Neurologu amerikan, John C. Witt, në një Leksion të Hapur: Tre karakteristikat thelbësore të një mjeku

Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike në Universitetin Europian të Tiranës kishte të ftuar në një Leksion të Hapur mjekun neurolog amerikan, John Curtis Witt. Nën asistimin e dekanes së këtij fakulteti, prof. asoc. dr. Voltisa Gjergji, profesori foli për eksperiencën e edukimit të mjekëve në Amerikë, kohëzgjatjen dhe kriteret që duhet të plotësojnë, duke sjellë eksperiencën e tij të edukimit dhe rritjes profesionale ndër vite, por edhe karakteristika që duhet të ketë një mjek apo një profesionist në fushën e kujdesit shëndetësor.
Me një përvojë mbi 30-vjeçare në fushën e mjekësisë, doktor John C. Witt aktualisht ushtron profesionin në Qendrën Mjekësore TriStar Skyline në Nashville, Tennessee, ku është Drejtor Mjekësor për Qendrën Gjithëpërfshirëse të Goditjes në Tru. Po ashtu, ai është profesor asistent klinik në Universitetin Belmont, duke ia dedikuar një pjesë të madhe të kohës edukimit të mjekëve të rinj, specializantëve apo studentëve të fushës së mjekësisë.
“Gjithmonë do të ketë dallime kulturore dhe ekonomike në mënyrën se si vendet krijojnë sistemet e edukimit mjekësor. Por të gjithë mund të mësojmë diçka nga njëri-tjetri”, nënvizoi mjeku. Ai tha se edukimi mjekësor është një proces kompleks, që ndryshon vazhdimisht dhe përgatitja e këtyre profesionistëve kërkon shumë përpjekje nga edukatorët, duke marrë parasysh disa variabla.
“Ju keni zgjedhur një profesion të mrekullueshëm dhe keni një rrugë të gjatë përpara jush, por ia vlen përpjekja”, iu drejtua ai studentëve, duke theksuar se qëllimi i edukimit është që studentët e mirë të bëhen mjekë të mirë përmes proceseve dhe një qëllimi të qartë.
Më tej doktori tha se tre janë karakteristikat që duhet të ketë një mjek, pavarësisht vendit ku punon, fushës së specializimit apo pozicionit që ka. Ai duhet të ketë aftësi profesionale, karakter dhe aftësi përkujdesjeje. “Në edukimin mjekësor ne këtë e quajmë synimi i trefishtë.”
Neurologu tha se kompetenca në fushën e kujdesit shëndetësor ka të bëjë me atë që quhet Competency-Based Medical Education (CBME), një qasje e bazuar në rezultate, e cila synon të sigurohet që të gjithë nxënësit të arrijnë rezultatet e dëshiruara të përqendruara te pacienti gjatë trajnimit të tyre. “Qëllimi nuk është vetëm të frekuentosh shkollën, universitetin, por a ke arritur të përvetësosh këto objektiva specifike, pavarësisht kohës që mund t’i duhet secilit student.”
Doktori tha se në rastin e formimit të neurologut janë 27 hapa, apo gurë kilometrikë, për të fituar kompetencat e duhura dhe për të marrë titullin. Duke folur për karakteristikën e dytë, karakterin, ai e vuri theksin te përsosja morale, integriteti dhe ndershmëria. Sipas tij, pacientët i duan ata profesionistë që kanë karakter dhe që kujdesen për ta, janë empatikë, kanë dhembshuri, nuk janë indiferent ndaj dhimbjes dhe vuajtjes së tyre.
Një tjetër pikë ku neurologu u ndal ishin sfidat që ka kujdesi dhe sistemi amerikan shëndetësor, siç është kostoja e lartë e shkollimit, diplomimi me një sërë borxhesh financiare, përjetimi i niveleve të larta të stresit, presioni akademik, preferenca për të jetuar në qytetet e mëdha duke lënë pa shërbime zonat më periferike e duke mos ofruar shërbim për pakicat racore. Çështje tjetër që shihet si problematike nga studentët janë vitet e gjata të studimit, duke zhvlerësuar kështu kohën dhe përkujdesjen për miqtë dhe familjen.
Duke folur për eksperiencën e vet, si neurolog dhe ekspert në fushën e mjekësisë, Dr. John C. Witt tha se profesionistët e kujdesit shëndetësor janë të vlerësuar financiarisht, por ai ka zgjedhur që të punojë në një kohë të caktuar, të sigurojë më pak të ardhura, të jetojë në një shtëpi të vogël, për të mos privuar familjen dhe veten nga koha e kaluar së bashku.
Një tjetër sfidë për profesionistët e kujdesit shëndetësor është edhe lodhja e tepërt, e quajtur ndryshe burnout. Kjo është një gjendje patologjike që zhvillohet si përgjigje ndaj stresit të stërzgjatur në punë, e cila shprehet përmes lodhjes emocionale, depersonalizimit, jo efikasitetit dhe mungesës së arritjeve personale.
Doktori foli më tej për teorinë e vetë përkufizimit, e përbërë nga katër fusha: Autonomia; Përkatësia brenda grupit; Aftësia dhe të ndjerit kompetentë; Gjetja e kuptimit në atë që bën.
“Njerëzve iu pëlqen të kuptojnë se janë ata që po marrin vendimet e tyre, që vlerat e tyre janë të rëndësishme. Si supervizor nuk iu them se çfarë dua unë që të bëjnë, por se çfarë duan ata të bëjnë me pacientët. Duhet ta lëmë studentin të marrë në dorë pacientin.”
Gjatë bashkëbisedimit me studentët, neurologu ndau eksperiencën personale me burnout gjatë punë së tij, ku theksoi se çdo person e përjeton por edhe tejkalon në mënyra të ndryshme. Sipas tij është e rëndësishme që të kesh njerëz bashkëpunëtorë e mbështetës, që të mundësojnë marrjen e një pushimi të shkurtër për të rigjeneruar forcat që të duhen.
“Shpresoj që ju ta shijoni eksperiencën në edukimin shëndetësor. Shpresoj që të mos mësoni vetëm aftësi, por edhe mirëqenien shpirtërore dhe si ta përfshini karakterin dhe aftësitë e përkujdesjes gjatë punës suaj”, ishte këshilla e fundit e doktorit për studentët e programeve të Infermierisë, Imazherisë dhe Fizioterapisë në Universitetin Europian të Tiranës.