Pedagogu i UET: Njeriu, përveçse kanë nevojë për punë, kanë nevojë edhe për një qëllim, për një kuptim mbi jetën dhe për një perspektivë
Pedagogu i UET: Njeriu, përveçse kanë nevojë për punë, kanë nevojë edhe për një qëllim, për një kuptim mbi jetën dhe për një perspektivë
Fatos Tarifa
Zyra e Karrierës në UET ftoi Prof. Fatos Tarifën, me një PhD të fituar nga University of North Carolina, Chapel Hill (SHBA), që të shprehë mendimet e tij për kushtet e reja në të cilat ndodhen studentët dhe arsimi i lartë për shkak të krizës së pandemisë COVID-19 dhe se çfarë ka ndryshuar dhe duhet të ndryshojë në arsimin e lartë në vendin tonë.
Prof. Tarifa: Nëse kjo është e para herë në historinë e Shteteve të Bashkuara që të gjitha shkollat dhe unversitetet janë mbyllur, kjo do të thotë se pandemia COVID-19 që po kalojmë është një dukuri shumë serioze. Nëse në SHBA, deri më sot, në më pak se dy muaj, nga coronavirusi kanë humbur jetën rreth 60 mijë amerikanë, shifër kjo e barabarte me numrin e ushtarëve amerikane të vrarë gjatë dhjetë viteve të Luftës në Vietnam, kjo do të thotë se pandemia COVID-19 është vërtet shumë serioze.
Si e gjithë bota, edhe ne, në Shqipëri, u gjendëm të papërgatitur përballë kësaj pandemie, por, fatmirësisht, falë masave të mara dhe një regjimi të rreptë karantinimi, po e përballojmë me sukses atë. Sidoqoftë, pasojat e saj janë e do të vazhdojnë të jenë shumë të mëdha; ato do të ndihen për një kohë relativisht të gjatë, si në çdo fushë dhe aspekt të jetës, edhe në arsimin e lartë. Kjo nënkupton, madje e bën të domosdoshme, një analizë kritike të gjendjes së arsimit universitar në vendin tonë dhe një qëndrim vizionar për të ardhmen e tij.
Arsimi i lartë përballet e do të vazhdojë të përballet me sfida shumë të mëdha. Këto sfida nuk lindën sot, për shkak të pandemisë, por kanë qenë të pranishme edhe më parë. Sot ato janë bërë më emergjente. Ne duhet ta shohim të vërtetën në sy dhe ta pohojmë atë:
Nëse në shekullin e 21-të, Shqipëria do të vazhdojë të mbetet pas vendeve të tjerë europianë, ose do të zhvillohet si ata, kjo, në një masë të madhe, do të varet nga cilësia e arsimit që do u ofrojnë nxënësve dhe studentëve shqiptarë shkollat dhe universitetet tona.
Sot, në Shqipëri ka disa dhjetra universitete, mbi njëqindmijë studentë dhe mijëra pedagogë dhe ne s’mund të jemi aq të paarsyeshëm sa të presim që të gjithë këta studentë do të marrin arsimin e duhur, ose do të përfundojnë studimet universitare duke u specializuar më së miri në profesionin e tyre, ashtu sikurse nuk mund të presim që të gjithë ata mijëra pedagogë që japin mësim në universitetet shqiptare, ose ata dhjetra e qindra pedagogë që fitojnë çdo vit grada dhe tituj shkencorë të kryejnë studime origjinale dhe me vlerë. Por, ne duam të besojmë dhe presim që sistemi të funksionojë, që ai të punojë për ne, si shoqëri, dhe jo kundër nesh. Me fjalë të tjera, ne duam që sistemi i arsimit të lartë t’i aftësojë studentët të marrin ato dije dhe ato shprehi kërkimi dhe pune, të cilat janë të domosdoshme që ata të kenë sukses në shekullin e 21-të. Që kjo të ndodhë, sistemi ynë i arsimit të lartë duhet të jetë në gjendje të përballojë sfidat e shekullit të 21-të.
Një ndër këto sfida është që universiteti të zhvillojnë plotësisht kapacitetet humane dhe intelektuale të studentëve të sotëm. Mendjet e njerëzve janë aseti më i madh i një shoqërie dhe misioni i çdo universiteti duhet të jetë zhvillimi, përgatitja, stimulimi dhe frymëzimi i mendjeve të brezit të ri.
Përfytyroni, për një çast, potencialet e parealizuara të këtij brezi të ri të kombit tonë, në fillim të shekullit të 21-të! Sa ide kreative, sa shpikje dhe inovacione teknologjike, sa vlera dhe kontribute artistike, sa zhvillime të rëndësishme për krijimin e një sistemi shoqëror më të drejtë humbasin pikërisht sepse shumë nga institucionet e arsimit të lartë në vendin tonë nuk ofrojnë atë që pritet prej tyre—arsimin e lartë—çka edhe përbën, në fakt, arsyen e ekzistencës dhe misionin e tyre.
Për të pëballuar këtë sfidë dhe për të realizuar misionin e tyre, universitetet duhet jo vetëm t’u japë studentëve njohuri të thelluara bashkëkohore, por edhe t’i pajisin ata me aftësi të tilla si, të menduarit në mënyrë kritike, arsyetimi analitik, zgjidhja e problemeve, bashkëpunimi në grup, të qenurit i përgjegjshëm etj., aftësi të cilat do të kërkohen gjithnjë më shumë në tregun e punës në të ardhmen. Universitetet tona duhet vazhdimisht të preokupohen për atë se sa dhe çfarë mësojnë studentët në auditorët e tyre dhe t’i rivlerësojnë e përmirësojnë vazhdimisht programet e tyre mësimorë kur shohin që niveli i njohurive teorike dhe i shprehive praktike të studentëve është i ulët.
Arsimi universitar, natyrisht, synon t’u krijojë të rinjve mundësi më të mëdha për karrierë profesionale dhe për mirëqenie ekonomike. Por gjetja e një vendi pune, ose e një pune që paguhet më mirë, nuk është qëllim në vetvete dhe as e vetmja arsye pse njerëzit kërkojnë të marrin arsim të lartë. Arsimi i lartë është një mundësi që i përgatit të rinjtë për të qenë të sukseshshëm në jetë pas mbarimit të universitetit.
Ashtu siç puna nuk është gjithçka në jetën e një njeriu, edhe kualifikimi për një punë të caktuar nuk është dhe s’mund të jetë e gjithë përvoja që ai fiton në universitet.
Përtej supozimit se arsimi i lartë të siguron një vend pune, ajo që gjithashtu shpreh thelbin e qëllimit, të shpresës dhe të besimit tek arsimi i lartë është ideja e zhvillimit tonë pozitiv intelektual dhe moral, si dhe mundësia për të përballuar sfida personale dhe intelektuale në jetë, për të zgjeruar shkallën e lirisë dhe për të testuar kufijtë e njohjes dhe të veprimit tonë njerëzor. Qeniet njerëzore, përveçse kanë nevojë për punë, kanë nevojë edhe për një qëllim, për një kuptim mbi jetën dhe për një perspektivë. Dhe çështja nuk shtrohet nëse ne, në kushtet e vështira të shoqërisë së sotme shqiptare, mundemi ose jo të investojmë për këto qëllime; çështja shtrohet nëse ne mund të bëjmë dot pa investuar për to.
Globalizimi gjithnjë e më i madh i shoqërisë imponon ndryshime të shumta e të rëndësishme në jetën e secilit prej nesh, përfshirë edhe mënyrën se si ne arsimohemi dhe edukohemi. Varësia jonë ndaj zhvillimeve shkencore e teknologjike është bërë më e madhe se kurrë. Lidhjet tona me individë të tjerë dhe me botën që na rrethon, gjithashtu, janë bërë shumë më komplekse. Një informacion gjithnjë e më i madh, edhe pse mjaft herë i një cilësie të dyshimtë, është i disponueshëm për këdo që ka disa njohuri minimale se si të përdorë një PC dhe si të navigojë në Internet. Kulturat e ndryshme po deterritorializohen dhe konvergohen. Një masë gjithnjë e më madhe njerëzish udhëtojnë dhe zhvendosen nga një rajon i globit, në një tjetër, duke krijuar marrëdhënie të reja me shoqëri të tjera dhe, shpesh herë, edhe me vet kulturën e tyre. Rreth gjysmë miliard njerëz udhëtojnë çdo vit në “fshatin global” të sotëm, në një botë, e cila, siç shprehet Thomas Friedman, është reduktuar nga një “size small”, në një “size tiny” dhe në të cilën, mbi 5 triliard dollarë, pra një e katërta e pasurisë sa prodhojnë Shtetet e Bashkuara në një vit, shkëmbehen në tregjet financiarë rreth e qark globit në një ditë të vetme.
Të gjitha këto zhvillime, në një mënyrë ose në një tjetër, kanë ndryshuar te çdonjëri nga ne—dhe te të gjithë ne së bashku—mënyrën e të kuptuarit të botës, si dhe marrëdhënien tonë me të. Këto ndryshime kanë bërë të domosdoshëm transformimin thuajse të të gjitha institucioneve dhe sferave të jetës e të veprimtarisë njerëzore, në të cilat bën pjesë edhe arsimi, duke nisur nga arsimi parashkollor dhe ai fillor, deri te arsimi universitar dhe ai pasuniversitar.
Një nga sfidat më të mëdha pedagogjike për universitetet tona është se si mund të adoptohet modeli linear tradicional i transmetimit të dijes―monologu i lektorit në auditor, përmes të cilit, një linjë e vetme mendimi kulmon në 50 minuta në një climax intelektual―te një gjeneratë studentësh, për të cilët, pedagogu dhe teksti universitar nuk janë më të vetmet burime informacioni, por të cilët, lehtësisht dhe brenda një kohe shumë të shkurtër, marrin sot njohuri nga një numur shumë i madh burimesh alternative.
Përballimi i një sfide të tillë kërkon vëmendjen tonë në dy elementë kryesorë: (a) Përdorimi i mënyrave dhe i metodave efektive të të mësuarit. Të mësuarit mekanikisht, thjesht duke memorizuar informacionin që pedagogu jep në auditor dhe duke ia përsëritur atij të njëjtin informacion, mund të mjaftojë për të marrë një notë kaluese dhe për të fituar një diplomë, por jo për t’u aftësuar në një profesion të caktuar. (b) Përdorimi i avantazheve që ofrojnë teknologjitë e reja të informimit e të komunikimit. Më parë, të ishe një profesor universiteti, ose një pedagog, do të thoshte (veç të tjerash), që të kishe njohuri të tilla, të fituara nga leximi i librave në bibliotekë, të cilat ishin të paaksesueshme për studentët, ose për publikun e gjerë. Sot, në kushtet kur njohuritë tona teknologjike dyfishohen thuajse në çdo dy vjet, një pjesë e kësaj esoterica gjendet, sa hap e mbyll sytë, në Wikipedia, në qindra biblioteka dixhitale si, JSTOR, JURN, Google Scholar, arXiv, LexisNexis, FUSE, AULIMP, ose në Internet Archive. Informacioni, thjesht si informacion, pra nuk është më një epërsi e arsimit të lartë dhe as një privilegj vetëm i pedagogëve. Madje, një numur gjithnjë e më i madh mësuesish e pedagogësh janë sot gjithnjë e më të pasigurt për dijet dhe aftësitë e tyre dhe, ipso facto, të paaftë për të orientuar dhe ndihmuar zhvillimin intelektual e profesional të studentëve të tyre.
Në ditët tona, aspekte të veçantë të funksionit tradicional të shkollës si një agjent për përhapjen e dijes, në një masë të madhe, janë zëvendësuar nga Interneti. Interneti është bërë pjesë integrale e jetës në shekullin e 21-të, një hapësirë në të cilën individi i sotëm punon, luan, komunikon dhe mëson. Në një kuptim real të fjalës, mund të thuhet se kufiri që ndan jetën tonë fizike nga ajo dixhitale po bëhet i padukshëm. Teknologjitë e reja të informimit e të komunikimit me kohë kanë filluar t’i rivalizojnë e t’i sfidojnë sistemin e arsimit të lartë dhe metodat e vjetëruara të mësimdhënies në universitete, madje e kërcënojnë status quo-në e këtyre të fundit.
Përballë kësaj sfide të madhe të shekullit të 21-të, fatmirësisht, UET ka filluar të përgatitet me kohë. Ai mund të konsiderohet një institucion avantgard i arsimit të lartë në këtë drejtim, çka është provuar më së miri edhe në këto gjashtë javë të pandemisë, kur procesi pedagogjik në të gjitha ciklet dhe vetë jeta organizative e drejtuese e këtij institucioni (përfshirë edhe mbrojte diseracionesh, mbledhjet rutinë të departamenteve, të Rektoratit e të Senatit akademik) janë zhvilluar online. Me fjalë të tjera, në kushte jo normale, madje të jashtëzakonhshme, UET vazhdon të funksionojë në mënyrë normale. Ky është një ogur i mirë për studentët që studiojnë aktualisht në auditorët e tij, por dhe më shumë akoma për ata nxënës të shkollave të mesme që do të zgjidhnin të ishin pjesë e familjes së madhe të studentëve të UET-it vitin që vjen e në vazhdim.