Nis International Staff Week, UET mirëpret universitete partnere nga Europa

Ka startuar në Universitetin Europian të Tiranës International Staff Week, java që mbledh së bashku stafet akademike dhe administrative nga universitete partnere europiane dhe ndërkombëtare. Ky aktivitet, i cili zhvillohet në kuadër të Erasmus + Days, solli në UET përfaqësues nga universitete të ndryshme evropiane, si Università degli Studi Internazionali di Roma, University of Siena, Università per Stranieri di Perugia, Yeditepe University dhe Vilniaus Kolegija.
Gjatë kësaj jave përfaqësuesit e universiteteve partnere bëhen pjesë e aktiviteteve, diskutimeve, workshop-eve, konferencave, që kanë si qëllim njohjen dhe shkëmbimin e informacioneve që forcojnë më tej partneritetin dhe ngrenë ura të reja komunikimi.
Në ditën e parë të International Staff Week u zhvillua një aktivitet mikëpritës në ambientet e UET, kryefjala e të cilit ishte inovacioni në arsimin e lartë dhe ndërtimi i partneriteteve të së ardhmes. Në fjalën e tij përshëndetëse, presidenti i UET, Prof. Asoc. Dr. Selami Xhepa theksoi rëndësinë e ndërtimit të urave të reja të bashkëpunimit në kuadër të sfidave të reja që presin universitetet dhe arsimin në rang global.
Më tej u fol për bashkëpunimin e deritanishëm mes institucioneve të arsimit të lartë, projektet, praktikat e zhvilluara në kuadër të projekteve të Bashkimit Evropian, si Erasmus+, CBHE, Horizon Europe, etj. Aktiviteti vijoi me shkëmbimin e ideve për projekte të ardhshme, në fushën e shkëmbimit dhe kërkimit shkencor, që iu përgjigjen sfidave të arsimit dhe kërkesave të studentëve në një treg pune që ndryshon vazhdimisht. Programi përfshiu prezantime institucionale, diskutime mbi praktikat më të mira në ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë dhe shkëmbim përvojash në kuadër të projekteve Erasmus+.
Në ditën e dytë, më 15 prill, universitetet partnere do të zhvillojnë një takim me studentët e UET ku do të bëjnë prezantime të historikut, programeve, projekteve, si dhe do të kenë me ta një diskutim interaktiv. Dita e tretë do t’i dedikohet pjesëmarrjes në Konferencën Ndërkombëtare të UET “Ditët e Studimeve Shqiptare”, një ngjarje e rëndësishme për universitetin, por edhe arsimin shqiptar, pasi mbledh kërkues shkencorë brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Në ditën e fundit, ata do të eksplorojnë më tej Tiranën, pikat e saj historike dhe kulturore, për t’u njohur më nga afër me historinë dhe transformimin e këtij qyteti ndër vite.
International Staff Week është tashmë një aktivitet i përvitshëm që organizohet nën kujdesin e Zyrës së Projekteve dhe Ndërkombëtarizimit. Ajo shërben si një platformë e rëndësishme për forcimin e dimensionit ndërkombëtar të UET dhe për krijimin e mundësive të reja për bashkëpunim akademik dhe profesional.

