Kolana UETPress/ Esat pashë Toptani, siç nuk e njohim…
Kolana UETPress- 15 vjet
Titulli: Esat Pashë Toptani
Autor: Ilir Ikonomi
Nga Bejtullah Destani, Studiues
Kemi në duar një libër të paanshëm për Esat pashë Toptanin, njeriun shumë të debatuar të historisë shqiptare. Autori, Ilir Ikonomi, ka përdorur një metodologji moderne për t’u përballur me problemin më të vështirë: kapërcimin e paragjykimeve të krijuara në vite rreth këtij personazhi. Në thelb të qasjes së tij është nocioni se figurat historike duhen gjykuar sipas kohës në të cilën kanë jetuar dhe se askush nuk e ka monopolin e së vërtetës.
Autori ka përdorur dokumente të shumta nga arkiva në Europë dhe SHBA, që janë baza mbi të cilat ai ka ndërtuar figurën e Esat pashës, të ushtarakut dhe politikanit, herë të rreptë e të pamëshirshëm dhe herë pragmatik, oportunist e dinak.
Ilir Ikonomi jo vetëm që e njeh shumë mirë historinë dhe kohën kur ka jetuar Esat pasha, por na bind se është mjeshtër i madh i përdorimit të burimeve arkivore dhe i literaturës së dorës së dytë. Ai ka shkuar deri në fund të botës për të kërkuar çdo dokument që lidhet drejtpërsëdrejti, ose tërthorazi me Esat pashën. Nga Arkivi i Farnezinës në Romë, ku kam patur rastin ta ndihmoj në kërkimet e tij, Ikonomi ka mundur të seleksionojë një mori dokumentesh për Esat pashën, telegrame, letra dhe dëshmi të pabotuara, që i kanë shtuar librit një informacion të pasur për periudha jo fort të studiuara në historinë e Shqipërisë.
Autori e trajton dokumentin historik me shumë kujdes, pa e shpërdoruar dhe mbivlerësuar, duke kaluar në sitën e vet të imtë të vërtetat, të pavërtetat dhe gjysmë të vërtetat. Me tërë këtë pasuri faktesh, ai na zhyt në ngjarjet e kohës dhe na bën të ndihemi sikur të ishim dëshmitarë të drejtpërdrejtë të saj.
Si rrallëkush deri tani, Ilir Ikonomi na tregon se si duhet të shkruhet historia e Shqipërisë, e cila gjatë shumë dekadave u shtrembërua dhe vazhdon akoma, duke patur parasysh se shumica e historianëve shqiptarë nuk kanë hequr dorë nga paragjykimet, edhe pas rënies së komunizmit.
Me qasjen e paanshme prej publicisti modern, autori thyen kornizat, duke na sjellë një gjykim moral të ftohtë dhe të shkëputur nga emocionet. Ai nuk predikon, nuk qorton dhe as nuk tregohet cinik, por, ashtu si një gazetar investigues, është gjithmonë skeptik përballë ngjarjeve dhe personazheve.
Ilir Ikonomi nuk i ka vënë vetes si detyrë të nxjerrë përfundime kategorike mbi Esat pashën. Ai e fton lexuesin të gjykojë vetë, në bazë të një mali me dokumente nga arkiva të ndryshme. Ky koncept në dukje i thjeshtë, por i refuzuar nga shumë historianë, ka kërkuar një punë të madhe nga autori, për t’i paraqitur faktet natyrshëm dhe në mënyrë të balancuar.
Libri është i derdhur në një stil transparent, inteligjent dhe të përmbajtur, ku asnjë fjalë nuk është e tepërt. Ai ndërthur parashtrimin e qartë të dokumentit historik me rrëfimin konçiz dhe tërheqës. Autori të befason me intervistat autentike të Esat pashës dhe shumë hollësi të panjohura, çka i jep mundësi lexuesit ta shijojë drejtpërdrejt atmosferën e kohës.
Në literaturën vendase dhe të huaj, punimi që keni në duar është pa dyshim më seriozi dhe më i sakti deri më sot rreth këtij personazhi historik. Nga ky libër mund të mësojnë të gjithë ata, të cilët kanë patur dhe kanë paragjykime, kur është fjala për personalitete si Esat pasha, apo Mbreti Zog.
Ai është shembull i mënyrës se si mund të shkruhet historia shqiptare.
Romë, tetor 2016
Dy fjalë nga autori
Nuk është e lehtë të shpjegosh Esat pashë Toptanin (1864-1920), njërin ndër personazhet më enigmatikë të botës shqiptare.
A ishte Esati mercenari që shiste atdheun për një grusht para? Apo ishte pragmatisti që refuzonte të bëhej shërbëtor i të huajit? Përse i zemëronte disa qeveri dhe ia dilte të miqësohej me të tjera? Si arrinte ky njeri pa ndonjë shkollë të fuste në dilema edhe diplomatët e përpunuar në universitetet europiane? Ku e mësoi artin e të folurit, që i bënte intervistat e tij të tingëllonin më koherente dhe më bindëse, sesa belbëzimet e shumë prej udhëheqësve që njohim? Përse u vra dhe kush u gëzua nga vrasja e tij? Përse historianët shqiptarë nuk kanë dashur kurrë të merren seriozisht me të, por i bien shkurt dhe e shpallin tradhtar? Libri që keni në duar është përpjekja për t’u dhënë përgjigje këtyre pyetjeve. – kjo mund te vecohet ne faqosje ne nje kornize me vete.
Në këtë libër, që i drejtohet publikut të gjerë e jo thjesht studiuesit të historisë, nuk ka tradhtarë dhe heronj. Aty ka fakte të ftohta që mund ta bëjnë lexuesin të argëtohet ose të trishtohet nga çmenduria njerëzore, por kurrsesi të kalojë në indinjatë apo ekzaltim, kur ndeshet me një poshtërsi a me një heroizëm.
Esati është një figurë tepër komplekse, që ka vepruar në një terren të pashkelur, kur shteti shqiptar ishte në formim e sipër. Faktet që lidhen me të nuk mund të shpjegohen me hamendje dhe unë isha i vetëdijshëm se studimi i Esat pashës duhej mbështetur mbi një burim të shëndoshë arkivor, të pandotur nga rrëfimet gojore dhe nga interpretimet subjektive. Personalisht, nuk më lidh asgjë me Toptanët dhe nuk kam ndonjë interes për të qëndruar në këtë, ose në atë anë të debatit. Prandaj, në kërkimet e mia kam përdorur syrin e një vëzhguesi të ftohtë e të pandikuar.
Për të kuptuar këtë personazh, kam shqyrtuar me kujdes arkivat e ministrive të jashtme austriake dhe italiane, ku ndodhet një arsenal i tërë telegramesh, letrash, shënimesh dhe raportesh për Esatin, shumica të panjohura. Austria dhe Italia e vëzhgonin me kujdes dhe negocionin me Esatin, kur ai ndodhej në Durrës në vitet 1913-16. Më vonë, gjatë Luftës së Parë Botërore, kur shkoi në Frontin e Selanikut, Franca mbante shënim lëvizjet e tij dhe arkivi francez është mjaft i dobishëm për studimin e kësaj periudhe. Italianët dhe francezët kanë një dokumentacion të pashfrytëzuar edhe për kohën kur Esati ndodhej në Paris, në vitet 1919-1920. Disa vëllime me dokumente të arkivit serb më kanë ndihmuar të kuptoj marrëdhëniet e tij komplekse me Serbinë, dhe të kërkoj përgjigje rreth disa pyetjeve që hedhin dyshime mbi karakterin e Esatit. Edhe Arkivi Qëndror i Shtetit në Tiranë ka qenë për mua një burim mjaft i mirë informacioni. Aty ka dokumente origjinale, por edhe shumë prurje nga arkiva të tjera. Sigurisht, arkivat kanë kufizimet e tyre, sepse jo çdo gjë që thonë ato të çon tek e vërteta. Dokumentet duhen konfirmuar dhe interpretuar saktë. Por kjo është në fund të fundit peshorja, me të cilën matet ndershmëria e autorit.
Disa dhjetra libra, gazeta e revista, që i kam nxjerrë nga bibliotekat dhe arkivat, më kanë ndihmuar të krijoj një ide më realiste për truallin e ashpër në të cilin veproi Esati, për ta dhënë tabllonë me ngjyra sa më të gjalla. Lexuesi do të ketë rast të kalojë si në një film ngjarjet që përjetoi Shqipëria në 8 vitet e para të ekzistencës së saj si shtet: vrullet, shkatërrimet, rebelimet, shpresat, zhgënjimet dhe ringritjet.
E gjithë kjo nuk mund të bëhej pa shkelur unë vetë në disa prej vendeve që përmenden në libër, prandaj kam marrë disa herë avionin nga Uashingtoni për të udhëtuar drejt Shqipërisë. Në Shkodër desha të këqyr kalanë e Rozafës më këmbë, por edhe me dron, me shpresën se kjo do të më ndihmonte të krijoja një përfytyrim më të saktë për mënyrën se si u rrethua dhe si u mbrojt qyteti një shekull më parë. Në Durrës, desha të gjeja se ku saktësisht ndodhej pallati i Princ Vidit, nga i cili sot nuk ka mbetur asnjë gjurmë; desha të përcaktoja se në ç’pikë të qytetit ngrihej shtëpia e madhe e Esatit dhe si u qëllua ajo me top nga kopshti i pallatit natën dramatike të 18-19 majit 1914.
Libri ndahet në nëntë kapituj, që e përshkruajnë Esatin në disa prej momenteve më të rëndësishme të jetës: përballja me sulltan Abdyl Hamitin, rrethimi i Shkodrës, rivaliteti me Ismail Qemalin, bashkëjetesa dhe ndarja me Princ Vidin, rikthimi në Durrës dhe qeverisja nën rrethimin e rebelëve të Shqipërisë së Mesme, lufta në Frontin e Selanikut, Konferenca e Paqes dhe vrasja nga Avni Rustemi në Paris. Ngjarjet e përshkruara shoqërohen me një koleksion fotografish, një pjesë të pabotuara. Libri është i pajisur me shënime, një bibliografi të hollësishme dhe treguesin e emrave.
Deri tani janë botuar disa libra dhe studime mbi Esatin, por mendoj se përgjithësisht ka patur një dëshirë të panevojshme për ta paraqitur ose si patriot të kulluar, ose si emblemë të tradhtisë. Të tjerë nuk kanë dashur fare të merren me të, duke e quajtur studimin për Esatin një përpjekje pa vlerë. Ndërkaq janë botuar libra pa fund për figura lokale, të cilat as që i afrohen ndikimit që Esati ka patur në Shqipëri dhe në diplomacinë europiane.
Disa studiues mund të kenë dilema dhe pikëpyetje, mund të shprehin hamendje dhe të ngrejnë teori, por nuk mund ta fshijnë këtë personazh, thjesht sepse roli i tij nuk përputhet me mënyrën se si u pëlqen atyre ta shohin historinë e Shqipërisë. E kaluara na shërben për të njohur të ardhmen dhe ky libër del në dritë si nevojë për të plotësuar këtë njohje.
Ilir Ikonomi
Uashington, D.C.
Librat e mirë artistikë janë aq pak sa të merr frika ta mendosh. Ndoshta një në njëmijë. E megjithatë janë të mjaftueshëm. I njëjti pohim vlen edhe për librat e mirë historikë tepër të rrallë, një prej të cilëve është ky libër i Ilir Ikonomit.
Blendi Fevziu
Historia jonë është e shkruar në libra që kanë një të metë fatale. Eventet janë të rreshtuara si “foto” statike. Çka lexuesit i shkakton bezdi, sepse që leximi të marrë kuptim i duhet që “fotot t’i lidhë vetë”. Libri i Ilir Ikonomit bën përjashtim. Duke e lexuar nuk ndjen asnjë vështirësi, sepse rrjedh si një film.
Henri Çili
Më së fundi një libër i vërtetë Historie. Nga ata më të mirët. Që gjatë leximit të jep ndjesinë se po e sheh me sytë e tu qiellin nën të cilin po luftohet, po dëgjon zërat e protagonistëve, gjëmimin e topave, urdhërat e komandantëve, thirrjet e luftëtarëve, krrokamën e korbave mbi kufomat, po nuhat erën e barutit dhe aromën e pyllit aty pranë.
Edison Ypi