Fituesi i edicioni i 6-të, Gani Mehmetaj: E solla të vërtetën përmes syrit të një serbi

Nëpërmjet një ceremonie modeste, për shkak të pandemisë së COVID-19, u organizua ditën e premte në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës, ceremonia e dorëzimit së Çmimit letrar “Kadare” dhe promovimi i romanit fitues. Fituesi i këtij edicioni të gjashtë është autori nga Kosova, Gani Mehmetaj, me romanin “Zogjtë e qyqes”, tashmë i finalizuar në libër nga UET Press.

Në Çmimin “Kadare” 2021, nismë e Institutit Pashko, morën pjesë me veprat e tyre në dorëshkrim në gjininë e prozës 30 autorë shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora, ku spikati larmishmëria e tematikave, stileve, autorëve, trajtimeve dhe prurjeve të reja. Gazetari, publicisti, shkrimtari, dramaturgu dhe kineasti, Gani Mehmetaj u përzgjodh unanimisht fitues nga juria e këtij edicioni, kryesuar nga shkrimtari i njohur Preç Zogaj, në përbërje të së cilës ishin: profesori i filozofisë Blerim Latifi, shkrimtari Loer Kume, shkrimtari Ermir Nika dhe studiuesja Genciana Abazi.

Autori, i ndjerë i vlerësuar nga pritja e ngrohtë dhe e pazakontë, siç e cilësoi ai, falenderoi jurinë për vlerësimin me këtë çmim, teksa theksoi se anëtarët e saj nuk i njeh dhe nuk i ka takuar më parë, përveçse tani në ceremoni. Mehmetaj tha se Çmimi “Kadare”, përveçse një nder i madh për shkak të emrit të autorit që mban, është edhe një mundësi e mirë për promovimin e veprave, të cilat nga dorëshkrime, shkojnë të botuara në dorën e lexuesit.

“Unë kam botuar disa libra, por nuk kanë pasur rast t’i lexojnë në Tiranë, por shpresoj që këtë do ta lexojnë sepse është një temë e veçantë, krejt ndryshe nga ajo që kanë lexuar, qoftë nga shkrimtarët e Kosovës, qoftë nga shkrimtarët e Shqipërisë, siç e them unë, këtej dhe përtej Drinit. Edhe stili është pak më ndryshe. Jam përpjekur ta them ashtu siç duhet të thuhej në situata të tilla, kur do ta thuash një të vërtetë, por nëse e them nëpërmjet shqiptarit më pak do të besohej, por nëse e them përmes serbit, atëherë do të ishte më e besueshme dhe ai serb është objekti ynë pjesën më të madhe dhe atëherë kur e kap veten që është subjektiv thotë po mendoj si serb, por pjesën më të madhe mendon si njeri i panashëm. Besoj se edhe për juve do të jetë diçka interesante”, tha Mehmetaj.

Drejtuesja e shtëpisë botuese UET Press, Sulea Mino, tha se romani “Zogjtë e qyqes” i aksesueshëm për lexuesin shqiptar në të gjitha libraritë e vendit, është një roman që pasuron komunikimin ndër-ballkanik me një pikëvështrim të ri. Sipas saj, humaniteti i tekstit, qasja e rrëfimit të sinqertë e të së vërtetës personale të gjithsecilit, emancipon mjedisin njerëzor në terrenet tona të trazuara.

““Zogjtë e qyqes” është një rrëfim intrigues për njerëzit dhe kohën, për dashurinë dhe urrejtjen, për shpresat dhe zhgënjimin. Një kolon serb, që mund të jetë kolon i cilitdo komb, përmes situatave dhe veprimeve, dialogut dhe përsiatjeve, paraqit kronikën 40 vjeçare të ngjarjeve, fatin e ardhacakëve dhe fatkeqësinë e vendasve. Galeria e personazheve është e gjerë, etnitë e ndryshme, si dhe shpërfaqja e tyre dinamike

Romani “Zogjtë e qyqes”, trajton me vlera të spikatura letrare dhe artistike, urrejtjen mes serbëve dhe shqiptarëve, marrëdhëniet e tyre të ndërsjella, dashurinë e parealizuar që intrigon lexuesin, ndërsa pasuron letrat shqipe, duke sjell një tekst grishës për lexuesin shqiptar këtej dhe andej kufirit dhe kudo më gjerë ku është lexuesi”, nënvizoi Mino.

Çmimi letrar “Kadare”, i iniciuar në vitin 2015, ka pasur një shtrirje të gjerë jo vetëm në pjesëmarrje, por edhe në finalizim, pasi autorët që janë shpallur fitues, kanë qenë nga të tre hapësirat, Shqipëria, Kosova, dhe diaspora. Sipas përgjegjëses së Departamentit të Shkencave Humane, pedagoges Belinda Budinni, kjo shpërndarje pothuajse perfekte, ka qenë meritë e jurisë, puna e së cilës ka qenë skrupuloze dhe e lirë, e pa ndikuar nga asnjë lloj faktori i jashtëm.

“Është një kënaqësi shumë e madhe për ne që çdo vit organizojmë këtë aktivitet dhe një sërë aktivitetesh të tjera, bashkë me Fakultetin e Shkencave Humane, Departamentin e Shkencave Humane dhe të Komunikimit dhe Institutin Europian “Pashko”, në një regjistër shumë aktiv, social, kulturor. Kemi krijuar një ngjarje nga më të rëndësishmet kulturore edhe për letërsinë shqipe, duke i dhënë një shtrirje në kohë dhe hapësire. Gjithmonë një apo disa profesorë të departamentit tonë kanë qenë pjesë e jurisë, i kanë dhënë një diapazon diskutimi edhe në hapësirën kritike, shkencore letërsisë shqipe, gjë që e ka bërë më relevant këtë çmim.

Ngjarja nuk ka munguar as këtë vit, pavarësisht rrethanave të vështira dhe çmimi nuk u ndal. Na vjen keq që nuk i dhamë dot atë dimensionin social- kulturor më të gjerë me anë të zhvillimit të veprimtarive të përhershme. Ne në çdo ngjarje kemi bërë Ditët Letrare të Razmës, kështu e kemi emërtuar ne veprimtarinë, ku janë bashkuar studiues, kritikë, shkencëtarë, pedagogë për të diskutuar bashkë me anëtarët e jurisë atje dhe për ta shtrirë diskutimin mbi letërsinë mbi dimensionet e një universiteti, sikurse i ka hije një institucioni të tillë”, u shpreh Budini.

Marrjen e dorëshkrimeve dhe finalizimin e tyre me libër, pedagogia e cilësoi si formulën që e bën të suksesshëm këtë konkurs letrar, i cili ka treguar se ka vazhdimësi dhe ka qenë një katalizator për promovimin e letërsisë cilësore shqipe. Sipas saj, marrja e dorëshkrimi dhe finalizimi në libër

“Ne marrim prej shkrimtarit dhe shkrimtari merr prej nesh, pra është një përfitim i dyfishtë, pa shkuar te konsideratat e fitimit material që është krejt sekondar për ne. Për ne rëndësi ka edhe pjesëmarrja, e cila ka qenë shumë e mirë, vit pas viti, që ne stimulojmë si institucion, prodhimin e letërsisë shqipe edhe në kushte apo rrethana të vështira. Kjo besoj është edhe arritja apo suksesi më i madh, merita më e madhe që kemi”, u shpreh Budini, duke shtuar që shpreson që në edicionet e tjera të këtij çmimi, pse jo, të shpallet fituese një shkrimtare femër.

Preç Zogaj: Çmimi “Kadare”, më i rëndësishmi që ka sot Shqipëria

Kryetari i jurisë së edicionit të 6-të të Çmimit Kadare, shkrimtari i njohur Preç Zogaj, i keqardhur që kjo ceremoni nuk pati pjesëmarrjen dhe shtrirjen e organizimeve të mëparshme për shkak të pandemisë, u ndal te puna e jurisë për përzgjedhjen e autorit dhe romanit fitues, ku të pesë anëtarët unanimisht zgjodhën shkrimtarin Gani Mehmetaj dhe romanin e tij “Zogjtë e qyqes”.

Zogaj theksoi, se juria ka punuar në liri të plotë përmes diskutimeve profesionale, për të arritur në autorin fitues, nga një numër i lartë autorësh dhe prurjesh letrare, duke realizuar kështu më së miri qëllimin e këtij çmimi.

“Ky është finalizimi i një rruge relativisht të gjatë, pra botimi i romanit të autorit fitues dhe dorëzimi i Çmimit “Kadare” autorit fitues. Për të ardhur deri këtu, kanë punuar pikësëpari autorët pjesëmarrës, të cilët i kemi falënderuar për gjatë gjithë procesit, ka punuar juria, përgjithësisht me konsensus, por një juri profesionale do të thosha, që e ka mbështetur gjykimin e vet në shkëmbimin e opinioneve të lira. Është një liri që ka punuar në kushtet e plota të lirisë dhe përmes diskutimeve profesionale, kemi shkuar hap pas hapi drejt listës së shkurtuar, për të mbërritur pastaj tek treshja dhe së fundi tek autori fitues.

Kemi pasur prurje shumë cilësore në këtë edicion nga autorë shqiptarë nga këtu, Kosova, diaspora, stile të reja, letërsi moderne, prozë të shkurtër, romane, tema të aktualiteti, të së kaluarës, pra një gërshetim moshash, përvojash, prurjesh të cilat nderojnë Çmimin Kadare dhe njëkohësisht në bindjen time përmbushin qëllimin e këtij çmimi, shumë të veçantë në letrat tona, që është të nxisë të shkruarit, të nxisë cilësinë dhe të promovojë dorëshkrime”, tha Zogaj.

Shkrimtari e cilësoi Çmimin “Kadare”, si më të rëndësishmin që ka sot Shqipëria në terrenin letrar dhe tregues për këtë, sipas tij, nuk është emri që mbart, por tradita që po krijon, me autorët fitues, objektiviteti si dhe qëllim për të promovuar letërsinë cilësore.

“Ne kemi një debat të hapur në Shqipëri në lidhje me çmimet letrare të cilat në shumë raste, të cilat për fat të keq kanë rezultuar të jenë qoka, apo vendime që lidhen me politika letrare, në marrëdhënie me autorët dhe jo me vlerësimin e veprave, deri aty sa në çmimet letrare që iu jepen veprave që nuk lexojnë, juri që vlerësojnë me çmim vepra që nuk i lexojnë. Ky është një shpërdorim i madh i një instrumenti shumë i rëndësishëm i letërsisë dhe krijimin e hierarkisë së veprave letrare”, u shpreh Zogaj.

Kryetari i jurisë u ndal më tej në romanin fitues “Zogjtë e qyqes”, duke e cilësuar një roman jashtëzakonisht të veçantë, i cili guxon me mjetet ekskluzive që ka letërsia, të futet në tema dhe trajtime që nuk i shterojnë dot forma të tjera të shprehjes, si publicistika, filozofia, politika etj.

“Ky është një roman tipik, ku autori, letërsia futet në një zonë që nuk futet kush kollaj, që është tema shumë komplekse e kolonizimit, si politikë e fuqive në rastin konkret të Serbisë. Tema e kolonizimit si politikë që vjen dhe përthyhet në marrëdhëniet njerëzore, në fatet njerëzore, ku shpesh herë mish për top i këtyre politikave janë vetë kolonët, që në këtë rast janë robotë në duart e atyre që i ndërtojnë politikat e kolonizimit. Sigurisht në përthyerjen e vet tek jeta e kolonëve ka gjithë kompleksitetin e marrëdhënieve njerëzore, pasi ata bashkëjetojnë me njerëz të racave, etnive të tjera, është një mozaik ku rrjedh nëpër dekada. Nuk është një roman që ngjarjet mbarojnë sot apo pas një viti, është një roman ku ngjarjet shtrihen në kohë dhe është një sprovë e madhe për një shkrimtar të ndërtojë lëndën e një romani, duke ruajtur harmoninë në sensin e masës, përfshirë një epokë. Shkrimtari ka folur si kolonë, është i futur në lëkurën e një serbi dhe kjo e bën akoma më intrigues romanin”, deklaroi Zogaj.

Mbi fituesin e edicionit të 6-të të Çmimit “Kadare” 2021

Gani Mehmetaj (1955) është publicist, shkrimtar, dramaturg e kineast nga Peja. Mehmetaj ligjëron si profesor në Fakultetin e Arteve e njëherësh mban pozitën e drejtorit të Kosovafilm-it qysh prej vitit 2003. Gjatë viteve 1997-1999 ai ka punuar si redaktor e më pas kryeredaktor në gazetën “Rilindja”.  Është ndër krijuesit dhe intelektualët më të angazhuar në trajtimin e problemeve e fenomeneve devijante që e karakterizojnë kohën e tranzicionit, përkatësisht periudhën traumatike të pasluftës.

Veprat letrare:

“Kujtime të trishta”, tregime, (2010),  “Dardania press”, Prishtinë,

“Qyteti në ankth”, roman (2011)  “Dardania press”. Prishtinë,

“Aventurat e Lulisë” (Kalorësja e arratisur e bashkimit kombëtar), roman (2012),

“Nata e fantazmave”, triptik me një monodramë (2014).

“Ilirianët”, tregime, 2015, “Dardania press”, Prishtinë,

”Ëndrra e madhe”, kujtime, Dardania press, 2015, Prishtinë,

“Zhvarrimi”, roman 2016, Dardania press, Prishtinë,

“Boritë e Apokalipsit”, roman 2017. “Dardania press”, Prishtinë,

“Kalorësit e Dardanisë”, roman 2019.

Ese filmi e publicistikë:

“Magjia e ekranit”- Kritikë filmi  (2005), “Kosovafilmi”, Prishtinë.

“Për shtetin e Dardanisë”, intervista me personalitetet politike, (2006), “Faik Konica”, Prishtinë.

“Dardani a Shqipëri etnike“, analiza, ese (2007),  “AIKD”, Prishtinë.

“Udhëkryqet pas Rugovës”, komente, ese (2007), “Dardania press”.

“Shqiptarët në vlimet ballkanike-1990-1999” (2008), shqyrtime, botoi “Titanic”, Prishtinë.

“Sfidat e pavarësisë “ (2009) analiza,

“Sharmi i filmit”, (2010) historia e kinematografisë në Kosovë dhe Shqipëri, “Kosovafilmi”.

“Kosova: Sfidat e pavarësisë” (2010), studim, Universiteti Ndërkombëtar i Strugës.

“Ëndrra e madhe”, kujtime (2015).

“A di zoti shqip”, ribotim i plotësuar 2016.

“Adaptim filmi, si të shkruash skenar origjina ose të frymëzuar nga romani, drama e kronika sociale e gazetës”, dedikuar studentëve të Akademisë së Filmit, botues Akademia Evolucion, Prishtinë, 2014.

“Kolosët e filmit” – pjesë nga historia e filmit, libër për studentë dhe për filmofilët.  botues Fakulteti i Arteve Mediale, Akademia Evolucion.

Box

Fituesit e Çmimit “Kadare” ndër vite:

– Gani Mehmetaj me romanin “Zogjtë e qyqes”, 2021

– Loer Kume me “Amygdala Mandala”, përmbledhje me tregime, 2019

– Virgjil Muçi me veprën “Piramida e shpirtrave”, 2018

– Musa Ramadani me romanin “Profeti nga Praga”, 2017

– Shkëlqim Çela me librin me novela “Embriologji”, 2016

– Rudolf Marku me romanin “Tre divorcet e zotit Viktor N.”, 2015