Isuf Kalo: Oferta e UET, profesionistë të mjekësisë të një tipi të ri
Isuf Kalo: Oferta e UET, profesionistë të mjekësisë të një tipi të ri
PROF.DR.ISUF KALO/ “Unë kam një ëndërr“- pati thënë Martin Luter Kingu. “Besojini ëndrrat. Kini kurajon tju shkoni atyre pas”– pati thënë një tjetër i urtë. “Mos i lejoni mendjet e vogla tju bindin që ëndrrat e juaja janë shumë të mëdha“- pati këshilluar një i tretë.
Ëndërr e madhe ka qenë konsideruar vërtetë edhe ideja e krijimit të një fakulteti të ri shqiptar jo publik në fushën e mjekësisë dhe të shëndetit.
Meritojnë mirënjohje cilido nga ata profesionistë të shquar, shkencëtarë dhe akademikë elitar të mjekësisë shqiptare që besuan në atë ëndërr, që kontribuuan dhe e ndoqën pas me ngulm dhe shpresë iniciatorët pa e quajtur as të madhe, as të pa arritshme dhe as të pamundur siç pretendonin skeptikët e shumtë.
Dhe ja Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike u krijua dhe u licensua. Ai po hap sot dyer e tij për të filluar veprimtarinë në UET. Është ditë e gëzueshme suksesi si hap i parë por edhe prelud i një sfide të re po aq joshëse ajo e zgjerimit të afërt të tij në një fakultet më të plotë (apo pse jo një universiteti të ri mjekësor) shqiptar jo publik me të gjitha degët edhe specialitet që ka nevojë popullata jonë dhe tregu i lirë i shërbimeve shëndetësore.
Ky fakultet lindi si rrjedhojë llogjike nga nevojat gjithnjë në rritje të popullatës tonë për shërbime dhe profesionistë infermieror, fizioterapie dhe imazherie; ndërkohë që numri i tyre në raport me popullatën tonë është më i ulëti jo vetëm në Evropë por edhe në rajon. Lindi kur një pjesë e profesionistëve të tillë po emigrojnë çdo vit e më shumë në Evropën e uritur për ta, si dhe kur moshimi i popullatës tonë po rritet pandalshmërisht në përqindje, bashkë me nevojat e shtuara specifike që kanë për të tilla shërbime ata.
Ai në fakt nuk lindi në boshllëk. Të tjera kurse, shkolla 1 apo dy vjeçare dhe deri universitete shtetërore dhe private kanë kontribuuar ndër vite në edukimin dhe formimin e profesionistëve të tillë shëndetësor. Ata meritojnë përgëzime dhe mirënjohje të thellë edhe nga ana jonë. Falë arritjeve të deritashme të tyre por edhe mangësive të evidentuara, kanë dalë mësime për ne, sidomos në ambicjen për të krijuar një model dhe kualitet të ri më të avancuar edukimi dhe formimi të tyre: atë të punonjësve shëndetësor të aftë dhe kompetent profesionalisht, por edhe me empatinë, me buzëqeshjen, shikimin dhe komunikimin sy në sy dhe dëgjimin e vëmendshëm të pacientëve dhe qytetarëve; kërkesa këto që „në industrinë“ e sotme të shërbimeve të tilla janë shndërruar në standarde të domosdoshme për zbatim.
Janë disa avantazhe ekzistuese në UET që lejojnë synime të tilla. Fakulteti i ri i shkencave mjekësore teknike pati fatin që lindi në UET, një universitet tashmë “i thinjur“ në eksperiencë pedagogjike, shkencore dhe menaxheriale “me koncepte të rinovuara të mësimdhënies dhe mësim-nxënies, me metoda të reja pedagogjike interaktive të bazuara në konceptin e dialogut “adult adult“ që lejojnë studentët jo vetëm të marrin dije por edhe të japin mendime, dhe që ata të ndjehen jo thjesht klient të UET-s por edhe partner aktiv në procesin e perfeksionimit në vazhdimësi të tij dhe sigurimit të standardeve evropiane të duhura për akreditimin. Synimi ynë nuk është “biznes as usual” të prodhojmë “më shumë nga e njëjta“ ekzistuse, por të edukojmë dhe formojmë profesionistë mjekësor të një tipi të ri siç i kërkon popullata, tregu dhe koha që jetojmë.
Inferemierët nuk do të marrin në UET një diplomë kartoni më shumë, si ndihmëse apo “punonjëse të dorës së dytë“ për të mos thënë “hyzmeqare“ të eprorëve, por do aftësohen si partnerë profesional me kompetenca për veprimtari specifike të pavarur domodoshmërisht nga mjeku. Të tillë infermierë do të mund të krijojnë “sektorin e Infermieristikës“ i cili sot i mungon sistemit dhe tregut tonë shëndetësor. Kjo do ju mundësojë atyre pas diplomimit që në vend që të kërkojnë punë diku në institucione apo qendra ekzistuese publike apo private, ata do të mund ta krijojnë vendin e punës vetë, madje edhe të punësojnë edhe të tjerë duke krijuar në tregun e lirë “qendra të pavarura infermieristike“ me kompetencë të certifikuar për sete shërbimesh të standardizuara specifike mjekësore, të cilat ato me iniciativën e tyre sipas zotësisë dhe kërkesave të klientëve do kenë mundësi ti shtojnë dhe ti zgjerojnë.
Dhjetë vite suksesi të UET-së i kanë dhënë atij tipare moderne evropiane, në mendësi dhe në funksionalitet. Një risi me interes krijimi në brendësi të tij i një “mini universi“ multidimensional dhe multifaktorial, i cili i jep sens termit universitet por që i mungonte arsmit tonë të lartë. Ky “univers“ si një buqetë programesh i ofron studentëve të tij jo vetëm dije teorike në auditorë dhe aftësim të përdorimit të tyre në jetë, por edhe erudicion kulturor dhe intelektual në fushat e: sociologjisë, psikologjisë, ekonomisë e menaxhimit, pedagogjisë, drejtësisë, etikës, arteve, komunikimit dhe shkencave informatike; të rrezatuara këto nga fakultetet përkatëse ekzistuese në atmosferën e UET.
Sepse UET përveçse institucion arsimor i lartë është “atmosferë lirie dhe intelektualizmi” e kondensuar me dije, shkencë, ide dhe alternativa që zhvillohen me ballfaqim të ndërsjelltë. Aty ofrohen debate dhe forume diskutimi të lirë me dijetarë, artistë dhe intelektualë të shquar të vendit dhe të huaj, me autorë librash të rinj, me ekspozita pikture avangard, ku zhvillon takime akademia shqiptare e arteve dhe shkencës, ku jepen çmime dhe tituj honoris causa personaliteve të shquara dhe grante e donacione për studentë të shkëlqyer edhe ata në nevojë.
Të gjitha këto përbëjnë një aset të vyer për formimin e përgjithshëm etik kulturor dhe intelektual të profesionistit të ri mjekësor, i domosdoshëm sot kur shkencat mjekësore i kanë tejkaluar kufijt e mëparshëm biologjik të fokusuar në organe dhe dhe trupin fizik dhe janë shtrirë në aspektet sociologjike, psikologjike, etike dhe ekonomike të jetës, së të sëmurëve dhe qytetarëve. Profesionisti mjekësor i tipit të ri nuk mund të jetë formuar i plotë, as mund të performoj me sukses nëse ka marrë vetëm një diplomë kartoni për dijet por i mbetur shpirtërisht i thatë.
UET me potencialin e fakulteteve të shumta të tij që disponon në fusha dhe profile jomjekësore do rrezatojë fuqishëm që studentetët e fakultetit të ri pas mbarimit të studimeve nuk do largohen prej tij vetëm me bluzën e bardhë, as vetëm një diplomë në letër por edhe me erudicion, me etikë dhe kulturë qytetare të gjerë si humanist dhe intelektual dinjitoz. Dhe domosdo me zemër të bardhë. Le t’i urojmë së bashku sukses fakultetit të ri dhe kësaj reviste të parë inagurale të tij.