Kolana UET Press- 15 vjet/ Pse të jesh liberal?
Nga Tom Palmer
Në një libër të titulluar “Pse liberalizmi” është e logjikshme që ne t’i japim direkt përgjigje pyetjes se çfarë është liberalizimi dhe përse njerëzit duhet ta mbështesin lirinë si një princip që ndërton rendin social.
Gjatë jetës suaj, ka 100 për qind shanse që të silleni si liberal. Ndoshta do të pyesnit se çfarë do të thotë të jesh liberal? Nuk është aq e vështirë. Ju nuk i përgjigjeni me dhunë dikujt që nuk ju pëlqen. Nuk ia merrni pronën. Nuk gënjeni a mashtroni për t’u marrë pronën, ose t’u jepni drejtim aq të gabuar me makinë, sa ata të përfundojnë në lumin poshtë urës.
Ju keni respekt për të tjerët. Respektoni të drejtat e tyre, pavarësisht se ndonjëherë ju vjen edhe të godisni dikë për fjalët që thotë, duke ju ofenduar, por në fund mendoni se është më mirë që të largoheni, ose t’i përgjigjeni fjalës me fjalë. Ju jeni një njeri i civilizuar.
Urime. Keni përvetësuar principin bazë të të qenit liberal. Ju e jetoni jetën dhe përfitoni nga liritë tuaja personale, duke lejuar edhe të tjerët të gëzojnë liritë dhe të drejtat e tyre. Silleni si një liberal.
Liberalët besojnë në parimet e vullnetit të lirë në vend të forcës. Me shumë gjasa, këto parime të vullnetit të lirë ju i respektoni dhe i aplikoni në jetën tuaj të përditshme. Pyetja më e shpeshtë që na bëhet është: A nuk është liberalizmi një filozofi politike, një grup idesh rreth qeverisë dhe politikave? Po, është e vërtetë. Atëherë, përse themelet e kësaj filozofie nuk janë ndërtuar mbi atë se çfarë duhet të bëjë qeveria, por se çfarë duhet të bëjë individi? Këtu lind dhe qasja e veçantë e liberalizmit në krahasim me ideologjitë e tjera politike. Liberalët nuk mendojnë se qeveria është çudibërëse, sepse ajo drejtohet nga njerëz si ne. Nuk ekziston një qenie e ndryshme njerëzore, pavarësisht emrit që mund t’i jepni: mbret, perandor, magjistar, kryeministër, president a deputet, ose pasjes së njohurive, zgjuarsisë e pushtetit që i veçon nga normalja.
Udhëheqësit, edhe kur janë të zgjedhur në mënyrë demokratike, nuk janë më shumë “të shqetësuar për publikun”. Përkundrazi, janë disa herë më pak, se sa qytetari i thjeshtë. Nuk ka asnjë të dhënë për të besuar se janë më pak egoistë ose më shumë të dashur sesa njerëzit e tjerë. Akoma, nuk ka të dhëna se janë më shumë të interesuar për të dalluar të mirën nga e keqja se sa shumica prej nesh. Ata janë si ne.
Nga ana tjetër, po të mendosh pak, liderët politikë kanë fuqi që ne të tjerët nuk e kemi. Ata ushtrojnë pushtet për të arrestuar dhe për të vrarë njerëz, për të filluar luftëra, për të nxjerrë ligje se çfarë mund dhe s’duhet të lexojnë qytetarët, nëse dhe si mund të besojnë në Zot, me kë mund të martohen, çfarë nuk u lejohet të hanë, pinë ose tymosin, çfarë pune mund të bëjnë për të jetuar, ku mund të jetojnë, ku mund të shkojnë për shkollim, çfarë çmimesh duhet të kenë produkte të ndryshëm e kështu me radhë. Ata, praktikisht, ushtrojnë një pushtet që ne të tjerët nuk e kemi.
Pra, ata ushtrojnë forcë dhe kjo e dallon qeverinë nga institucionet e tjera. Por ata kanë fuqi perceptimi të realitetit, njohuri, ose largpamësi jo më shumë se ne të tjerët, sikundër as standard më të lartë dhe rigoroz për të kuptuar se çfarë është e drejtë dhe çfarë është e gabuar se mesatarja. Disa mund të jenë më të zgjuar se mesatarja e popullsisë, të tjerë ndoshta edhe më pak inteligjentë, por nuk ka dëshmi se ata, me të vërtetë, janë mbi pjesën tjetër të njerëzimit në një mënyrë të tillë që të konsiderohen mjeshtrit tanë natyrorë.
Përse ushtrojnë forcë, atëherë, qeveritë, kur ne na duhet të bindim të tjerët në mënyrë vullnetare? Duke qenë se mbajtësit e këtij pushteti nuk janë as engjëj dhe as Zota, përse atëherë kanë këtë fuqi që ne nuk e kemi? Përse ne u nënshtrohemi atyre me fuqinë që ata kanë? Në qoftë se unë nuk kam aq autoritet sa të hy në shtëpinë tënde dhe të kërkoj se çfarë duhet të hash, të tymosësh ose kur duhet të shkosh për të fjetur dhe me kë, përse një politikan, një burokrat, një gjeneral, një mbret ose një kryetar bashkie e ka këtë pushtet?
A e dhamë ne pëlqimin tonë për të na detyruar?
Por prisni, ne jemi qeveria, apo nuk jemi? Të paktën, në disa demokraci, siç kanë shkruar disa filozofë të ndritur, si Zhan Zhak Ruso, ne miratojmë gjithçka që qeveria kërkon prej nesh, të bëjmë ose të mos bëjmë. Qeveria praktikon “vullnetin e përgjithshëm” të njerëzve dhe në këtë mënyrë ajo është duke praktikuar vullnetin tonë. Ndaj kur qeveria është duke ushtruar dhunë ndaj nesh, ajo po na detyron ne për të qenë të lirë, për të ndjekur vullnetin tonë dhe jo se çfarë ne pretendojmë se duam. Siç dhe argumenton Rusoi në librin e tij “Kontrata Sociale”, “vullneti i përgjithshëm është gjithnjë i drejtë dhe është i njëjtë me atë të publikut, por kjo s’do të thotë se njerëzit kanë të gjithë të drejtë njësoj në diskutim… Ka, zakonisht, një diferencë të madhe mes vullnetit të të gjithëve (çfarë gjithë individët duan) dhe vullnetit të përgjithshëm.”
Në teorinë e tij Ruso ndërthur dhunën me lirinë, sepse, argumenton Ruso: “kushdo që refuzon t’i bindet vullnetit të përgjithshëm do të detyrohet nga fuqia e të gjithëve, që do të thotë se ai do të detyrohet të jetë i lirë”. Në fund të fundit, ti nuk e di se çfarë do, deri sa shteti të ketë vendosur për ty se çfarë do. Kështu nëse do të bësh diçka, por policia të ndalon dhe të burgos, ty po të lirojnë. Ty të gënjyen se ti doje që të mos i bindeshe shtetit dhe policia thjesht po të ndihmon që të zgjidhje atë se çfarë doje me të vërtetë, por ishe shumë budalla, injorant, i marrë ose i dobët për ta ditur që çfarë doje.
Ndoshta kjo duket pak metafizike, ndaj le të kthehemi e të mendojmë se çfarë argumentojnë dhe mbështesin sundimi i mazhorancës. Mesa duket, nëpërmjet zgjedhjeve ose disa procedurave të tjera, ne kemi gjeneruar “vullnetin e popullit” edhe pse disa njerëz nuk janë dakord (të paktën ata që nuk votuan për qeverinë). Këta të fundit do të detyrohen që të pranojnë dëshirën e mazhorancës, le të themi për të mos pirë alkool a duhan, ose për t’u detyruar të paguajnë taksa për gjëra që ata janë kundra, si luftëra a subvencione për grupe interesi. Mazhoranca votoi për të mos lejuar diçka nëpërmjet ligjit X, ose për të detyruar për të bërë diçka nëpërmjet ligjit Y dhe në këtë mënyrë ne e dimë “vullnetin e popullit”. Kështu, në rast se dikush vazhdon të tymos marijuanë, a pi alkool, ose nuk deklaron të ardhurat, ai është duke thyer vullnetin e popullit, të cilën ai vetë e ka pranuar. Le të hymë më në detaje.
Le të themi se një ligj që nuk lejon alkoolin është votuar dhe ti, nga ana tjetër, ke votuar për atë deputet që e mbështet këtë nismë. Disa mund të thonë që e ke dhënë lejen për të qenë i detyruar nga ky ligj i ri. Po në atë rast kur nuk ke votuar për këtë ligj apo për atë deputet që mbështet këtë nismë? Në këtë rast përgjigja që do t’ju japin është se ke marrë pjesë në një proces ku vendimi është marrë dhe në këtë mënyrë ke dhënë leje që të pranosh rezultatin. Po në atë rast kur nuk ke marrë pjesë në votime, ose nuk kishe asnjë interes për këtë lloj ligji? Në këtë rast do t’ju thonë se nuk mund të ankohesh, pasi e kishe mundësinë për të influencuar vendimmarrjen gjatë zgjedhjeve. Libertariani Britanik Herber Spenser në këtë rast është shprehur se “ … kjo qenka një doktrinë e çuditshme, sepse si të thuash po, si të thuash jo, ose si të jesh neutral, në të gjitha rastet të thuhet se e ke dhënë vetë miratimin (legjitimin) për këto ndryshime”. Me të vërtetë e çuditshme! Në rast se gjithmonë jep leje, pavarësisht se çfarë mendon ose thua, atëherë fjala “miratim” nuk do të thotë më asgjë pasi do të nënkuptojë si “mosmiratim”, ashtu dhe “miratim”. Në këtë rast, vetë fjala është zhveshur nga kuptimi i saj i parë.
Një person, i cili arrestohet sepse është duke tymosur marijuanë në shtëpinë e tij, nuk ka dhënë miratimin e tij për këtë. Kjo është arsyeja përse policët mbajnë shkopinj gome dhe armë për të kërcënuar njerëzit me dhunë.
Ndoshta pushteti i deleguar te shteti nga njerëzit në mënyrë që njerëzit kur nuk duan të tymosin marijuanë atëherë ata mund të zgjedhin të vetëarrestohen. Por kur nuk e ke autoritetin për të hyrë në shtëpinë e komshiut me armë për ta arrestuar atë e për ta futur në qeli, si ka mundësi që mund t’ia delegosh këtë pushtet dikujt tjetër? Ndaj kthehemi sërish te pretendimi magjik se komshiu yt që tymos marijuanë në shtëpi ka autorizuar vetë arrestimin e tij, pavarësisht se çfarë tha ose se si u soll.
Por ndoshta vetëm fakti se jeton në një shtet do të thotë se ti vetë ke miratuar çdo gjë që qeveria kërkon prej teje. Në fund të fundit në rast se vendos të vish në shtëpinë time ke dhënë pëlqimin tënd se je i gatshëm të pranosh rregullat e mia. Por një shtet nuk është njësoj si shtëpia ime. Unë jam pronar i shtëpisë sime por nuk jam pronar i shtetit tim. Shteti është i përbërë nga njerëz që kanë ide të ndryshme sesi është mënyra më e mirë për të jetuar dhe ata nuk më përkasin mua. Kjo, në fakt, është arritja më e madhe: njerëzit e tjerë nuk janë pronë e imja. Ata kanë jetën e tyre për të drejtuar. Ti si një njeri i matur e kupton këtë dhe e gjithë sjellja jote e reflekton duke mos hyrë në shtëpinë e të tjerëve dhe t’u thoni si të jetojnë. Ju nuk i vidhni atyre pronën, edhe nëse mendoni se atë ju mund ta përdorni më mirë. Ju nuk qëlloni me grusht, thikë e armë njerëzit të cilët janë kundërshtar me ju, edhe për gjëra që janë shumë të rëndësishme për ju. Ndaj nëse silleni si një liberal, ndoshta duhet të bëheni i tillë.
Çfarë do të thotë të jesh liberal?
Të jesh liberal do të thotë, që përveçse të mos dëmtosh të drejtat e të tjerëve nëpërmjet respektit për ligjin dhe drejtësinë, të pajisesh me aftësitë mendore për të kuptuar se çfarë do të thotë për një person që të ketë të drejta, sesi ato janë thelbësore për një bashkëpunim paqësor në shoqëri dhe sesi shoqëri të ndërtuara mbi parimet e bashkëpunimit vullnetar funksionojnë. Do të thotë që të mbrosh lirinë tënde, si dhe lirinë e të tjerëve. Një mendimtar i famshëm brazilian ia dedikoi jetën shfuqizimit të praktikës më të keqe kundër lirisë: skllavërisë. Ai quhej Joaquim Nabuco. Motoja liberale që e udhëhoqi gjatë jetës ishte:
Eduko fëmijët e tu, edukoje vetën për të dashuruar liritë e të tjerëve, sepse në këtë mënyrë liria jote personale nuk do të jetë një liri që vjen falas prej fatit. Do të jesh i bindur për vlerën e lirisë dhe as do të kesh më kurajë për ta mbrojtur atë.
Të jesh liberal do të thotë të kujdesesh për liritë e gjithë të tjerëve. Do të thotë të mbrosh të drejtat e të tjerëve edhe në ato raste kur sjellja e tyre nuk është e përshtatshme për ne. Do të thotë të mos përdorësh forcën, por të kërkosh të arrish objektivat në jetë, qofshin ato lumturia personale, përmirësimi i kushteve të njerëzimit, të njohurisë, ose të gjitha bashkë, vetëm nëpërmjet veprimeve vullnetare dhe paqësore. Nuk ka rëndësi nëse bëhet fjalë për botën “kapitaliste” të lirisë së sipërmarrjes dhe shkëmbimit tregtar apo në shkencë, filantropi, art, dashuri, miqësi a çdo lloj përpjekje njerëzore e cila mund të kornizohet nga rregullat e bashkëpunimit vullnetar.
Skepticizmi për pushtetin dhe autoritetin
Të jesh liberal do të thotë se e ke kuptuar që liritë janë të siguruara vetëm kur pushteti është i limituar. Të drejtat kërkojnë shtetin e së drejtës. Xhon Lok, aktivist dhe filozof radikal britanik, ndihmoi për të hedhur themelet për botën moderne. Ai ishte kundër mbështetësve “të absolutizmit”, atyre personave që mendonin se sundimtari duhet të ketë fuqi të pakufizuara. Këta ithtarë të absolutizmit talleshin duke pohuar se, t’i lejosh lirinë njerëzve, do të thotë t’i lejosh atyre çdo gjë që kanë dëshirë të “listojnë”, mbështetur në teka, pa pasur frikë nga pasojat e veprimit të tyre mbi të drejtat e të tjerëve.
Lok u përgjigj se çfarë grupimi liberal kërkonte të ishte: “Liria për të vendosur rregull sipas vullnetit të personit dhe prona veprimet e tij të jenë në lejuara me ligj; të mos jetë i nënshtruar nga vullneti i dikujt tjetër, por të jetë i lirë të ndjek vullnetin personal”. Një person mund të zgjedhë të bëjë çfarëdo që ai zgjedh të bëjë që është e tij, të ndjek vullnetin e tij dhe jo të jetë nën urdhrat e dikujt tjetër, për sa kohë është duke respektuar të drejtat e barabarta për të tjerët.
Filozofi Mikael Humeur e përshkruan liberalizmin si “morali i logjikshmes” e cila është e përbërë nga tre elementë: principi i mossulmimit që pengon njerëzit të sulmojnë, vrasin, vjedhin apo mashtrojnë njeri-tjetrin; pranimi i natyrës detyruese të shtetit… e cila mbështetet nga kërcënime të besueshme të përdorimit të forcës për ata persona që nuk i binden shtetit” dhe “një skepticizëm ndaj autoritetit politik… që shteti të mos bëjë gabime të cilat nuk i lejohen t’i bëjë një organizate jo shtetërore ose individi”. Sipas Humeur është kuptimi i autoritetit që përbën dhe dallimin mes liberalizmit dhe filozofive të tjera politike.
Liria, prosperiteti dhe rendi
Të jesh liberal do të thotë që je në gjendje të kuptosh sesi krijohet pasuria, e cila nuk vjen nga urdhrat e politikanëve, por nga njerëz të lirë që punojnë së bashku, që krijojnë, zbulojnë, kursejnë, investojnë, blejnë e shesin dhe, të gjitha këto, nën respektin për pronën dhe të drejtat e të tjerëve. “Prona” nuk është vetëm “gjërat e mira”, si mund ta përdorim termin në ditët e sotme, por përfshin “ të drejtën e jetës, lirisë dhe shtëpisë” për të përdorur frazën e Lokut. Siç shkruante dhe Xhon Madison, shkruesi kryesor i kushtetutës së SHBA, “Ashtu si një person ka të drejtë për të patur pronë, ai ka të drejta të barabarta për të patur në pronësi dhe liritë e tij”.
Dashuria dhe dhembshuria mund të mjaftojnë për një grup të vogël njerëzit për të bashkëpunuar në mënyrë efikase dhe paqësore me njëri-tjetrin, por liberalët e dinë se këto nuk mjaftojnë për të krijuar paqe dhe bashkëpunim mes një grupi të madh njerëzish që nuk kanë komunikim.
Dashuria dhe dhembshuria mund të mjaftojnë për një grup të vogël njerëzish për të bashkëpunuar në mënyrë efikase dhe paqësore me njëri tjetrin, por liberalët e dinë se këto nuk mjaftojnë për të krijuar paqe dhe bashkëpunim mes një grupi të madh njerëzish që nuk kanë komunikim personal me njëri-tjetrin.
Liberalët besojnë në shtetin e së drejtës, ku ligjet janë të njëjta për të gjithë dhe nuk ndryshohen apo përthyhen për interes të personave me pushtet. Rregullat në një shoqëri të lirë nuk krijohen për t’i ardhur në ndihmë një personi apo një grupi; ato respektojnë të drejtat për çdo qenie njerëzore, pavarësisht gjinisë së tyre, ngjyrës, fesë, prejardhjes apo çdo lloj pamje të jashtme.
Ligjet për pronën janë thelbësore për çdo lloj bashkëpunimi vullnetar mes njerëzve të panjohur. Prona nuk është çfarë ne kemi në dorë; është një marrëdhënie komplekse mes të drejtave dhe detyrimeve, mes së cilave njerëz të cilët nuk janë të njohur mes tyre mund të adaptojnë sjelljen e tyre për të jetuar paqësisht me njëri tjetrin, për të bashkëpunuar në firma dhe shoqata, dhe të hyjnë në tregti për përfitim të përbashkët, pasi ata e dinë se çfarë është e imja dhe se çfarë është e jotja dhe mbi çfarë ndërtojnë për të përmirësuar kushtet e tyre.
Ligje që përcaktojnë qartë pronën, që janë ligjërisht të sigurta dhe që lejojnë transferimin e pronësisë përbëjnë thelbin për bashkëpunimin vullnetar, mirëqenie, progres dhe paqe. Prona përfshin dhe ato aksione në firma të cilat mundësojnë bashkëpunimin e mijëra e mijëra njerëzve për të prodhuar ilaçe e avionë apo që ofrojnë fruta në tavolinën tuaj gjatë dimrit.
Profesori liberal i ligjit Ricard Epstein titulloi një nga librat e tij “Rregulla të thjeshta për një botë komplekse”. Titulli është i goditur pasi kap frymën e gjithë librit që thekson se nuk kemi nevojë për rregulla kopmlekse për të na dhënë rend kompleks. Rregulla të thjeshta mjaftojnë. Në fakt, rregulla të thjeshta, të kuptueshme, dhe të qëndrueshme në kohë na japin rend, ndërsa rregulla të pakuptueshme, të komplikuara dhe të ndryshueshme ofrojnë kaos.
Ligje të qarta të pronës dhe ligje që lejojnë shkëmbimin tregtar në përfitim të dyanshëm mundësojnë bashkëpunim në shkallë të gjerë pa patur nevojë për detyrim. Tregje të lira imponojnë më shumë rregull dhe largpamësi, dhe jo më pak, sesa shoqëri të komanduara. Rendi spontan i tregjeve është më abstrakt, kompleks dhe largpamës sesa çdo plan pesëvjeçar apo ndërhyrje shtetërore që është përdorur ndonjëherë. Institucione të tilla si çmimi, që prodhohet kur njerëzit janë të lirë të shkëmbejnë mallra me njëri tjetrin, ndihmojnë për të çuar burimet për ato produkte që janë më me vlerë pa patur nevojë për një burokraci imponuese. Plan i imponuar në fakt është e kundërta e planit pasi është pengesë e procesit të vazhdueshëm e koordinimit të planit e cila mishërohet në institucionet e zhvilluara lirisht në shoqëri.
Rendi vjen në mënyrë spontane nga ndërveprimet e njerëzve që janë të sigurt nga gëzimi i të drejtave të tyre. Kjo nuk vlen vetëm për rendin ekonomik, por dhe për gjuhën, moralin shoqëror, zakonet, shkenca dhe për fusha të tilla si modë. Të përdorësh forcën për t’iu imponuar ndonjërës prej këtyre fushave nëpërmjet dëshirës së sundimtarit, diktatorit, presidentit, komisionit, parlamentit apo burokracisë do të thotë të heqësh rendin dhe të imponosh kaos, të zëvendësosh lirinë me forcë dhe harmoninë me mosmarrëveshje.
Liberalët besojnë në një botë në paqe dhe punojnë për të, një botë në të cilën të drejtat e secilit prej nesh njihen dhe respektohen, një botë në të cilën prosperiteti i përbashkët gjenerohet nga bashkëpunimi vullnetar, bazuar në një sistem ligjor që mbron të drejtat dhe mundëson shkëmbime vullnetare. Liberalët besojnë te pushteti dhe punojnë për ta kufizuar atë, te pushteti për të imponuar shtetin ligjor mbi arbitraritetin e pushtetit, për kufizimin dhe minimizimin e përdorimit të dhunës në çdo formë. Liberalët besojnë në lirinë për të menduar dhe ndalen në arsyetimin e saj, në lirinë për të punuar, për t’u sjellë në mënyrën që ne zgjedhim për sa kohë jemi duke respektuar të njëjtën barazi për liri të të tjerëve. Liberalët besojnë dhe punojnë për një botë në të cilën çdo njeri është i lirë të kërkojë lumturinë e tij pa kërkuar leje nga dikush tjetër për të qenë, për të vepruar apo për të jetuar.
Ndaj… përse të jesh liberal?
Përse të jesh liberal? Mund t’ju duket shaka po përgjigja mund të jetë përse jo? Ashtu si në gjyq të kërkohet të vërtetosh të vërtetën se dikush ka bërë një krim, dhe nuk i kërkohet të akuzuarit, ashtu dhe vërtetimi kërkohet nga ata persona që do të donin t’i hiqnin lirinë një personi tjetër dhe jo atyre që duan të ushtrojnë lirinë.
Dikush që do të këndojë ose të gatuajë një kek, nuk duhet të kërkojë të marr leje nga e gjithë bota për të kënduar e për të gatuar. As nuk duhet të hedh poshtë tërë arsyet në botë përse nuk duhet të këndojë ose të gatuajë. Nëse atij nuk i lejohet të këndojë ose gatuajë, i mbetet personit që po e pengon të ofrojë të arsye bindëse përse nuk i lejohet. Barra për të vërtetuar i mbetet atij që nuk lejon. Dhe ai mund të ketë një arsye të vlefshme për të mos lejuar të këndojë sepse zëri është aq i lartë sa nuk lejon të tjerët për të fjetur, apo sepse nga gatimi rrezikohet të digjen shtëpitë përreth. Këto mund të jenë arsye të mira. Por supozimi është për lirinë dhe jo për ushtrimin e pushtetit për të penguar lirinë.
Një liberal është një person që beson në vërtetësinë e lirisë. Dhe ky besim i thjeshtë kur aplikohet në realitet çon në një botë ku njerëz të ndryshëm mund të realizojnë formën e tyre të lumturisë, ku mund të shkëmbejnë mallra të lirë në avantazh të gjithsecilit dhe çdo mosmarrëveshje zgjidhet nëpërmjet fjalëve dhe jo shkopinjve. Kjo nuk do të ishte një botë perfekte, por një botë për të cilën do t’ia vlente të luftoje.