Ndërkombëtarizimi në UET: Hapat drejt cilësisë dhe standardeve perëndimore
Ndërkombëtarizimi në UET: Hapat drejt cilësisë dhe standardeve perëndimore
Universiteti Europian i Tiranës, po i kushton vëmendje të veçantë ndërkombëtarizimit, me synimin që të jetë një lider në sistemin universitar shqiptar duke ofruar një cilësi të lartë në bazë të standardeve ndërkombëtare.
Globalizimi ka ndikuar në shumë sektorë të ndryshëm të shoqërisë, përfshirë këtu edhe arsimin e lartë në të cilin mobiliteti i ideve dhe i njerëzve është rritur ndjeshëm. Në të gjithë botën, universitetet iu përgjigjen sfidave të paraqitura nga globalizimi në mënyra të ndryshme. Një përgjigje, është ndërkombëtarizimi i kampuseve universitare. Në mënyrë që të përfitojnë nga trendi global, shumë institucione arsimore po përpiqen shumë për të vendosur marrëveshje dhe bashkëpunime me universitetet rajonale, ndërkombëtare dhe madje edhe interkontinentale.
Ky proces tashmë konsiderohet si një mjet për të përmirësuar cilësinë e edukimit. Përkthimi dhe përvetësimi i njohurive, mobilizimi i talenteve në mbështetje të hulumtimi global dhe përmirësimi i kurrikulave mësimore me përmbajtje ndërkombëtare janë vetëm disa nga përfitimet e ndërkombëtarizimit. Universitetet perëndimore po krijojnë rrjete dhe shoqata të fuqishme ndërkombëtare me qëllim që të vënë në lëvizje zotësinë dhe aftësinë, në favor të transferimit të njohurive, politikave të avancuara dhe kërkimit global për të siguruar rritjen e investimeve dhe ndikimit.
Universiteti Europian i Tiranës, si një universitet i cili synon të ofrojë për studentët një edukim cilësor ka ndërkombëtarizimin një ndër prioritetet e tij. Në vite, UET ka ndërtuar ura bashkëpunimi me shumë universitete perëndimore si dhe është bërë pjesë me sukses e projekteve zhvilluese akademike e shkencore në kuadrin e projekteve ndërkombëtare të arsimit të lartë. UET i ka kushtuar vëmendje këtij procesi, me qëllim përmirësimin e programeve të studimit dhe procesit akademik konform standardeve perëndimore, si dhe zhvillimit të stafit dhe kërkimit shkencor.
Ky universitet synon të bëhet një qendër e rëndësishme kombëtare dhe rajonale sa i takon bashkëpunimit universitar, shkëmbimeve me karakter kërkimor shkencor dhe debatin e ideve që promovojnë vlerat akademike dhe ato të qytetarisë europiane. Objektiv është përfshirja në sa më shumë projekte zhvilluese akademike e shkencore në kuadrin e projekteve europiane të arsimit të lartë, projekte që mbi të gjitha targetojnë zhvillimin e stafit akademik, mobilitetin e pedagogëve dhe studentëve, aplikimin e standardeve europiane të cilësisë, organizimin e konferencave shkencore të përbashkëta, përkthime e botime akademike e pedagogjike nga autorë të njohur ndërkombëtarisht, pajisjen e mjediseve mësimore dhe laboratorëve etj.
UET ka arritur një bashkëpunim të frytshëm me universitete partnere prestigjioze, si Stockholm Business School në Suedi, Lappeenranta University of Technology në Finlandë, The Hague University of Applied Sciences në Holandë, Humboldt University dhe Hochschule Ludëigshafen në Gjermani, NOVA University of Lisbon në Portugali, Universiteti i Salzburgut në Austri, Universiteti i Bolonjës dhe Universiteti La Sapienza i Romës në Itali, Universiteti Etvos Lorand në Hungari etj.
Një aspekt i rëndësishëm i ndërkombëtarizimit prej të cilit kanë përfituar një numër i madh studentësh dhe stafi, është programi i shkëmbimit Erasmus+. UET është pjesë e skemës Erasmus+ që prej lançimit të saj nga Komisioni Europian në 2014 dhe që prej atëherë ka përfituar një sërë projektesh për shkëmbimin e stafit dhe studentëve, si edhe për ngritjen e kapaciteteve në universitete. Mbi 150 studentë të UET kanë kryer më shumë se një semestër studimi në universitetet më prestigjioze europiane. Ndërkohë, në kuadër të kësaj skeme, universitetet shqiptare duhet në parim të ofrojnë dhe kushtet e nevojshme për të pritur studentë të huaj. Këtij aspekti UET i ka kushtuar një vëmendje të veçantë duke dashur të jetë një universitet novator dhe tërheqës sa i takon përthithjes së stafit e studentëve të huaj. Mbi 20 studentë të huaj nga universitete partnere kanë kryer më shumë se një semestër studimi në UET në gjuhën angleze.
Në kuadër të ndërkombëtarizimit, një nga synimet është ofrimi i diplomave të përbashkëta me universitete prestigjioze europiane, me të cilat është ndërtuar partneritet në kuadrin e programeve të përbashkëta të studimit. Tashmë në UET mund të ndjekësh një master që ofron një diplomë të përbashkët me universitetet europiane, masterin PoSIG. Universiteti Europian i Tiranës, ofron mundësinë e ndjekjes së një masteri të përbashkët mes universiteteve të Bashkimit Europian dhe atyre të Ballkanit Perëndimor me fokus në shkenca politike. Masteri i përbashkët në Shkenca Politike – Integrimi dhe Qeverisja (#PoSIG), është një program 2-vjeçar pasuniversitar sipas standardeve europiane. Qëllimi i PoSIG nuk është të ofrojë thjesht një tjetër diplomë master në shkenca politike, por të ofrojë për studentët dhe profesionistët e rinj një mundësi për t’u arsimuar në dy nga prioritet e rajonit, integrimit dhe të mirëqeverisjes.
PoSIG ofron 120 kredite dhe pesë module, nga të cilat studentët do të duhet të zgjedhin dy për të ndjekur fushën e tyre të specializimit. Modulet që mund të zgjedhin studentët janë: Teori Politike, Politika të Krahasuara, Marrëdhënie Ndërkombëtare, Integrimi Europian, Administrimi dhe Politikat Publike. Masteri i përbashkët është ndërtuar nga një konsortium universitetesh të cilët janë lider në shkenca politike në rajon si Universiteti i Salzburgut, Universiteti i Ljubljanës dhe Universiteti i Pavias. Ndërkohë pjesëmarrëse janë edhe universitetet kryesore në rajonin tonë si: Universiteti i Shkupit, Universiteti i Sarajevës dhe Shkolla britanike e Sarajevës për Shkencë dhe Teknologji (SSST), Universiteti i Biznesit dhe Teknologjisë dhe Kolegji Fama në Kosovë.
Në Shqipëri, projekti sjell së bashku për herë të parë dy departamentet kryesore të shkencave politike, atë të Universitetit Europian të Tiranës dhe të Fakultetit të Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës. PoSIG është result i projektit EuroPS të programit Erasmus+ të Komisionit Europian, projekt për të cilin universitetet e sipërpërmendura kanë punuar prej vitit 2013. Ky projekt ka sjellë mundësi mobiliteti e trajnimi edhe për pedagogët e UET, të cilët do të japin mësim në këtë master. Ata janë trajnuar në Salzburg, Lubjanë dhe Pavia.
Viti i parë i studimeve bëhet në një nga universitetet pjesëmarrëse të Bashkimit Europian dhe viti i dytë i masterit mund të bëhet në Shqipëri ose në një nga universitetet pjesëmarrëse të Ballkanit Perëndimor, pasi mobiliteti ndërkombëtar është një pjesë e rëndësishme e këtij Masteri. Studentët e këtij programi duhet të zhvillojnë studimet e tyre të paktën në dy, dhe më së shumti në katër partnerë të Euro-PS. Në vitin e parë, studenti zgjedh një ose dy partnerë EuroPS në Salzburg, Lubjanë ose Pavia dhe një ose dy partnerë EuroPS në Sarajevë, Tiranë, Shkup ose Prishtinë në vitin e dytë akademik. Ky është master i parë në Shqipëri që ofron diplomë të dyfishtë, një diplomë e integruar. Diploma është e vlefshme dhe në Shqipëri dhe në Bashkimin Europian. PoSIG i është nënshtruar një procesi rigoroz të vlerësimit nga një ekip ndërkombëtar ekspertësh të arsimit të lartë, studiuesve dhe pedagogëve të shkencave politike, Komisionit Europian si edhe AQ Austria ku në përfundim PoSIG është i akredituar sipas standardeve europiane të studimeve në nivel master.
Fushat tipike profesionale të të diplomuarve të Programit të Përbashkët Master në Shkencat Politike – Integrimi dhe Qeverisja janë: punësim në nivel lokal dhe kombëtar në administratën publike, parlamentet dhe partitë politike, organizatat joqeveritare, grupet e interesit dhe sindikatat, sektorin e biznesit, mediat dhe marrëdhëniet me publikun; punësim në organizata ndërkombëtare, shërbime të huaja (karrierë në diplomaci), në institucionet e Bashkimit Evropian dhe në organizatat jofitimprurëse dhe fitimprurëse ndërkombëtare, agjencitë zhvillimore dhe OJQ-të; punësimi në fushën e edukimit qytetar dhe politik (fondacione, akademi, institute arsimore, etj.); karrierë akademike (mësimdhënie dhe kërkime në universitete dhe institucione kërkimore).
Arsyet përse një student shqiptar duhet të zgjedhë këtë master janë të shumta. Ata kanë mundësinë të thellojnë studimet e tyre me një master që fokusohet jo thjesht në shkenca politike, por edhe në proceset e integrimit dhe mirëqeverisjes që janë thelbësore për Shqipërinë. Duke ndjekur këtë master, studentët shqiptarë përfitojnë një diplomë europiane, me vlerë të shtuar në tregun e punës, që ndërthur përvojat më të mira të universiteteve të Bashkimit Europian me ato të Ballkanit Perëndimor. Ndërkohë që mobiliteti ndërkombëtar është një tjetër faktor i rëndësishëm. Diploma dhe i gjithë programi PoSIG është në anglisht dhe realizohet në vende të ndryshme të Europës, çka iu krijon mundësi studentëve shqiptarë për zhvillimin e aftësive dhe kompetencave të tyre, për njohjen e kulturave të reja, për të mësuar nga pedagogë ndërkombëtar e për të krijuar rrjet me student nga e gjithë bota. Kurrikula e PoSIG i përgjigjet më së miri edhe kërkesave të tregut të punës për të diplomuarit në shkenca politike, si dhe ofron mundësi praktike pune. PoSIG është i përshtatshëm si për studentët që duan të ndjekin rrugën akademike edhe për ata që synojnë më tepër zbatimin praktik të shkencave politike.
Aldo Baxhaku: Eksperienca si një nga studentët e parë të UET në masterin PoSIG
Aldo Baxhaku është një nga ata studentë që ka patur mundësinë të ndjekë masterin shkencor PoSIG.
Ai tregon se si përfitoi të drejtën e studimit në këtë master.
“UET është pjesë e konsorciumit të universiteteve që ofrojnë masterin PoSIG dhe këtu u njoha me këtë mundësi. Kur u shpallën aplikimet për këtë program studimi, i cili konsiston në një bursë të plotë për studentët fitues, aplikova dhe solla të gjithë dokumentacionin e duhur. Aplikimi bëhet online dhe anglisht. Pas fazës së parë, faza e dytë ishte intervista me koordinatorin e projektit, në universitetin e Salzburg dhe pas kalimit me sukses të saj më njoftuan se kisha fituar të drejtën e studimit”.
Vitin e parë të studimeve master ai e ndoqi në Universitetin e Salzburgut, Austri. Ky master kërkon që studentët të zgjedhin dy nga pesë modulet e ofruara, për të ndjekur fushën e tyre të specializimit. Aldo ka zgjedhur Teori Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare. Më pas, programi kërkon që studentët të vijojnë studimet e tyre në vit të dytë në Shqipëri ose në një nga universitetet e tjera pjesëmarrëse të Ballkanit Perëndimor dhe Aldo ka zgjedhur UET.
“Vitin e parë kam studiuar në Universitetin e Salzburgut. Në UET kam zgjedhur të studioj vitin e dytë, meqenëse kisha kryer një vit studimi në këtu më parë. Eksperienca është shumë e veçantë. Fillon përjeton një situatë të re të jetës studentore. Për mua ishte hera e parë që studioja jashtë. Ua kam rekomanduar dhe të tjerëve një master të tillë sepse është një eksperiencë shumë pozitive. Përpos një lloj kurrikule të re, metode të re mësimdhënieje, përfiton dhe nga ana kulturore shumë. Atje flitet vetëm anglisht sepse ka shumë student Erasmus. Rrjeti Erasmus është shumë i gjerë. Ia vlen të krijosh eksperienca të reja, zgjeron horizontin, bëhesh më pranues ndaj gjërave të tjera. Gjë që në Shqipëri është pak më e vështirë”, shprehet Aldo.
Perspektivën për të ardhmen e ka të qartë dhe tregon se po punon fort për të arritur objektivat e tij.
“Një nga objektivat që unë kam pasur që nga fillimi është bota akademike. Më pëlqen të punoj në universitet dhe për këtë po punoj fort. Por jam i ndërgjegjshëm se kjo kërkon kohën e vetë. Për momentin jam duke u angazhuar në sektorë të degës sime. Të fushës së politikës. Qoftë gazetari, qoftë shkrime, qoftë zhvillimi i aspektit akademik pasi rruga e akademisë nuk përfundon kurrë. Ky zhvillim do të vazhdojë me kalimin e kohës, ndoshta dhe jashtë shtetit, nuk e përjashtoj si mundësi”.