Dr. Ervis Telhaj
Dr. Ervis Telhaj është Ekspert Fizikant Mjekësor dhe Akademik me përvojë të gjerë në fushën e fizikës së radioterapisë klinike, mjekësis bërthamore dhe fizikës mjekësore, arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor. Aktualisht ai është Lektor në Universitetin Europian të Tiranës (UET) dhe Shef i Departamentit të Fizikës Mjekësore në Spitalin Hygeia në Tiranë. Dr. Telhaj e nisi karrierën e tij profesionale dhe shkencore në Institutin e Fizikës Bërthamore (IFB), ku ka punuar si Kërkues Shkencor dhe drejtues i Laboratorit Dytësor të Kalibrimeve Dozimetrike (SSDL) gjatë viteve 2001–2010, duke kontribuar në projekte kombëtare dhe ndërkombëtare në fushën e mbrojtjes nga rrezatimi, dozimetrisë, rrjetit konbëtar të emergjencave radiologjiike dhe metrologjisë bërthamore.
Në të njëjtën kohë, ai ka zhvilluar karrierën akademike si Lektor në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës (2001–2012), Lektor në Fakultetin e Inxhinierisë Matematike dhe Fizike (FIMIF), Universiteti Politeknik i Tiranës (2010–2019), Lektor në Western Balkan University (2022 – 2025).
Ai është Ekspert i licencuar në Fizikë Mjekësore, si dhe Ekspert i Mbrojtjes nga Rrezatimi dhe Sigurisë së Burimeve Radioaktive, i njohur zyrtarisht nga Komisioni Shtetëror i Mbrojtjes nga Rrezatimi. Kërkimi shkencor i Dr. Telhaj fokusohet në modelimin e avancuar të dozës në mjedise heterogjene në radioterapi, me theks të veçantë në vlerësimin dhe rëndësinë klinike të parametrave radiobiologjikë si Specific Stopping Power (SSP), Angular Scatter Power (ASP) dhe Specific Angular Scatter Power (SASP). Studimet e tij analizojnë ndikimin dozimetrik dhe radiobiologjik të këtyre koeficientëve në indet njerëzore dhe në afërsi të materialeve me numër atomik të lartë (high-Z), përfshirë implantet metalike. Ai është autor i parë i disa artikujve shkencorë të publikuar në revista ndërkombëtare të indeksuara në Scopus dhe në revista kombëtare shkencore. Dr. Telhaj ka përfunduar një sërë trajnimesh ndërkombëtare të specializuara në fushën e mbrojtjes nga rrezatimi, sigurisë bërthamore dhe menaxhimit të krizave WMD, të organizuara nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA), Departamenti i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara dhe Programi Ndërkombëtar i Kundër-Proliferimit (ICP) i FBI/DTRA. Ai ka marrë pjesë gjithashtu në programe të avancuara për metrologjinë e rrezatimit, rikuperimin e burimeve të humbura dhe sigurinë e transportit ajror të materialeve radioaktive sipas kuadrit të sigurisë së ICAO.
Ai vazhdon të kontribuojë aktivisht në mësimdhënie, inovacion klinik dhe kërkim shkencor, duke promovuar zhvillimin e mëtejshëm të fizikës mjekësore dhe onkologjisë rrezatuese në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ai ka udhëhequr gjithashtu një numër të madh diplomash në nivel masteri, kryesisht në fushën e fizikës mjekësore, në tema që përfshijnë dozimetrinë, planifikimin e radioterapisë dhe mbrojtjen nga rrezatimi.
Gjithashtu, është anëtar i shumë shoqatave Kombëtare dhe të huaja si, EFOMP, DGMP, IKF, AAMP etj.
Publikime shkencore: (kliko këtu)
ORCID: 0009-0007-1728-3333

