Presidenti i Universitetit Europian të Tiranës Prof. Assoc. Dr. Selami Xhepa thekson e rëndësisë të mësimit online por edhe afrimiteti me leximin tashmë është më i domosdoshëm, në veçanti gjstë situatës së krijuar në të gjithë botën si shkak i virusit Covid-19. Duke shtuar më tej Presidenti i UET shton se, gjendja e sotme e distancimit social në fakt nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka krijuar një ambient më të përshtatshëm për lexime, studime dhe reflektime nga të gjithë. Veçanërisht kjo duhet të jetë e dobishme për studentët.

Cilat janë arsyet përse studentët nuk duhet të ngadalësojnë studimet e tyre gjatë periudhës së izolimit?

Studimi në vetvete kërkon një qetësi, largësi apo distancim nga të tjerët, një mikromjedis të vetmisë ku njeriu mund të reflektojë mbi teorinë, të gjejë në to vetveten apo të shoh në mënyrë kritike veprshohinat që studjon. Në këtë kuptim, gjendja e sotme e distancimit social në fakt nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka krijuar një ambient më të përshtatshëm për lexime, studime dhe reflektime nga të gjithë. Veçanërisht kjo duhet të jetë e dobishme për studentët. Sigurisht që atyre ju mungon jeta sociale – të gjithëve na mungon – por nuk mund të ketë alternativë më të mirë në këto kohë se libri. Edhe ata që nuk kanë patur ndonjë marrëdhënie dashurie me librin, këto kohë i janë kthyer atij si një zbavitje. Eksperienca që po marr nga leksionet online këto kohë ka qenë impresionuese. Një pjesëmarrje e lartë, pyetje e komente nga studentët qe nuk e kam ndeshur dhe në auditor. Ndoshta ‘privatësia’ që krijon komunikimi virtual dhe bollëku i kohës që kanë në dispozicion, jan faktor pozitiv për këto mënyra të reja të mësimdhënies.

Akoma më tej, të mësuarit gjatë gjithë jetës janë një dimension me rëndësi i shkollimit në epokën e sotme, kur dija përparon me një shpejtësi të pandeshur më parë. Kjo do të thotë, se kjo mënyrë studimi i pavarur dhe me kontakte fizike më pak frekuente me auditorin, do të jenë një mënyrë e përhershme e përditësimit të dijeve nga studentët. Sa më mirë të përshtatemi që sot, aq më të pergatitur do jemi nesër. Prandaj gjykoj se kjo mënyrë e re e mësimdhënies thjesht krijon më shumë pavarësi për studentin, por jo më pak varësi nga dija dhe nevoja për të punuar me shumë dhe më fort në menyrë të pavarur.

Përse nuk është asnjëherë ‘shumë’ të investosh financiarisht në edukim dhe gjatë periudhave të krizave?

Dija pikërisht këtë qëllim ka: të minimizojë krizat, të përgatisë shoqërinë dhe individin për të përballuar këto gjendje të pazakonta. Në këtë kuptim, investimi në dije, në kerkim shkencor dhe krijim dijesh të reja merr një shtysë më shumë nga ngjarje të tilla. Thjesht mendoni se sa shumë investime po kryhen në këto kohë të vështirësive të mëdha financiare, në kërkimet shkencore, në laboratoret që merren me shëndetin. Prodhimi i dijes së re dhe njohja me dijen shkencore në fakt korrelohen pozitivisht me ngjarje të tilla krizash. Kjo është arsyeja që motivon shprehjen se “krizat janë federesuese të ideve të mëdha”. Në ekonomiks, ne nënvizojmë tek studenti tezën se bota është e mbushur me rrisqe dhe se studimi, njohja e tyre, janë mënyra më e mirë për t’u përshtatur me botën ku jetojmë. Mesa duket, teza që thotë mjeshtri shkencave te rriskut, Taleb, se ne nuk mund të ëndërrojmë të bëjmë një botë më pak të rriskueshme, por të mësojmë se si të bashkëjetojmë me rriskun, na bën ti shohim episode të tilla krizash si laboratorët e eksperimenteve prej ku mund të gjenerojmë dije te reja për ligjesitë e veprimit shoqëror.

Në kushtet e Pandemisë së shkaktuar nga Covid-19, a mund të themi se: Ekonomia vs. Jeta Njerëzore nuk është një dilemë morale?

Në gjykimin tim, ngjarje të tilla si kjo janë shkaqe të mjaftueshme për të krijuar një paradigmë të re shoqërore. Sigurisht që raporti i garantimit të jetesës, në emër të së cilës shoqëria pranoi vullnetarisht privacione të mëdha të lirisë individuale, dhe mbijetesa e ekonomisë, nga ana tjetër, janë shumë të ndërlidhura mes tyre. Në analizë të fundit, mbijetesa e individit nuk mund të kuptohet jashtë veprimtarisë ekonomike të shoqërisë. Individi është sa një qënie sociale, po aq dhe nje qënie ekonomike (homos economicus) dhe është e vështirë të vendosësh kufij mes tyre, pasi dhe dimensionin e tij social njeriu e materializon në shoqëri, në komunitetin ku punon dhe jeton.

Por dilema të mëdha do të shtrohen para shoqërise lidhur me sakrifikimin e lirive personale në emër të mbrojtjes së shëndetit të shoqërisë. Pra, a do të pranojmë që në emër të ruajtjes së shëndeti tonë si individ dhe të popullatës, ne të lejojmë mbikeqyrjen permanente tonën, deri edhe të anëve tona të panjohura? Siç e thonë dhe mendimtarët e shquar, kjo është një dilemë serioze pasi mund të transformojë natyrën e sistemit demokratik dhe të rrezikojmë me diktaturat. Këto janë dilema të mëdha te cilat do të përvijojnë dhe natyrën e shekullit të 21-të. Deri më sot, përgjatë gjithë historisë lëvizja ka qenë e orientuar drejt zgjerimit të lirisë së individit dhe tregu i ka shërbyer këtij motivi. Tani mbetet per t’u parë drejtimi që do të marrë shoqëria në shekullin e ri.

Studentët duhet të shohin këtu një motiv më shumë për të qenë pjesë e kësaj historie të re qe do të shkruhet. Prandaj ndjekja e këtyre debateve dhe dijeve që po prodhohen në gjithë shkencat këto kohë, është thelbësore pasi ato do të përvijojnë tiparet e shekullit në të cilën studentët e sotëm do të ndërtojnë jetën dhe të ardhmen e tyre.