Edhe pse në kushte të vështira dhe nën masa të rrepta sigurie për shkak të pandemisë, Universiteti Europian i Tiranës dhe stafi i tij zhvilluan në nisje të vitit akademik 2020-2021 ditët e këshillimit akademik dhe profesional për studentët të cilët do të bëhen pjesë e suksesit të tij.

Këshillimi akademik dhe profesional është një proces shumë i rëndësishëm për individin që në hapat e para drejt universitetit e deri pas diplomimit të tij.

Karriera profesionale nis që në bankat e Universitetit, prandaj dhe Universiteti Europian i Tiranës ua ka bërë këtë më të lehtë studentëve, duke u dhënë këshilla dhe mundësi plot.

Duke marrë modelet e universiteteve më me zë në botë të cilët kanë zyrat e posaçme, ku ofrohet shërbim konsulence falas për studentët për çdo problem që ata kanë gjatë frekuentimit të shkollës, por dhe ndjekja e tyre deri në daljen në tregun e punës, UET hap dyert e tij çdo fillim viti akademik dhe në mbyllje të tij.

Zv. Dekan i Fakultetit të Ekonomisë Biznesit dhe Zhvillimit në UET, si dhe Drejtues i Programeve Master, Dr. Sokol Ndoka thotë se këshillimi i karrierës është një proces i domosdoshëm, i cili e orienton dhe e ndihmon studentin që të zgjedhë një program Master që më pas do t’i krijojë mundësi reale punësimi.

“Universiteti Europian i Tiranës ofron 15 programe të Masterit Shkencor, 10 programe të Masterit Profesional dhe po përgatitet për hapjen e 5 programeve të Masterit Ekzekutiv. Secili prej këtyre programeve Master ofrohet sipas specifikave dhe kërkesave të tregut, duke iu krijuar kështu studentëve mundësi reale punësimi apo edhe vetëpunësimi”, thotë profesor Ndoka.

Sipas tij diploma Master është një tjetër hap nga diploma e Bachelor që, ndryshe nga doktoratura, është e përshtatur në mënyrë specifike me aktivitete të veçanta profesionale.

Sot që të kesh sukses në tregun e punës duhet të zgjedhësh dhe të studiosh programin e duhur master, i cili krijon një vlerë të shtuar dhe të bën konkurues në këtë treg kaq dinamik.

Nisur nga kjo këshillimi i karrierës merr një vlerë të veçantë duke e orientuar studentin të zgjedhë atë program master që i siguron atij një karrierë të suksesshme në tregun e punës.

Ky lloj proçesi tashmë është bërë traditë në UET dhe realizohet nëpërmjet këshilluesve të karrierës të çdo fakulteti gjatë periudhës së rekrutimeve në master.

Xhesi Shkreta është studente e Financë Kontabilitetit në UET. Ajo tregon se sa e ka ndihmuar masteri në lidhje me një intership që është duke zhvilluar.

“Momentalisht po kryej një internship pranë një zyre kontabiliteti në Tiranë. Më ka ndihmuar masteri, pasi po marr njohuri lidhur me punën që do kryej në të ardhmen”, thotë Xhesi.

Sipas saj në intershipe, apo punë të tilla kushti parësor është Master me profil Kontabilitetin.

“Në këto intershipe apo punë të tilla, kushti parësor është masteri me profil në kontabilitet. Prandaj më ka shërbyer shumë fakti që kam zgjedhur një profil të tillë për punën që dua të bëj”, shprehet ajo më tej.

Xhesi Shkreta

Irisa Aliaj është studente e UET, e cila nëpërmjet programit “PoSIG” tashmë ndodhet në Austri, ku është duke zhvilluar vitin e parë master. Ajo rrëfen mënyrën se si u bë pjesë e UET dhe përse zgjodhi degën Marrëdhënie Ndërkombëtare, duke folur me entuziazëm për rrugën e re që ka ndërmarrë.

“Kur u paraqita për herë të parë në UET gjatë ditëve pritëse për studentët e rinj, mora një këshillim të detajuar nga personat përgjegjës. Duke qënë se vija nga një universitet shtetëror ku kisha perfunduar studime të mëparshme 5-vjeçare, kisha pak informacion rreth privatit. Dëshira ime për të filluar një degë të re studimesh ishte shumë e madhe. Gjithmonë më kishte nxitur kureshtjen njohja e politikës dhe historisë së shteteve dhe marrëdhënieve midis tyre, mangësi të cilat i shihja tek vetja në biseda mes grupesh. Konsulenca me një nga pedagogët e degës Marrëdhënie Ndërkombëtare më dha një ‘klik’ të menjëhershëm në mendje dhe vetëm ideja që do studioja në këtë degë më gëzoi tepër. Gjatë tre viteve Bachelor në UET kam gjetur mbështetje nga stafi i pedagogëve dhe jo vetëm, këshillim të vazhdueshëm dhe një jetë universitare tepër dinamike të mbushur me aktivitete formuese. Sot ndodhem në Austri, ku kam filluar vitin e parë master dhe kjo falë partneritetit të shkëlqyer që UET ka me Universitetin e Salzburgut dhe po ashtu dijeve të marra nga UET në këto tre vite.”, na tregon studentja e UET, e cila thotë se do të kthehet sërish këtu për vitin e dytë të masterit.

Irisa Aliaj

Ajo ç’ka është karakteristikë e UET, mbetet rëndësia e madhe që i jepet studentit dhe mikëpritja që në bangat e gjimnazit, mandej në universitet dhe pas tij, drejt tregut të punës.

Që prej bangave të gjimnazit nxënësit të cilët janë në prag të marrjes së vendimit për arsimimin e tyre marrin një orientim dhe kjo ndodh në kuadër të javës së këshillimit të karrierës dhe përfshin të gjithë maturantët e shkollave publike dhe private në Shqipëri.

Ekipi përgjegjës për zhvillimin e këtyre takimeve përbëhet nga stafi akademik si edhe zyra e pranimeve, të cilët periodikisht zhvillojnë këtë proces të rëndësishëm në bazë të një plani paraprak veprimi.

Arsa Lekaj është studente e vitit të dytë e Komunikimit, por e profilizuar në Gazetari. Ajo tregon se si që në momentin që ka shprehur interesin për gazetarinë, personat përgjegjës të këshillimit të karrierës në UET i kanë rrëfyer se si gazetaria mund të ndërthuret me degët e tjera.

“Sistemi i UET për këshillimin e karrierës dhe ndihmesa që jep në orientimin e studenteve potenciale drejt degëve më të pershtatshme më duket shumë efikase. Në momentin kur une kam shprehur interes për degen e Gazetarisë, gocat tek zyra e pranimit me treguan të gjitha opsionet e ndërthurjes së gazetarisë me degë të tjera dhe në këtë mënyrë arrita të zgjidhja atë që m’u duk më e përshtatshme për mua”, u shpreh studentja e apasionuar pas gazetarisë, të cilës që prej vitit të parë në universitet i është dhënë mundësi që bazat praktike të profesionit t’i marrë që në bangat e shkollës.

“Unë mendoj se ndërthurja mes këtyre dy degëve do të më sherbejë që të arrij të punësohem jo vetëm në fushën e gazetarisë, por gjithashtu dhe në fushen e PR apo burimeve njerëzore nëpërmjet aftësive të komunikimit, duke më bërë një gazetare të ardhshme më të plotesuar”, shprehet ajo.


Arsa Lekaj

Elda Canaj është një tjetër studente e Gazetarisë, e cila thotë se është bërë pjesë e UET pasi përveç teorive në universitet janë krijuar të gjitha mundësitë për të zhvilluar praktika apo intershipe të ndryshme që do t’i përgjatisin për tregun e punës.

“Përpos teorisë, praktika është shumë e rëndësishme për ne pasi ajo u mëson se si t’i aplikojnë dijet dhe aftësitë e tyre vetjake. UET na e jep këtë mundësi me intershipet e shumta që zhvillojmë brenda dhe jashtë shkollës”, thotë Elda, duke theksuar se kjo ishte një nga arsyet e cila e nxiti të vazhdonte rrugëtimin e saj në UET.

Ajo shprehet se ndjekja e një dege të tillë do ta ndihmojë që të arrije ato ideale dhe objektiva që i ka vendosur vetes.


Elda Canaj

Mirëpo e gjitha nuk mbaron këtu, pasi studentët kanë nevojë për këshillim edhe pse e kanë zgjedhur tashmë programin e studimit. Vështirësitë janë të ndryshme, dhe shumë prej tyre nuk arrijnë dot të përballen me presionin apo intensitetin që vetë studimet e larta.

Duke u nisur nga kjo UET zhvillon edhe seancat orientuese për studentët e vitit të parë Bachelor dhe Master.

(1) Comment

  • www.xmc.pl Saturday November 21st, 2020 @ 06:53 PM

    Great post, where can I find out more about this?

    http://www.xmc.pl

Leave a Reply

Your email address will not be published.