Xhoana Dhantis*

Të shumta mund të jenë mendimet teksa gjendesh një ditë përpara intervistës për t’u bërë pjesë e programit Erasmus+ në universitetin që dëshiron. Në rastin tim, isha në kërkim të personave të cilët më parë e kishin kaluar këtë fazë me sukses, por informacionet në internet në gjuhën shqipe nuk ishin të shumta. Ndaj e ndjeva dëshirën ta ndaja këtë përvojë timen nga hapi i parë deri në atë të fundit. Këtë proces mund ta quaj sa akademik e formal, aq edhe emocional dhe motivues për zhvillimin e aftësive të reja.

Programin Erasmus+ e kam konsideruar gjithmonë si një alternativë nga më të mirat për të provuar se si është të studiosh në nivel ndërkombëtar. Por kënaqësia ime ishte e dyfishtë në momentin që u njoftova për thirrjen për aplikim në Universitetin e Uppsala-s, në Suedi. Kjo sepse gjithnjë kam dashur të vizitoj Suedinë, por gjithashtu të merrja pjesë edhe në këtë program.

Prandaj përgatita dokumentet e nevojshme, të cilat cilësoheshin në email-in e thirrjes për aplikim dhe i dërgova elektronikisht në zyrën përgjegjëse për shkëmbimet studentore në UET. Pas kësaj isha në pritje të përgjigjes për aprovimin apo refuzimin në kalimin e fazës së intervistave. Në momentin që më aprovuan kalimin në fazën e intervistës, fillova të ndiej emocione, por edhe përgjegjësi. Kështu që nisa të kërkoj më shumë detaje rreth universitetit dhe qytetit ku dëshiroja të shkoja. Nuk janë të pakta videot në Youtube për universitetet ndërkombëtare të njohura apo materialet e rrëfimeve personale nga studente të tjerë “exchange”.

Gjatë periudhës para intervistës më kanë ndihmuar shumë këshillat që kam kërkuar nga persona tek të cilët kisha besim. Një nga sfidat e mia në atë moment ishte menaxhimi i intervistës në mënyrë që të nxirrja potencialin maksimal. Kjo bëhet më e vështirë  kur vjen puna të komunikosh në anglisht, pasi sado konfidencë të ndieja, nuk është gjuha ime e parë dhe nuk kisha shumë eksperiencë në intervista. Mbaj mend një nga këshillat shumë të vyera që mora në atë periudhë, dhe konkretisht ishte : “Emocionet nuk duhen fshehur, as shtypur, ato duhen menaxhuar dhe shfaqur në mënyrë të tillë që të dalin në pah ngjyrat e karakterit”. Intervistat nuk janë për të dhënë informacion mbi mesataren apo fakte të cilat paneli tashmë i ka shqyrtuar. Në këtë rast, mendoj se janë për të njohur aq sa munden kandidatin/ten dhe ato që letrat nuk mund të thonë për të. Fakti që nisa të shihja nga ky këndvështrim këtë proces, më solli mjaft efikasitet. Sfidë tjetër ishin pikëpyetjet, si: “Pas intervistës çfarë ndodh?”, “Po nëse refuzohem?”, “Po nëse pranohem, si mund të jetë t’i bashkohem një ambienti të tillë akademik ndërkulturor?”. Pasi Uppsala University ka një diversitet kulturor jo vetëm mes studenteve, por edhe stafit akademik. Si mund të jetë konkurenca? Po literatura?  Po jetesa? Kaq shumë pyetje! Kam parë njerëz të cilët mbyten në pyetje, sepse e kanë më të lehtë diçka të tillë, ju vjen natyrshëm dhe justifikojnë mosveprimin e tyre në këtë mënyrë. Kështu mund të bëja edhe unë, por mendova të kërkoja pak pozitivitet, i cili nuk kishte qenë edhe aq larg meje. E gjeta në bisedat e bukura dhe të gjata, që ndava me një nga personalitetet që vlerësoj në universitetin ku studioj. Gjate këtyre bisedave u motivova dhe krijova një panoramë të asaj që më priste dhe ishte diçka e bukur. Kështu që edhe njëherë e zëvendësova “aftësinë e mendjes njerëzore për t’i bërë gjërat të duken të komplikuara” me atë të të menduarit pozitivisht dhe me kureshtje.

Shpejt erdhi dita e intervistës; jashtë sallës ishte një radhë e gjatë me studentë shumë të mirë dhe të përgatitur, disa i kisha parë edhe më herët nëpër organizime të ndryshme dhe në aula. Qëndrova e fundit në radhë dhe përfundova një intervistë që nuk zgjati aq shumë. Gjatë saj pata një moment ku duart më djersiten nga emocionet, jo se ‘nuk dija përgjigjen’ por sepse realisht doja të bëhesha pjesë e kësaj përvoje dhe mesa duket këtë arrita ta përcillja tek paneli i asaj dite.

Tani që po e shkruaj këtë artikull ndodhem në Suedi, ku jam pjesë edhe e një projekti me fokus Sustainable Development. Gjatë kësaj periudhe jam rritur edhe më shumë. Njohja me njerëz të rinj të kulturave të ndryshme, pjesëmarrja në aula të mëdha dhe plotë dritë është diçka të cilën e kam shijuar. Takimet me grupin, procesi i ‘fika-s’, siç e quajnë këtu pushimin pas një aktiviteti ku konsumojnë  kafe apo çaj me një ëmbëlsirë së bashku me njerëz të tjerë, apo rastet teksa vrapoj të kap trenin, janë pjesë e rutinës sime javore. Gjithashtu këtu kam mundur të bëj edhe disa udhëtime të shkurtra nëpër zona të ndryshme, të cilat ofrojnë peizazhe të mrekullueshme natyrore. Ndërsa vizita në Stokholm është ajo që më ka impresionuar më së shumti. Madje më ka bërë të hedh vështrimin drejt një perspektivë të re, të cilën dëshiroj ta kaloj po me aq sukses sa kalova edhe intervistën për të cilën fola më parë.

Për mua Erasmus+ është një eksperiencë ‘life changing’, të njeh me një kulture tjetër, me një gjuhë tjetër, me shumë njerëz dhe të përball me mijëra mundësi të reja. Ndaj, nëse ende s’ke aplikuar ‘Çfarë po pret?’. Koha kalon shumë shpejt gjatë periudhës së studimeve. Unë gjithmonë kam menduar se pendesa është e fortë kur bëhet fjalë për gjërat që s’i kemi provuar. Ndaj bëhu pjesë e Erasmus+. Bëhu pjesë e një universiteti që ofron mundësitë më të mëdha për ndërkombëtarizimin. Kërko tani dhe do ta gjesh rrugën tënde!

*Studente e Komunikimit UET