Leksion i Hapur me studentët e Arteve Skenike për Eugene O’Neill, babanë e dramës moderne amerikane

“Dua të jem artist ose asgjë.”
Krijimtaria, Eugene O’Neill dhe impakti që pati në dramaturgjinë amerikane e atë botërore ishin në qendër të një Leksioni të Hapur që u zhvillua në Universitetin Europian të Tiranës. Në një bashkëbisedim me profesorin Dritan Boriçi dhe studentët e Arteve Skenike të UET, ishte prof. Miltiadh Kutali, pedagog dhe dekan i Arteve Skenike në Universitetin e Arteve.
Që në hyrje të leksionit, pedagogu i UET Dritan Boriçi theksoi se ky leksion dëshmon për bashkëpunimin mes dy institucioneve, duke e cilësuar Universitetin e Arteve si “maternitetin” e madh të aktorëve dhe regjisorëve. Ndërkaq, prof. Kutali tha se ka një bashkëpunim të hershëm me UET, por që prej marrjes së detyrës së dekanit ka firmosur marrëveshje bashkëpunimi mes dy institucioneve. “Jemi dy institucione që vihen në shërbim të gjeneratës së re që aspiron në art.” Ai shtoi se nëse mungon afrimiteti e fryma e bashkëpunimit mes shkollave, atëherë nuk arrihet qëllimi final për përgatitjen e artistëve. “Nga përvoja mbi 35-vjeçare si mësimdhënës, dy gjëra më kanë shoqëruar në jetë, nuk di sa jap dhe sa fitoj nga studentët”, rrëfeu ai.
Përmasat e figurës së Eugene O’Neill (1888 – 1953), u sollën në auditor që studentët të njiheshin me atë që cilësohet si babai i dramaturgjisë moderne amerikane, i pari dramaturg amerikan që ka marrë Çmimin Nobel në 1936, i vlerësuar “për fuqinë, ndershmërinë dhe emocionet e thella të veprave të tij dramatike, të cilat mishërojnë një koncept origjinal të tragjedisë”. Po ashtu, ai ka fituar katër herë Çmimin Pulitzer, tre herë sa ishte gjallë me dramat: “Beyond the Horizon” (1920), “Anna Christie” (1921), “Strange Interlude” (1928). Pas vdekjes, në 1957 e fitoi sërish me dramën “Long Day’s Journey Into Night”.
Duke e cilësuar një nga dashuritë e tij, prof. Miltiadh Kutali tha se njohjen me dramaturgun me origjinë irlandeze e hasi gjatë studimeve në akademi. Drama “Peshkatari” kishte ardhur në shqip më herët dhe ishte punuar nga regjisorja Drita Agolli. “Unë vendosa ta sjell pas ngacmimit të profesorit të “Teoritë e dramës”, Kudret Velça.” Iu fut kërkimit dhe e gjeti në bibliotekën e Institutit të Historisë dhe Gjuhësisë, në një revistë të titulluar “Frymë”, përkthyer në 1944 në gegnisht nga vëllezërit Arshi dhe Myzafer Pipa.
Në 1998, kur ende arti ishte nën ndikimin artit të realizmit socialist, profesori tregoi se kishte kufizime dhe ndërhyrje. I kërkuan të ndryshojë pjesën e tekstit duke dalë kundër dëshirës së autorit, i cili nuk lejonte që marinarët të merrnin drejtimin e anijes dhe të ktheheshin në tokë, duke triumfuar qëllimi i lartë i kapitenit për të siguruar diçka nga deri. “Pedagogët e mi, Viktor Zhysti dhe Arben Imami më mbështetën për ta vijuar në frymën e autorit”, tha Kutali.
Po të njëjtën pengesë hasi në 1990-ën, kur donte të vendoste në skenë dramën “Anna Christie”, madje ia kishte dërguar tekstin Robert Ndrenikës dhe disa aktorëve të tjerë. Vepra në fillim ishte aprovuar unanimisht dhe pastaj ishte rrëzuar po unanimisht, duke mos lejuar ngjitjen e saj në skenë. Kjo dramë u ndalua për shkak se trajtonte historinë e një vajze të re, e cila bie në dashuri me një marinar, dhe që më parë kishte punuar si prostitutë. Edhe pse Eugene O’Neill e kishte shkruar 80 vite më parë në SHBA, për Shqipërinë e 1990-ës ishte e papranueshme vendosja e një drame me një personazh të tillë.
Duke pasur ndikim nga dramaturgë të tillë si Henrik Ibsen, August Strindberg apo Luigi Pirandello, Eugene O’Neill neveritej nga shfaqjet melodramatike, me oratori të tepruar, duke iu përgjigjur instinktivisht realizmit dhe teknikave eksperimentale. Pjesë të subjekteve të veprave kishte personazhe të zakonshëm, nga përditshmëria, duke tentuar kështu t’iu ikë kornizave e të ecë kundër rrymës. Jeta plotë sfida e tij, nga djali i një aktori të famshëm dhe student i përzënë nga Universiteti Prienceton, ai punoi si detar, kërkues në Honduras dhe madje kaloi kohë si endacak.
Këto përvoja e ekspozuan ndaj anës së errët të jetës dhe i siguruan material të pasur për veprat e tij të mëvonshme. Ekspozimi i O’Neill ndaj vështirësive të njeriut të zakonshëm u bë një temë qendrore në dramat e tij. Përveçse luftoi me alkoolizmin dhe depresionin, në 1912-ën dramaturgu u diagnosftikua me turbekuloz. Pikërisht gjatë fazës së rikuperimit ai mendoi seriozisht zhvillimin e karrierës në letërsi duke u zhytur në lexime dhe shkrime. Eksplorimi i tij i temave universale si dashuria, humbja dhe kërkimi i kuptimit siguron që vepra e tij të mbetet e rëndësishme për brezat e rinj.
“O’Neill gjithë jetën e përçoi në veprat e tij dhe diti ta çojë bukur. E përdorte narracionin, por nga ana tjetër dinte të deduktonte filozofi shumë të fuqishme që i bënë nder kohës, e padyshim solli vlera të jashtëzakonshme në ndryshimin e drejtimit të teatrit amerikan”, nënvizoi prof. Kutali.
Duke folur për narracionin në veprën e dramaturgut amerikan, Boriçi tha se ai ka qenë ‘diktator’ për veprën e tij dhe nuk lejonte regjisorët të ndryshonin apo të tejkalonin tekstet e tij. Madje edhe kur i kërkuan që të hiqte 45 minuta, përfundoi duke hequr 2 minuta. “Sot kanë filluar tendencat që veprat e O’Neill të mos i lidhin me autobiografinë e tij, duke përcjellë idenë se vepra ka jetën e vet përtej autorit. Kjo është gjëja më e madhe që po ndodh sot në teatrin botëror, ku roli i regjisorit është i jashtëzakonshëm.”
Për përgjegjësin e Departamentit të Arteve të Aplikuara në UET, dr. Ermir Nika, dramaturgu amerikan ka qenë inspirimi jo vetëm për Ernest Hemigueji por edhe për Ismail Kadarenë. “Është një gjeneratë që erdhi në skenën botërore në kohën kur njerëzimi ishte në dilemën se janë thënë të gjitha, çfarë do të thuhet më pas. Dhe këta sollën një mesazh të madh, me daljen e Kafkës, O’Neill, Orwell, me Pirandelon.”
Në fund, prof. Kurtali iu kërkoi studentëve të guxojnë, të mos qëndrojnë brenda asaj që kërkon pedagogu, duke besuar te kredoja e tyre. “Këtë ia njoh si meritë vetes: Gjithmonë jam përpjekur të bëj atë që duan të bëjnë studentët, jo atë që dëshiroj unë. Kjo është shprehja e vërtetë e individualiteti dhe origjinalitetit të tyre, drejt një akti kreacioni që nuk e percepton askush tjetër siç e bën secili prej tyre.”