Master Class në UET/ Tobias Rüttershoff: Çfarë do të ndodhë me BE dhe Gjermaninë pas zgjedhjeve të fundit
“Raportet Berlin-BE pas zgjedhjeve të fundit në Gjermani” ishin në fokus të Master Class-it në UET, nën leximin dhe interpretimin e Dr. Tobias Rüttershoff, drejtues i fondacionit “Konrad Adenauer“ në Tiranë
Në episodin e radhës të Master Class në UET ishte i ftuar Drejtuesi i zyrës në Tiranë të Fondacionit gjerman “Konrad Adenauer“, Dr. Tobias Rüttershoff. Prej vitit 2019 ai drejton zyrën që mban emrin e kancelarit Konrad Adenauer, i cili njihet si themeluesi i Republikës Federale të Gjermanisë. Ky fondacion punon në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, përmes edukimit politik për paqe, liri dhe drejtësi. Para se të bënte një panoramim të organizimit politik në Gjermani dhe një lexim të zgjedhjeve të fundit parlamentare, Tobias Rüttershoff bëri një prezantim të shkurtër të formimit të tij. Ai ka studiuar për shkenca politike dhe më tej marrëdhënie ndërkombëtare në Sheffield. Studimet doktorale i ka orientuar drejt politikave amerikane të sigurisë në Universitetin Exeter, në Britaninë e Madhe. Para se të vinte në Tiranë në krye të fondacionit, ka qenë Këshilltar për Evropën Qendrore e Lindore në ekipin Evropë/Amerikë e Veriut.
Gjermania është një shtet federal, ku federata dhe landet ndajnë pushtetin politik dhe nxjerrin së bashku ligjet, ndërsa kontrollohen nga Gjykata Kushtetuese. Gjithsej janë 16 lande, të cilët funksionojnë si shtete më vete, pra kanë parlamentin dhe ligjvënësit e tyre. Rüttershoff tregoi se Presidenti i Gjermanisë ka një rol ceremonial. “Ne kemi presidentin si kryetar shteti, që është kryesisht një rol ceremonial. Ai, mendoj, vlerëson se ka pak më shumë fuqi se sa ka. Por ai bën disa role të rëndësishme, për shembull, vendosja e vetos ndaj ligjeve”. Më tej ai sqaroi, se shteti federal ka Bundestagun me përfaqësues të zgjedhur nga populli dhe Këshillin federal, me përfaqësues të zgjedhur nga ligjëvënësit ose qeveritë e landeve. Gjermania ka një sistem proporcional, ku votohet edhe për kandidatin, edhe për partinë, duke nxjerrë një numër të madh të zgjedhurish. “Ne kemi Parlamentin e dytë më të madh tani pas Kinës”, tha Tobias Rüttershoff.
Pas 16 vitesh dhe 4 fitoresh nga Angela Merkel, në zgjedhjet e 26 shtatorit gjermanët votuan për zëvendësuesin e saj. Partia e Merkel, CDU/CSU, u rendit e dyta me 24,1%, ndëra kryesuan socialdemokratët, me 25,7%. Tre partitë, socialdemokratët (SPD), Të Gjelbërit dhe liberalët e FDP-së, pas konsultimeve të tyre kanë deklaruar se deri për Krishtëlindje do të kenë formuar qeverinë, ndërsa pretendent për kancelar është Olaf Scholz.
“Mendoj se edhe për këto parti që kanë më shumë gjasa të jenë në qeveri, fokusi kryesor është te besimi dhe stabiliteti i Gjermanisë brenda Bashkimit Evropian. Pra, të treja partitë janë pro evropiane, përveç FDP-së, që kanë ndonjë problem me Evropën për arsye të dukshme, siç ka qenë me financimin e Greqisë apo me shpëtimin e saj. Por në përgjithësi, fokusi është i qartë në këtë angazhim ndaj BE-së. Brenda Gjermanisë, brenda partive, por edhe në mënyrë të dukshme në nivel evropian, ka diskutime sesi duhen bërë disa gjëra në lidhje me ndryshimet klimatike, migrimin etj. A duhet t’i lëmë disa njerëz të hyjnë? A duhet të mbështesim Poloninë, në ndërtimin e një muri apo në ndërtimin e një kufiri? Kjo është një çështje e madhe për momentin”, u shpreh ai.
Në ldihje me pretendentin kryesor për të qenë kancelar i Gjermanisë, Dr. Tobias Rüttershoff tha se Olaf Schultz do të ketë qasje të ngjashme në shumë aspekte të ndryshme, si paraardhësja e tij, Angela Merkel.
“Gjëja e rëndësishme është se në Gjermani, kancelarja ka fuqinë e politikëbërjes. Pra, mund të keni ministrat nga partitë e ndryshme, por do të jetë Olaf Schultz ai që do të vendosë politikën për Gjermaninë dhe gjithashtu në nivel evropian. Mendoj, se pavarësisht se është nga socialdemokratët, ai do të ketë një qasje të ngjashme me Merkelin në shumë aspekte, duke vendosur udhëzime të qëndrueshme për politikën e jashtme gjermane”, deklaroi më tej drejtuesi i zyrës në Tiranë të Fondacionit gjerman “Konrad Adenauer“.
Parashikimi i tij ishte mjaft optimist sa i përket qëndrimit të Gjermanisë ndaj Ballkanit Perëndimor. Kujtojmë që Merkel ka luajtur një rol të rëndësishëm në afrimin e këtij rajoni drejt BE-së, duke shprehur mbështetjen e vazhdueshme, madje detyrën e saj si kancelare e përmbylli me një tur në Ballkan.
“Do të ketë një angazhim të fortë për Ballkanin Perëndimor dhe për Shqipërinë. Edhe pse një proces i iniciuar nga Merkel, besoj se do të ketë mbështetje të vazhdueshme për ta shtyrë drejt integrimit. Ju e dini që për momentin procesi është i bllokuar nga Bullgaria, por besoj se të gjithë të tjerët në Evropë do të ishin dakord për të hapur bisedimet”, u shpreh Rüttershoff, i cili iu përgjigj pyetjeve të të pranishmëve për çështje të ndryshme që prekin jo vetëm Gjermaninë, por edhe BE-në e rajonin, të tilla, si: lëvizjet populiste në Evropë, qëndrimi ndaj NATO-s, apo për mënyrën sesi do të zgjidhen fërkimët që ka pasur së fundi Gjermania me unionin.