara tashmë e ka krijuar si traditë që të krijojë bashkëpunime me emra dhe personalitete të artit, të medias, të kulturës dhe me anë të këtyre ne synojmë të krijojmë edhe një lëndë në vitin tjetër, ‘Artet pamore’. Kjo do të jetë një lloj marrëdhënie që krijon gjenerata e re me atë të vjetrën, të konsoliduar të artistëve dhe të piktorëve. Është një mundësi shkëmbimesh, përvojash, pikëpamjesh dhe një pikëtakim i cili mungon në të gjithë atmosferën artistike këtu në Shqipëri”, tha Nika. Duke u ndalur tek pikturat, Nika u shpreh se në të gjitha shpërndahet atmosfera dhe personazhet e disa viteve, parë nën syrin e autores, e cila na ndihmon të deshifrojmë këtë periudhë të kaluar tranzicioni.
Kuruesja e ekspozitës, Suzana Varvarica, tha se për të zbërthyer atë, duhet së pari të njohësh autoren, të njohësh idetë e saj dhe të bësh një bashkëbisedim intelektual. Sipas saj, ekspozita, edhe pse e thjeshtë në pamje të parë, së brendshmi është një tentativë e dijeve të autores për të paraqitur personazhet dhe ngjarjet nëpërmjet thellimeve psikologjike në to. Varvarica tha se autorja në këtë ekspozitë ka balancuar ekspresivitetin e figurave publike me imazhet e qetësisë së natyrave dhe të objekteve
“Njohuritë e Mimoza Ahmetit shpalosen dhe udhëhiqen mes mundësive të krijimit të figurës, si kategori e inteligjencës artistike, dhe shprehisë së poetikës së fjalës, si kategori e inteligjencës së mendimit. Midis tyre, ajo më parë, di të tregojë mrekullisht, por edhe të emocionohet figurativisht. Dhe tek e fundit ajo iu jep mundësive shansin për t’u bërë bashkë, si në rastin e aktit të pikturimit, të karakterit substancial të individit publik, ku sfondet e bardha të qarta, poetika e mendimit të kultivuar, tretet te poetika e ngjyrave.
Në këtë mënyrë unë e shoh deri më sot Mimozën, por natyrisht ato janë shumë pak mbi personalitetin e saj figurativ të lidhur me artet pamire, sepse që të konceptosh më gjerë duhet të qëndrosh me ditë të tëra në studion e saj, madje të informohesh mjaft mirë edhe për punimet që nuk gjenden në studio dhe që janë në koleksione të ndryshme”, tha Varavica.
Autorja falenderoi pjesëmarrësit, që edhe pse në kohë pandemie, rriskuan për të qenë të pranishëm në këtë ekspozitë. Ahmeti shpërfaqi konceptin e saj, duke prezantuar disa prej pikturave dhe duke i zbërthyer në domethënien e tyre.
“’Banja luçinante’, një nga punët që është prezantuar këtu, është gjendja dramatike, shpirtërore e një gruaje që nuk ka mundësi dhe që për të kuruar shpirtin e saj krijon një banjo me disa parfume lulesh dhe qirinjsh. Megjithëse duken kaq të ndryshme këto tre fusha, pamundësia, mundësia dhe pushteti, unë mendoj se këto nuk janë tërësisht të ndara siç i shikojnë filozofët, që njëra fushë krijon mundësi ose pamundësi për tjetrën, varet sesi përdoren. Unë këtu kam nivele të ndryshme portretesh, kam Edi Ramën në vitin 1997, ku e kam quajtur punimin “I fundmi i ciklit të Kreshnikëve”, dhe pastaj e kam rreth viteve 2000 të transformuar dhe e kam quajtur “power”. Kam Fatos Lubonjën, i cili është në konflikt jo vetëm me shoqërinë, por mesa duket edhe me vetveten, sepse predikati i tij është diçka që sforcon kufijtë, intelektualë edhe të vet tij. Unë i kam ndjekur shumë nga bisedat e tij dhe prepozicionet që i jep shoqërisë dhe këtu e kam vendosur në alter egon e një figure të dyshimtë, ku në njërën është njeriu i zakonshëm dhe në tjetrën është reflektuesi mediatik, i cili do të zgjojë interesin e shoqërisë”, u shpreh Ahmeti.
Duke u ndalur në emrin e ekspozitës dhe në idenë që ajo përpiqet të emetojë, Ahmeti tha se potenca e njeriut përdoret për të krijuar sistemin social dhe se rrjedhojë e kësaj potence është iluzioni “Forma maksimale e këtij iluzioni është pushteti dhe mundësia, e cila është tërësisht një marrëveshje sociale, e ngre ose ul njeriun për vdekje. Drama e njeriut nuk është dramë natyrore, është dramë sociale”, theksoi piktorja.
Ndërsa poetja Rita Petro, e quajti autoren një avangardë të poezisë shqipe, pasi shkroi poezinë moderne, para viteve ’90, por edhe një piktore me stilin e saj tashmë të formësuar.
“Moza si natyrë, si karakter, si stil, është një artiste që shkruan dhe pikturon gjendje dëliri, pra delirante në kuptimin më të bukur të fjalës dhe këtë e kam kuptuar edhe te fjala e Mozës, por e kam kuptuar edhe në poezinë e saj. Më duket se çdo gjë është eterike, edhe sendet që pikturon, edhe objektet, edhe ndërtesat, edhe personazhet, duket sikur qëndrojnë në ajër. Pikturon pesha të rënda që qëndrojnë në ajër, dhe ky mendoj se është pjesë e stilit të saj”, përmbylli Petro.
Ekspozita “Potence” e Mimoza Ahmetit do të vazhdojë të qëndrojë e hapur për disa ditë në hollin e Universitetit Europian të Tiranës.