“Nga izolimi te integrimi”, UET sjell studimin e parë në Shqipëri për mediat dhe integrimin në BE

Nën udhëheqjen e dekanes së Fakultetit të Shkencave Humane Edukimit dhe Arteve Liberale, prof. asoc. dr. Belina Budini, u prezantua në Universitetin Europian të Tiranës, me pjesëmarrjen e institucioneve kombëtare e ndërkombëtare, partnerëve dhe mediave në vend, studimi që hedh dritë mbi narrativën mediatike në Shqipëri sa i përket integrimit në Bashkimin Europian.
Vitet e gjata të izolimit dhe ato të stërzgjatura të tranzicionit, duket se nuk e kanë zbehur shpresën për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, madje e kanë përforcuar atë. Qasja e publikut dhe mediave shqiptare, pavarësisht terminologjisë burokratike dhe teknike të diktuara nga vetë institucionet ndërkombëtare, është pozitive dhe përqafuese. Mbetet detyrë e gazetarëve, kryesisht atyre të televizioneve, si media më ndjekur në Shqipëri për informimin në lidhje me integrimin në BE, për ta sjellë këtë narrativë sa më thjeshtë dhe qartë për audiencën dhe opinion publik.
Ishin këto dy nga gjetjet kryesore që solli studimi i udhëhequr nga dekania e Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale, prof. asoc. dr. Belina Budini dhe pedagogët dokt. Erisela Marko dhe dokt. Dritan Idrizi, i ardhur në formën e një botimi të plotë me titullin “Nga izolimi te integrimi, ligjërimi mediatik për integrimin e Shqipërisë në BE”.
Ky studim ndërlidh disa projekte të bashkëpunimit ndërmjet Departamentit të Shkencave Humane dhe Komunikimit në UET me Autoritetin e Mediave Audiovizive (AMA), Agjencinë Kombëtare për Kërkimin Shkencor dhe Inovacionin (AKKSHI), si edhe me Albanian American Development Foundation (projekti READ mbi “Gazetarinë e të dhënave”) dhe projektin ndërkombëtar “PROEUMEDAL”, në kuadër të “Jean Monnet Chair” 2024-2027, në funksion të edukimit dhe ekspertizës kërkimore në drejtime të lidhura me mediat, demokracinë dhe procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.
Për këtë arsye, gjatë prezantimit të botimit të sjellë nga shtëpia botuese UETPRESS dhe OMBRA GVG, ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve partnere, përfaqësues nga Delagacioni i Bashkimit Europian, UN Women Albania, mediat kryesore në vend, si dhe pedagogë e studentë që u bënë pjesë e projekteve dhe dhanë kontributin e tyre në etapa të ndryshme të të gjithë hulumtimit, që analizoi përmes qasjeve empirike narrativën mediatike në tre nga televizionet kombëtare në Shqipëri.
Dekania Budini tha se hulumtimi sjell disa rekomandime konkrete për secilin nga autoritetet e përfshira në projekt, të cilat vijnë të shjelluara dhe argumentuara në kapitujt e librit “Nga izolimi te integrimi”.
“Studimi i UET merr një rol ndërmjetësuesi, që është njëkohësisht brenda projekteve të mëdha që ne kemi, edhe të AKSHI-t edhe të “Jean Monnet Chair”. E kemi pasur shumë të rëndësishme që të dalim në rolin e një rregullatori metodologjik shkencor në këtë rast dhe jemi shumë të sigurt që ky është vetëm një fillim. Një nga kontributet më të rëndësishme që ne kemi realizuar në gati një vit investim në këto hulumtime, është se kemi prodhuar disa rekomandime konkrete në lidhje me autoritetet që i kemi të ftuara dhe jemi përpjekur të japim një qasje sa më praktike edhe për mediat”, theksoi Budini.
Më tej prof. Budini tha se metodologjia e përdorur, me pyetësorë, me elementët e fokus grupeve të zhvilluara në mënyrë rigoroze në gati dhjetë takime me përfaqësues të ndryshëm te mediave, takimet me studentët nga pesë universitetet partenere në vend, me forumet për integrimin, me analizën e lajmeve në mediat kombëtare, e kategorizon si një botim të mirëfilltë shkencor.
“Realizimi i pyetësorëve është bërë me rreth 400 individë që janë kryesisht studentë, të cilët i kemi pasur të ftuar në kuadër të forumeve publike të zhvilluara në të gjithë Shqipërinë. Ka pyetësorë me gjetje interesante që flasin për një rol të shtuar të televizionit, si media e lidhur me ligjërimin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Shumica dalin në përfundimin që TV mbetet një nga mediumet kryesore për informim. Pas tij vijnë mediat online, që janë të lidhura me televizionet, me shtypin e shkruar, për të vijuar me rrjetet sociale. Kemi marrë tre media në studim: Top Channel, RTVKlan dhe RTSH”, sqaroi dekania.
Teksti kërkimor është përmbledhur në disa kapituj, ku përtej pjesës teorike shpjeguese dhe analizës së përgjithshme, vijnë kapituj përkatës për monitorimin e lajmeve në edicionet kryesore të tre televizioneve kombëtare, pyetësorët në komunitetin e gazetarëve dhe studentëve të gazetarisë, vijnë tre aplikacionet web të përgatitura nga studentët e UET nën mentorimin e pedagogëve të Departamentit të Shkencave Humane dhe Komunikimit dhe Departamentit të Informatikës dhe Teknologjisë. Po ashtu, studimi ka një kapitull që analizon nevojën e rregullimit të kuadrit ligjor në erën digjitale, por edhe në kuadër të sjelljes së instrumenteve që shkojnë përshtat me standardet europiane.
“Akreditimi i parë” i hulumtimit të UET
Prezantimi i gjithë gjetjeve teorike dhe empirike, të inkuadruara nën misionin dhe qëllimin e katër projekteve të zhvilluara nga Fakulteti i Shkencave Humane dhe Edukimit Liberal, solli në UET jo vetëm institucionet e medias dhe akademisë, si AMA dhe AKKSHI, por edhe institucione që e shohin me mjaft vlerë këtë studim për punën e tyre të deritanishme në Shqipëri, si delegacioni i BE-së, UN Woman Albania, AADF, apo edhe vetë mediat që janë pjesë e këtij hulumtimi.
Presidenti i UET, prof. asoc. dr. Selami Xhepa e quajti një studim të munguar për çështjen e integrimit europian në aspektin mediatik, pasi deri tani janë bërë kërkime sa i përket integrimit në kontekstin ekonomik apo ligjor. Mungesa e komunikimit me mediat, sipas Xhepës sjell një lloj defiçiti në perceptimin e opinionit publik dhe një hendek në mënyrën se si perceptohen proceset dhe çfarë janë në të vërteta proceset e integrimit.
“Ky botim është një kontribut mjaft i rëndësishëm i këtij grupi kërkimor dhe i UET-it për të mbushur disa boshllëqe dhe disa hendeqe që ekzistojnë. Universiteti Europian i Tiranës ka qenë shumë avangardë sepse kemi përfunduar dy “Jean Monnet Chair” dhe nisim një tjetër. Integrimi europian ka qenë një nga dimensionet që i shkon përshtat edhe emrit të UET, dhe ka qenë realisht një nga dimensionet themelore që ka orientuar kërkimin shkencor dhe punën akademike të universitetit tonë”, theksoi Xhepa.
Drejtuesja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi, e quajti studimin “Nga integrimi te izolimi” një vepër që iu hap rrugën studimeve të tjera për mediat në kompleksitetin e tyre, përtej atyre audiovizive.
Ajo theksoi se sfidat europiane janë edhe shqiptare, prandaj media nuk mund të mbetet jashtë diskutimit dhe përshtatjes me rregullimet ndërkombëtare.
“Rregullimi mediatik, përmbushja e çdo detyrimi që Shqipëria që ka, është një proces jo vetëm jetik por edhe organik ai i të qenit pjesë e BE-së. Komunikimi me synim informimin përballet me sfida të shumanshme që duken globale dhe janë të gjithëpranuara, por kanë përthyerjet lokale. Më kryesoret është e drejta për informim dhe liria e shprehjes, dy të drejta orientuese për veprimtarinë e AMA-s.”
Krasniqi veçoi në studim sidomos konkursin me studentët e UET-it për zhvillimin e aplikacioneve web, që analizojnë lajmet e mediave dhe narrativën e përdorur për integrimin. Ajo tha më tej se aplikacionet do të gjejnë përdorim të mëtejshëm nga institucione dhe kërkues të ndryshëm.
Zëvendës Shefi i Seksionit Politik në Delegacionin e BE-së në Shqipëri, Jean-Baptiste Le Bras, duke shprehur kënaqësinë për praninë në UET, vlerësoi studimin e kryer në dobishmërinë që ai sjell për të gjithë.
“Dua t’iu përgëzoj për këtë studim. Është një çështje shumë e rëndësishme për delegacionin tonë në këtë vend, pasi ne mbështesim Shqipërinë që të bëhet pjesë e Bashkimit Europian. Është një botim special i bashkëpunimit të kërkueseve universitare dhe institucioneve shqiptare dhe atyre ndërkombëtare. Është një studim solid, në termat e metodologjisë por edhe të detajeve të dobishme për përdorim. Ne jemi padyshim të interesuar në këtë.”
Përfaqësuesi i delegacioni foli më tej edhe për punën e bërë nga vetë ky institucion i BE-së në Shqipëri, duke vlerësuar qasjen pozitive të shprehur gjerësisht dhe pothuajse gjithmonë nga shqiptarët.
Alba Agolli nga Un Women Albania, një tjetër partner që i bashkohet Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale, me fokus barazinë gjinore dhe përfshirjen e grave dhe vajzave, tha se është shumë e rëndësishme të shikohet narracioni në media edhe në fusha të tjera, për të parandaluar steriotipet që krijohen pastaj në shoqëri.
“Një aspekt i rëndësishëm edhe i punës që kemi bërë me AMA-n është vendosja e një kapitulli të veçantë te Kodi i Transmetimit që i dedikohet barazisë gjinore. Është e rëndësishme sepse na formëson. Edhe sipas të dhënave të fundit, një pjesë e edukatës, informacionit dhe asaj që na formëson ne, vjen nga mediat, prandaj është e rëndësishme çfarë qasje ka media për steriotipet gjinore. Jam e lumtur për këtë bashkëpunim me UET e për ta vendosur këtë perspektivë brenda kurrikulës dhe moduleve mësimore.”
Një studim që shkon nën sitë disa prej mediave kryesore dhe analizon gjetjet, shoqëruar me rekomandime të qenësishme, nuk mund të anashkalohej nga kryetari i Sindikatës së Gazetarëve të Shqipërisë, Aleksandër Çipa, jo për të mbrojtur apo justifikuar atë që nuk shkon në media, por për ta vendosur theksin aty ku është e nevojshme të shtohen përpjekjet për ëprmirësim.
“Dua t’iu falënderoj për këtë botim që vjen si një akt i laboratorit të mendimit dhe referencës. Pashë strukturën e tij dhe e vlerësoj për tre elementë që i konsideroj shumë të qenësishme. E para, metodologjikisht më duket në një këndvështrim të parë shumë modernist, të studimeve dhe qasjeve shumë refleksionuese. E dyta që i shërben komuniteti tonë, në këtë doeacak ju adresoni disa prek problamatikave terminologjie që i hasim përditë. Ne kemi hasur problematikë serioze mungesën e gazetarisë së profileve. Duke pasur këtë mungesë, ajo defakto është kompensuar me mënyra autodidakte”, theksoi Çipa.
Botimi “Nga izolimi te integrimi”, vjen në kohën e duhur për të dhënë një shtytje për mediat dhe mbulimin që i bëjnë çështjeve të integrimit, ndërsa Shqipëria ka çeluar negociatat dhe po punon mbi kapitujt dhe detyrat e vendosura për të finalizuar anëtarësimin në union.
Gjithashtu, botimi i paraprin Konferencën shkencore ndërkombëtare “Ditët e Studimeve Shqiptare 2025” që mbahet në datat 10-11 prill 2025, i dedikohen temave si “Collaborative Innovations: Advancing European Standards in Media, Education and Culture” dhe ‘Innovating Legal, Political an International Strategies within the New EU Competetive Agenda’, konferencë në partneritet me Universitetin e Bolonjës.