Kristaq Xharo

Siguria paraqitet si një nga fushat me rritje më të shpejtë të interesit në kontekstin social, politik, ekonomik, ushtarak, ambiental, por dhe akademik. Siguri ndërkombëtare, kombëtare, humane, ekonomike, politike, mjedisore, shëndetësore, kibernetike e vazhdim për çdo fushë, përmendet ky termi. Motori Google e përmend këtë term rreth 2.5 milion herë në shqip dhe mbi 5 miliard herë në anglisht, aq sa vështirë se mund të krahasohet me një term tjetër. Me gjithë inflacionin e tej përdorur, në ndryshim është reflektimi ndaj konceptit dhe më pak ndaj trajtimit të tij si një fushë specifike, disiplinë shkencore dhe aplikim profesional.

Kohë më parë, Tomas Hobbes shkruante se”… pa siguri nuk ka vend për industri…për art, për letërsi, për shoqëri dhe çfarë është më e tmerrshmja …pa siguri reflektohet një ankth i pandërprerë, dhe rreziku i dhunshëm për jetën, vetmi, varfëri, mizërie, brutalitet dhe pamjaftueshmëri…” Siguria është substance e jetës njerëzore. Të jesh i sigurte është të jesh i pa shqetësuar nga rreziqet apo frika. Ekonomia dhe siguria vazhdojnë të dominojnë zhvillimin e shoqërisë në çdo kohë dhe në çdo sistem. Nga ky ndikim nuk ka “shpëtuar” as epoka jonë. Në vendet me nivel të qëndrueshëm ekonomik, siguria është kthyer në çështje primare, në vendet e tjera nevojat ekonomike ‘mbulojnë’ këtë kontekst me idenë e mbijetesës.

Mjafton të kujtojmë dy ngjarje të mëdha, brenda një kohe relativisht të shkurtër: tërmetet dhe pandeminë dhe ideja e sigurisë ngrihet mbi të gjithë nevojat e tjera të individit, të komunitetit apo të kombit. Dilema e parë e madhe që vjen për sigurinë është kapacitetet dhe aftësitë për të përballuar sfidat që e kërcënojnë dhe rrezikojnë atë. Siguria është një proces që shkon përtej momentit të rrezikut, tejkalon dukurinë e emergjencave dhe fokusohet në analizën dhe menaxhimin e rreziqeve permanente. Megjithëse siguria sot ka përmasat e një paradigmë, vlerësimi dhe trajtimi i saj, në mënyrë paradoksale, mbetet vetëm në nivelet e reflektimit ndaj pasojave të pasigurisë. Dhe kjo: së pari mungesa e një konceptimi të qartë, së dyti vështirësia për ta trajtuar si një fushë specifike e disiplinë shkencore dhe së treti nevoja e trajtimit si profesion?

Së pari, mungesa e një konceptimi të qartë. Ekzistojnë larmi përcaktimesh për konceptin e sigurisë, të cilat lidhen me periudhën dhe objektin e trajtimit. Dhe në jo pak raste, përcaktimet afrojnë edhe konfuzion, veçanërisht për idenë, strukturën dhe instrumentet e saj. Në konceptin tradicional (vestfalian), që mbizotëroi për më shumë se 300 vjet, deri në fundin e Luftës së Ftohtë (viti ’90), siguria konceptohej si mbrojtje e shtetit, territorit dhe sistemit politik të tij. Edhe instrumentet e sigurisë konfiguroheshin në trekëndëshin : forca të armatosura; shërbime inteligjente dhe instrumente diplomatikë.

Pas vitit ’90, siguria, si koncept, pësoi zhvillime në gjerësi dhe thellësi. Në gjerësi nuk flitet vetëm për mbrojtje sovraniteti, siguri publike dhe inteligjencë, por edhe siguri ekonomike, mjedisore, kibernetike, ushqimore, shëndetësore, fizike etj. Ndërsa, në thellësi siguria përfshiu jo vetëm dimensionin ndërkombëtar dhe kombëtar, por shkoi të siguria humane si baza e të gjitha formave të tjera të sigurisë. Mungesa e një koncepti të qartë çon në amulli, dhe në pamundësi për ta parë në mënyrë të integruar. Pra siguria nuk është vetëm mbrojtje (sovranitet territorial), siguri ekonomike, mjedisi, shëndeti, fizike, kibernetike e të tjera, por shuma e të gjithë këtyre. Askush veç e veç nuk mund të marrë monopolin e sigurisë, por vetëm fushën e vet. Mbetet e paqartë se kush i harmonizon fushat dhe instrumentet kapacitetet dhe aftësitë dhe mungesa ‘ombrellës’ duket se përbën një dilemë për vetë sigurinë.

Së dyti, a përbën siguria një disiplinë shkencore? Siguria është qartas një disiplinë shkencore që bashkon koncepte dhe parime, të cilat lëvizin drejt teorisë – duke u zhvilluar brenda një konteksti të strukturuar të njohurive. Një konvergjencë e tillë është fillimi i një disipline akademike në kuptimin klasik. Sidoqoftë, shkenca e sigurisë megjithëse ende në kohën e saj formuese, me një grup karakteristikash në zhvillim, tashëm në vendet e zhvilluara, trajtohet si disiplinë shkencore dhe me programe me cikël të plotë universitar.
Qartësisht, siguria si disiplinë shkencore nuk vjen në një tokë të zbrazët. Fusha të tjera si ajo e mbrojtjes (ushtarake) e mjedisit, mbrojtjes së shëndetit, kibernetike, e deri në ekonomike dhe të individit janë prezentë, por ende veprojnë si disiplina të pavarura edhe pse në kuptimin e objektit ato angazhohen në fusha specifike të sigurisë. Dilema qëndron se asnjë prej tyre nuk mund të marrë rolin e liderit apo menaxherit të sigurisë ku të integroj e harmonizoj disiplinat e tjera. Në këto kushte, disiplina e sigurisë shfaqet si nevojë dhe domosdoshmëri për të lidhur pjesët e për të formuar mozaikun, për ta bërë integralin që të funksionojë. Siguria si disiplinë nuk përplaset me disiplinat e tjera, por parimet e saj ndihmojnë në orientimin dhe organizimin më të mirë të këtyre disiplinave. Siguria mund të jetë jo vetëm si ombrellë, por edhe si lidhëse midis disiplinave të tjera. Menaxhimi i pasojave të tërmetit fillonte e zhvillohej si objekt i sigurisë dhe angazhimi i strukturave të tjera strukturat e emergjencave, forcat e armatosura, forcat e policisë, ekipet e mjekësore e të tjerë mund të gjenin orientimin fillestar vetëm nëpërmjet integralit të sigurisë. Edhe pandemia nuk është mund të jetë vetëm objekt i shëndetësisë, por edhe mjaft strukturave të tjera që kanë qendër burimore sigurinë.

Dhe së fundi a është siguria një profesion? Vlerësohet se në fushën e sigurisë në kushtet aktuale, punojnë rreth 50 mijë punonjës, me një hierarki që funksionon nga individë të thjeshtë, grupe e deri në strukturat më të larta. Në këtë numër punonjësish përfshihen si sektori publik ashtu edhe privat. Pyetja shtrohet a kanë këta punonjës në arkitekturën e sigurisë arsimim profesional? Përderisa sa nuk ka institucione akademike që zhvillojnë programe me cikël të plotë (3 vjeçar) në fushën e sigurisë vështirë që edhe shërbimi që kryen ky kontingjent i konsiderueshëm të quhet profesional. Veç e veç të gjithë e konsiderojnë veten profesionistë.
Çfarë e pengon sigurinë që të kapërcejë paradoksin e profesionit. Samuel Huntington në librin e tij famshëm ‘Soldier and State’ shprehet që një shërbim të konsiderohet profesion dhe njerëzit që angazhohen të quhen profesionistë nevojiten minimalisht katër kushte: së pari arsimimi universitar, e më pas kualifikim e trainim; së dyti pranimi nga shoqëria e shërbimit që afron ky profesion; së treti organizimi dhe pajisja e personelit në struktura specifike dhe me kode etike, që përcaktojnë norma të punës dhe të sjelljes dhe së katërti nevoja e shoqërisë për një shërbim të tillë dhe së bashku me ‘presionin’ e saj mbi qeverinë për ta njohur dhe pranuar juridikisht profesionin.
Në përfundim, përsa hodhëm më sipër, besojmë që është koha që siguria të konsiderohet një fushë profesionale, që ju përgjigjet sfidave jo vetëm për eliminimin e pasojave të rreziqeve, por për parashikimin, planifikimin dhe menaxhimin e profilaksisë së çështjeve të sigurisë. Përballimi i tërmeteve dhe i pandemisë, por edhe sfida të tjera në të ardhmen kanë nevojë për profesionistë të fushës, për të harmonizuar dhe menaxhuar strukturat dhe komunitetin. Këshilli i Sigurisë si institucioni më i lartë i shtetit, pa asnjë kompetencë, nuk është modeli më i mirë i menaxhimit të sigurisë.